Meta: Çfarë i thashë Ramës për qeverinë me 71 vota

ilir metaIlir Meta rrëfen negociatat për reformën, pranon se me kryeministrin ka diskutuar edhe për një qeveri “Rama” pa LSI dhe me 71 deputetë, por thotë se marrëdhëniet janë normale, koalicioni do vijojë dhe zgjedhjet janë larg. Kreu i Kuvendit shpjegon telefonatën me Sali Berishën, takimet me Bashën, Mejdanin dhe Kokëdhimën, qëndrimin për Presidentin e ri dhe koalicionin e ardhshëm

Nga Mirela Milori, ABC News

Një stinë pak e ngarkuar, duket që reforma në drejtësi pati një moment ku kurba ishte e ngritur. Ishit ju që dolët në një ditë të diel në një konferencë për shtyp, ku përmendët atë që u quajt qeveri ekspertësh. Situata u pështjellua disi, sepse u mendua që do të shkohej deri në zgjedhje të parakohshme me një qeveri tjetër. Si janë marrëdhëniet në koalicionin qeverisës?

Mendoj se marrëdhëniet në koalicion në përgjithësi janë mjaft normale, megjithëse këtu portalet prodhojnë lajme të papara çdo minutë. Nuk e di, por ekziston një dëshirë për të krijuar tensione të panevojshme, ndërkohë që reforma u miratua me më shumë konsensus se sa pritej. Pra, unë kam luftuar që ditën e parë për konsensus, por nuk e kam ëndërruar vërtet për 140 vota pro reformës. Dhe jo vetëm kaq, por kemi parasysh se jemi dhe në një sezon turistik dhe është e kuptueshme, ku njerëzit bëjnë pushime, sezonit i kushtohet më shumë vëmendje, sepse koalicioni mendoj është në rrugën e tij normale.

E them për koalicionin, sepse, në fakt, keni pasur takime me z. Basha. Duket se ka një lloj zbutjeje me z. Basha. Nuk kam ndër mend të risjell intervistën që dhatë te Zëri i Amerikës, ku për të shprehët një farë vlerësimi…

Unë nuk mund të mos vlerësoj faktin që z. Basha ka treguar një qasje konstruktive, të paktën nga takimi i parë që unë kam zhvilluar më 12 qershor. Nuk e harroj këtë datë, sepse kjo është ditëlindja e Partisë Socialiste, por qëlloi që ishte edhe ditëlindja e z. Basha…

Dhe kjo nuk ka lidhje me koalicionin PS-LSI, por ka lidhje me reformën në drejtësi dhe reforma në drejtësi është një çështje shumë më e madhe sesa çështja e koalicionit. Mendoj se edhe miratimi i reformës me konsensus është një kontribut për ecurinë më të mirë të këtij koalicioni dhe të vetë qeverisë, sepse është mundësia për të punuar në një klimë politike më të qëndrueshme dhe me më pak tensione, në rast se do të ndodhte e kundërta.

Si po funksionon koalicioni në opinionin tuaj? Do t’ju bëj një pyetje që po qarkullon: a do të ketë zgjedhje të parakohshme, qeveri teknike? Do t’i mbyllni këta 4 vjet së bashku me Edi Ramën në koalicion?

Unë besoj patjetër, për arsye se ne kemi një marrëveshje dhe kemi maxhorancën e duhur për të përmbushur këtë marrëveshje dhe pritmëritë e qytetarëve që e kanë votuar këtë koalicion.

