Përse është vetëm Shqipëria çështje e brendshme në Holandë?

Nuk ka dyshim se përplasja politike në Holandë, lufta që bëjnë partitë atje, rritja e forcave populiste dhe ekstremiste, ka ndikuar në lajmin e keq për ne, qe ishte mocioni i parlamentit të Mbretërisë së Vendeve të Ulëta, për kthimin e regjimit të vizave me Shqipërinë. Pas kësaj shkundje që erdhi nga Haga zyrtare, në kohën që vendi pret të hedhë hapa të tjerë drejt integrimit, argumentimi kryesor i Qeverisë tonë ishte pikërisht ky; që kjo është një cështje e brendshme e politikës atje.

Ashtu siç analizonin për “Mapo” dhe ekspertët Albert Rakipi dhe Gledis Gjipali, nga kjo situatë nuk dilet duke vënë gishtin e duke fajësuar të tjerët. Për fat të keq, ende nuk ka një zë të shtruar dhe racional nga autoritetet tona, që të demonstrojnë reflektim.
Kjo sepse politika këtu është më në ethe se në Holandë, edhe pse atje ka fushatë dhe priten zgjedhjet për Parlamentin Europian.

Pranimi i përgjegjësive, çuditërisht del si dobësi, ç’ka në fakt është e kundërta.
Shqipëria ka një problem specifik me krimin, që janë lidhjet e pushtetit me të, ka një problem me krimin e organizuar, siguria doli qartë në grabitjen e avionit në pistë se në çfarë niveli është. Shqipëria ka një problem me dyndjen masive të njerëzve që vetëm duan të ikin. Patjetër, vendet e rajonit, ato që na rrethojnë kanë dhe ato krim, trafiqe dhe banda. Po pse atëherë, nuk është Maqedonia, Mali i Zi, Serbia, apo edhe Bosnja, një çështje e brendshme e politikës holandeze? Përse nuk u kërkuar rivendosja e vizave edhe me këto shtete?

A mund ta besojë dikush që parlamenti holandez ka një inat vetëm me ne si komb? Zor se kjo ka gjasa të ndodhë. E pranueshme është se autoritetet atje kanë arritur në konkluzionin, falë të dhënave dhe monitorimit, se krimi shqiptar, që është brenga e tyre kryesore, është në nivel alarmant. Kjo duhej t’i bënte zyrtarët dhe Qeverinë tonë të analizonte, e të reflektonte. Në vend se të kërkojë fajtorë lart e poshtë, të tregojë vullnet të qartë, të dukshëm, konkret për të bërë pjesën që i takon. Ky duhej të ishte debati ku duhej të ishte fokusuar edhe opozita, sepse vetëm fajësimi, ‘kuja’ dhe denoncimi nuk mjafton nëse duam dalje nga ngërçi. Madje dalja me një propozim, me një platformë që do të sillte zgjidhje, do të ishte produkti më i mirë politik, meqë Qeveria nuk ka vullnet.

Shkruar Nga
More from Redaksia

“Vetëm ligji i hashashit mund ta shkarkojë Klement Zgurin!”

Nga Ylli Manjani* - Sipas ligjit të shtetit (neni 18 i Kodit Zgjedhor),...
Read More