Në pritje të Palmer: A do ketë formulë amerikane për krizën?

 

Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Rama të hënën, të martën pritet të takohet me Presidentin Meta. Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë takim me kryetarin e PD, Lulzim Basha dhe drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi. Pas bisedave me zyrtarët e lartë, Palmer pritet të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë.

Java politike në Tiranë do të nisë me një zhvillim të rëndësishëm. Në kryeqytet do të mbërrijë zyrtari më i lartë amerikan që ka vizituar vendin që prej shpërthimit të krizës politike. Bëhet fjalë për Zëvendës.ndihmës-sekretarin amerikan të Shtetit, për Çështjet e Europës dhe Euroazisë, Matthew Palmer. Vizita e tij do jetë një përpjekje për të zgjidhur situatën e krijuar pas fillimit të protestave nga opozita dhe djegies së mandateve parlamentare. Ai do të zhvillojë një tur në gjithë rajonin e Ballkanit. Interesant është fakti se vazhdimisht shqiptarët e kanë pritur zgjidhjen e krizave në vend nga amerikanët. Edhe pse europianët kanë zhvilluar përpjekjet e tyre pa ndonjë rezultat, gjithçka ndryshon kur në lojë hyjnë amerikanët. Takimin e parë zyrtari amerikan do e ketë me kryeministrin Edi Rama të hënën, ndërsa të martën e 9 prillit, pritet të takohet me Presidentin Ilir Meta.

Në të njëjtën ditë, Palmer do zhvillojë një takim me kryetarin e Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe drejtuesen e LSI-së, Monika Kryemadhi. Pas bisedave me zyrtarët e lartë, mësohet se Matthew Palmer do të ketë një takim edhe me një grup gazetarësh shqiptarë. Por kjo është hera e tretë kur zyrtarë të nivelit të Palmer arrijnë të zgjidhin krizat në Shqipëri të viteve të fundit. Fillimisht ishte Victoria Nuland që ndërhyri për situatën e krijuar në vend për shkak të Reformës në Drejtësi. Dy vjet më parë, krizës politike i dha zgjidhje Zv.ndihmës-sekretari Amerikan i Shtetit, Hoyt Bryan Yee, ndërsa mbetet për t’u parë nëse Palmer do të marrë rolin e negociatorit mes palëve. Megjithatë ndikimi i Matthew Palmer u duk që në fillimet e krizës. Një ditë para se deputetët e opozitës të linin mandatet, Palmer zhvilloi dy biseda telefonike me liderët e opozitës Bashën dhe Kryemadhin. Madje pati raportime më pas se protesta e dytë e madhe e opozitës ishte dukshëm më e qetë për shkak të këtyre telefonatave.

Spekulimet se cili do jetë qëndrimi i Palmer ndaj situatës në vend vijnë edhe për shkak të raportimeve se qëndrimet e amerikanëve në rajon kanë ndryshuar me administratën e presidentit Donald Trump. Por vetë Palmer në një intervistë të dhënë disa muaj më parë, kur sapo mori detyrën, u shpreh: “Politika e SHBA-së në Ballkanin Perëndimor ka qenë konsistente gjatë viteve. E mbështesim integrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në institucionet europiane dhe euroatlantike. Kjo do të thotë, për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, anëtarësimin përfundimtar në Bashkimin Europian dhe për të gjitha ato vende që dëshirojnë, pra praktikisht të gjitha përveç Serbisë, edhe anëtarësimin në NATO. E mbështesim paqen, prosperitetin, bashkëpunimin midis kombeve dhe një të ardhme europiane për rajonin”. Vizita e Matthew Palmer u parapri nga ajo e Jonathan Moore, Zëvendës.ndihmës-sekretar i Përgjithshëm për Organizatat Ndërkombëtare në Departamentin Amerikan të Shtetit. Por nga takimet e këtij të fundit, të vetmet të publikuara ishin ai me ish-kryeministrin Sali Berisha dhe ai me deputeten Rudina Hajdari, e cila refuzoi vendimin politik të opozitës për djegie mandati.

Shqiptarët me të drejtë shpresojnë te një zgjidhje amerikane për krizën, pasi njihet fuqia e tyre dhe efektiviteti i ndërhyrjes. Sot në Tiranë do të duken ndoshta shenjat e para, pas takimeve që do të bëjë Zv.ndihmës-sekretari i Shtetit për Europën, Matthew Palmer, i cili gjendet në një tur ballkanik. Të jemi realistë, pakkush pret që Palmer të ketë një recetë me vete për zgjidhjen e krizës. Dhe sigurisht, se qëndrimet e tij publike mund të kenë ngjashmëri me ato që ka mbajtur ambasada amerikane, ku nuk bihet dakord me daljen nga sistemi dhe me djegien e mandateve nga opozita. Mund të ndodhë që zyrtari i lartë amerikan të takojë dhe deputetë të opozitës që kanë qëndruar në Parlament, apo të tjerë të listës që mund të hyjnë në vijim.

Mirëpo, pavarësisht mesazheve dhe simbolikave, SHBA e di mjaft mirë se Shqipëria është në krizë. Dhe kriza është e thellë, dhe rruga e daljes nuk mund të jetë një ndërhyrje kozmetike. Aktualisht vendi nuk ka Gjykatë Kushtetuese, nuk ka Gjykatë të Lartë, Parlamenti është gjymtuar për nga legjitimiteti dhe pothuajse botërisht po pranohet se kryeministri po manifeston sjellje autokratike, ekonomia është në ditë të zezë, raportet kanë ngritur alarmin për trafiqet dhe pastrimin e parave, vrasjet mafioze janë bërë tronditëse, njerëzit dynden masivisht duke braktisur vendin se nuk kanë besim e shpresë për të ardhmen. Një projekt për zgjidhje, nuk mund të mos i marrë parasysh këto rrethana. Më e rëndësishmja është të kemi një zgjidhje për shqiptarët, për vendin, dhe jo thjesht një formulë për partitë. Ndoshta kjo situatë anormale, ka edhe anën e vet të mirë, se ka shërbyer si një sinjal që nxori në sipërfaqe të vërtetën e madhe se ne kemi një sistem të kalbur, që nuk ofron garancitë për zhvillim normal e për qeverisje për njerëzit e për interesin publik. Këto janë pritshmëritë e qytetarëve, dhe shpresa e madhe ngelet si gjithnjë një ndërmjetësim i fortë e i suksesshëm nga SHBA.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Khloe Kardashian: Dua që vajza të trashëgojë fizikun tim

  Khloe Kardashian u tha fansave se dëshiron që vajza e saj...
Read More