Dhe jo vetëm ata që kanë votuar koalicionin, por qeveria është përgjegjëse, gjithashtu, për të gjithë qytetarët e këtij vendi, edhe për ata që nuk e kanë votuar, apo nuk do ta votojnë. Kështu që unë besoj se nuk ka asnjë arsye këtu për çështje si qeveri teknike, qeveri ekspertësh. Unë mendoj se ka ndodhur një mbivendosje e panevojshme, sepse kur unë kam bërë një propozim, ju e përmendët, nuk ka qenë në funksion të krijimit të një qeverie ekspertësh, por një zgjidhje në një situatë ngërçi kur ditët po fironin dhe po shkonin drejt datës 21 korrik…

Qëndrimi juaj duket  i qartë, i prerë për z. Meidani, por…

Nuk e kuptoj të gjithë këtë histori. Pse duhet  keqinterpretuar dhe duhet  krijuar tym për gjëra kot. Unë gjithë kohës jam në takime me politikanë aktivë.

Gjithsesi, pas kësaj marrëdhënieje, që nga mediet, të paktën, u interpretua si marrëdhënie pak e ngrirë, vjen një takim në vilën qeveritare në datën 3 gusht, në mos gaboj, mes jush dhe z. Rama. U shkrin akujt apo ishte një takim rutinë?

Mendoj se ishte takim normal. Prapë është media vetë që nuk e di pse ngarkohet, pse mobilizohet…

Aq më tepër që është përsëri z. Nard Koka, si herën e parë, në Gjirin e Lalzit, ku keni ngrënë një drekë me ngjala me z. Rama, edhe kësaj here. Është koincidencë, apo..?

Nuk ka pasur ngjala, ngjala ishte fjala, nuk ishte menyja e vërtetë. E dyta, nuk ka nevojë për t’u takuar me z. Rama për të pasur ndërmjetës, sepse unë mendoj se ne kemi një komunikim normal në përgjithësi. Për çështjen e reformës unë kam qenë gjithmonë i palëvizshëm dhe vetëm me një skenar, me skenarin A: konsensus-Venecia; Venecia-konsensus. Nëse opozita, ku e di unë, për çdo lloj arsye, nuk donte të merrte pjesë e të tjerë, kjo ishte një e drejtë e saj. Do të ishte një gabim shumë herë më i rëndë se ai që bëri me reformën administrative-territoriale, sot do të kishim probleme shumë më të mëdha edhe për vetë zbatimin e reformës e kështu me radhë.

Më lejoni t’ju pyes: edhe në datën 3 për reformën folët sërish, apo pati edhe biseda të koalicionit?

Kemi folur edhe për reformën, sepse kemi qenë në momentin e përcaktimit të kalendarit për ligjet, sesi do të procedohet për ligjin e Vetingut, disa ligje të tjera deri më 30 gusht dhe të tjerët menjëherë pas 30 gushtit. Pra, kjo ka qenë ecuria e vazhdimit të ligjeve që plotësojnë dhe ndihmojnë në zbatimin e reformës, por edhe çështje të tjera normale.

Për z. Basha thatë se ndryshuat mendim duke parë performancën e tij, sidomos te ligjet…

Nuk duhet të ngatërrojmë mendimin tim për z. Basha, si kryetar i Partisë Demokratike. Unë po flas për reformën dhe për reformën që nga momenti që jam takuar me të. Unë nuk e di, ndoshta më parë mund të ketë pasur qëndrime të tjera. Këtë gjë nuk e di. Nga ai moment deri në fund, ai ka qëndruar në pozita, sipas mendimit tim, konstruktive.

Edhe me z. Berisha keni thënë se keni kontaktuar…

Kam folur një herë dy ditë para miratimit të reformës. Nuk e kisha edhe numrin e tij, jo se e kisha fshirë, por kam pasur një problem me celularin dhe…

Po ju keni shtëpitë pranë te Gjiri i Lalzit, kam idenë…

Po ç’lidhje ka kjo me këtë gjë? Ndonjëherë përshëndetemi, patjetër.

Pra, keni folur vetëm një herë më parë?

Po, për këtë rast kemi folur vetëm një herë pas kaq kohësh, numrin e tij ma dha z. Bylykbashi. Ka qenë një bisedë korrekte, sepse edhe unë kisha një ide, sepse ishte krijuar një legjendë që e pengon Berisha. Ai ka qenë tepër i qartë dhe konstruktiv, ata kanë qëndruar në të drejtën e tyre dhe kaq.

