Për Integrimin në Europë duhet një Kombëtare mentaliteti

Alfred LelaNga Alfred Lela*

Gjatë një vizite studimore në Berlin të 10 gazetarëve nga Europa Juglindore, në takimet me gazetarë, politologë, deputetë, këshilltarë e të tjerë, nuk mund të shmangej hija që lëshonte nëpër biseda apo pyetje, referendumi britanik për daljen nga BE, tashmë i famshmi Brexit. Një gjendje paradoksale mund të thuash, me minionët e Europës, Shqipërinë, Malin e zi, Serbinë dhe Maqedoninë, që duan të futen, dhe gjigantë si Britania e Madhe që duan të dalin. Këtë pata në mendje kur gjatë takimit me Gunther Krichbaum, kryetar i Komisionit të Çështjeve të BE në Bundestagun gjerman, guxova në ironi. Kam dy pyetje në mendje, një për Britaninë që kërkon të dalë e tjetra për Shqipërinë që kërkon të hyjë, por do të bëj vetëm këtë të fundit, iu drejtova deputetit gjerman.

Formulimi nuk ishte i paqëllimtë dhe kërkonte të kapte diçka më shumë se paradoksalja e këtyre, le të themi qasjeve, të cilat reflektojnë në fakt edhe atë që prej kohësh quhet Europa e dy shpejtësive, ku veriu (dhe ne jemi jugu) është fast Eddie. Pjesa tjetër e pyetjes, sigurisht, vazhdonte me ngërçin e brendshëm politik sa i takon reformës në drejtësi, e cila lidhet gjithashtu me premtimin e integrimit të Shqipërisë në BE.

Kjo ishte një parantezë disi e gjatë për të thënë se integimi nuk është kurrë vetëm një gjë, dhe sa më shumë të tilla aq më i vështirë bëhet. Por, ka një lloj integrimi që është i vetëm dhe unik, dhe ky është integrimi i brendshëm apo i brendësuar. Kam ndërmend këtu jo detyrat e shtëpisë, që ne na duhet të bëjmë si shtet apo qeveri për të përmbushur kriteret, por detyrat personale, aftësimin, profesionalizimin, etikën e punës (atë protestante, po deshët).

Si Kombëtarja e Shqipërisë në futboll, për shembull.

E cila, duhet thënë, është ndoshta më e para njësi shoqërore që e nxori Shqipërinë nga tranzicioni. Problemet e saj janë, në njëfarë mënyre, përfaqësuese të shoqërisë dhe shtetit shqiptar të këtyre 25 viteve. Gjithmonë të fundit apo të parafundit në grupe, pa i plotësuar kurrë ‘kriteret’ (pikët, performanca, rezultatet, qëndrueshmëria) që duheshin për të hyrë në një fazë finale, Kombëtarja nuk u bë kurrë më e mirë se shoqëria prodhim i së cilës ishte. Në limbon e vet as më e keqe se ajo nuk ishte.

Por, fakti se Kombëtarja ia doli dhe, bazuar te ‘përfundimi’ i mëlartëm se ajo është përfaqësuese e shoqërisë shqiptare, një lloj mostre absolute, edhe shoqëria do ta mbërrijë, duke u ‘integruar’ edhe ajo, sërish e lë të hapur dhe të paplotë idenë. Sepse, Kombëtarja sa është shqiptare, aq edhe nuk është.

Duke qenë e tillë në emër, në etni, në appeal-in e jashtëm (veshje, simbolikë, flamur etj) ajo nuk është shqiptare në formim, rritje, gjeografi, drejtim, filozofi e të tjera. Me një trajner italian; me një pjesë të mirë të djemve që janë lindur në Zvicër, Kosovë, e tjetërkund; apo që luajnë në Itali, Francë, Zvicër e të tjera, përfaqësuesja jonë është njëfarë melting pot-i ku përzihen shqiptarët e Shqipërisë e Kosovës me ata bij emigrantësh shqiptarë të ikur para apo gjatë luftës, në azil politik apo ekonomik.

Pjesa shqiptare e Kombëtares mbetet e përfaqësuar nga Sadiku, Agolli, Lila, Kaçe, Balaj e Cikalleshi (të cilët gjithashtu luajnë jashtë). Të tjerët janë një përzierje e globalizmit me emigracionin.

