MAPO LETRARE/ Poetika avangarde e Monologut të Prijësit

Shënime rreth librit “Monologu i Prijësit” me autor Rexhep Hoti

Nga Diana Çuli

<

Sapo fillova ta lexoj Monologun e prijësit të Rexhep Hotit e kuptova se shkrimi im për këtë vepër nuk do të jetë një sipërmarrje e lehtë.

Së pari, sepse më duhet të reflektoja mbi një krijim poetik që bazohej mbi një sfidë të madhe e të thellë letrare dhe historike ku mbarshtrimi i saj artistik formësohej brenda stuhive të një poetizmi me gërshetimime të shumëllojshme letrare nga romantizmi te simbolizmi, nga surealizmi te avangardizmi. Monologu i Prijësit që në vargun e parë, që në strofën e parë fillon me ndërthurje të pazakontë poetike e cila si copa të një mozaiku të ngatërruar nga stuhitë e kohës e përmbyll kuptimin e vet në njësi të veçanta apo mbrenda tërësisë së saj:

«Njerëz,

Ndijimi për stërgjyshërit

Më dhuron gjithmonë një nderim të ndruajtur,

Një eter mendim me thellësi të pafundme të gjithësisë;

E bart atë peshë në një skaj të trurit,

Si një fantazmë përtej postmodernes,

Pikturon në trokun e përtejmë të kohës

Siluetën e paformësuar të identitetit,

Tutje plasaritjeve të lashtësisë».

(Faqe 17);

Së dyti, sepse, megjithë njohjen për jetën politike të Kosovës, të luftës dhe të gjitha zhvillimeve të tjera që kanë ndodhur në të në këto dekada, nuk mund të pretendoja se mund ta kapja aq lehtë çdo hollësi, çdo metaforë apo simbolikë të përdorur nga autori. Aq më tepër që atdheu u Monologut të Prijësit, herë herë merr trajta cinike me kufij shqiptarë të ndarë nëpër epoka ku malet i mbesin atdheut luftëtaret më besnik për ta ruajtur zhbërjen autoktonë të një fare të fillimit të civilizimit, siç shprehet autori:

«Shpëtoi një grimë nga zhbërja.

Strehimi natyror solli me vete porosi;

Pasardhësit mbetën të vetmuar me ngujim,

Midis malesh dhe detit,

Duhej të ruhej një thelb për farë,

Si të ishte përzgjedhja e dhimbjes së krijimit;

E mbyllur në thepisjen e lartësive të vargmaleve,

Tek ai shpend i Perëndisë

U quajtën përjetësisht:

Ilirë,

Arbër,

Skipetarë!».

(Faqe 36).

Së treti, sepse pikërisht simbolika, metafora, alegoria zënë një vend tepër të gjerë në poemë dhe janë pjesë e qenësishme e saj:

«Atje,

Qëndronte madhështia e lindur

Me dhembje të frikshme të gjithësisë,

Në filet e çapitjeve të para të kësaj bote,

Duke na pritur ndër shekuj,

Buzëqeshja u ishte mbuluar me pluhur të kohës,

Me mure prej myku Penicillium notatum!».

(Faqe 58).