Është shumë e qartë në qëndrimet tuaja që në  fillim për reformën. Ju  i keni mëshuar fort konsensusit. Dua të flas për një tjetër…

Unë kam bërë të qartë që në rast se Partia Demokratike ka vendosur, këtë ia kam thënë edhe Partisë Demokratike, edhe z. Basha kur jemi takuar. Ia kam thënë edhe z. Berisha në bisedën që kam bërë, në qoftë se ata me çdo kusht do të nxirrnin një pretekst, përveç rekomandimit 88, që të mos votohej reforma, do të jepnin votat zemërthyer, siç thotë Doktori, në kuptimin që nuk do të ishte gjëja më  e mirë për vendin.

Natyrisht, unë e kisha vendosur që nuk do të rrija më Kryetar i Kuvendit, sepse do ta konsideroja si një dështim, do të thosha, edhe të gjithë klasës politike aktuale, e cila  ka mjaft përgjegjësi, por duhet të gjente forcën, siç e gjeti, për fat të mirë, ta kalonte këtë moment të rëndësishëm për vendin në një mënyrë të përgjegjshme dhe pozitive, edhe pse të sforcuar, por më mirë një  sforcim për mirë sesa një sforcim për konflikt.

Një qëndrim që analistët e të gjitha krahëve e kanë vlerësuar, edhe ata që kanë qëndrime të kundërta me mënyrën se si ju bëni politikë, si funksionon LSI-ja, por në axhendën politike shqiptare është  një moment shumë i rëndësishëm. Vitin që vjen  është zgjedhja e Presidentit. Mendohet se është bërë një testim force brenda koalicionit, brenda politikës shqiptare, ai që do të kapte 71 vota në Parlament, ai ose do të jepte mocion votëbesimi për Kryeministrin, ose do të kërkonte mocion për  largimin e Ramës si  Kryeministër dhe duket se gurët e bardhë do t’i luante pikërisht ai  kah që  do të kishte 71 vota…

Mua kjo më duket një histori krejtësisht banale. Madje ia kam thënë edhe z. Rama, që nëse ke 71 vota, po t’i bëj edhe unë 3-4 vota, nuk ka asnjë problem, siç i kam thënë para një viti, që nëse nuk i pëlqen koalicioni me LSI-në, mund ta bëjë  edhe me PD-në, apo me kë të dojë, dhe LSI-ja del në opozitë. Nuk ka asnjë shqetësim, pra në kuptimin për t’i dhënë një përgjigje gjithë këtyre intrigave, sepse intriga do t’i quaja të gjitha këto. Unë kam pasur shqetësim vetëm reformën. Kam dhënë një fjalë, që kjo do të mbyllej në datën 21 korrik. Kam dhënë me bindje, me konsensus, pavarësisht se deri në momentin e fundit kam pasur edhe një dyshim se mos Partia Demokratike do të nxirrte përsëri ndonjë gjë tjetër, që nuk e nxori, ajo kërkonte sigurinë e saj.

Mund t’jua sqaroj edhe juve, edhe qytetarëve: Partia Demokratike ishte dakord me zhbllokimin në rastin e emërimeve për përfaqësuesit nga Parlamenti për institucionet e reja të drejtësisë, ku Komisioni i Venecias thoshte se opozita duhet të ketë garanci të përfaqësimit, të përfshirjes së saj, jo me politikanë, por me ekspertë dhe me kritere të përcaktuara për  pjesën që do të zgjidhte Parlamenti, sepse ne jemi Republikë Parlamentare. Opozita thoshte: zhbllokimit po, por zhbllokim me garantim, jo zhbllokim me përjashtim…

Dhe nëse do t’ju kandidonin për President, ju do ta shikonit këtë, për ta lënë postin e Kryetarit të Kuvendit për t’u bërë President?

