Përveç moralit politik, shqiptarët kanë edhe probleme të tjera që presin zgjidhje

Nga Ervis Iljazaj

E gjithë beteja politike shqiptare ka shumë kohë që zhvillohet mbi moralitetin e saj. Palët që akuzojnë njëra-tjetrën për korrupsion, abuzim me pushtetin apo për shpifje. Vetëm dje janë regjistruar në prokurori kallëzime të dyanshme. Fakt që tregon se politika shqiptare zhvillohet tashmë në një mediokritet të plotë.

Të kuptohemi, çështja e moralitetit është një çështje e rëndësishme dhe duhet të marrë të gjithë vëmendjen e duhur. Por, është absurde të mendosh që politika shqiptare të harxhojë energji me kohë të plotë vetëm në këtë çështje. A thua se, njëra palë ka përparësi morale kundër tjetrës.

Edhe për faktin se, çështje të tilla zgjidhen vetëm nga drejtësia dhe aspak nga pretenca publike politike, që nuk ka asnjë vlerë për të vërtetën, përveçse degradojnë debatin publik duke e fshehur atë.

Nëse vërtet meraku i madh i politikës shqiptare është drejtësia, atëherë, le të shpejtojnë të mbarojnë me sukses Reformën në Drejtësi. Gjë për të cilën, janë duke bërë totalisht të kundërtën.

Kështu që, ajo që i duhet vendit në këto momente, janë padyshim debatet politike mbi reformat që krijojnë një bazë thelbësore të zhvillimit të tij.

Reformat ekonomike dhe shoqërore, të cilat krijojnë mundësinë e zgjedhjeve midis alternativave politike të vërteta, apo mbi vizione konkurruese që përbëjnë thelbin e demokracisë dhe të zhvillimit. Duhet t’i japim fund njëherë e përgjithmonë mediokritetit të një politike grindavece, që merret me çështje dytësore, duke krijuar një lodhje psikologjike masive dhe duke harxhuar energji pafund të një shoqërie që rrezikon të kthehet në apatike.

Për shembull asnjëra nga palët politike nuk artikulon në publik çështje të rëndësishme si ekonomia, emigracioni apo arsimi.

Përse opozita shqiptare nuk është marrë njëherë të vetme me një nga fenomenet më të dëmshme të shoqërisë shqiptare, që është ajo e emigracionit?

Çfarë zgjidhje jep për këtë plagë shqiptare të vitit 2018?

Apo, t’i tregojë shqiptarëve se si do të rrisë punësimin apo të rrisë cilësinë e arsimit?

Të gjitha këto çështje, janë problem që shqetësojnë realisht sot shoqërinë shqiptare, dhe, që presin zgjidhje, ku asnjëra nga palët nuk po i përgjigjet.

Sepse, nga politika priten zgjidhje politike, dhe jo sentenca, duke u shndërruar në zyra avokatie, prokurorie, apo gjykata.

Po ashtu, ky është një vit i rëndësishëm për ecurinë e mëtejshme në procesin e integrimit, ku çelja e negociatave kërkon gjithashtu një përpjekje bipartizane dhe një klimë politike reformuese dhe jo konfliktuale.

Prandaj, sesioni i ri parlamentar duhet të fokusohet te këto çështje, dhe jo te kotësitë e politikës së ditës, nga e cila nuk po arrijmë dot të dalim. Politika shqiptare është kapluar nga mediokriteti, dhe nga çështje që nuk janë aspak çështje që mund të krijojnë politikën e madhe dhe vizionare.

Kështu që, ajo që pritet nga sesioni i ri parlamentar, është ngritja në një nivel tjetër e politikës shqiptare. Duke u fokusuar te zgjidhjet e mëdha, dhe jo te grindjet pa asnjë vlerë të ditës, që në fakt, mbulojnë ato problematika që me të vërtetë përbëjnë betejën politike të vërtetë.

Mirëpo, duke qenë se, politika jonë flet në emër të drejtësisë, dhe drejtësia në emër të politikës, atëherë, ky ngatërrim rolesh bën që as njëri dhe as tjetri funksion të mos realizohet.

Prandaj, le t’i kthehemi normalitetit politik, ku çështjet e reformave, ekonomia dhe problematikat e tjera të zënë vendin kryesor. Për të gjitha çështjet e tjera, mendon Reforma në Drejtësi.

Shkruar Nga
More from admin

Taksa e qarkullimit: Efektet mbi çmimin dhe konsumatorin e taksave mbi karburantet

Taksat e larta që paguajmë për naftën janë arsyeja kryesore se pse...
Read More