Për Europën nuk mjafton vettingu

Nga Ervis Iljazaj

Presidenti i Komisionit Europian Juncker, në konferencën për shtyp gjatë vizitës në Tiranë, një nga gjërat e pakta të suksesshme që theksoi në arritjet e Shqipërisë për procesin e integrimit, ishte vettingu për pushtetin gjyqësor. Mirëpo është një kusht që nuk mjafton me sa duket për BE për hapjen e negociatave, të cilat nuk duken dhe aq afër, por përkundrazi më larg se asnjëherë, të paktën për momentin.

Në këtë kuptim detyrat e shtëpisë për vendin tonë janë ende për të kryer. Edhe pse Bashkimi Europian duket i palëkundur në vullnetin e tij për të integruar Ballkanin Perëndimor, gjë të cilën e përmend me çdo funksionar sa herë që është rasti, siç ndodhi dje me deklaratën e Juncker për Shqipërinë, në të njëjtën kohë nuk lë asnjëherë pa përmendur që integrimi është në dorë të këtyre shteteve.

Çfarë kërkon Europa nga Shqipëria në rastin konkret, kur Juncker përmendi suksesin e procesit të vettingut por duke thënë që ka ende rrugë për të bërë?

Një nga kushtet kryesore që përmendet për rastin e Shqipërisë, është i luftës kundër korrupsionit. Me luftë kundër korrupsionit BE nuk nënkupton as më shumë dhe as më pak se sa hetimin ndaj çdo pushtetari të sotëm dhe të djeshëm që kanë abuzuar me pushtetin e tyre në të gjitha nivelet që ai është shfaqur.

Prandaj, sa herë që përmendet zbatimi i Reformës në Drejtësi si kusht kryesor, fjalë është për vullnetin që drejtësia e re do tregojë për hetimin ndaj politikës pa dallim krahu apo niveli politik.

Shenjat e para janë një premisë e mirë për të shpresuar, me të gjitha hetimet që kanë nisur për disa drejtorë të rëndësishëm të cilët janë në hetim. E megjithatë ngelet vetëm një premisë, sepse rruga për të bindur Europën është ende e gjatë në këtë drejtim. Drejtësia e reformuar dhe drejtuesit e saj, e kanë shumë gabim nëse mendojnë se do t’i hedhin hi sy institucioneve europiane me ndonjë hetim apo arrestim në nivele drejtorësh, sa për të thënë që Reforma në Drejtësi ka filluar, aq më tepër që deri tani këto hetime janë vetëm kundrejt një krahu politik, atij të opozitës.

Kështu që për të bindur Europën se drejtësia do të funksionojë lipset një vullnet për të shkuar deri në majat më të larta të pushtetit politik në të dyja anët e saj, në të kundërt, hapja e negociatave dhe integrimi në BE do të ngelet një iluzion.

Klima që ekziston sot në Bashkimin Europian dhe në shtetet anëtare të saj nuk është aspak favorizuese, përkundrazi, kemi të bëjmë me një euroskepticizëm të përhapur gjithandej në nivelet politike, por edhe në nivelin e shoqërive europiane. Në këtë kuptim, sforcot që duhet të bëjë Ballkani Perëndimor dhe Shqipëria janë dyfish, sidomos në aspektin e shteti ligjor dhe instalimit të një drejtësie të pavarur nga politika.

Për këtë arsye, hapja e negociatave ka një test të madh përpara. Është testi i qasjes që do të ketë drejtësia e reformua ndaj njerëzve me pushtet. Prandaj, le të jemi me këmbë në tokë, hapja e negociatave nuk është aq pranë sa duket. Është e qartë, që klasa politike shqiptare, që është subjekt i kësaj reforme, do të bëjë çmos për ta ndaluar atë, ashtu sikurse ka bërë deri më tani. Edhe pse në publik zhvillohet një betejë midis palëve politike me Reformën në Drejtësi, duke i thënë shqiptarëve se cila nga ato e do më shumë, në të vërtet, ka një aleancë të përgjithshme kundër saj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Disa ide interesante nga fushata ‘american style’ e Eduard Selamit

Nga Ervis Iljazaj Vërtet nuk është favorit në këtë garë, për shkak...
Read More