“Oligarkët” e Shqipërisë janë më të varfrit e Europës. T’i ndihmojmë ata!

Axhenda Liberale 10

Nga Besart Kadia

Para 22 vitesh në kushtet kur reformat e para drejt ekonominë së tregut çuan në kaos, varfëri në rritje, në inflacion të lartë e në papunësi të madhe biznesmenët miliarderë të Rusisë menduan se e ardhmja e tyre do të ishte në rrezik nëse Yelsin nuk rizgjidhej president e për këtë arsye ATA vendosën se i duhej edhe një mandat tjetër… e ia dolën pavarësisht se popullariteti i tij ishte nën 20% disa muaj para zgjedhjeve.

Dy akte janë të rëndësishme për t’u kuptuar në rastin e Rusisë. Së pari, pasuritë e mëdha shtetërore në Rusi u privatizuan me korrupsion e me armë në favor të disa individëve që u bënë në pak kohë miliarderë, ndërkohë që masa e popullsisë vuante pasojat e tranzicionit në ekonomi. Së dyti, destabiliteti i madh social e ekonomik nuk mund të neutralizohej nga një shtet i cili ishte i ndërtuar keq për të luftuar ideologji e ushtri të huaja në 70 vjet. Për këtë arsye pushteti i sipërmarrësve të rinj ishte padyshim i madh në këtë vakum të krijuar në shoqërinë ruse. Por ky pushtet mund të mbahej vetëm nëse Yeltsin rizgjidhej president e ata krijonin “qeverinë korporatë” ku këta biznesmenë do të funksionin si një bord vendimmarrjeje se kush do të zgjidhej kryeministër e për këtë arsye në mënyrë informale do të qeverisnin shtetin. Ata ishin kapitali i madh e i mirorganizuar. Shteti ishte kaotik e i rrënuar. Ndaj termi “oligarki” është përdorur shpeshherë për të shpjeguar protokapitalizmin e viteve 1990 në Rusi ku gjashtë sipërmarrës të mëdhenj me ushtri private, me industri me rëndësi botërore, me televizione e media të rëndësishme private vendosnin për politikën e vendit për ndarjen e pasurisë, për karrierat e politikanëve… deri sa Putin i kërcënoi, i falimentoi e i burgosi e ndërtoi sistemin e tij të pushtetit të ri i cili përshkruhet më tepër si autokraci.

Shqipëria nuk ka patur oligarkë të tillë! Shqipëria nuk ka oligarkë të tillë! E këtu mund të fillojmë të diskutojmë se përse disa opinionbërës e politikanë vendas e aplikojnë këtë term në realitetin shqiptar i cili është qartazi larg rastit rus. Përdorimi i termit oligarki reflekton mendësinë socialiste që ka një brez i tërë opinionbërësish në Shqipëri mes tyre Andi Bushati e Fatos Lubonja, të cilët kanë artikuluar ndër vite se “oligarkët vendosin në këtë vend”. Lentet e mendësisë së majtë ata i përdorin për të interpretuar realitetin ekonomik e politik të vendit ku struktura e pushtetit shpjegohet vetëm si interpretim i pushtetit ekonomik i cili është në duart e pak personave e për rrjedhojë në argumentimin e tyre masa e popullit është automatikisht e përjashtuar nga kjo vendimmarrje. Ky model demokracie nuk funksionon sipas tyre sepse babëzia e këtyre oligarkëve do të gëlltitë gjithë të ardhmen tonë si shoqëri. Sepse politikanët janë të korruptuar e dritëshkurtër e pushtetin që e kanë marrë me hile nga populli e gjithçka që ata bëjnë është vetëm në interes vetëm të këtyre oligarkëve. Këta oligarkë pa merita e me pasuri të pamerituar përdorin këta politikanë për të marrë toka, miniera, pasuri publike. Lubonja pyet “si të ndërtojmë një sistem ku partitë politike mos përfaqësojnë interesat e këtyre biznesmenëve, por interesat e popullit”. Ky interpretim gjen shtrat lehtë mes njerëzve. Për më tepër ne si shoqëri nuk mundemi akoma të kemi një qëndrim të paanshëm mbi sipërmarrësit e të pasurit për shkak të ideologjizimit të fortë socialist në vend që vihet re lehtësisht përveç publicistëve edhe tek intelektualët vendas e në ambiente universitare. Ekonomisti Alesina gjen se gjermano-lindorët janë më të predispozuar për të mbështetur politika sociale dhe të rishpërndarjes se Gjermania Perëndimore pavarësisht se Gjermania Lindore vuajti nga politikat e gabuara të regjimit komunist. Në vende si Shqipëria kjo mbështetje për “retorikën e majtë” është akoma dhe më e theksuar ku edhe parti të djathta si Partia Demokratike sot e kanë më të lehtë të flasin për rishpërndarje, për ndihmë ekonomike e për oligarkë sesa për treg, konkurrencë e përgjegjësi të individit. Mendësia e majtë nuk u zhbë me rënien e komunizmit. Ajo është prezente dhe do të jetë e tillë në kurriz të sipërmarrjes së lirë e politikave reformuese pro rritjes ekonomike.

