Nga Mendimi shqiptar te Filozofia shqiptare

Nga Ndriçim Kulla

Një sqarim për të gjithë ata që thonë se ne nuk kemi patur filozofi

Mendimi shqiptar nuk është kurorëzuar në Filozofi shqiptare dhe këtu nuk ka asgjë për t’u shqetësuar sepse kjo nuk ka ndodhur as me shumicën e kombeve më të mëdha se ne. Por fakti që nga mendimi i një kombi nuk është krijuar dot një filozofi e njohur botërisht, nuk do të thotë se nga mendimi i këtij kombi nuk do të krijohet asnjë lloj filozofie. Mendimi i një kombi mund të kurorëzohet në një filozofi të vlefshme për të, edhe kur mendimtarët e një kombi arrijnë t’u japin një përgjigje pak a shumë bindëse pyetjeve themelore që kanë të bëjnë me këtë komb . Nga ky këndvështrim, Mendimi shqiptar do të ngjitet në rangun e Filozofisë shqiptare, së pari kur t’ i përgjigjet në mënyrë pak a shumë bindëse pyetjes “Kush është qenia jonë shqiptare? Më pas ka edhe hapa të tjerë për t’u bërë, por ky është i pari që duhet hedhur.

Mendimi shqiptar është i ri. Jakob Fallmerayer, një studiues që ka shkruar gjëra shumë të pëlqyeshme për shqiptarët, ka bërë dhe disa nga kritikat më të hidhura për ne, sa i përket zhvillimit intelektual të kombit shqiptar. Duke shkruar në mes të shekullit XIX, kur akoma rilindasit shqiptarë nuk kishin botuar asnjë nga veprat e tyre të njohura, Fallmerayer konstatonte se: Shqiptarët, arbanitët ose albanët nuk janë një popull i dhënë pas kulturës, nuk kanë kurrfarë letërsie kombëtare.

Pak a shumë ky ka qenë këndvështrimi i të huajve sa i përket aspektit intelektual të jetës shqiptare. Prandaj rilindasve tanë iu desh një punë titanike që t’i bindnin të huajt se kishte lindur edhe një Shqipëri mendonjëse, do të thotë se kishte lindur Mendimi shqiptar modern. Dalëngadalë edhe të huajt nisën të binden për këtë gjë. Mbi themelet e kësaj trashëgimie që na lanë rilindasit u lartësua ngrehina e Mendimit shqiptar, sidomos në periudhën e artë të tij, në vitet ‘20-30. Mbi këtë bazë, Branko Merxhani dhe ndonjë tjetër bashkë me të, u përpoqën ta futin Mendimin shqiptar në hullinë që do të sillte Filozofinë shqiptare, të cilën nuk e kemi akoma edhe sot.

Një nga mendimtarët shqiptarë që iu afrua më shumë kalimit nga Mendimi shqiptar në Filozofinë shqiptare, ishte Mid’hat Frashëri, por vetëm sa i përket shtrimit të disa çështjeve të cilat kërkojnë edhe sot përgjigje. Mid’hat Frashëri preku në punën e tij krijuese si mendimtar dhe kulturolog mangësitë e mëdha të mendimit shqiptar që reflektonte një nga të metat e mëdha të krijuara në mendësinë e shqiptarëve gjatë shekujve. Shqiptarët, kishin prirjen e përbashkët që në vend që të kërkonin të zbulonin shkaqet e së keqes, vajtonin për të dhe mallkonin të keqen. Para se të zbulonin se ku qëndronte vërtet e keqja, kërkonin që të gjenin një fajtor për të, me qëllimin e qartë që fajin ta shikonin vetëm larg vetes, mundësisht vetëm te të huajt pushtues që kishin ndikuar kaq shumë për keq në psikologjinë e shqiptarit, te vetitë e këqija që këta kishin nxitur te njeriu shqiptar, te vetitë e këqija që kishte formuar te njeriu shqiptar terreni shqiptar. Të gjitha këto qenë të vërteta, por shkaku ishte më i ndërlikuar. Kjo për arsye se shumica e shqiptarëve ishin akomoduar me këtë gjendje, kishin krijuar një mënyrë jetese në kushtet e saj, dhe tani kishin më shumë frikë nga e panjohura që i priste kur të përmbysej ky realitet me të cilin tanimë ishte mësuar, sesa nga vetë ky realitet që duhej të ishte për ta i padurueshëm. Secili shikonte si të gjente strofullën e tij për t’u akomoduar në këtë realitet, dhe ndonëse e mallkonte atë, mendonte se ndryshimi i tij ishte punë e të tjerëve. Kështu ndodhte në kohën kur shkruante Mid’hat Frashëri, kështu ndodh dhe sot.

