Ministrat në ankth deri të shtunën

Kryeministri Edi Rama ka kritikuar Forumet Rinore Eurosocialiste për protestën e studentëve, duke i akuzuar se nuk informuan në kohë për problematikën. Rama nuk mohon ndryshimet në qeveri: “Di gjithmonë radhën e lëvizjeve pasi gjithmonë mendohem gjatë përpara se sa të bëj çdo lëvizje”. Të shtunën sprova e ministrave. Kryeministri, “luftë” në dy fronte.

Pritshmëritë për një shkundje të kabinetit të tij ishin të mëdha, por Edi Rama në mbledhjen e djeshme të kryesisë së PS-së ka vendosur që si fillim ta nisë “raprezaljen” me më të vegjlit, drejtuesit e Forumeve Rinore Eurosocialiste. Në fjalën e gjatë dhe mbledhjen prej pesë orësh Kryeministri ka kritikuar strukturat e Partisë Socialiste, duke i akuzuar ata se janë përgjegjës për protestat e studentëve, pasi nuk kanë informuar në kohë mbi problematikën serioze që kishte në të gjitha fakultetet e vendit. Por mbledhja ishte një lloj “nxemjeje” për atë që do të ndodhë më 29 dhjetor në mbledhjen e radhës së kryesisë së PS-së. I pyetur për lëvizjet e mundshme në qeveri, kryeministri la shtegun e hapur që kjo do të ndodhë, por pasi të mendohet mirë… “Çdo gjë hap pas hapi. Ju e dini që unë nuk e them asnjëherë fjalën e fundit të parën. Nga ana tjetër, unë di gjithmonë radhën e lëvizjeve pasi gjithmonë mendohem gjatë përpara se sa të bëj çdo lëvizje”-deklaroi Rama. Ai shtoi se do të bëhen të gjitha gjërat e duhura dhe do t’iu përgjigjen me dinjitet shqetësimit të studentëve, “por do të shkojmë përtej këtij shqetësimi sepse ne e kuptojmë se ka ende shumë për të bërë dhe pavarësisht rezultateve të padiskutueshme që janë arritur njerëzit meritojnë shumë më tepër akoma dhe në këtë aspekt ne kemi shumë për të korrigjuar”-shtoi kryeministri. Ai pranoi gabimet e bëra, por u justifikua me shprehjen: “gabime që i bëjnë të gjithë ata që ndërtojnë, punojnë dhe që përpiqen të spostohen nga diku në diku tjetër dhe të marrin përsipër sfidat si sfidat që ne kemi marrë përsipër, por e rëndësishme është që të mësojmë prej gabimeve dhe të shkojmë përpara”. Për momentin kryesore për Ramën mbetet forcimi i strukturave të partisë, ajo armatë që ndizet në prag të çdo fushate elektorale, por për shkak të protestave që nuk vijnë vetëm si “kërkesa ekonomike”, por një revoltë për arrogancën, mungesën e perspektivës, korrupsionit në nivele të larta qeverisëse dhe pasigurisë. Nëse reagimi qytetar është lexuar drejt nga kreu i qeverisë mund të priten ndryshime rrënjësore, jo vetëm në emra ministrash, por në formë qeverisjeje.

E shtuna e fundit për disa ministra?