Por, padyshim, ishin vështirësi të kapërcyeshme, më tepër të lindura nga dëshira për të qenë sa më pranë krijimit, për ta kuptuar atë sa më mirë, për të mos e zhgënjyer autorin me analizën time. I kam lexuar Rexhep Hotit edhe krijime të tjera letrare, në prozë, poezi dhe publicistikë – gjithnjë kam çmuar shprehjen e dashurisë së thellë të tij për Kosovën, përsiatjen ekzistenciale për fatet e saj, hetimin dhe vëzhgimin e gjithçkaje që ka përjetuar në këto periudha historike e vendimtare për këto fate, patosin artistik me të cilin e ka veshur këtë përsiatje, këtë ankth, shpresë, dashuri e mundim. Edhe te Monologu i prijësit, ai nuk i largohet këtij patosi. Përkundrazi, e shpërthen më shumë se kurdoherë, duke hyrë në çdo qelizë të mendimit të bashkëkohësve të tij. Monologun e prijësit kam vështirësi kur e përcaktoj poemë. Sepse është një krijim i gjatë poetik, rreth katërqind faqesh, me tetë kapituj (pjesë, siç i quan autori) me një prolog dhe një epilog. Prologu përshkon historinë e popujve të lashtë, paraardhësve të shqiptarëve – të pellazgëve dhe të ilirëve, të përpjekjeve të tyre për të ruajtur tokat ku jetonin, të luftërave, të dyndjeve barbare, të disfatave, hidhërimeve, të ringritjes, të shtypjes, të ringjalljes, përsëri. Spikat këtu figura e prijësit dardan Eneas, heroit të Trojës, të sakrificave të tij sublime për liri, të simbolikës së heroizmit, pamposhtshmërisë që trashëgoi në trojet tona, po edhe të heroit që jetoi në zgrip të humbjes së një qytetërimi e lindjes së një tjetri. Ikja e Eneas nëpër Mesdhe ngjason me ikjen e sotme shqiptare, teksa a bartë në shpinë plakun e vet të plagosur. Ikja vulos përfundimisht fatësinë tonë në shekuj, por njëkohësisht edhe lindjen e një qytetërimi tjetër:

«E shoh Enean,

Rrëshqet mbi ikjen pa kthim,

I kërrusur nga pesha e humbjes,

Me plakun e plagosur rëndë

E bart ngarkuar mbi kurrizin e halleve të veta.

 

Në shpirt i është varur mëkati i mundjes

E tërheq zvarrë,

Si gjahun e zënë dikur në rini;

Mund ta ndëshkojë,

Ta shndërrojë në hije,

Po s’mund ta shkarkojë kurrë më

Trojën,

Trojën,

Trojën!

Të fundosur përjetësisht

Në zbrazësinë e shpirtit të tij».

(Faqe 43).

Kjo simbolikë shoqëron të gjithë poemën, nëse do të biem në një mendje me lexuesit që ta quajmë të tillë këtë ndërmarrje të mundimshme, por të suksesshme poetike për të dhënë një tablo të zhvillimeve historike të Kosovës në këtë periudhë dhe të atdheut të shqiptarëve në të dyja anët e Drinave. Po edhe të vështirësive, kontradiktave, dilemave, pamundësive, gabimeve, të fitoreve, të humbjeve, të ringjalljeve përsëri. Megjithëse me mendjen e ndijimeve Monologun e Prijësit do ta quaja roman poetik jo vetëm si zhanër letrar, por si emërtim, siç jemi mësuar t’i quajmë në teori të letërsisë llojet e romaneve. Madje, do të thosha është një krijim artistik i njëhershëm në letërsinë shqipe. Me aq sa unë kam njohuri, nuk ka edhe një krijim tjetër letrar artistik me monolog që të jetë në këtë përmasë jo vetëm në kuptimin sasior apo cilësor, por edhe në kuptimin e formësimit poetik, të organizmi dhe strukturimit të tij. Diskursi artistik i Monologut të Prijësit është krejt i veçantë. Mbase semantika më e saktë do të ishte roman poezie dhe nga ky përkufizim mendoj rrjedhë natyrshëm forma e shtjellimit të vargut me figuracionin poetik si kompozim kryesor i lirikës së realizuar. Natyrisht them poezie duke bërë një ndarje me poemën nga shkaku se realizimi i veprës në fjalë është nëpërmjet poezive të cilat janë edhe autonome në vetvete dhe janë në të njëjtën kohë në lidhje të fuqishme bashkërendimi kuptimor e artistik me tërësinë. Por autonomia e poezive që janë gjithsej 156:, si për nga ndërtimi, forma dhe poetika e figurshme e meditimit monolog e dallon nga pema që e njohim si zhanër letrar kujtoj. Vepra Monologu i Prijësit është vepër në formë e përmbajtje një krijim avangardë. Në qoftë se lexohet në kontekstin e poezisë, pra si poezi të ndara, ashtu edhe si janë, mund të thuhet se në këtë vepër Rexhep Hoti e rrëfimin epikë të një romani a poeme e shndërron në lirizëm të kulluar. E ndjen përbrenda epikën e romanit të poezisë, por ajo shkrihet përbrenda përjetimit thjesht në formësimin e lirizmit:

