Parlamenti kthehet në “telajo”, Paloka hedh bojë drejt Ramës

Deputeti i PD-së Edi Paloka, në punimet e Kuvendit, që rend dite kishte ratifikimin e anëtarësimit të Maqedonisë në NATO dhe të ftuar kryeparlamentarin Telat Xhaferi, qëllon me bojë kryeministrin Rama. Garda dhe Policia e konsiderojnë “sulm me solucion kimik” dhe kërkon procedim penal për Palokën. Videot e sulmit me bojë bëhen virale edhe jashtë vendit, ku hapësirë të konsiderueshme i dha edhe gazeta më e madhe në Europë BILD.

Në Parlamentin e Shqipërisë vetëm për nisma ligjore dhe ide në të mirë të vendit nuk mund të flitet, teksa dje ka kapur pikën kulminante të përplasjeve politike kur deputeti demokrat Edi Paloka zbrazi një shiringë me bojë të zezë drejt kryeministrit Edi Rama. Incidenti u shënua ndërsa pritej që fjalën ta merrte Kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut Telat Xhaferri, për një ngjarje të madhe siç është ratifikimi i marrëveshjes për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO. Në fund Parlamenti e votoi me shumicë me 130 vota të mazhorancës dhe opozitës këtë marrëveshje, madje mes duartrokitjesh, ndonëse boja kishte “larë” kryeministrin. Kjo ngjarje e madhe edhe për shqiptarët që jetojnë në Maqedoni u kthye në arenë përplasjesh dhe mllefesh politike mes pozitës dhe opozitës, të nxitura edhe nga tensioni i dy javëve më parë. Teksa pati replika mes kryedemokratit Lulzim Basha dhe kreut të qeverisë Edi Rama, nënkryetari i Kuvendit Edi Paloka është çuar qetësisht nga vendi dhe me një shiringë në dorë të mbushur me bojë rendi drejt kryeministrit duke ia hedhur në fytyrë dhe trup. Kreu i kuvendit Gramoz Ruçi kërkoi menjëherë largimin e Palokës dhe më pas në mbledhjen e zhvilluar nga Byroja e Kuvendit, nënkryetari i grupit Parlamentar të PD-së u përjashtua 10 ditë nga punimet e këtij institucioni. Menjëherë pas incidentit reagoi edhe Garda e Republikës dhe Policia e Shtetit që në njoftimin zyrtar u shpreh se ndaj Palokës ka nisur procedimi penal, për shkak se ka përdorur solucion kimik ndaj kryeministrit. “Sot, në sallën e seancave të Kuvendit të Shqipërisë, deputeti Edi Paloka ka sulmuar me një solucion kimik të parapërgatitur Kryeministrin e Shqipërisë, z. Edi Rama. Garda e Republikës me mbështetjen e strukturave të specializuara të Policisë së Shtetit ka nisur hetimet e menjëhershme për agresionin e kryer në sytë e të gjithëve dhe gjithashtu procedimin penal kundër shtetasit Edi Paloka”-thuhet në reagim. Personazhi kryesor i këtij incidenti Edi Paloka u shpreh se kjo nuk ishte hakmarrje për gjestet dhe ironinë e Ramës ndaj tij dy javë më parë, por si përgjigje për atë që do të ngjajë më 16 shkurt në protestën e opozitës. “Ai parlament është përjashtuar nga populli. Është parlament me vota të vjedhura. Pashë disa komente që u hakmor Paloka, nuk ishte hakmarrje e Palokës, ishte hakmarrje e shqiptarëve që çdo ditë fyhen e vidhen nga një qeveri dhe kryeministër arrogant dhe i pacipë. As më bëhet vonë fare. Është vetëm fillimi i 16 shkurtit, thojini që nuk ka parë realisht asgjë akoma”- tha Paloka. Por më shumë se deklaratat shërbyen ato pamje në sytë e gjithë shqiptarëve dhe u bënë “virale” edhe për mediat prestigjioze. E përditshmja më e madhe në Europë, gazeta gjermane BILD, ka postuar video nga momenti kur deputeti Edi Paloka i hedh bojë kryeministrit. “Skena të trazuara në parlamentin shqiptar të enjten. Gjatë një seance për të ratifikuar anëtarësimin e Maqedonisë Veriore fqinje në NATO, pati një debat të nxehtë mes kryeministrit Edi Rama dhe liderit të opozitës, Lulzim Basha. Si rezultat, Rama kritikoi Bashën. Por Edi Paloka, koleg i partisë së liderit Basha, nuk donte të ulej, ai shkoi pranë foltores dhe mbuloi rivalin me bojë. Disa persona të sigurisë arritën të qetësojnë situatën”, shkruan gazeta.

Pasojat e dy javëve më parë?

