fbpx

Op Ed

Mos e përdorni sovranitetin si ‘gjethe fiku’!





               Publikuar në : 09:18 - 15/12/17 |
mapo.al

Nga Kristaq Xharo


“…t’i brendashkruhesh një koncepti të ngushtë të sovranitetit vestfalian në këtë botë, është një anakronizëm i pamenduar, në rastin më të mirë, dhe një bast i rrezikshëm, në më të keqin”. Havier Solana



Tashmë në mënyrë paradoksale rigjendemi në valën e tretë të rapsodive të ‘sovranitetit’. Heronjtë e gjallë të ‘mbrojtjes së sovranitetit’, për fat të mirë, janë po ata të dy valëve të para. Por, akoma në mënyrë ironike, janë për të njëjtën çështje, për sovranitetin në drejtësi. Ata qëndrojnë aty stoikë dhe përsëritin të njëjtën rapsodi që nisën më parë. Numri i tyre nuk është shtuar, e as mbështetësit e tyre. Ndoshta ata do të jenë aty edhe më pas, por asgjë më cilësore nuk iu kanë shtuar ligjërimeve të tyre. Do të ishte shumë produktive që konceptin e sovranitetit ta lidhin me modelin që ata besojnë. Kjo nuk është shumë e vështirë pasi teoritë politike njohin vetëm dy lloj: atij që vjen nga Traktati i Vestfalisë në 1648 dhe që njihet me termin sovranitet vestfalian’ dhe atij që nis me krijimin e Lidhjes së Kombeve në 1920 dhe që mori formën moderne në 1945 me Organizatën e Kombeve të Bashkuara e që njihet si ‘ sovranitet modern’. Pa hyrë në shpjegimin e koncepteve (mund ta gjeni në literaturën bashkëkohore), Shqipëria ju bashkua plotësisht konceptit modern në sovranitetit në vitin 1990.


“Në mungesë të drejtësisë, sovraniteti nuk është asgjë tjetër veç robëri e organizuar.”– St. Augustine (354-430). Duke mbetur të ligjërimet më të fundit të meraklinjve të sovranitetit ato po degdisen në britma individuale edhe pse predikuesit kanë pozicione në formacionet e tyre politike apo shtetërore. Çfarë përfaqëson vala e re dhe predikuesit e vetëdeklaruar. Kjo valë u rishfaq para pak ditësh në kontekstin e zgjidhjes së prokurorit të Përkohshëm. Si dhe në baticat dhe zbaticat e mëparshme kjo nuk lidhet me kalendarin hënor, por me amplitudën e Reformës në Drejtësi. Ndryshe nga vala e parë (jemi në të tretën) kjo baticë nuk kapi në “befasi” as opinionin publik, por as edhe aktorët kryesorë, veçanërisht aleatët strategjik që po angazhohen me procesin e reformës.

Ajo që e dallon këtë valë është se heronjtë e mbrojtjes së sovranitetit po përdorin armët e fundit, objektivin për të degraduar personalisht përfaqësuesit e huaj. Ndihet që nuk iu ka mbetur asnjë mjet tjetër politik e diplomatik. Ndoshta edhe predikuesit po e besojnë se është beteja e tyre e fundit. Kjo baticë, që i ka të gjitha mundësitë të mos e arrijë bregun, do të ketë vetëm efekt bumerang. Nën paradoksin se “presioni” për Reformën në Drejtësi po cenon sovranitetin kombëtar, thirrja po identifikon grupin që vetëm merakun e sovranitetit nuk e kanë. Nuk besohet se do të ketë ndonjë efekt kërcënues as në opinionin publik të cilit po i adresohet, por as edhe ndonjë efekt ndikues tek aleatët ndërkombëtarë strategjikë. Të parët e kanë nivelin e inteligjencës më të lartë se mesazhet që adresohen, ndërsa aleatët do të vazhdojnë të mbeten pjesa motorike e procesit të reformës, si garancia e vetme e suksesit. Asnjë nga të dyja palët që i adresohen nuk besoj që do të bien në “grackën” e partizanëve të “sovranitetit vestfalian” dhe fuqishëm do mbeten të orientuar drejt misionit kryesor. Dhe kjo është më e thjeshtë se sa mund të mendohet pasi opinioni është i qartë, se një Reformë në Drejtësi e bën vendin më të mirë ose më të vështirë, por jo më sovran apo më të rrezikuar. Nuk ka ndonjë dilemë në raportet midis ndjeshmërisë së termit “sovranitet” dhe qëllimit të reformës.

