Plakja: Mjekët kërkojnë hapjen e një pavijoni për të moshuarit

Flet për “Mapo” prof. dr. Jera Kruja, shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT: Ky pavijon është domosdoshmëri, madje jemi vonë sepse të gjitha vendet e rajonit kanë shërbimin e Geriartisë. 

Jetëgjatësia është shtuar. Deri në vitin 2050 do të kemi më shumë të moshuar sesa fëmijë. Mosha mesatare është rritur dhe migrimi në Shqipëri ka ndodhur. Përballë kësaj sfide Fakulteti i Mjekësisë po përgatit kurrikulat për specialitetin geriartik. Sikurse shprehet Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, sot në vendin tonë kemi më shumë pediatër sesa geriatër. Për këtë arsye, mjekët apelojnë për hapjen e një shërbimi mjekësor për të moshuarit. Në një intervistë për “Mapo” prof. dr. Jera Kruja, shefe e Shërbimit Universitar të Neurologjisë, QSUT thotë se: “Ky pavijon është domosdoshmëri, madje jemi vonë sepse të gjitha vendet e rajonit kanë shërbimin e Geriartisë.”

Mjekimi

Doktoresha neurologe, Kruja shpjegon se shërbimi mjekësor ndaj të moshuarve ashtu siç duhet ka disa hallka që duhen plotësuar. “Ndaj mendoj se shërbimi i Geriartisë në QSUT është i domosdoshëm. Pasi ti bën një plan të konsoliduar planin social për të moshuarit, sikurse janë azilet, por shërbim të posaçëm shëndetësor për të moshuar të sëmurë ende nuk kemi. Është një sinjal për fillimin e një të tille edhe në vendin tonë. Një shërbim i tillë është i domosdoshëm por lind pyetja, kush do t’i formojë këta mjekë që do të shërbejnë si geriatër?”

Shefja e Shërbimit Universitar të Neurologjisë shpjegon se: “Në qoftë se ne kemi specialitet për Mjekët e Familjes dhe kemi specialist të mjekut të familjes, prej tyre mund të fillojnë geriatrit e parë. Do të ishte perfekte nëse prej tyre do të kishte një specializim jashtë vendit dhe pastaj të fillohet me hallkat e formimit të mëtejshëm. Është domosdoshmëri, madje jemi vonë sepse të gjitha vendet e rajonit kanë shërbimin e Geriartisë.

Por konkretisht pse është i domosdoshëm një shërbim i tillë?

Prof. dr. Jera Kruja, thotë se “një person i moshuar ka disa probleme në jetën e tij, ai mund të vuajë nga diabeti, hipertensioni, sëmundjet kardiake. Praktikisht një geriatër do të jetë i specializuar për të mbuluar të gjitha problemet shëndetësore të moshës. Deri tani jemi në kuadër të ideve, akoma nuk ka nisma konkrete”. Duke njohur problematikat dhe sfidat e thella që presin vendin tonë në trajtimin e sëmundshmërisë te të moshuarit. Madje pak kohë më parë, në një konference të zhvilluar mbi shëndetin mendor te moshat e treta, mbajtur nga ISHP, Dekani i Fakultetit të Mjekësisë, Xheladin Draçini, deklaroi se përballë kësaj sfide, Fakulteti i Mjekësisë po përgatit kurrikula për specialitet geriatrik dhe se sot më shumë se kurrë duhet ky shërbim. Në një njëjtin aktivitetit, drejtoresha e Institutit të Shëndetit Publik Albana Fico pranoi problematikat me të cilat përballen sot të moshuarit dhe tha se veçanërisht depresioni te moshat e treta është një sfidë shumë e vështirë për t’u trajtuar.

