Pakti për Universitetin: 11 VKM dhe 4 urdhra të Ramës për 8 kërkesat e studentëve

Kryeministri Edi Rama bën publike vendimet e qeverisë në përgjigje të tetë kërkesave që paraqitën pas revoltës 19-ditore. Çfarë parashikon “Pakti për Universitetin” dhe premtimet e Kryeministrit që pjesa më e madhe e kërkesave do të plotësohen në vitin e ardhshëm. Basha dhe Kryemadhi e konsiderojnë mashtrim dhe tentativë për të ulur frymën e protestave.

Fundin e vitit kryeministri Edi Rama kërkon ta mbyllë me një surprizë për studentët që e lëkundën qeverinë me protestat e tyre, teksa paraqitën në formë ultimatumi 8 kërkesa. Për të 8 pikat kanë dalë 11 VKM dhe 4 urdhra të Ramës, që në pamje të parë ngjan një zgjidhje e problemeve të tyre, por ende nuk dihet nëse fryma e protestës do të venitet. Për t’i “paraprirë” së ardhmes Kryeministri u shpreh se edhe nëse protestat e studentëve vazhdojnë pas Paktit për Universitetin, ai do ta udhëheqë atë. “Plani është shumë i qartë, unë do të ‘udhëheq’ protestën e studentëve. Do e kap edhe protestën sikur kam kapur edhe të gjitha të tjerat. Studentët kanë kërkuar disa gjëra të arsyeshme, por operacioni do të shkojë shumë me thellë”-deklaroi kreu i qeverisë. Ndonëse buxhetit të shtetit këto VKM e nisma do i kushtojnë, për këtë rast qeveria nuk është kursyer, qoftë edhe për të sfumuar revoltën studentore që jo pa qëllim është konsideruar nga Rama si “shuplakë ndaj qeverisë”. Dy pikat e vetme nga tetë të parashtruara nga studentët janë lënë në mënyrë evazive; ata lidhen me kërkesën për rritjen me 5 % të buxhetit për arsimin dhe pika e dytë që studentët të kenë votë përcaktuese në zgjedhjen e bordeve drejtuese të universiteteve. Menjëherë pasi Rama zgjodhi vetë t’i bënte publike vendimet në një konferencë të gjatë shtypi ka ardhur edhe reagimi i opozitës. Kryedemokrati Lulzim Basha e konsideroi lëvizjen e qeverisë si mashtrim të radhës, ndërsa ka parashtruar edhe projektin e PD-së për investimin për arsimin e lartë. Hipokrite dhe lëvizje të sforcuar e konsideroi edhe LSI tentativën e qeverisë për të sfumuar reagimin e studentëve.

Rama, tetë pika plus…

Ndër vendimet kryesore janë përgjysmimi i tarifave të studimit për të gjithë studentët, kompensimi 100% për studentët që vijnë nga familje në nevojë dhe të tjerë me aftësi të veçanta. Gjithashtu, do të marrin bursë në masën 10 mijë lekë të rinj në muaj studentët me mesatare 9-10. Për këta të fundit është ofruar edhe mundësia e punësimit të menjëhershëm në strukturat e administratës shtetërore pas përfundimit të studimeve. Të gjithë studentët e tjerë përfitojnë financimin 50% të tarifës së regjistrimit, me pranimin në universitet, të cilët deri përpara këtij vendimi paguanin tarifën e plotë të regjistrimit. “Studentët e humbasin këtë mundësi nëse nuk mbajnë gjatë studimit një mesatare mbi 6 në vitet pasardhëse”, saktësohet në vendim. Ndërsa për tarifat në Nivelin e Dytë të Studimeve (Master) do të paguhen nga buxheti i shtetit për studentët me notë mesatare mbi 9 në hyrje, studentët nga familje në ndihmë ekonomike, si edhe të verbrit dhe studentët paraplegjikë e tetraplegjikë, jetimë, fëmijët e policëve të vrarë dhe të gjithë grupeve të tjera të përcaktuara në këtë vendim, përfitojnë financimin deri në 50% të tarifës së regjistrimit, kategori të cilat deri përpara këtij vendimi paguanin tarifë të plotë. Të gjitha këto premtime do të hyjnë në fuqi në vitin e ardhshëm. Një nga pikat që qeveria kërkoi më shumë kohë, lidhet me rikonstruksionin e godinave të konvikteve. “Nëpërmjet një financimi total prej 16.8 milionë euro dhënë nga Qeveria Gjermane, do të mundësohet rehabilitimi i një numri maksimal prej 13 godinash të rezidencave studentore universitare në Tiranë (nga 37 godina që përllogariten të jenë në total në qytetin e Tiranës)”-thuhet në një nga pikat e VKM-së. Ndërsa premtohet se Ministria e Financave dhe e Ekonomisë është duke negociuar me KFW për të vazhduar rehabilitimin e banesave studentore, për një projekt me vlerë 27 milionë euro nga të cilat 7 milionë euro grand dhe 20 milionë euro kredi. “Afati i realizimit do të jetë brenda një periudhe 3-vjecare për ndërhyrje në rikonstruksione”-thuhet më tej, periudhë që përkon edhe me fundin e mandatit të dytë të qeverisë Rama. Për katër pikat që lidhen me kartën e studentit, rishikimin e titujve akademikë për pedagogët, digjitalizimi dhe aksesi online i librave dhe materialeve studimore, si dhe transparenca me buxhetin për fakultete të ndryshme të vendit, qeveria ka premtuar realizimin e tyre duke nisur nga muaji prill-deri në shtator të vitit të ardhshëm. Të marra në total kryeministri Edi Rama i ka konsideruara si të zgjidhshme tetë kërkesat, madje shtoi edhe disa pika të tjera, që nuk ishin kërkuar nga protestuesit. Lëvizja e qeverisë erdhi me 11 VKM dhe 4 urdhra, me shpresë se në janar studentët të kthehen në auditorë dhe të ikin nga protestat, por e lexuar politikisht reagimi i të rinjve që shkundi vendin e veçanërisht qeverisjen shkojnë përtej disa nevojave legjitime, pasi secili student është përfaqësues i familjeve shqiptare që vuajnë nga problemet ekonomike, që përballen me papunësinë, shohin arrogancën shtetërore dhe nivelin e lartë të korrupsionit apo implikimin e zyrtarëve të lartë me krimin e organizuar.