«Ç’është kjo ftohje me të Bukurën,

Çfarë po ndodh me mua!?

Me një ledhatim,

Me një puthje synore

Krijoja dikur simfoni ngjyrash,

opereta,

Tek i zgjoja mornicat

Nëpër poret e shkujdesura të belit,

I puthja të gjitha me radhë

Me aq butësi,

E ndjeja ngrohtësinë e brendshme në secilën prej tyre,

Përkulesha mbi to

Si një aristokrat

E bija mbi to përfundimisht me qetësi

Si Buda».

(Faqe 329).

Në tetë pjesët e tjera, autori, përmes figuracionit dhe teknikës së vargut të lirë – që herë herë harmonizohet edhe vizualisht në varësi të intensitetit të mendimit, duke u shkurtuar apo zgjatur – ndërmerr këtë udhëtim historik. Bën përshtypje të veçantë figuracioni i thekshëm i Shqipërisë mëmë, vendit të perëndive parahistorike – yll polar, shpresë dritëdhënëse, nëna ku mbështetet koka dhe trupi i sfilitur i bijve të Kosovës.

«Iknim me plagë nga Kosova,

Nëpër gjithë atë mot të pabesë,

Thellë në alpet e Shqipërisë;

Vetëm atje mbrëmjet i jepnin freski historisë,

Lindjet e shuanin etjen me vesë.

Ndjeheshim të sigurt mbi kreshtat e shqipes,

E bukura nuk kishte asnjë vrag!

Atje s’arrinin armiqtë ndër shekuj;

Ajo ishte vendlindja e perëndive parahistorike,

Modernia e mitologjisë fillonte atje,

Ishte hapësirë e shenjtëruar për skipetarë!».

(Faqe 54).

Më tej, por me digresione e ndërthurje të shumta kohore, lexuesit i dalin para syve, si në një ekran ku transmetohet një filmim i ngadalësuar, sakrificat e pamata të popullit të Kosovës për liri, të luftës së tij kundër shtypjes, të periudhave të errëta, pothuajse të pamundura, kur në fund të tunelit nuk dukej asnjë dritë, të thirrjeve të dëshpëruara e gulçuese, të energjisë që do të shpërthente një ditë.

«Universi e kishte filluar lëvizjen me hile,

Muzat e kallura në vetvete krijonin me alibi;

Djajtë me zell të madh i kishin ngatërruar të këqijat

Të gjithë me fëlliqësi;

Zanat e shtojzovallet ishin tretur përfundimisht

Prej vetmisë së kohës;

Kishin shpallur moratorium nëpër mite e legjenda

Pa malet shqiptare zogjtë do të cicëronin qetësi».

(Faqe 62).

Autori, duke qenë vetë pjesëmarrës i kësaj historie, që ka ndjekur çdo çast, zhvillimin e ngjarjeve, që nga krijimi i UÇK-së, vetë luftën çlirimtare, flijimin dhe gërshetimin e saj me shtrirje hapësinore planetare deri te studiot e Holivudit:

E

Krejt,

Në mbyllje:

Lindja e diellit,

Zabeli i katundit,

Ana e Kroit të Marës,

Drejtimi i Lugut të Kishës,

Duke e përhumbur gradualisht,

Me drit-ari errësirën e një nate të gjatë

Shkëndijën e zjarrit në përmbylljen e perdes,

Një përshëndetje ushtarake mbi atdheun krenar

Shoqëruar me melodinë e valëvitjes së flamurit kombëtar

Tek përplaset pala e saj në fytyrën e një fëmije

Me buzëqeshje të derdhur nën frikë,

Me lotët që rrokullisen

Nëpër mollëza,

Si vaj!