Kjo është një çështje që nuk ja vlen fare të diskutohet, madje as te zgjedhjet e ardhshme nuk e kam e mendjen, në kuptimin sepse i shoh larg, pas një viti. Dje, pata një takim të mrekullueshëm me Zv.Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm të Sllovakisë, z. Lajcak. E rëndësishme është që ta ruajmë këtë moment pozitiv, të mos harrojmë deklaratën e Departamentit Amerikan të Shtetit pas miratimit të reformës në drejtësi, që ky votim unanim, me konsensus ishte një tregues i bashkimit kombëtar. Të ecim në këtë linjë…

  1. Meta, në qoftë se dikush nuk e njeh politikën në Shqipëri dhe ju dëgjon besoj se do t’i duket sikur jeni Presidenti i vendit. Ju jeni në një koalicion qeverisës, jeni Kryetar i Kuvendit…

Unë jam Kryetar i Kuvendit dhe përpiqem të flas si i tillë.

Kush është kundërshtari juaj politik, se duket sikur jeni me të tërë mirë, flisni mirë, keni një marrëdhënie shumë të edukuar kur flisni… Keni kundërshtar politik?

Jua thashë që s’kam kundërshtar, janë probleme të cilat janë kundërshtare të çdo qytetari shqiptar. Konflikti i panevojshëm është kundërshtar për ty. Unë nuk them të shuajmë debatin në politikë në Shqipëri, sepse ka nevojë për debat, por ka nevojë për debat të kualifikuar, ka nevojë për debat të përgjegjshëm dhe ka nevojë për zgjidhje  nga të dyja palët, edhe nga qeveria, edhe nga opozita. Pra, nuk ka nevojë  vetëm debat që  ky ka vjedhur kaq, ky ka vjedhur aq…

Ju mendoni se reforma në drejtësi, që ju e miratuat me një konsensus politik, se tani është në dorën e ekspertëve, do të arrijë të vendosë një drejtësi edhe në vertikalin shtetëror, duke ndëshkuar  edhe të paprekshmit deri tani?

Unë besoj, patjetër. Këtë duhet ta ndihmojmë vetë ne politikanët, duke dhënë shembullin e parë për të respektuar institucionet  për  të mos ndërhyrë…

Ju  jeni i vetmi që keni përmendur edhe burgun, më lejoni t’jua them këtë, disa herë thoni: kushdo të shkojë në burg. Mendoni se do të ketë penalitete kaq të ashpra me anë të zbatimit të kësaj reforme?

Po, patjetër, të  ketë për cilindo që ka shkelur ligjin.

Pyetja e fundit: nëse zgjedhjet do të ishin nesër, do të ishit në koalicion me Partinë Socialiste apo me Partinë Demokratike? Pra, me PS-në e Edi Ramës apo me PD-në e Lulzim Bashës?

Shiko, këto partitë nuk do të kisha dëshirë t’i individualizoja, sepse ne duhet të ecim drejt konsolidimit të partive si institucione të një politike të re, të përgjegjshme, transparente, konstruktive. Ne jemi një koalicion, që unë do të thosha se është një koalicion që funksionon në mënyrë mjaft konstruktive po sipas mendimit tim, dhe do të vazhdojmë t’i përmbushim të gjitha detyrimet tona, si  takimet për reformën në drejtësi apo çështje të tjera që i konsiderojmë si çështje të interesit kombëtar. Mund të dalin edhe çështje të tjera, që kanë të bëjnë me 5 prioritetet kyçe e kështu me radhë. Këto nuk duhen keqkuptuar.

*Marrë me shkurtime

Shkruar Nga
More from revista mapo

Të luash me politikën e jashtme të SHBA-ve

Nga Christopher R. Hill* Fushata presidenciale në Shtetet e Bashkuara, sakaq e...
Read More