PD e LSI, flakë për flakë kundër Ramës

Kreu i PD, Lulzim Basha ka reaguar pas mbledhjes së qeverisë dhe deklaratës së kryeministrit Edi Rama për kërkesat e studenteve dhe paktin e propozuar nga qeveria për Universitetin, duke i konsideruar si “çikërrima” që po u ofrohet të rinjve me qëllim mbytjen e zërit të protestës. “Çikërrimat dhe mashtrimet me të cilat doli sot nuk zgjidhin asnjë nga problemet e vërteta të thella financiare me të cilat përballen studentët dhe familjet e tyre. Konviktet tha se do bëhen në fund të mandatit, normal se nuk është Unaza. Paketa është mashtrim i plotë dhe shenjë e çoroditjes totale”-tha Basha. Sipas tij mungesa e investimeve ka ardhur jo për shkak të të ardhurave në buxhetin e shtetit, por vjedhjes dhe të tjera abuzimeve nga pushtetarët. “Detyra jonë është t’u tregojmë shqiptarët se si vidhen paratë, por edhe rrugën që vjedhja të ndalë dhe taksat e shqiptarëve të shkojë aty ku ka nevojë më shumë vendi. Hapi i parë është largimi një orë e më parë i kësaj bande. Fatura totale e këtij propozimi të PD-së e zbatuar me numrin aktual të studentëve në universitete publike dhe e projektuar sipas të ardhurave që ka matur Censusi dhe INSATA, efekti total është 38 milionë dollarë”-shtoi Basha. Për kryetaren e LSI-së Monika Kryemadhi, Rama bëri shfaqje teatrale me monologun e tij dhe nuk plotësoi asnjë prej kërkesave të studentëve. “Ajo çka të bën më shumë përshtypje është se sot dëgjonim një konferencë shtypi, një monolog dhe shfaqje teatrale, ku nga njëra anë kishte paralizë faciale, dhe tradhtonte fytyra. Ai thoshte se do të përgjysmojmë tarifat e studentëve. Kryeministër mashtrues dhe grabitës. Kërkon që të grabisë inteligjencën e shqiptarëve duke mashtruar”-tha Kryemadhi. Sipas saj, të gjithë ata që e ndiejnë veten të mashtruar, të grabitur, të ofenduar, dhe të shfrytëzuar, t’ju bashkohet studentëve. “Jo më datën 7 janar, por edhe grupeve të diasporës që kanë parashikuar që të protestojnë në 28-29 para Kryeministrisë”, -tha Kryemadhi. Opozita i mbështeti protestat e studentëve me deklarata, megjithatë të rinjtë refuzuan përfshirjen e partive në kauzën e tyre.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Policia: Sergei Skripal dhe e bija u helmuan me agjent nervor të lënë tek dera

Sergei dhe Yulia Skripal janë helmuar me një agjent nervor vdekjeprurës, të...
Read More