(Faqe 176).

E deri tek ndërgjegjësimi i Europës dhe SHBA-së për gjendjen e vërtetë në Kosovë,

Paqësimi nënsundim

U cilësua «unofficially» prej SHBA-së

Politikë me skandim!

Mbështetje pa dashje për pushtuesin,

Rahatia e status quo-s,

U vlerësua qartë

Pajtim i sundimit nën pushtim.

 

Zbriti

epilogu i rezymes së Luftës së Ftohtë

në Kosovë;

Viti 1995,

e nxori përfundimin nga yllnajat;

Koha është arrirë!

 

Dy gishtërinjtë

Si veshtë e lepurit,

Paqësimi nën nënshtrim,

T’i kthehej më kundërshtimit!

(Faqe 151).

Rambuje e zë hapësirë që shtrin përtokë karakteret e pjesëmarrësve të saj nga Gadishulli Ballkanik. Në kështjellën mesjetare ndodh drama e lirikës së shpirtrave të sfilitur prej kohësh për të qenë ashtu si i ka krijuar koha e sundimit të gjatë. Hipokrizia, cinizmi dhe e liga janë element mbisundues që tipizohen në rrjedhën e monologut deri te kristalet e kripës:

«Përtypja e pakujdesshme e delegacionit,

Me dhëmb të zhveshur,

Ndalonte me përplasjen e lugës për xhamin e gotës;

Më pas dëgjohej zëri i liderit nënsundim pacifist,

Kur me pezëm të përmbajtur thoshte:

«Ma zgjat pak kripën, nacionalist!».

(Faqe 189).

Apo deri te «Llula» e krijesave neokoloniale:

 

«Të zëshëm ishin kallëzuesit e delegacionit!

Ata s’mund të cilësoheshin thjesht spiunë!

Si gjithmonë,

Printe Mendësia e Llullës;

Shkëlqente me klasë të fisnikërisë meksikane,

Pa sombrero në krye;

Vraponte kthinave të mesjetës

Me një çantë përplot me shkresa,

Gjersa e ngatërroi në një rast

Draft marrëveshjen e Hill-it

Para delegacionit serb

Me programin e vet të UJDI-t».

(Faqe 185).

Shpërfaqja e shpirtrave lirik godet bukur te pjesa akademike e delegacionit shqiptar, të cilët, më tepër se brengën e një marrëveshje me pushtuesin shekullor, kanë brengën për t’i shënuar memoaret. Imagjinata e tyre shkon tej në thellësitë mesjetare, nën qëndisjen e të brendshmeve të të dashurave të princave. Natyrisht se kështjella ofron parakushte për një flirt të fantazisë edhe te mendjet e ditura e veçmas te ato:

«Duke tjerrë ngarkesën e bardhë,

si një lesh halor

Diku pranë hyrjes së portave në Kështjellë,

Do t’i kenë veshur me nxitim

të brendshmet e mëndafshta,

Të qëndisura enkas me frymëzimin e erosit francez,

Të derdhura në majën e gjilpërës

Figurat në penj,

Të bëra me dorë.

 

Të përmalluara për një flirt zhuritës;

Padashur do të jenë qepur etshëm pas fajit,

Duke i shkundur prej

supeve,

belit,

ijëve,

Të gjitha shtrëngimet e netëve të dëborta,

Manitë e prillit,

pushtimet,

klithjet e majit».

(Faqe 209).