Sëmundjet

Karakteristika më e përgjithshme është prirja për “t’u ngadalësuar”. Kjo do të thotë se të moshuarit kanë nevojë për më shumë kohë për të bërë gjërat, por kjo nuk i pengon ata të realizojnë po aq, ose mos më shumë se individët më të rinj. Ulja e rezistencës, si shkak i zvogëlimit të forcës muskulore, mbasi ulen fibrat muskulore si në numër edhe në madhësi. Enët e gjakut bëhen më pak elastike. Ulja e dëgjimit. Një në katër persona të moshës 65-70 vjeç preket nga një ulje e dëgjimit. Ulja e dëgjimit ul aftësinë për të dëgjuar të tjerët dhe komunikuar korrekt, gjë që çon në izolim shoqëror dhe depresion. Ulja e shikimit, 70% e të moshuarve mbi 60 vjeç kanë shikim të ulur, gjë që çon në dëmtim të funksionit, rrit frikën e rrëzimit, ul aftësinë për punë, lexim, për të drejtuar makinën etj. Nga çrregullimet më të shpeshta të lidhura me shikimin te të moshuarit është katarakti apo “perdja e syrit” siç njihet në gjuhën popullore, ose glaukoma apo “tensioni i syrit”. Osteoporoza që shpesh është pa shenja derisa ndodh fraktura. Te gratë e moshuara mbi moshën 60 vjeç , 25% preken nga osteoporoza.

Sëmundjet që prekin të moshuarit mbi 65 vjeç

Sëmundjet kardiovaskulare, cerebrovaskulare dhe kanceri janë gjendje kronike të cilat përbëjnë edhe tre shkaqet kryesore të vdekjeve te të moshuarit. Problemet mendore dhe ato emocionale përbëjnë një shqetësim për shumë të moshuar. Më të shpeshta janë ankthi, depresioni me 15-30 % në moshat mbi 65 vjeç. Sëmundjet nga mungesat ushqimore, si anemi nga mungesa e hekurit, neuropati nga mungesa e folateve dhe Vitaminës B12 etj. Sëmundjet degjenerative, si artritet degjenerative që prekin më shumë kyçet e duarve, këmbëve, kurrizit etj. Seniliteti, i cili paraqitet si konfuzionin mendor ose paaftësi për të mbajtur mend, që për fat të keq ende përdoret si referencë e moshës së tretë. Dy karakteristika bazë janë në thelbin e tij; deliriumi dhe demenca. Nëse deliriumi, i cili karakterizohet nga simptomat e çorientimit, haset në personat e të gjitha moshave, demenca vihet re sidomos te të moshuarit. Rreth 10 % e personave të moshës së tretë janë të prekur nga ky problem. Forma më e shpeshtë e demencës, e cila haset tek të moshuarit, është sëmundja e Alzheimerit. Shenjat e para të një individi me Alzheimer janë të lidhura me rënien e kujtesës. Me përparimin e sëmundjes fillojnë vështirësitë në orientimin në kohë dhe hapësirë, si dhe ndryshimet në personalitet dhe sjellje. Sëmundja vazhdon deri aty sa mund të preken edhe të folurit apo të ecurit, duke e bërë personin e prekur invalid të rëndë. Humbja e autonomisë si dhe sëmundjet e lidhura me moshën parashikohet se do të jenë epidemia e vërtetë e këtij shekulli. Shkenca mjekësore ofron gjithnjë e më shumë mjete diagnostike dhe mjekuese mjaft të sofistikuara dhe efikase, duke ndihmuar në kontrollin e vdekjes së parakohshme për shumë të moshuar, por ka bërë shumë pak lidhur me uljen e shpeshtësisë së sëmundjeve dhe të humbjes së autonomisë mes tyre.

Kujdes!

Moshimi i bën njerëzit më të prekshëm nga aksidentet dhe sëmundjet. Me kalimin e moshës, shtohen si ndryshimet degjenerative të përgjithshme ashtu dhe shpeshtësia e disa sëmundjeve. Pra, një pacient i moshuar mund të vuajë nga shumë probleme dhe jo nga një çrregullim i vetëm. Afërsisht, një e pesta e personave të moshuar nuk ndiejnë dhimbje kur ndodh një infarkt miokardi. Nuk duhet harruar se dhimbja nuk është një shoqëruese normale e moshës së shkuar, prandaj nuk duhet injoruar asnjëherë. Si pasojë e ndryshimeve biologjike që ndodhin në organizmin e të moshuarve, edhe sëmundjet jo vetëm janë më të shpeshta por ato shfaqen në mënyrë atipike, gjë e cila e vështirëson jo vetëm diagnozën e hershme të tyre dhe trajtimin e përshtatshëm, por mund të çojnë edhe në diagnoza të pasakta. Sëmundjet kronike jo të transmetueshme përbëjnë problemet shëndetësore kyçe për personat e moshuar.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Hej njerëz, prej dhunës askush nuk fiton!

Nga Mustafa Nano Nuk ka diskutim që kjo taksa e rrugës së...
Read More