Paradoksi i pushtetit

Nga Dr. Mirela Oktrova

“Qesh mirë kush qesh i fundit” – thotë një fjalë e urtë popullore – një shprehje, që duke ngjizur në vetvete shpresën për ndryshimin e situatës, është njëkohësisht besim dhe dyshim, kanosje dhe profeci. Gjatë mandatit qeverisës, ajo është ngushëllimi i humbësit dhe shpresa për një tjetër situatë, ku roli i qeshësit t’i takojë atij vetë. Fituesve të ekzaltuar s’u intereson proverbi për sa kohë fushata e radhës s’ka prodhuar humbës të ri. Po me të fituar ish-humbësi, i mbetet ish-fituesit, të shpresojë për rifitore apo për një fund, në të cilin të riqeshë vetë.

Ideja e përkohësisë, e ngjizur në thelbin e jetës, është po kaq e pranishme edhe në marrëdhëniet shoqërore, përfshirë këtu edhe marrëdhëniet e pushtetit. Vetëdijësimi historik për këtë arrin kulmin në logjikën demokratike, në bazë të së cilës partitë janë apo bëhen të vetëdijshme për përkohësinë e qenies në pushtet. Kjo i vë subjektet politike në pozitën paradoksale të mungesës së qetësisë në pushtet dhe të mungesës së pushtetit në qetësi.

Në këto kushte menaxhimi i pushtetit i ka rrënjët në një paradoks – jetëgjatësia varet nga ndërgjegjësimi për përkohësinë e tij. Të jesh i pushtetshëm, në kuptimin demokratik të fjalës, do të thotë të jesh i aftë të administrosh efektivisht kohën midis dy humbjeve elektorale. Të dish të administrosh fitoren mes dy humbjeve, do të thotë të shfrytëzosh në maksimum kohën në dispozicion – të përpiqesh për efektivitet, koherencë dhe vazhdimësi, të shmangësh antagonizmin dhe personalizimin, të menaxhosh joshjet dhe të eliminosh precedentët-bumerangë. Formula e suksesit politik nuk është ajo e mospërfilljes por e interesimit, jo e demagogjisë por e transparencës, jo e mishmashit por e ligjshmërisë demokratike, jo e imponimit, por e bashkëpunimit.

Po shmangia e arbitraritetit nuk është tërheqje nga ushtrimi i pushtetit. Modeli i pushtetit të paushtruar kërkon njohje të mirë të situatës dhe qartësim të kufijve të tolerancës. Nga pozitat e të papushtetshmit, matja e kufijve të tolerancës së shtetit i ngjan lojës me zjarrin – nga pozitat e pushtetmbajtësit ajo është një sprovë durimi dhe nervash. Pushteti i provokuar dhe i paushtruar është i rrezikshëm, se s´të lë të llogaritësh kufirin e tij të durimit dhe pikën e tij të çekuilibrimit. Shkelja e vetëdijshme ose jo e këtyre kufijve nxjerr marrëdhëniet jashtë kontrollit dhe provokon shkallëzime të padëshiruara të situatës.

Si ushtrimi ashtu edhe pretendimi i pushtetit duhen parë për rrjedhojë si një proces dhe problem komunikimi. Efektiviteti, stabiliteti dhe vetësiguria bëjnë për këtë arsye të domosdoshme njohjen e rregullave të komportimit të palës tjetër, zbulimin e shtysave, synimeve e interesave, kufijtë e vendosmërisë dhe të tolerancës së saj. Njohja reciproke u krijon subjekteve politike hapësirë më të madhe manovrimi. Ajo i aftëson ato të kuptojnë sfondin e cenimit të interesave të vetë pa interpretime antagoniste. Ky komportim nuk shpall parësor pushtetin, por marrëdhëniet e tij me subjektet  pa pushtet. Komunikimi intensiv ruan ekuilibrin social jo përmes stabilizimit, por përmes çngurtësimit të raporteve të forcës.

“Qesh mirë kush qesh i fundit” – nuk është vetëm këngë shprese a manifest i humbësve. Proverbi nuk u aq takon aktorëve dhe shpresës së tyre të afërt sa procesit dhe perspektivës së tij të largët. Ai pasqyron konceptimin e raportit të forcave si një marrëdhënie në lëvizje, pa fitues e humbës të përjetshëm, pa “qarje pa rrugëdalje” dhe “qeshje pa kufi”. Duke e parë humbjen si pedanë për t´u ringjitur dhe fitoren si zgrip rrokullisjeje, urtësia popullore tërheq vëmendjen për epërsinë perspektive të humbësit dhe barrën reale të fituesit. “Qeshja e fundit” është “qeshja e radhës”, është vetëm pragu pasardhës në vargun e pafundmë të “rrëzimeve” dhe “qeshjeve”, që këmbejnë njëri-tjetrin. Kanosja e saj mishëron paradoksin e shndërrimit të vetvetes në armik, relativitetin e fitores së përkohshme dhe shumicës së ndryshueshme, paradoksin e pushtetit, që të vesh me forcë, për të mos ushtruar forcë.

Marrëdhëniet paradoksale të pushtetit burojnë nga thelbi i politikës si lojë me kufiza variabël – shumica e testuar njëherë nuk përbën garanci, por motiv që të ushqen sa kohë e ushqen. Nëse forca e pushtetit matet me këtë shumicë në lëvizje, ai s´mund të ndihet kurrë fitimtar afatgjatë dhe aq më pak i përjetshëm. Jetëgjatësia e tij frymon me efektivitetin e “ekzistencës” së tij, me njohjen e ligjeve të tolerancës, me zotërimin e konkurrencës dhe para së gjithash me vetëdijen e përkohësisë. “Qesh mirë kush qesh i fundit” nuk lë njeri të ndihet fitimtar, pasi iu garanton të gjithëve revanshin e sigurt. Ajo është aksioma popullore e rotacionit dhe shanseve të barabarta – është dëshmia e vetëdijësimit të hershëm popullor, se demokracia jeton nga përkohësia…!

Shkruar Nga
More from revista mapo

Vitet ’30-‘40: Revolucioni letrar nga revistat shqiptare?!

Një ese e pabotuar e shkrimtarit Arjan Leka mbi gjurmë të dadaizmit...
Read More