Mesazhi i ish-kreut të PS: Historia e raporteve Nano-Meta-Rama

Lideri historik i socialistëve ka ndërhyrë në debatin mes PS dhe LSI. Me një mesazh urimi për 26-vjetorin e PS-së ai ka mbështetur Ramën në qëllimin e tij për të marrë i vetëm timonin e qeverisjes në 25 qershor. Ai e ka konsideruar LSI-në pseudoaleate. Ja historia mes tre protagonistëve të së majtës

Nga Fejzi Braushi

Në kohën kur divorci mes Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim është i pashmangshëm, kreu i socialistëve Edi Rama ka rigjetur një aleat të vjetër; paraardhësin e tij në parti, Fatos Nanon.

Të dy kanë lënë pas krahëve mosmarrëveshjet dhe konfliktin që ka zgjatur më shumë se një dekadë dhe kanë vendosur të bëhen bashkë, kësaj here kundër një “miku dhe armiku” të tyre, Ilir Metës.

Pakti duket se u finalizua tre ditë më parë, gjatë një takimi në rezidencën qeveritare në Durrës, ku Rama dhe Nano u takuan për më shumë se dy orë me njëri-tjetrin, takim ky që siç ka bërë të ditur më parë vetë Rama nuk ka qenë i pari në këta muaj e fundit.

Por ndërsa të gjithë filluan të hamendësonin lidhur me qëllimin e këtij takimi, dje ish-kryetari historik i socialistëve ka ndërhyrë në debatin e hapur mes dy ish-kundërshtarëve të tij në PS-në e dikurshme Ilir Metës dhe Edi Ramës, ku për herë të parë që kur la postin e kryetarit të partisë, doli hapur në mbështetje të pasardhësit të vet, kryetarit aktual të Partisë Socialiste.

Në vijim të këtij pakti bashkëpunimi të arritur tre ditë më parë, Nano preferoi që mbështetjen e vet për Ramën ta shprehë pikërisht në një ditë simbolike për socialistët, në ditëlindjen e 26 të Partisë Socialiste.

Mesazhi i Nanos

Nëpërmjet një mesazhi dërguar kreut të socialistëve, Edi Rama dhe kreut të Asamblesë Kombëtare, Gramoz Ruçi, ai ndërsa uronte të gjithë socialistët për ditëlindjen e partisë, deklarohet hapur kundër aleancës me LSI-në, të cilën nuk nguron ta cilësojë edhe si pseudoaleancë.

Duke u përpjekur që të japë një mesazh bashkimi të të gjithë socialistëve, pavarësisht nëse janë të orëve të para apo ata të ardhur rishtazi në parti, shprehet se PS do t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme.

“Të dashur Edi e Gramoz! Uroj nëpërmjet jush, gjithë socialistët anembanë Shqipërisë për 26-vjetorin e familjes sonë të patjetërsueshme! Jam i bindur se fitorja e PSSH-së në zgjedhjet e 25 qershorit do garantojë Rilindjen e pakthyeshme të Shqipërisë Europiane, pa deformimet e pseudoaleancave të deridjeshme!”

Sipas tij socialistët në radhë të parë dhe votuesit shqiptar në radhë të dytë duhet t’i japin mbështetjen e duhur PS-së që timonin e qeverisë ta kenë vetëm ata në duar, pra duke i dhënë asaj mundësinë për të patur 71 mandate në parlament.

“Ky është destini dhe destinacioni ynë i përbashkët, prandaj kam shumë besim se çdo shqiptar i arsyeshëm do të vendosë që në këtë udhëkryq historik, timonin e qeverisjes së këtij vendi ta besojë në duart tona!”, mbyllte mesazhin e tij, Fatos Nano.

Qëllimi

Natyrisht nuk bëhet fjalë për një mesazh që vjen në mënyrë të rastësishme, por që tregon më së miri që në prag të zgjedhjeve të ardhshme kreu i socialistëve i gjendur pa asnjë aleat në këto zgjedhje dhe në kushtet kur marrëdhëniet me LSI-në janë të vështira, kërkon që të përcjellë te anëtarësia dhe shqiptarët idenë se PS është e bashkuar për të siguruar një mandat të pastër qeverisës pa nevojën e koalicioni me parti të tjera.

E duket se Nano nuk është i vetmi në këtë përpjekje për të bindur shqiptarët se PS është e bashkuar.

Edhe  një tjetër kritik i Ramës në PS, ish-presidenti Rexhep Mejdani deklaroi ditët e fundit se ka ikur koha e tabuve në politikë, duke legjitimuar në një farë mënyrë edhe mundësi për të patur një qeveri PS-PD pas zgjedhjeve.

Ndërkohë që një tjetër figurë që ka dalë në krah të Ramës në konfliktin me LSI-në, është edhe ish-kryetari i Kuvendit, Servet Pëllumbi.

Ndërsa si çdo vit mori pjesë dje në festën e përvjetorit të ditëlindjes së PS-së, ai do të shprehej dje se ndërhyrja e Nanos në këtë debat ishte e duhura në kohën e duhur.

“Kur historia vihet para realitetit, ka impuls të ri. Mesazhi i Fatos Nanos, ishte në momentin e duhur dhe në interes të anëtarit të PS dhe elektoratit. Ka faktorë që e bëjnë të pashmangshme përplasjen dhe përçarjen, por ndonjëherë përçarja ndikon pozitivisht. Si në këtë rast të tanishëm”, -tha Pëllumbi për Report Tv.

