Pamundësia reale e Saimir Tahirit për t’u rehabilituar në politikë

Nga Ervis Iljazaj

Është e qartë tashmë se, beteja e Saimir Tahirit shkon përtej faktit të shpallet i pafajshëm në hetimin ku është i akuzuar. Konferenca e djeshme e tij, nuk ishte aspak për të vërtetën ashtu sikurse pretendon ai. Në të kundërtën, do të mjaftonte publikimi i vërtetimit që kishte marrë nga gjykata italiane.

Por jo! Saimir Tahiri doli në një konferencë për shtyp e cila ishte tërësisht politike dhe aspak juridike. Edhe për faktin se, gjyqet e fajësisë ose jo, nuk bëhen në publik apo në konferenca për shtyp. Aq më tepër që, akuzat ndaj tij vijnë nga drejtësia shqiptare dhe jo nga ajo italiane. Dhe, për këtë çështje drejtësia shqiptare nuk është shprehur ende.

Në këtë kuptim, qëllimi ishte një lloj përpjekjeje për t’u rehabilituar sërish në opinionin publik dhe në politikën shqiptare. Mirëpo, Saimir Tahiri e ka pothuajse të pamundur rehabilitimin e tij.

Përtej faktik nëse është i fajshëm ose jo juridikisht, sepse kjo është një çështje që do ta vendosë drejtësia, më së paku ish-ministri është përgjegjës politikisht dhe moralisht për situatën e kultivimit dhe trafikimit të lëndëve narkotike.

Askush nuk mund ta mohojë që në kohën që Tahiri ishte ministër i Brendshëm, territori i Shqipërisë u kanabizua masivisht. Jo vetëm kaq, por, struktura të caktuara të Policisë së Shtetit ishin në shërbim të trafikantëve të lëndëve narkotike. Situata në këtë aspekt, doli jashtë kontrollit.

Vetëm për këtë fakt, tentativa e tij për t’u kthyer në politikë, është një tentativë e dëshpëruar dhe e kotë. Për këtë gjë, të paktën politikisht dhe moralisht, Saimir Tahiri e ka marrë vlerësimin politik nga opinioni publik.

Kështu që, konferenca e tij e djeshme dukshëm ishte një sforco për të kërkuar një lloj revanshi politik duke tundur vërtetimin e mbylljes së hetimeve në Itali.

Jo më kot, hodhi një sërë akuzash ndaj gazetarëve, politikanëve apo edhe ndaj ndërkombëtarëve. A thua se, ekzistonte një komplot ndërkombëtar kundër tij!?

Është absurde të mendosh se si, nga i akuzuar nga drejtësia shqiptare, Saimir Tahiri u kthye në një akuzues. Harron se, në këtë moment ai është një person në akuzë. Dhe është e papranueshme një konferencë publike ku të akuzohet drejtësia, media apo edhe një pjesë e politikës.

Beteja e tij, është një betejë që duhet të jetë për drejtësi në sallat e gjyqit, dhe jo një betejë politike duke bërë pothuajse një fushatë elektorale publike.

Kështu që, daljet nëpër media duke kërkuar t’i shpjegojë të vërtetën publikut ashtu sikurse pretendon ai, janë padyshim sjellje politike, të cilat nuk kanë të bëjnë aspak më të vërtetën. Gjuha e Saimir Tahirit në daljet e tij publike, është një gjuhë tërësisht politike dhe jo juridike. Mirëpo, është një gjuhë që nuk i shërben aspak për dy arsye.

E para sepse, rikthimi në politikë është një gjë e pamundur, megjithëse në vendin ku jetojmë asgjë nuk është e pamundur. Dhe e dyta, gjuha politike dhe ajo juridike janë dy gjëra totalisht të ndryshme, Pafajësia nuk tregohet me mesazhe publike politike, por, në sallat e gjyqit. Deri sa të mbarojë ai proces, askush nuk e di të vërtetën, madje as ai vetë.

Prandaj, është mirë që daljet publike me kërcënime dhe slogane politike të evitohen. Në të kundërt, është legjitim dyshimi se ato përdoren për të intimiduar drejtësinë me mjete politike.

Shkruar Nga
More from admin

Freedom House: Demokracia në Shqipëri, në vend-numëro! Prirje autoritare në qeverisje

  Demokracia në Shqipëri nuk pati ndonjë përparim gjatë vitit 2017, pasi...
Read More