Berzinski shprehet që ‘Sovraniteti është një fjalë që përdoret shpesh, por nuk ka kuptim të veçantë. Sot sovraniteti është nominal. Shtete që pretendojnë se janë sovranë janë të tillë vetëm nominalisht dhe relativisht…’. Artikuluesit e termit “sovranitet”, ndoshta, duke synuar diçka më të largët po e shkëputin termin nga konteksti i përgjithshëm. Ka paradokse në artikulim ashtu siç mund të mendohet se ka qëllime të tjera, por larg shqetësimit të vërtetë për sovranitetin. Se çfarë është sovraniteti, si sigurohet ai në arenën ndërkombëtare dhe botën bashkëkohore, nuk lidhet aspak me atë që dëshirojnë të lidhin të merakosurit e sovranitetit. Nëse do të mendohej për “cenim” të sovranitetit, mendimi do të lidhet me ata që po e cenojnë. Në kontekstin e cenimit të sovranitetit identifikohet rreziku nga ndërhyrja e jashtme. Kështu thonë edhe ‘mbrojtësit e sovranitetit’. Bile këta të fundit marrosjen e kanë identifikuar me përfaqësuesit zyrtarë të SHBA e BE. Nëse e kanë për forca të brendshme ato mund të identifikohen në rolin e bashkëpunimit me të huajt dhe do të cilësoheshin me termin ‘kolaboracionistë’. Pra, përsëri rreziku i kërcënimit të sovranitetit mbetet përherë i jashtëm. Po cilët janë cenuesit e sovranitetit. Mos ndoshta ata që morën pjesë në krijimin dhe rritjen e shtetit sovran shqiptar. Edhe vetëm kaq, në çdo rast do të ishte gabim përafrimi i artikulimit të termit sovranitet me Reformën në Drejtësi. Ndërsa aleatët tanë strategjikë janë në unison për realizimin e Reformës në Drejtësi e për të bërë një shtet modern e të sigurt në mënyrë ironike përballen me elitat politike që ju vendosnin përballë flamujt e rreckosur nën emrin e sovranitetit. A thua që po përsëriten vitet 1914-1924. Histori e kthyer në tragji-komedi.

Nëse do të dëshironin të debatonin vërtet për sovranitetin mund të afrohen çështje edhe më kritike, por që vërtet lidhen me fuqinë e termit. Për cilin “cenim” të sovranitetit është thirrja e ‘heronjve? Në cilën aspekt të sovranitetit: territorial, politik, ekonomik, ushtarak? E më tej, nga kush po cenohet ky sovranitet? Përse gjithë aleatët strategjikë, ata që historikisht kanë qenë në ngritjen dhe ruajtjen e këtij shteti sovran po vihen në anën e cenuesve? Vendi ynë, tashmë dihet që sigurinë shtetërore, si element të sovranitetit ia ka adresuar sigurisë kolektive- NATO-s. Në mënyrë ‘sovrane’ ne nuk kemi aq kapacitete dhe aftësi për ta ruajtur i vetëm sovranitetin territorial. Ne nuk kemi kapacitete për të mbrojtur hapësirën ajrore dhe atë detare. Ne kemi kapacitete shumë të kufizuara për kufijtë tokësorë. Nëse është fjala për sovranitet ekonomik, jo ne, por edhe vende të tjera më të mëdha e më të fuqishme, në epokën e globalizmit nuk mund të jenë tërësisht sovran për zhvillimet ekonomike. Për më shumë se 20 vjet FMN, BB, apo BE asistojnë në politikat dhe ndihmat ekonomike për zhvillimin e vendit. ‘Sovraniteti politik’ është po aq i ndërvarur i ‘cenuar’ ndërkohë që kemi pranuar dhe dëshirojmë integrimin në BE, NATO apo organizime të tjera politike ndërkombëtare. Nëse dëshirojmë të integrohemi në perëndim ku afrohen mundësi zhvillimi dhe mbijetese kombëtare kërkohet të ecet me hapin e tyre ku bëjnë pjesë edhe drejtësia, duke qenë të ndërgjegjshëm për detyrimet jo vestfaliane. Emanuel Makron shprehet qartë se “…sovraniteti e tejkalon nivelin kombëtar; ky ishte gabimi i Brexit dhe që të tjerë bëjnë…”.



Pas