Ndërkohë që kjo dalje e Nanos në skenë nuk i ka pëlqyer LSI-së, megjithëse njëri prej bashkëpunëtorëve të tij më të afërt, Luan Rama, nuk ka dashur dje ta komentojë atë.

Historia Nano-Rama-Meta

Në fakt dalja e djeshme e Nanos hapur në favor të kreut aktual të PS-së, Edi Rama dhe kundër Ilir Metës, është një marrëdhënie e tre njerëzve që kanë shënjuar historinë e së majtës të paktën që nga viti 1998, kohë kur Nano e ftoi Ramën të bëhej ministër i Kulturës.

Por pozicionimi i djeshëm i Nanos është i pari në favor të Ramës që pas viteve të para të bashkëpunimit në raportet kryeministër-ministër.

Që prej asaj kohe marrëdhëniet e tyre kanë qenë me ulje ngritje, nga bashkëpuninmi te armiqësia politike.

Ato do të acaroheshin gjatë fillimit të viteve 2000, kur Rama preferoi të mbështesë Metën kryeministër në debatin me Nanon kryetar i PS-së.

Gjatë kësaj kohe Rama do të bënte edhe deklaratën e famshme, ku teksa i referohej lëvizjes “Katharsis” të Fatos Nanos do ta krahasonte atë me personazhin e  “Robert çamçakëzit”.

Ndërsa marrëdhëniet mes Ramës dhe Nanos do të mbeteshin jomiqësore edhe në vitet në vijim, ato mes Nanos dhe Metës do të përkeqësoheshin më tej, deri në çarjen e parë të PS-së nga e cila në 2004 do të krijonte LSI-në.

Kjo do të bënte që vetëm një vit më vonë PS e drejtuar nga Fatos Nano të humbiste pushtetin, ku çarja e votave të së majtës solli humbjen e shumë mandate deputetësh, çka i dha shansin nga ana tjetër PD-së që të merrte pushtetin.

Natyrisht largimi i Metës dhe humbja e zgjedhjeve nga Nano, krijoi mundësinë e mirë për Ramën për të jetësuar ambicien e tij të shfaqur që më parë, për të qenë ai drejtuesi i socialistëve.

Mes një situate të nderë socialistët në një kongres të jashtëzakonshëm do të zgjidhnin Edi Ramën si kryetarin e ri të PS-së.

Por natyrisht që zgjedhja e tij ishte formale dhe për ta bërë atë edhe substanciale do ti duhej që për disa vite të luftonte me ish-kryetarin Fatos Nano dhe mbështetësit e tij në radhët e PS-së, luftë të cilën ai do ta fitonte vetëm në vitin 2009 kur dhe mundi të spastrojë një pjesë të partisë nga njerëzit e Nanos.

Lufta e tyre do të arrinte kulmin, ku Fatos Nano teksa Rama i kishte mohuar ambicien për të qenë President i Republikës në 2007, do të urdhëronte disa nga mbështetësit e tij në grupin parlamentar socialistë që të thyenin bojkotin e parlamentit dhe të shkonin të votonin Bamir Topin President.

Gjatë kësaj kohe Nano do të arrinte që nga ana tjetër të krijonte marrëdhënie të mira me kundërshtarin e tij më të fortë në PS, atë që e çoi në humbje në 2005, Ilir Metën, pavarësisht se për këtë humbje Nano do të akuzonte më vonë Ramën që me anë të MJAFT-it kishte bërë të mundur humbjen e PS-së në ato zgjedhje.

Marrëdhëniet e Nanos me Ramën dhe PS-në e tij do të shkonin drejt përkeqësimit, teksa në vitin 2009 ai do të deklaronte se nuk do të votonte për partinë e Ramës.

Nga ana tjetër marrëdhëniet mes Nanos dhe Metës do të vinin duke u forcuar edhe më tej, ku në disa raste ata do të takoheshin në mënyrë demonstrative bashkë në shenjë sfide për garat e rëndësishme që prisnin Ramën.

Kujtojmë këtu takimin e tetorit të vitit 2010, pak muaj para se Rama të kandidonte për një mandate të katërt në krye të Bashkisë së Tiranës, teksa Nano do bëhej edhe shoferi i Ilir Metës.

Ata do t’i ruanin marrëdhëniet edhe për dy vite të tjera, ku publikisht u takuan sërish por kësaj here për t’i dhënë edhe një mundësi ambicies së Nanos për t’u bërë President.

Meta do të vlerësonte në atë takim të vitit 2012 kontributin që kishte luajtur Nano në politikën shqiptare dhe në rotacionin e pushtetit, duke lënë të kuptohej se e mbështeste kandidaturën e tij për president, ndërkohë që në anën tjetër Rama do të deklaronte se “Nano nuk ishte kandidat i PS-së”.

Ky është takimi i fundit mes Nanos dhe Metës në publik, për të ardhur në ditën e djeshme, ku në mënyrë krejt të papritur ish-kryeministri do të dilte në krah të Ramës dhe kundër Metës.

Situata në këto momente bëhet edhe më interesante për shkak të ambicies së vazhdueshme të Nanos për t’u bërë President.

Por objektivi i parë i mesazhit të fortë të Nanos në mbështetje të Ramës në planin afatshkurtër ka të bëjë me bashkimin e socialistëve apo dhe kthimin e një pjese të “zemrave socialiste” që në 2009 u bënë “ lësiste”

Shkruar Nga
More from admin

Bjordi flet për herë parë pas vdekjes së Adelës!

I ftuar sot në emisionin You & Me me Julkën dhe Arjonin...
Read More