I rëndë është jermi që e tmerron gjumin e heroit lirik që ju prinë paqësorëve të Kosovës. I gjendur në mënyrë të pavullnetshëm në shtratin bashkëshortor të vrasësit të popujve dhe gruas së tij, ai e ndjen peshën e rëndon, ndërkohë që populli i dëbohej dhe masakrohej pafundësisht e s’mund të bëj asgjë:

«Pa asnjë qortim ndërgjegjeje!

Pa thënë vetë me vete,

Ndër buzë

Fjalën «E dreqosa!»;

Ishte rrotulluar natën nëpër jastëkët e shtratit

Të Milloshit dhe Mirës,

Si thonë amerikanët nëpër filmat e Holivudit:

«Fuck!»,

«Fuck!»,

«Fuck!».

Anglishten duhej ta kishte zotëruar aq,

Një shfryrje për ta thënë zëshëm, më shkrim;

Një qortim në çfarëdo gjuhe të botës të ishte thënë,

Për ta zënë vend në shpirtin e tij,

për paqe me vetveten,

me Zotin

me atdheun

Nëse jo për falje, për mirëkuptim!

 

Bashkë me pamjet e marrosura,

Të pavullnetshme vareshin imazhet e zhveshura

Nëpër trurin e trullosur prej pijes

Te Prijësi pacifisti nënsundim»;

(Faqe 245).

Natyrisht lumi i Lirisë sjellë në Kosovë edhe mbetjet e frikshme që në emër të saj e pushtojnë kohën e sapolindur: 

«Vraponin poshtë e lart komandantët e mi,

Njëri më i çartur se tjetri ër plaçkën e vet;

Të gjithë ishim kanunarë të lënë prej katundi!

Në mbrëmje bënim korzo në sheshe ma pallto të gjata,

të krekosur,

krejt qetë-qetë;

Si të ishim raskolnikovë të Dostojevskit,

E mbillnin krimin nga prapa,

E sfidonin ndëshkimin e vet».

(Faqe 252). 

Filozofia e monologut lirik është e pamëshirshme në autonominë e rrëfimit të vet. Ajo nuk bën përjashtim në kacafytje me të gjithë dhe me vetveten. Ajo hyn thellë në të gjithë komponentët e zhvillimit dhe shndërrimit të shoqërisë me një mjedis të lirë e të pavarur.

Të them të drejtën vonë e kam kuptuar,

S’kam pasur ide çfarë isha në atë drejtim?

Çfarë ishte ideologjia në të vërtetë!

 

I djathtë,

i majtë,

i qendrës?!

Unë isha ushtar i Kosovës,

Vullnetar i Lirisë!

(Faqe 214).

Ballafaqimi i monologut të heroit lirik me ndërgjegjen dhe vetveten është përplasja supreme. Duke sikur kundërthënia dhe mosrespektimi  vlerave fillon mu aty.

Me pabesi Ndërgjegjja më bën auditim të brendshëm,

profesional,

të paanshëm,

të pavarur!

Pamjet e kristalta të zhveshura ngelin prapa,

Pas sundimit të gjatë të mjegullnajës.

Në lëndinën e stinës,

Nuk mund të them kurrë

Shkela me këmbë mbi varret e Kosovës!

Pamjet më vijnë me shqetësim.

(Faqe 312).

Apo:

 

Me vlagë të zemrës do t’ia blatoj vetvetes

Epigrafin nëpër çdo trung prej arre;

Njëmijë herë dhe prapë më shumë:

«Unë jam Njeriu nga historia

Dhe sërish,

Atdheu im prapa meje ka shumë halle!».

(Faqe 389).

