Një qeverisje e mirë mund ‘ta lërë’ drejtësinë pa punë…

kristaq-xharo

Nga Kristaq Xharo (UET)

Jam një mbështetës i bindur i Reformës në Drejtësi. E paraqita këtë qëndrim, në disa shkrime, edhe atëherë kur disa ligjërues VIP politikë nuk hezituan të ngrinin dilema se kjo reformë do të ‘cenonte sovranitetin kombëtar’ dhe për pasojë edhe sigurinë. Megjithatë nuk hyj as tek ajo pjesë e opinionit, që besojnë se Reforma në Drejtësi do të jetë “çelësi i artë”, që do të hapë çdo portë dhe do të zgjidhë gjithçka, tani apo më vonë. Besoj më shumë te profilaksia.

Në substancë të objektit të drejtësisë qëndron konflikti. Që nga burimi e deri në zgjidhjen e një konflikti është një zinxhir hallkash ku çdonjëra ka peshën dhe rolin e vet. Përpara se të angazhohet drejtësisë i gjenden hallkat e mosmarrëveshjeve, komunikimit, papajtueshmërisë, negocimit, acarimit, gjykimit dhe dhunës. Drejtësia me instrumentet e saj, janë porta e fundit për zgjidhjen e konflikteve brenda një sistemi, pavarësisht nivelit. Pas kësaj vjen vetë konflikti në formën e tij kulmore e të padëshiruar: vetëzgjidhje, përplasje, dhunë, konflikt i armatosur e përsëri gjykimi.

Në të vërtetë ajo që është prezent në të gjitha hallkat e menaxhimit të konfliktit si për shkencat sociale dhe politike pranohet të jetë qeverisja e mirë. Qeverisja e mirë tenton të shmangë konfliktet duke afruar trajtim të drejtë dhe dinjitoz për qytetarët e vet. Më pas një qeverisje e mirë synon t’i trajtojë problemet/konfliktet në themel dhe duke qenë se zotëron një numër shumë të madh të instrumenteve teknike dhe administrative, etike dhe morale, të detajuara dhe profesionale. Duket se ajo i ka të gjitha mundësitë për të zgjidhur problemin përpara se ai të kthehet në konflikt.

Pa mohuar vlerën e instrumenteve, drejtësia hyn në lojë kur të gjithë hallkat e tjera të menaxhimit të problemit (konfliktit) janë të ezauruara apo edhe të dështuara. Drejtësia tenton të zgjidhë konfliktin, por ajo nuk e ‘shuan’ atë. Palët, vështirë se do të mund të ishin të gjitha të kënaqura edhe pas gjykimit. Drejtësia mund të japë të drejtë, por jo qetësi dhe konflikti mund të ‘flejë’, por jo të shuhet. Gjithmonë do të ketë një palë më pak të kënaqur apo të pakënaqur. E vetme, drejtësia nuk do të mund të jetë çelësi i artë, ajo do të jetë në çdo kohë vetëm hallkë në zinxhirin e vetë shoqërisë. Ajo nuk do të mund të jetë perëndi në majën e Tomorit dhe prej atje të vërtisë spektrin e së drejtës. Ajo do të jetë pjesë e zgjidhjes, por jo zgjidhja e vetme. Ajo do të funksionoje në rolin e vet vetëm kur edhe hallkat e tjera do të marrin përgjegjësinë e vetë. 

Është e vërtetë se në shtetet me demokraci funksionale, të konsoliduara dhe të zhvilluara, drejtësia luan rol shumë të rëndësishëm për të goditur padrejtësitë, abuzimin apo manipulimin me të drejtën. Në këto vende, sistemi i drejtësisë ka krijuar bindjen, në shumicën e publikut, se në fund të një kalvari për të drejtën do të jetë një instrument që do të ndëshkojë padrejtësinë. Por, në këto vende standardet e qeverisjes janë në harmoni edhe me elementet e tjera, që përbëjnë shtetin e së drejtës. Vendet me demokraci të konsoliduar, përpara se t’i drejtohen drejtësisë vlerësohet se vijnë nga një sistem me ‘qeverisje të mirë’, që ka për bazë standardet, etikën, përgjegjshmërinë dhe dhënien e llogarisë. Në këto vende sistemi, i ngritur edhe në standarde funksionale formale është i ndikuar, por edhe ka influencë të rëndësishme mbi përmbajtjen dhe hyrja në lojë e drejtësisë vjen në momentin kur palët i largohen një standardi të njohur dhe të pranuar dhe synojnë të risistemojnë shtrembërimin në bazë të ngurtësisë së ligjit.