Duket sikur ka një rënie në kontradiktë kur thuhet se Kombëtarja nuk është dhe aq shqiptare, apo është një përzierje e elementëve shqiptarë me të ata të jashtëm, e megjithatë shoqëria shqiptare duhet të sillet si ajo për të mbërritur te integrimi. Pra, shoqëria duhet të imitojë apo të ndjekë një model të cilin nuk mund ta përsërisë. Për arsye që kanë të bëjnë edhe me identitetin e secilës njësi. Shqiptarja e Kombëtares nuk është e barasvlershëm me shqiptaren e Shqipërisë.

Po të marrësh në analizë nivelin e kampionatit vendas të futbollit, e kupton se ai është inferior në krahasim me Kombëtaren, dhe se është më i afërt me nivelin e shoqërisë shqiptare. Kombëtarja përbën një përjashtim edhe për arsyet e përmendura më lart. Ky hendek nuk ekziston, ose nuk është aq i thellë, në rastet klasike të përfaqësueseve më të mira të futbollit europian. Gjermania, Spanja, Anglia, Franca, Italia e të tjera vende, i kanë të barabarta ose aty-aty nivelet e kampionateve dhe Kombëtareve. Sigurisht, ato kanë fuqi importuese dhe eksportuese më të mëdha se Shqipëria, përfshirë këtu edhe futbollin.

Megjithëse argumentimi duket sikur kërkon të thellojë pafuqinë dhe pamundësinë, apo të rendisë në kahun negativ ngjashmëritë e shoqërisë me Kombëtaren, nuk mund të mos vërehet se faktet më të forta, edhe pse më të pakta, anojnë kah pozitivja. Shoqëria mund ta imitojë, ta modelojë veten apo të frymëzohet nga Kombëtarja.

Diskuri sundues i integrimit apo anëtarësimit të Shqipërisë në BE sillet rreth fjalëve kyçe të reformës; sundimit të ligjit; të drejtave të njeriut (prona, fjala, e të tjera). Diskuri i një ekipi futbolli fitues në skenën europiane ka të tjera kode, si për shembull puna, profesionalizmi, loja në ekip, shpirti i garës, fair play, e me radhë. Duket sikur grupet e fjalëve që përfaqësojnë një diskur shkojnë në drejtim të kundërt me grupin tjetër, por nuk është ashtu. Ka një term të vetëm që i bashkon të gjitha dhe është mentaliteti (mendësia).

Ky qe ndryshimi i madh i stafit teknik kryesuar prej Gianni de Biasi-t (pranuar dhe përkrahur duhet thënë edhe prej shumë të anatemuarit Duka), dhe ndjekur edhe nga ‘grigja’ e lojtarëve apo ‘populli’ përfaqësuar në këtë rast nga skuadra. Mentaliteti nuk është, sigurisht, një buton që shtypet, por është një rul i historisë dhe antroplogjisë kolektive që shtyp forma të vjetra për të krijuar të reja. Forma mentis.

Kur bëjmë pyetjen ‘quos vadis?’ për integrimin dhe përmendim në të njëjtën fjali ‘armiqtë’ e përhershëm: politikën, shoqërinë civile, opinionin publik, ndërkombëtarët etj, klishetë janë të parat që popullojnë mendimin. Të tilla si: politika është penguesja e madhe; shoqëria civile është e dobët dhe e kompromentuar; media është në shtrat me pushtetin; pushteti ndërrohet duke mbetur i njëjti; ndërkombëtarët janë të çinteresuar; e të tjera.

Nën shtratin e këtij lumi fjalësh, gjestesh, simbolikash dhe vullneti sidomos, rrjedh një ujë tjetër, më i vjetër dhe më i pashtershëm që është mentaliteti (mendësia). Personal dhe kolektiv siç është, mentaliteti shtresëzohet lehtë dhe dekonstruktohet me vështirësi.

*Editoriali është shkruar si pjesë e debatit “Integrimi Europian i Shqipërisë: quo vadis?” hapur nga Instituti Shqiptar i Medias, me mbështetjen e Fondacionit Friedrich Ebert. 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Gej apo Shqiptar?

Nga Endrit Shabani Një pasdite Marsi, mbas një dite të lodhshme pune,...
Read More