Dy javë më parë kryeministri u përfshi në një debat të ashpër dhe me fjalor fyes teksa iu drejtua ish-kryeministrit Berisha me fjalët: “Familjes dhe gruas time i ha atë që nuk thuhen…”, teksa në largim e sipër ironizoi me gjeste deputetin Edi Paloka. Pikërisht kjo ka qenë zanafilla e një mllefi të fshehur që u zbraz bashkë me shiringën 10 ç të bojës. Kryeministri Edi Rama reagoi për tensionet në Kuvend si dhe bojën e hedhur në fytyrën e tij nga deputeti i PD Edi Paloka. Përmes një postimi në Twitter, Rama ironizoi kryedemokratin Basha, kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi dhe vetë deputetin Paloka, madje për këtë të fundit dukshëm në ironi dhe fyerje. “Dy gjëra janë të pafundme, universi dhe budallallëku i njeriut”, shkruante Albert Ainshtajni, përpara se sa opozita në Shqipëri të merrte formën e një Budallallëku Universal, që vizion ka Vezën e Lulit, ide ka Çizmen e Doktorreshës dhe program ka Bojën e Palothës”. Ngjarjen e paradites Rama e mori si “trofe” për të tentuar që ta kthejë në kauzë të pasdites, në komunikimin online me ndjekësit e tij në Facebook. Ai e cilëson shfaqje turpëruese veprimin e Palokës, ndërsa këtë të fundit e quan “budalla” që turpëroi gjithë Parlamentin e vendin. “Ata nuk e kanë me mua, por me ju. Unë vetëm jam pengesa mes tyre e jush, ndaj dhe nuk e humb durimin. Ata janë të zhurmshëm, të lodhshëm, janë një pakicë që nuk bëhen dot shumicë. Gjynah për ata që ju shkojnë nga pas… Ja pse them që kjo nuk është punë grushtesh dhe shkelmash, por është luftë që vazhdon mes mavrive me bojë e Shqipërisë që duhet të rrojë që të bëhet Zojë”, – deklaroi Rama në qëndrime disi propagandistike.

Reagime në dy llogore

Spektatorët e dy protagonistëve Edi Rama dhe Edi Paloka ishin kolegët e tyre demokratë e socialistë dhe pas incidentit nisi një tjetër “luftë”, ajo me deklarata. E para që rendi drejt medias ishte ministrja Elisa Spiropali, që edhe vetë ajo nuk doli pa njolla nga boja. “Edi Paloka mishërimi më i qartë i opozitës. Në protestën e së shtunës do ta kthejnë atë bojë në zjarr për të djegur vendin. Sa herë që gjërat shkojnë mirë opozita gjen një mënyrë për të na turpëruar në sy të botës. I bëj thirrje njerëzve që mos ndjekin shembuj të tillë por t’i qëndrojnë besnikë Shqipërisë, të gjithë shqiptarët të jenë në një zë që akte të tilla të mos përsëriten, por shqiptarët e kanë bërë zgjedhjen e tyre duke i flakur njerëz të tillë”, tha ndër të tjera Spiropali. Edhe më i ashpër duke paralajmëruar shkarkimin e Palokës nga nënkryetar Parlamenti ishte kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla. “Të bëhen hetimet për turpin që kreu nënkryetari i Kuvendit. Më lejoni t’u them se grupi i PS nuk duron më që nënkryetari i Kuvendit të jetë Edi Paloka dhe në seancën e ardhshme do depozitojmë kërkesën për shkarkimin”, u shpreh Balla. Ndërkohë për Kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, gjesti i Palokës ishte një reagim emocional i kuptueshëm që vinte nga fyerjet e kryeministrit Rama. “Sigurisht që Kryeministri nuk e ka problem t’i bullizojë shqiptarët çdo ditë e më shumë. Vjen një moment ku të gjithë jemi njerëzorë, të gjithë kemi momentet tona të emocioneve, por e disata herë që ky kryeministër rrugaç ka bullizuar shqiptarët në radhë të parë duke i konsideruar me organet gjenitale. Më pas vazhdon dhe bullizon pafundësisht deputetët në Parlament”-deklaroi ajo. Çështja mori “përmasa serioze”, ku në lumin e madh të reagimeve mbajtën qëndrim edhe ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj dhe ish-ministri Fatmir Xhafaj. “Përpjekja e opozitës për të njollosur solemnitetin atlantik të një vendimi në Kuvend, është turp dhe dëshpërim. Përpjekja e sotme ishte shumë e ngjashme me ato skena që krijoi Gruevski në Kuvendin e FYROM në prill të 2017 në bashkëpunim të ngushtë me kumbarët antiatlantikë nga Lindja”, shkroi Lleshaj në rrjetet sociale. Nga ana e tij, ish-ministri Fatmir Xhafaj e cilëson të turpshme ngjarjen e ndodhur sot në sallën e seancave ku Edi Paloka i hodhi bojë kryeministrit Rama pasi ky i fundit i kërkoi ndjesë Talat Xhaferit për shkeljen e kodit të mikpritjes nga opozita. Në këtë spektakël reagimesh nuk mungoi as kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj kur e konsideroi opozitën si “parti shpellarësh që i nxorën bojën këtij vendi me dhunë, shkatërrim e përdhosje”.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

MAPO LETRARE/ Panairi dhe tri sfidat reale të librit shqip!

Nga Alfred Peza Ditët e festës së librit në Tiranë, si në...
Read More