Shkurt, mendimi shqiptar është akoma i paaftë për ta përballuar sfidën e kalimit në stadin e Filozofisë shqiptare. Në kohën kur Mid’ hat Frashëri shkruante kështu, në Shqipëri nuk kishte universitete, nuk kishte Akademi të Shkencave, kishte shumë pak shtëpi botuese dhe botoheshin shumë më pak libra, në krahasim me sot. Megjithatë, akoma edhe sot, rreth një shekull më pas, ndonëse kemi disa universitete në Shqipëri dhe disa në trojet e tjera shqiptare, në Kosovë e në Maqedoni, ndonëse kemi dy Akademi Shkencash Shqiptare, një në Tiranë e një në Prishtinë, ndonëse kemi disa qendra studimore akademike që duhet të lëvronin mendimin shqiptar, përsëri mendimi shqiptar nuk ka arritur që t’ i përgjigjet kësaj sfide në mënyrë bindëse, pra nuk është ngjitur dot në nivelin e Filozofisë shqiptare. Mid’ hat Frashëri ishte i pari që shtroi në Mendimin shqiptar çështjen që përbënte hapin e parë të ngjitjes së tij në shkallët që e çojnë te Filozofia shqiptare, atë të shkaqeve të gjendjes shqiptare: Pa diturë shkaku, pa gjeturë rrënjën, nuk mund t’ i heqim një mur së ligësë.

Ky është shtrimi i çështjes në këndvështrimin e Filozofisë shqiptare. Që atëherë deri më sot akoma nuk kemi një përgjigje të thelluar për rrënjët e së ligës. Ne akoma sot nuk kemi një analizë, një katalog gjithëpërfshirës, të detajuar, të të metave tona nga këndvështrimi i shkencave antropologjike, sociologjike, psikologjike etj. Ne akoma vazhdojmë të ngarkojmë me faj paraardhësit tanë të cilët disa breza më parë nuk arritën që ta bëjnë këtë gjë. Pikërisht ashtu siç ndodhte në kohën kur shkruante Mid’hat Frashëri, i cili vinte re se bashkëkohësit e tij, në 1924, ngarkonin me faj gjyshërit e tyre që nuk e kishin bërë këtë studim të mendësisë kombëtare shqiptare dhe t’ i zbulonin të metat që pastaj ata nipërit ta kishin punën më të lehtë. Sigurisht që e keqja e trashëguar përbën një fakt, por nuk është faktori i vetëm.

Përpjekja e madhe e Branko Merxhanit me Neo-shqiptarizmën ka qenë që ta fuste Mendimin shqiptar në linjën e Filozofisë shqiptare. Kuptohet jo të një filozofie me rëndësi botërore, por të një filozofie së pari me rëndësi shqiptare, por që, pse jo, me kalimin e kohës mund të arrijë të përpunojë edhe një model për t’ia ofruar Ballkanit, siç ka thënë Ismail Kadare për “veglën e fshehtë të shqiptarëve”, harmoninë dhe tolerancën ndërfetare.

Një nga pyetjet më interesante të cilave Mendimi i sotëm shqiptar duhet t’u japë përgjigje është se përse në vitet ’20-30 të shekullit të kaluar, pa patur Shqipëria as Universitet, as Akademi Shkencash, madje as një Institut të vetëm studimor, u arrit që në faqet e shtypit shqiptar të kohës, gazetat dhe revistat, të shfaqnin një shkollë të vërtetë të Mendimit shqiptar, që trajtoi thellësisht dhe me nivel të lartë intelektual e shkencor të gjithë problematikën shqiptare, deri edhe në debate, të nivelit të shtypit të specializuar europian. Këtë gjë arritën ta bëjnë në harkun e 10-15 vjetëve një grup intelektualësh shqiptarë, duke qenë në kushte të vështira materiale dhe shpesh të detyruar të bënin edhe punë të tjera për të jetuar. Ne sot kemi edhe Akademi Shkencash që fatkeqësish nuk bën fare asgjë përveçse lëviz e sorollatet nëpër zyrat e saj duke dhënë dhe shijuar tituj shkencor pa punë, kemi edhe universitete publike dhe private, kemi edhe shumë e shumë njerëz që mbajnë grada e tituj shkencorë, e megjithatë nuk kemi një shkollë të këtij niveli në Mendimin shqiptar sot. Megjithëse kushtet materiale i kanë shumë më të mira mendimtarët e sotëm. Arsyeja? Mendimtarët e viteve ’20-30 kishin entuziazëm, kishin ideal, si dhe kishin dalë në debatin publik jo me merita të rreme, për shkak të gradave e titujve shkencorë, por me merita reale, me idetë të shprehura në shkrimet e tyre.