Në vendet në tranzicion, aty ku ne ndodhemi, me demokraci ‘të brishtë’, ashtu si edhe shfaqemi, është më se zakonshme të shfaqen mjaft kufizime në standardet e ‘qeverisjes së mirë’. Qeverisja shfaq shenja të dukshme të pashmangshme të militantizmit partiak, subjektivizmit individual, abuzimit me fuqinë që jep pozicioni dhe formën informale në mënyrën se si ushtrohet përgjegjësia. Informaliteti është gjithçka që mbulon dhe mbron mënyrën zyrtare të komunikimit. Ai shfaqet me fuqinë për të vënë në lëvizje edhe gjithë makinerinë shtetërore. Informaliteti ka mundësuar që të shmangë ushtrimin abuziv të fuqisë, ta vendosë individin mbi subjektin që përfaqëson, por edhe ta sigurojë atë nga çdo përballje me kufizimet formale zyrtare deri edhe me vetë ligjin. Informaliteti është mënyra për të abuzuar me pushtetin pa lënë gjurmë dhe njëkohësisht mënyra më e mirë për t’iu shmangur përgjegjësisë duke i lënë edhe vetë instrumentet e drejtësisë pa punë…

Informaliteti si modeli më abuziv i ushtrimit të pushtetit është burimi më i pasur për lindjen dhe zhvillimin e konflikteve. Është tipike që përgjatë gjithë kësaj periudhe ai ka ecur gjithmonë një hap më para se ligji dhe instrumentet e drejtësisë. Për më tepër këto të fundit duke mos pasur aftësi, kapacitete dhe vullnete për t’u përballur me informalitetin janë bërë partnere me fenomenin. Informaliteti në drejtim rrezikon të jetë edhe më i dëmshëm se gjithë llojet e tjera të informaliteteve, sepse i ushqen ato dhe nuk arrin t’i luftojë.

Edhe sikur instrumentet e drejtësisë, të kishin vullnetin ‘sui generis’ ato do të ishin mjaft të kufizuara për ta ndëshkuar dëmin që sjell informaliteti. Në një moment të tillë mendohet se do të përballet drejtësia edhe pas reformës për këtë fenomen. Drejtësia, në rastin më të mirë ka nevojë për prova të pakundërshtueshme, të cilat duhet të gjenden në mënyrën formale të zhvillimit. Informaliteti e sfidon drejtësinë saktësisht këtu, në pikën më të fortë të tij, në prova. Informaliteti edhe pse është i fuqishëm, në ndjeshmërinë publike, dinamikën e përditshme dhe në dëme të dukshme, nuk lë prova të prekshme për ligjin. Një vendim kolegjial i imponuar, qoftë edhe në mënyrë verbale, ‘një porosi e titullarit’ , një sugjerim ‘gojor’ për një vendim (tender, koncesion e deri në dhënie orientimi për një individ apo firmë) janë të mohueshme në çdo kohë dhe të paverifikueshme nga çdo instrument i drejtësisë. Dhe sa më pak profesionist të jetë titullari, aq më informal dhe abuziv kthehet drejtimi, për pasojë aq më i dëmshëm rezulton ai. Më pas vjen një moment kur edhe administrata duke pasur përballë fuqinë e titullarit më mirë se përballjen zgjedh procesin e justifikimit, të ‘argumentimit’ dhe të ‘mbulimit’ me bazë ligjore të veprimeve informale.

Ka plot ngjarje, edhe të bujshme, me pasoja të frikshme në historinë 25-vjeçare, por në shumicën dërrmuese të tyre ato kanë mbetur të pandëshkuar, sepse edhe se nuk arrihet të afrohen prova formale. Rreziku i ushtrimit informal të pushtetit shkon në përpjesëtim të drejtë në përgjegjësitë në hierarkinë shtetërore. Duke ushtruar kompetencat në formën e ‘orientimeve’, ‘sugjerimeve’, presioneve pa ‘gjurmë’, por me fuqi dërrmuese për nivelin vartës apo zinxhirin pasues, ato e sfidojnë çdo lloj sistemi të drejtësisë. Palët akuzojnë njëra-tjetrën për vjedhje të ‘shekullit’, tenderë, rrugë, koncesione, në shumicën e rasteve kur ndodhen në opozitë, por nuk kemi asnjë rast që të grumbullojnë prova të besueshme e ta zgjidhin nëpërmjet drejtësisë dëmin që ka sjellë paraardhësi kur vijnë në pushtet, pikërisht edhe për shkak të përdorimit informal të kompetencave.

Në përfundim Reforma në Drejtësi do të arrijë të japë pritshmërinë, jo duke u parë si e vetme, që mund të rregullojë padrejtësitë në këtë vend, por kur ajo do të jetë pjesë e zinxhirit të një sistemi të drejtë. Zgjidhja e padrejtësive nëpërmjet sistemit të drejtësisë është një fazë e rëndësishme, por jo e vetmja dhe për ironi ajo mund të vihet në lëvizje zakonisht pasi ka ndodhur dëmi. Ajo ka vetëm efekt indirekt parandalues, që shprehet nëpërmjet ndëshkimit. Ajo do të ketë efekt të plotë vetëm atëherë kur edhe hallkat e tjera do të jenë në lëvizje dhe më e rëndësishme prej tyre është mirëqeverisja. Mirë qeverisja e lë ‘pa punë’ drejtësinë… por edhe keqqeverisja nuk mund të ndryshojë vetëm nëpërmjet drejtësisë…

 

Shkruar Nga
More from admin

Alban Ramosaj “çmend” vajzat

Këngëtari Alban Ramosaj di se si të tërheqë vëmendjen e femrave, pasi...
Read More