MEND!

Nga Sokol Shameti

Kurrgjë pos vetë Zeusi, besonte se ishte shëronjësi Menekrat në Spartën e vjetër. “Zeus” e thërrisnin pacientët që kishte shpëtuar. “Zeus” e mbiquante veten edhe ai kur u prezantohej të panjohurve. Sigurisht sot, 2500 vjet më vonë, zor se e kujton njeri tamam se kush ishte Menekrat “Zeusi”. Mirëpo kjo fabul e vogël për një njeri të vogël me pretendime të mëdha mundet ende të shërbejë si një ilustrim i kotësisë që mban përbrenda vetëpërfytyrimi i madhështisë.

Po çfarë të keqe ka pak mbivlerësim për veten? Kultura masive e ditëve tona, e mbipopulluar nga apostujt gjysmanalfabetë të industrisë së re të argëtimit është plot shembuj vetëbesimi të tepërt. Je dëshmitar ti, ndaj manifestimit të kësaj madhështie kur e shikon të kullojë atë nga kabinat e makinave shkëlqenjëse tek xhirojnë disqet e inoksta me “kalorësit” e rinj shaluar mbi to, e këta të fundit të fiksuar në sekuenca të ngadalësuara videoklipesh tek kryejnë rituale çiftëzimi në distancë, karfosur tejpërtej në zinxhirë, kllapa e unaza metalesh të verdha e tatuazhuar në çdo milimetër në një grafikë heroike e cila premton përmes mijëra gjuhëve të Babelit bëma, urtësi e betime të panjohura.

A nuk besojnë se janë në mënyrën e vet diçka e ngjashme me Zeusin edhe ata që përjetojnë një karrierë të shpërpjesëtuar me masën e vet trunore, teksa një rastësi marroke i vërvit të përfundojnë nga këngëtarë tallavaje direkt e ligjvënës të Kuvendit. Ose nga elektricistë lokalë në artistë konceptualë postmodernë. Ose nga keqbërës ordinerë në anëtarë komisionesh për rend dhe siguri? A nuk është edhe ajo literatura që këndon fenë e re të mbërritjes drejt suksesit me hapa të thjeshtë, përplot me receta jete që nisin nga një dietë maniakale vitaminoze e përfundojnë tek një “natën e mirë kampion” pëshpëritur vetes para pasqyrës së dhomës së gjumit?

Thjeshtësia e përulja, vetëkritika e puna, urtësia e përkorja janë groposur sot në zgafellat fetare e shkencore të cilësive shoqërore, si xeherorë të perënduar. Karshi tyre ngrihet lavdishëm dielli i ri i modernitetit plastik e digjital që shkrep blicet e kollajshme të adhurimit mbi selfie-n e arrogancës dhe mendjemadhësisë, egoizmit dhe dembelizmit, zhurmës dhe teprisë, në trajtën monumentale të një gorille që rreh gjoksin.

Modeli i “Zeusit” vetëpëlqyes deri në imponim është ai i shërbyesit publik që beson se është në të vërtetë gjenetikisht i projektuar për prijës. “Zeusi” Menekrat shfaqet në trajtën e zyrtarit të lartë që nuk guxon të jetojë një ditë si i papushtetshëm, që e tmerron aq shumë mungesa materiale sa ta shndërrojë të aftë për çdo marrëzi, gënjeshtër e krim. Që hesht duke shijuar edhe servilizmin më të trashë dhe nuk i bën dot qëndresë as tundimit më të zbehtë për privilegjim.

Provincializmi mendor ia errëson vendimmarrësit vendor aftësinë për të çmuar me objektivitet koordinatën e vetes në hapësirë dhe në kohë, në botë dhe në histori, aq sa të besojë me tërë mend e pa asnjë kontestim të brendshëm se është vërtet ndonjëfarë Uinston Çërçilli i prerë për lidership global, ndonjë biçim Aleksandri i Madh e i pathyeshëm elektoral, ndonjë lloj Moisiu i përzgjedhur si përçues legjislacioni biblik, ndonjë Adam Smith i pagabueshëm ekonomik, e me radhë për çdo ekspertizë që mund të të sugjerojë ty mendja apo Wikipedia.

E sikur të mos ishte rrokopuja shkatërrimtare që zvarrit pas vetes bashkë me fatin e miliona jetëve njerëzore kjo marrëzi kapriçoze, ajo s’do të meritonte as mundimin e dy rreshtave në kronikën konsumatore. Mirëpo ja që “Zeusi” i vetëshpallur është përveçse një idiot edhe një idiot me pushtet e kësisoj, një taksirat.

Për t’iu rikthyer fabulës së vjetër të shëronjësit Menekrat që besonte se ishte rimishërim i Zeusit mbi dhé, asgjë s’e shpëtoi ekzistencën e tij të papërfillshme e të parëndësishme për historinë njerëzore, sesa shkëmbimi rastësor me mbretin e lavdishëm të Spartës, Agesilaun. Historia na sjell përmes errësirës vetëm dy rreshtat e letrave që këta të dy i drejtuan njëri-tjetrit shkurt, në stilin fjalëpak të Lakonisë.

“Nga Zeusi Menekrat, mbretit Agesilà, shëndet”, kuturisi i pari me guximin qesharak të idiotit personazhi që mbahet mend vetëm se meritoi një përgjigje të denjë për gjithë të ngjashmit e tij në çdo kohë.

“Nga mbreti Agesilà, të vdekshmit Menekrat, mend!” – ishte përgjigjja.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Profesori Kolë Ashta në një jetë kushtuar gjuhës shqipe

Çfarë nuk u tha për prof. Kolë Ashtën në konferencën shkencore, që...
Read More