“Shkolla e mendimit shqiptar” e viteve ‘20-30 siç e ka quajtur Ismail Kadareja, akoma dhe sot nuk është njohur në thellësinë e saj, dhe as është studiuar e as është vlerësuar siç duhet, e kjo ka ndodhur për faj të atyre që kontrollojnë sot Akademinë e Shkencave dhe departamentet përkatëse universitare, të cilët i tremben krahasimit me intelektualët shqiptarë të mendimit të asaj kohe. I vetmi që nuk i trembet asnjë lloj krahasimi, Ismail Kadare, ka dhënë një vlerësim me superlativa të merituara për shkollën e Mendimit shqiptar të asaj kohe, te libri i tij “Mosmarrëveshja: Shqipëria përballë vetvetes”, asaj që e quan “shkolla e mendimit shqiptar” të asaj kohe.

Të kësaj kohe ishin rryma të ndryshme të mendimit politiko-filozofik, ndër të cilat shquhej neo-shqiptarizma e Branko Merxhanit. Shumica e tyre përputheshin tek ideja se pas përndezjes së fisme të rilindësve kishte ardhur koha e gjakftohtësisë dhe kryesorja, e gjykimit kritik të vetvetes. Autoritete të shquara të kohës, si Faik Konica, Zef Valentini, Mithat Frashëri, Mehdi Frashëri, Gjergj Fishta, Mustafa Kruja, Migjeni, Krist Maloki e të tjerë, trajtonin çështje të papara ndonjëherë në klubin shqiptar të mendimit. Askush nuk do të habitej më nga ithtarë të gjithfarë shkollash si niçeane, bergsoniane, e ndoshta ndjekës të Frojdit, sikur ky të mos ngulmonte aq shumë në armiqësinë atë-bir, që shqiptari ende nuk e gëlltiste dot.

Shqipëria mendonjëse, e pangjashme me Shqipëritë e tjera, sa ç’mund të ishte një mësuese e rreptë e shkollës së porsahapur të vajzave, në krahasim me kryezotët e hershëm, bënte të mundur që burrat hijerëndë t’u linin lamtumirën fantazmave të mëdha, e të merreshin me çështje në dukje të rëndomta si ato të ekonomisë, të reformës në arsim apo të zgjedhjeve .

Ne akoma nuk jemi të vetëdijshëm se sa shumë i detyrohemi shkollës së Mendimit shqiptar të viteve ‘20-30. Një nga arritjet më madhore të kësaj shkolle ishte se ajo krijoi lexuesin modern shqiptar. Njerëzit si Branko Merxhani e dinin se përveç këtij lloji të ri të Mendimit shqiptar që ishin duke krijuar, duhet të krijonin edhe vetë lexuesin e tij. Çfarë vlere do të kishte që të trajtoheshin në shtyp temat e mëdha të Mendimit shqiptar, kur lexuesi nuk njihte konceptet bazë? Dhe kështu dalëngadalë, në faqet e gazetave dhe revistave të asaj kohe, ndodhi një çudi që erdhi dhe u krijua një lexues sui generis, i ngjashëm me një auditor të madh universitar, në kohën që vendit i mungonte një Universitet ku të studiohej, filozofia, sociologjia, antropologjia, psikologjia etj. Ky lexues kishte një etje të madhe për të mësuar. Ai ishte i ngjashëm me turmën e dëgjuesve që ndiqte debatet e filozofëve në agorën e Greqisë së Lashtë. Ishte një lexues që u stërvit me durim nga mendimtarët e mëdhenj shqiptarë të kohës. Këta mendimtarë të mëdhenj shqiptarë përbënin elitën intelektuale të kohës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Për çfarë është ankuar Bushati tek Meta? Presidenti lë të nënkuptohet diçka

Me gjithë kujdesin dhe hermetizmin e treguar në intervistën me Ylli Rakipin,...
Read More