Këtë të shtunë pritet që kryesia e Partisë Socialiste të rimblidhet sërish, ku pritet që të diskutohet emër për emër çdo ministri e ministër, duke bërë publike performancën e deritanishme. Më shumë se një takim normal partiak, është i kushtëzuar nga protestat e studentëve dhe të qytetarëve në mbarë vendin. Edhe dje Rama pas daljes nga mbledhja e ka ritheksuar se revolta studentore ishte një shuplakë për qeverinë, ndaj edhe në vijim do të ketë reflektim të thellë. Ndoshta duke nisur nga ndryshimi i disa ministrave, por kjo mbetet për t’u parë në vijim. Askush nuk e përjashton mundësinë që kreu i qeverisë me mbledhje të tilla dhe kritika ndaj anëtarëve të kabinetit kërkon që të fitojë kohë në sfumimin e revoltave. “Kemi diskutuar protestën, arsyet, faktorët, dobishmërinë e madhe të saj dhe domosdoshmërinë që ta mishërojmë si duhet atë që është shqetësimi real i asaj proteste dhe që është transmetuar në formën që ajo mori, nga shumë studentë që i thonë vetes apolitikë, por e kanë shkundur politikën në raport me të vërtetën, i kanë dhënë shuplakë qeverisë, po ashtu si kam thënë e po bëjmë, që protesta ka dinamikën e vet, kurse shqetësimi ynë i domosdoshëm pas asaj shuplake do vazhdojë në funksion jo vetëm të studentëve”- u shpreh Rama duke iu referuar protestës së studentëve. Për momentin Rama është i qetë nga reagimet, pasi studentët e kanë mbyllur për këtë vit revoltën, por kanë premtuar se do kthehen edhe më të organizuar në janar, nëse nuk plotësohen tetë kërkesat tashmë të bëra publike prej javësh ku ndër më kryesoret janë; përgjysmimi i tarifave të studimit, kushte të mira në konvikte dhe auditorë, vetting për pedagogët, transparencë me fondet e fakulteteve dhe rritje e buxhetit të arsimit me 5 % të GDP-së. Disa nga kërkesat Rama ka premtuar se do realizohen, madje janë marrë edhe vendimet përkatëse, por protesta e nisur si reagim për të drejtat e tyre po kthehet në frymë jo vetëm antiqeveritare, por antiestablishment, duke përfshirë të gjithë aktorët politikë në 28 vitet e fundit.

Luftë në dy drejtime

Gjatë mbledhjes me dyer të mbyllura, kryeministri Edi Rama ka urdhëruar ngritjen e shtabeve elektorale dhe përgatitjen e tyre për zgjedhjet vendore. Në takimin pa media, Kryeministri Edi Rama ka shprehur pakënaqësi me të gjitha strukturat e PS-së, të cilat sipas tij kanë qenë joeficiente gjatë zhvillimit të protestave të studentëve, ku mësohet se ka thënë se e vetmja strukturë që ka funksionuar siç duhet ka qenë Grupi Parlamentar i PS-së. Të parët që do preken janë strukturat drejtuese të FRESH në të gjitha fakultetet e vendit, por nuk do lihen të kalojnë vetëm me “vërejtje” edhe strukturat e larta drejtuese të forumeve rinore. Një tjetër nismë që Rama duhet ta shtrojë që tani janë edhe zgjedhjet e ardhshme lokale. Është menduar që në fundin e muajit mars të mblidhet sërish kryesia e Partisë Socialiste ku pritet që të marrin gjysmëzyrtarizimin pjesa më e madhe e kandidatëve për kryebashkiakë. Disa emra të përfolur që mund të mos kandidojnë më do të duhet të presin deri atëherë, ndonëse prej muajsh kanë filluar ftohjen me kryeministrin. Në pesë vite qeverisje duket se Rama është në situatën më të vështirë që do i duhet të kthejë besimin te publiku, i cili që pas revoltës së studentëve ka rënë ndjeshëm ndaj mënyrës qeverisëse. Gjithashtu, përpara ka zgjedhjet lokale, që janë lakmuesi kryesor që do tregojë rënien apo stanjacionin e votave të socialistëve. Përveç “faktorëve të jashtëm”, kryeministri Rama ka të tjera situata për të zgjidhur brenda partisë. Pas largimit të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj dhe afrimitetit të dukshëm të këtij të fundit me kryebashkiakun Erion Veliaj mund të jetë një tjetër pengesë e lartë për t’u kapërcyer nga Rama.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Edi Rama fitoi si antipopulist dhe do të qeverisë si populist

Nga Ervis Iljazaj Bashkëqeverisja me qytetarë është slogani i ri i Edi...
Read More