Përgjimi i përgjuesve

23 Tahiri PERGJOHETNë epokën e mbikëqyrjes totale, përpjekja për të siguruar materiale shantazhi përmes përgjimeve, është moda e fundit e të bërit politikë në Shqipëri. Historitë ‘porno’, të vërteta apo jo, janë kthyer në kalë beteje në prag të Reformës në Drejtësi dhe një vit para zgjedhjeve 

Përpjekja për të siguruar materiale shantazhi përmes përgjimeve, është moda e fundi e të bërit politikë në Shqipëri, pas me gjasë “skadimit” të afatit të dosjeve, për shkak të moshës së politikanëve. Të hedhura ndërkohë si provokime në një kohë digjitale portalesh, spekulimet janë amplifikuar në dhjetëra histori porno, me personazhe publike po të paverifikueshme. A janë këto thjesht thashetheme dhe përplasje të stisura para kalimit të Reformës në Drejtësi, apo jemi duke parë një luftë të ndryshme për pushtet, kur palët po kërkojnë të rrëzojnë kundërshtarin përmes tyre.

Çimka që supozohet se ka përgjuar ministrin e Brendshëm është dërguar në laborator. Askush nuk di se ç’del prej saj, apo nëse ka ndonjë gjë për të dalë. E ndërkohë, i pari kryebashkiak i prekur prej dekriminalizimit, dha dorëheqjen dhe më pas është tërhequr prej saj. Javën tjetër, Edi Rama, kryeministër dhe Lulzim Basha, kryeministër në hije, do të negociojnë një marrëveshje për të bërë më në fund një Reformë në Drejtësi e ndoshta më shumë se kjo, ose për t’i bërë naftën reformës. I lënë jashtë kësaj negociate, Ilir Meta deklaroi votën pro brenda ditës për reformën dhe përshëndeti takimin e mundshëm, por ai e di që takimi i dy të “mëdhenjve” mund të rrezikojë jo pak pozicionin dhe pretendimet e tij politike. E thënë kjo, situata është mes qesharakes dhe seriozitetit të madh. Një farë grotesku, që politika shqiptare e prodhon vazhdimisht. Është e qartë që historitë me përgjime, video seksi e skandale të tjera që kanë muaj që i vërtiten rreth politikës në vend, janë më shumë se sa thashetheme mediash. Portalet, shpesh të kapura në mashtrim, janë thjesht duke amplifikuar pëshpërimën që vjen prej zyrave të politikës, e cila duket e interesuar shumë në gjetjen e mjeteve të shantazhit apo shantazhimin përmes përgjimit. Ky i fundit ka zëvendësuar dosjet e sigurimit që u mbajtën pezull mbi kokat e politikës për vite me radhë dhe nëse të përfolurit janë vërtet të shantazhueshëm, Shqipëria ka sërish një problem të madh me politikëbërjen, që do varet prej tyre. Këto përgjime janë herë pjesë e një lufte të brendshme në shumicë e lexueshme haptazi, apo herë sulme të opozitës, ndërsa për shumë kjo është një situatë që tensionohet edhe për shkak të presionit të madh për Reformën në Drejtësi apo post-miratimi i ligjit të dekriminalizimit.

Histori portalesh

Në fillim, Presidenti Bujar Nishani u ankua në televizion se po e përgjonin. Nishani nuk iu besoi institucioneve. Historia as u mbyll, as u sqarua për publikun. Më pas, një videoregjistrim i një kryebashkiaku të PS-së, çoi në shkarkimin e tij. Ofrimi i seksit për punë dhe mbathjet e kryetarit zunë vendin e parë në media për ditë me radhë, duke lënë mënjanë ngjarje edhe më të rëndësishme. Menjëherë pas këtyre, një tjetër i dyshuar skandal përgjimesh zuri vendin e parë. Presidenti Bujar Nishani sërish denoncoi Ministrinë e Brendshme se përmes një pajisjeje të futur kontrabandë, po përgjonte shtetarë dhe politikanë në vend. Prokuroria e Përgjithshme nisi një hetim, i cili ende nuk është mbyllur, ndërsa parlamenti inicioi një marrje në pyetje të personave të përfshirë. Një letër nga Italia, që supozohej të mbyllte dosjen, shërbeu vetëm për të ngjallur më shumë dyshime. Palët mbetën të ndara në këtë pikë. Njëra akuzon dhe tjetra qëndron me këmbëngulje në pozicionin se pajisja ishte trajnuese. Mes këtyre dy ndodhive, u përhap njëkohësisht thashethemi se një ministër duke bërë seks ishte i filmuar dhe kjo do të dilte së shpejti.

Këto thashetheme u zyrtarizuan nga ish-kryeministri Sali Berisha. Ky i fundit, përmes një personazhi fiktiv të famshëm tashmë “digjitali”, që qëllon të jetë oficer apo qytetar i thjeshtë, e bëri zyrtare historinë. Berisha ka muaj që sulmon thuajse çdo ditë ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri dhe përkimi i thashethemit me një “çimkë” të gjetur në paradhomë apo zyrën e këtij të fundit, ishte një shtesë mbi ato që supozonte Berisha. Edhe pse në rrëfimet e “digjitalit”, përmes faqes sociale të Berishës, ka parcela hashashi në Kolorado, SHBA dhe në aludime që askush nuk mund t’i verifikojë në mënyrë të pavarur në kohën digjitale, kjo pak dallohet. Postimet e Berishës janë automatikisht lajm i parë për portalet që e mbajnë ta hapur faqen e tij në Facebook dhe për më shumë, Berisha mund të përmendë se kishte të drejtë për “Riformaton”.

