Nikoll Lesi letër të hapur Sandër Lleshajt: Do braktisesh nga Rama

 

Drejtori i të përditshmes “Koha Jonë”, Nikollë Lesi denoncoi Policinë e Shtetit dy ditë më parë se ka ndërhyrë për ta arrestuar, ndërkohë që po shkonte në zyrat e redaksisë së medias që drejton. Forca të shumta policie, edhe ato të repartit “Shqiponja”, dolën para makinës së drejtorit të “Koha Jonë” dhe tentuan ta marrin me forcë për në komisariatin e policisë, tha Lesi.

Dy dië pas kësaj ngjarje, Nikoll Lesi i është drejtuar përmes një letre të hapur ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj duke i thënë se shumë shpejt kryeministri ka për ta braktisur.

 Letra e Nikoll Lesit
Sandër Lleshi është një ish-gjeneral ushtarak, mirditor nga origjina. Ata që e njohin, flasin për një njeri korrekt, i pakorruptuar dhe besimtar në Kishë. Por duke parë këto javë, kur nën drejtimin e tij hidhet gaz lotsjellës, helmues, mbi njerëzit që protestojnë, ku ka gra, fëmijë, madje edhe gra shtatzëna, të ndryshohet përceptimi për të, siç mundohen ta përshkruajnë disa kolegë gazetarë katolikë, si Agron Gjekmarkaj etj.

Sandri mund të jetë skrupuloz si një ish-ushtarak që është edukuar ndër dekada në “luftë me armikun”, por ai duhet të kuptojë se protesta mbetet një e drejtë njerëzore e gjithsecilit, madje ndonjëherë edhe duke e kaluar cakun e ligjit, kur shpirti të vjen në majë të hundës nga varfëria apo nga padrejtësitë e pushtetit të radhës.

Ende kam disi bindjen, personale, se Sandër Lleshi duhet të jetë akoma ai që më ka përshkruar me nota idilike, Agron Gjekmarkaj, kur nuk po e mbështesja në fillim në kohën e dekretit të presidentit Meta. Asokohe u ndjeva keq prej përshkrimit të gazetarit të njohur, Gjekmarkaj dhe ndryshova qëndrim.

Por kur shoh gazin helmues që hidhet nga policia e garda, dhe gaz helmues, pasi kam plot oficerë miq ndër radhët e policisë, të cilët me thonë nën zë se “është jashtë normales që përdoret jashtë shtetit, është gaz shumë i rrezikshëm”. Fill pas kësaj, që ma pohojnë oficerë të lartë, fillon e më ndryshon mendimi që ma nguliti Agron Gjekmarkaj për Sandër Lleshin.

Nëse beson në Zot ky njeri me emrin Sandër Lleshi, duhet të ndalojë urgjent përdorimin e gazit helmues, duhet të ndëshkojë ata që e kanë përzier me lendë kimike helmuese jashtë çdo norme botërore si dhe t’i thotë kryeministrit: Ndal, Beg se ka hendek! T’i thotë ti thërrasim arësyes pasi nuk mbahet pushteti me dhunë e gaz!

Edhe një gjë, Sandër!

Për hir të detyrës tënde si ministër, për hir të Besimit në Zot (nëse e ke akoma), në emër të çlirimit të ndërgjegjes, por mundet edhe si katolik (po ka mbetur ndonjë gjë te ti si katolik) duhej të më telefonoje pas incidentit të dhunshëm të policisë me mua ditën e shtunë, ku tashmë dihet se nuk kisha asnjë faj. Thjesht me njohën si Nikoll Lesi, si njeri antiregjim. Unë nuk kam thënë dhe as nuk e them, me bindje, se policët kishin urdhër nga Ju apo zoti kryeministër, por është fryma nga lart që zbret te militantët, ndër radhët e policisë, e që bën të keqen e madhe të konfliktit të pushtetit me median e lirë.

Fryma antimedia, e kryeministrit, mbetet më e rrezikshme se sa po të ishte dhënë urdhri direkt se “goditeni Nikoll Lesin!”. E fundit, Sandër Lleshi!

Jeta vazhdon me ty apo ty, ministër. Me mua apo mua në këtë jetë. Por duhet të mos harrosh se kryeministri të përdor dhe të hedh. Kur të mblidhet laku, që do të mblidhet, atëherë ai do të drejtojë gishtin: Sandër Lleshi ishte ministër, ai e bëri, ai të arrestohet!

Ndaj ato flokë të bardha, mos i lë të ti nxijnë!

******************************************************

 

Drejtori i të përditshmes “Koha Jonë”, Nikollë Lesi ka denoncuar Policinë e Shtetit se ka ndërhyrë për ta arrestuar, ndërkohë që po shkonte në zyrat e redaksisë së medias që drejton.

Forca të shumta policie, edhe ato të repartit ‘Shqiponja’, dolën para makinës së drejtorit të ‘Koha Jonë’ dhe tentuan ta marrin me forcë për në komisariatin e policisë, thotë Lesi.

“Më bllokuan rrugën dhe me dolën para makinës. U kërkova arsyen duke iu shpjeguar se jam gazetar dhe drejtor gazete e më duhet të shkojë në gazetë, ku rrugica ishte 14 metra më tej se sa më ndaluan. Nuk hanin pykë. Atëherë ngrita zërin. Në moment erdhën mbi 6 policë dhe tentuan me merrnin me forcë nga makina për në polici”.

“Mbylla derën e makinës dhe ndërkohë mora drejtorin e përgjithshëm të Policisë së Shtetit, zotin Ardi Veliu. Më pas forcat e shumta të policisë ikën. Më lejoni të them se kjo sjellje nuk është aspak korrekte dhe ligjore. Merret me mend se ç’u punojnë njerëzve të thjeshtë! Nuk është puna për mua pasi jam mësuar në 28 vite si gazetar të përplasem me pushtetet, por më duhet të shtoj se nuk duhet në këtë mënyrë, pasi janë sjellje brutale dhe jo ligjore”.

“Nuk mund të them se i urdhëroi njeri nga lart për mua, pasi nuk kam fakte, porse fryma e pushtetit dhe sidomos e kryeministrit ndaj njerëzve të medias sjell këtë mënyrë reagimi, aq me tepër kur marrin vesh apo ndjekin gazetarët që kritikojnë kryeministrin”, tregoi Nikollë Lesi.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Shkundja holandeze, ç’do bënin me qeverinë 90% e shqiptarëve

  A mundet që një lajm të keq si ai që vjen...
Read More