Por ndërkohë duhet theksuar se “oligarkët” tanë janë më të varfrit e Europës. Duke parë të dhënat e publikuara nga studimi i Institutit Europian Pashko për 10 personat më të pasur të Shqipërisë vihet re fatkeqësisht se “super të pasurit” e ekonomisë sonë reflektojnë mungesën e një tregu të zhvilluar në Shqipëri e që do të mundësonte investime me kapitale të mëdha financiare që do të mundësonin rritje të lartë ekonomike e punësim. Sipas këtyre të dhënave 30 biznesmenët më të mëdhenj për vitin 2016 rezultonin të kishin fitim të përbashkët të gjithë firmave të tyre në vlerën e 120 milionë euro. Kjo është një shifër shumë e ulët për të menduar se kemi të bëjmë me një fuqi të madhe financiare sa të mund të rivalizojë pushtetin politik të Kryeministrit të vendit në formën që kemi parë në Rusi. Për të kuptuar akoma më shumë sesa pak e zhvilluar dhe prodhuese është ekonomia jonë mjafton të përmendim faktin se 800 bizneset e mëdha të vendit kontribuojnë me thuajse 41% në të ardhurat totale tatimore në vend. Po ashtu fakti është se ne kemi vetëm 12.000 persona nga 1 milion të punësuar që paguhen më shumë se 1000 euro në muaj duke theksuar më tej faktin se nuk kemi akoma një shtresë menaxheriale apo prodhuese me vlerë të lartë në treg. Produktiviteti i punëtorëve shqiptar është ndër më të ulëtit në rajon, shpenzimet për Kërkim e Zhvillim nga ana e bizneseve dhe shtetit është 0.1% e GDP-së ose niveli më i ulët në Europë, inovacioni dhe përdorimi i teknologjisë është gjithashtu i ulët, toka bujqësore është e fragmentarizuar e me teknologji të vjetër… Ndaj rritja ekonomike e vendit me kushtet që ka ekonomia jonë nuk mundet të ofrohet përveçse nga kapitali i madh financiar i akumuluar i këtyre bizneseve të mëdha. Risku që ata marrin përsipër në investim në real estate në kryeqytet, në zhvillim resortesh turistike, në qendra tregtare, në telekomunikacion etj., janë veçse për t’u përshëndetur nga shoqëria e për t’u përkrahur nga qeveria. Në politikë njihet termi se vendi i kryeministrit është gjithnjë bosh. I njëjti argument mundet të përdoret për “biznesmenët” se vendi i tyre është gjithnjë bosh dhe dinamika e tregut është forma më e mirë për të hequr apo mbajtur “oligarkët” e këqij nga shoqëria. Por për momentin ne jemi në kërkim të “super të pasurve” të cilët do të mund të investonin më shumë në ekonominë tonë. Ndërkohë debati që shtrohet nga mendësia e majtë e shprehur më sipër është si të frenojmë edhe ata pak që kemi.