E ka zgjidhur artistikisht këtë sipërmarrje jo të lehtë duke përdorur metaforën e prijësit që mediton e që i flet popullit të tij. Niset nga një ndërgjegje, nga një shpirt, nga një mendje, për të komunikuar me qindra mijëra të tjerë. Kjo i ka mundësuar të depërtojë në të gjitha drejtimet – jo vetëm në përgjithësime historike, rishikime të saj, komente ndaj ngjarjeve vendimtare, por edhe në detaje, në kontradiktat e vështirësitë që përmenda dhe më lart. Përmes reflektimeve të prijësit, që janë gjithnjë të një njeriu – ose të alter ego-s së poetit – ne kuptojmë padyshim se sa e stërmundueshme ka qenë lufta, sa të ndërlikuara dhe të vështira ishin marrëdhëniet jo vetëm me ndërkombëtarët, në një kontekst tejet të sofistikuar gjeopolitik e gjeostrategjik me influenca të drejtpërdrejta politike, por edhe ndërmjet veti, ndërmjet prijësve të ndryshëm të partive të ndryshme, mes grupeve që përfaqësonin një rrymë mendimi e zgjidhjeje me një tjetër – që pasqyrojnë, mbase, edhe vetë opinionet politike të autorit apo të «personazhit» të tij dhe që ishin e janë pasqyrim i vetë betejave politike në Kosovë dhe për shqiptarë në përgjithësi.

Por, në fund ka rëndësi fitorja.

Dhe pas fitores, pas festës, fillon puna.

Autori i kushton disa pjesë rindërtimit të Kosovës, rilindjes së shoqërisë, demokratizimit të saj në liri. Nganjëherë liria duket sikur të trullos, oksigjeni i saj të merr mendtë. Drita e saj të verbon. Në një moment të tillë, kur sheh metamorfozën që pësojnë shumë luftëtarë të UÇK-së që shndërrohen në pushtetarë ai ndërmendet me alarm për shprehjen e vjetër «Revolucioni i ha bijtë e vet», vendos një titull pjese Atdheu hipotekë, për të stigmatizuar lakminë, korrupsionin, shpërfilljen ndaj popullit të thjeshtë të shumë fitimtarëve, të cilët i harrojnë detyrat, përgjegjësitë që duhet të mbajnë e të zbatojnë. Po unë përse mbeta gjallë, Përse ata nuk janë më?! Përse kanë mbetur të vrarë?! rënkon në një moment prijësi i dëshpëruar, duke kujtuar shokët e tij të lavdishëm e atë kohë të lavdishme, kur lufta për liri nuk ishte kaq e koklavitur sa jeta në liri. Përbaltja e lirisë e titullon autori këtë pjesë. Dhe në Epilog e përsërit duke shtuar vargun humbja e idealit.

Ndërsa prijësi pyetet me vete, në dyzim apo i bigëzuar si do të mund të shprehej ai:

Ikja do të ndjehet e vetmuar

Hijet do t’i tërheq zvarrë me gjakim!

Përse më vjen kaq i rënd fundi,

Çfarë ka mbetur peng në shpirtin tim?!

(Faqe 374).

Duke e uruar shkrimtarin e poetin Rexhep Hoti për këtë kontribut të ri në letrat shqipe, ku është mjaft i qenësishëm angazhimi i tij shoqëror e patriotik, shqetësimi i tij i thellë qytetar, shpresojmë që pena e tij të për të bukurën e fjalës të vazhdojë të jetë krijuese.

Nuk mund të nënshkruaj këtë shkrim e mos të paraqitja si një përfundim artistik disa vargje të dashurisë të mban në vete romani i poezisë Monologu i Prijësit:

Nuk do t’ju ndjej më,

Nuk do të rrëshqasin më të shkretat,

Do të më vij për të qarë

Për sistemin e fijeve nervore,

Do të thahen të rrudhura prej mëkatit të butësisë.

 

Nuk do të kenë asnjë lëvizje të dashurisë për përçim

Dhe mbrëmja kur do të bjerë,

Dhe nata kur të jetë bërë pis,

Do të më mblidhet në grykë

Një vaj i madh për të qarë i vetëm

Më mallëngjim,

Më zë,

Për sytë!».

(Faqe 337)

loading...
Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Bukinist vs librari: Moda e re e librave të vjetër

Të hedhur buzë Lanës, nëpër bordura, trotuare… librat e vjetër gjejnë strehë...
Read More