Përtej kësaj, spekulime apo të vërteta, historitë e verdha në kohën digjitale me statuse Facebook-u dhe mungesë verifikimi, është e vështirë të gjenden të gënjeshtërta, ndërsa i lënë vendin njëra-tjetrës edhe për shkak të medias online, që nuk ngopet me skandale dhe i kërkon edhe atje ku nuk ka. Por a është dikush që po i “sponsorizon” këto histori, sepse përpara se të jenë spekulime ato janë lëvizje politike dhe prej së largu histori të shantazhit?! Berisha është me gjasë i fundit që mund të ketë informacion prej Ministrisë së Brendshme, por ai duket se ishte i pari që mësoi për pajisjen përgjuese në zyrat e Tahirit, ndërsa haptazi ka aluduar se vendosja e saj është bërë prej duarsh afër ministrit.

Shantazhi me “seksin”

Për herë të parë që nudizmi u përdor në një fushatë politike në vend, ai nuk gjeti terren të përshtatshëm. Edi Rama doli në faqet e para nudo, por fitoi thellë zgjedhjet në Tiranë. Por kjo nuk i ka dekurajuar përpjekjet me suksese të herëpashershme. Rasti Shukriu është më i fundit që çon në një shkarkim të funksionarit publik. Ndërkohë, “çimkat” siç i etiketoi Berisha, u bënë më të pranishme në jetën publike pas të famshmes video “Meta-Prifti”. Pafajësia e Metës, e shumëkontestuar politikisht, nuk i dekurajoi ato. Madje duket se pas çdo videoje të bërë publike, ka një shpërthim historish për të tjera video që do të dalin. Spartak Braho, deputeti i LSI, dhe çanta e tij e zezë, është pjesë e këtyre historive mes të vërtetës dhe legjendës. Duket si një përgjigje që LSI iu dha kundërshtarëve pas publikimit të videos së Metës. Dy herë, Dritan Prifti u bë protagonist. Në një rast, i filmuar duke ndarë para në shtëpinë e tij, por për të cilat nuk u gjet fajtor dhe në një rast të dytë, gjatë një akti seksual. Në të dyja rastet, video duket se doli prej çantës së zezë dhe doli në momente kur LSI dhe lideri i saj ishin në qendër të sulmeve. Shukri Xhelili, po ashtu doli në një situatë të ngjashme. Ish-kryebashkiaku, që për më shumë u kap duke abuzuar me detyrën, aludon se ishte pjesë e një kurthi të ngritur prej luftës politike në Dibër dhe ishte LSI ajo që kishte shfaqur pakënaqësi ndaj tij.

Ndërkohë, videoja e supozuar e “ministrit”, përfshin disa emra ministrash. Ministri i Brendshëm u bë më i lakuari edhe për shkak të opozitës edhe për shkak se ai gjeti një pajisje përgjimi apo regjistrimi në zyrë, e cila ende nuk dihet se çfarë ka prodhuar dhe çfarë ka regjistruar. Berisha pretendon se videot janë fshirë, por edhe pretendon se Saimir Tahiri po fsheh zëvendësministrin e LSI, i cili ishte sipas tij i dyshuari kryesor. Nga ana e saj, Ministria e Brendshme ka denoncuar rastin në prokurori, por nuk ka mbajtur asnjë qëndrim publik në lidhje me atë që ajo mund të ketë përgjuar ose jo.

Për Lëvizjen Socialiste për Integrim, dyshimi për përgjimin e ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, është shumë i rëndë dhe si i tillë kërkon një hetim serioz, madje edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve. “Bërja transparencë e plotë, e zbardhjes së kësaj çështjeje dhe zbardhja e përgjegjësive pa hezitim për këdo, do të ishte përgjigja e vetme dhe më e mirë për problemin. Duhet të jetë një hetim, i cili do të zbulojë dhe do të zbardhë përgjegjësitë e gjithsecilit, në një çështje të tillë, kaq serioze, pa dalluar askënd, qoftë ky ministër, zëvendësministër, specialist i thjeshtë apo punonjës shërbimi, pavarësisht nga përkatësia politike që mund të ketë, qoftë ky person politik apo person teknik”, deklaroi Petrit Vasili, duke pasur në mendje edhe këto akuza. Prokuroria ende nuk ka një përgjigje zyrtare mbi atë që ka ndodhur. Top-Channel, raportoi se pajisja e gjetur ishte dërguar për inspektim, por është e vagullt nëse do të ketë një rezultat rreth saj dhe nëse do të mësohet nëse ajo vërtet ka kryer apo jo përgjimet.

Ndërkohë, duket se vendi është futur në një periudhë ethesh të shantazhit. Palët politike, më shumë se për platforma, duket se janë në garë të sigurimit të materialeve komprometuese për kundërshtarët, në mënyrë që t’i përdorin apo riciklojnë historitë rreth tyre, në kohën kur u duhen. Videot seksi apo përgjimet e paligjshme, nëse nuk janë thjesht një spekulim mendjesh me fantazi, mund të kthehen në historinë e re të dosjeve në vend.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shkolla Pranverore e Lidershipit, liderët e rinj në fshatin global

Instituti Europian Pashko, në bashkëpunim me Universitetin Europian të Tiranës, organizoi “Shkollën...
Read More