A ka oligarkë Shqipëria? Përgjigja është e thjeshtë JO! A ka klientelizëm në Shqipëri? Përgjigjja është e qartë. PO. Por a të shndërron klientelizmi politik në oligark ekonomik? Sipas opozitës klientelizmi është i barabartë me oligarki. Kjo hipotezë e opozitës si dhe të disa opinionbërësve nuk mundet të shpjegojë strukturën reale vendimmarrëse në vend e për rrjedhojë diskutimin se kush i merr me të vërtetë vendimet në emër të interesit publik? Nga të dhënat ekonomike duket qartë se “super të pasurit” tanë nuk kërcënojnë pushtetin politik si në “protokapitalizmin” rus. Nga ana tjetër Kryeministri nuk është me pushtet autokrat siç është sot rasti Rus. Demokracia shqiptare është e brishtë por sërish konsolidimi i institucioneve gjithnjë e më shumë frenon abuzimin politik të qeveritarëve. A mundet që “oligarkë” me pushtet ekonomik ndër më të varfrit në Europë, me prezencë të fuqive të mëdha në rajon si SHBA e BE të kenë aq fuqi sa të vendosin se kush do të jetë kryeministër i Shqipërisë e çfarë politikash duhet të ndjekë ai? Duket e vështirë. Po Shqipëria ka klientelizëm, që ndryshon me pushtetin politik. Nuk është oligark ai që mund të bashkëpunojë apo mbijetojë me dy parti të ndryshme në qeveri. Është thjeshtë sipërmarrës. Klientelizmi mundet të kontrollohet. Por e rëndësishme është të theksohet se oligarkët në Shqipëri nuk ekzistojnë. Ata janë krijesë e interpretimit të mendësisë së majtë të strukturës politike në vend. “super të pasurit” nuk do të donin e nuk do shpenzonin një sekondë të vetme me pushtetarët nëse ata do të bënin detyrën e tyre në mënyrë të paanshme. Është fuqia e madhe e shtetit në jetën ekonomike të vendit ka krijuar nevojën e bashkëpunimit të politikës me “super të pasurit.” Është fuqia e pamerituar e shtetit që krijon këtë nevojë. Por akuza ndaj “super të pasurve” çon në fuqizim akoma më shumë të qeverisë e të individit Kryeministër. Ndaj është pozitive që ka një pol tjetër pushteti demokracia jonë. Kjo nuk duhet luftuar por duhet inkurajuar.

Në një shkrim të vitit 2012 thuhej për qeverinë Berisha se: “Përqendrimi i pushteteve në një dorë të vetme i ka krijuar frymëmarrje oligarkëve të cilët sot kontrollojnë gjithë veprimtarinë e Shqipërisë, atë ekonomike, politike, kulturore, sociale, ushtarake, pse jo trafiqet e ndryshme dhe kontrabandën e gjithçka tjetër që lidhet me dominimin e pushtetit”. Gjashtë vjet më vonë kryetari i Opozitës Basha thotë se “oligarkia po shtrydh ekonominë dhe qeveria është problemi”. Lubonja shkruan se “oligarkët kontrollojnë gjithçka në këtë shoqëri”. Ky është një model i thjeshtuar për të shpjeguar shoqërinë dhe sa më shumë ngadalësohet rritja ekonomike aq më shumë do të kemi riorientim të debatit për pasurinë e oligarkëve. Kjo është e rrezikshme dhe e padëshirueshme. Mos harrojmë se “oligarkët” e Shqipërisë janë më të varfrit e Europës. Në duhet t’i ndihmojmë ata se kështu ndihmojmë veten!

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Zgjedhjet në Gjermani konfirmuan projektin europian, por dhe rrezikun e tij

Nga Ervis Iljazaj Angela Merkel është rikonfirmuar për herë të katërt si...
Read More