MAPO LETRARE/ Alda Bardhyli: Është e vështirë të gjesh një personazh të lumtur

Alda Bardhyli është studiuese e letërsisë dhe drejtore e botimeve UET PRESS. Më poshtë ajo vjen në një rrëfim për librat e zemrës.

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Tregimet e Edith Wharton dhe Kathleen Mansfield vijojnë të mbeten lexime te të cilat kthehem shpesh, ndoshta sa herë që dua të kuptoj se letërsia gjithnjë është e aftë të na japë përgjigjet e duhura për rrugët e jetës.

Poezitë e Anne Waldman dhe Allen Ginsberg më pëlqen t’i dëgjoj më shumë se t’i lexoj, përmes platformave që ata kanë krijuar për një komunikim ndryshe me lexuesin. Është interesante të shohësh që poezia vijon të mbetet një nga format më ndërgjegjësuese ndaj sfidave të kohës dhe sa më shumë mendohet se nuk është koha e saj, ajo vjen edhe më e fortë.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

“Don Kishoti”, Servantes, “Xha Gorioi”, Balzak, “Çështje të marrëzisë”, Ismail Kadare, “Vëllezërit Karamazov”, Dostojevski, “Lolita”, Nabokov. Do t’i shtoja listës dhe autorë të tjerë që me librat që kanë shkruar kanë arritur të ndërtojnë jo vetëm historinë e letërsisë, por dhe t’i japin botës modele emancipimi, të cilat kanë krijuar shoqërinë e sotme.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Tregimi është një nga gjinitë të cilin e dua më shumë në leximet e mia, ndoshta dhe për faktin se leximet e mia të para kanë të bëjnë me këtë gjini. Tregimi ka aftësinë që me një intensitet mahnitës të japë në vetëm pak faqe të gjithë filozofinë e jetës. Gi De Mopassan, Dino Buzzati, Italo Svevo, Dorothy Parker, Virginia Wolf, Edgar Allan Poe, Cvajg, Cehov, O. Henry, Nathaniel Hawthorne, Louisa Alcott, Borghes etj., janë tregimtarë që vazhdojnë të të magjepsin sot me lehtësinë e shkrimit. Po për fat dhe letërsia shqipe ka një traditë të mirë në tregim.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Më pëlqen të lexoj mendimin bashkëkohor letrar sot duke lexuar revistat më të mira mbi letërsinë që botohen në botë. Shekulli XXI dallohet për autorë që kanë sjellë një qasje të re ndaj karaktereve dhe historive në librat që kanë shkruar, si: Martin Amis, Don DeLillo, Ian McEwan, Haruki Murakami, Margaret Watood, Michell Houellebecq, Donna Tartt, Jonathan Frazen, Anne Carson, Jelinek, Elisabeta Zgarbi etj. Nga autorët shqiptarë: Bashkim Shehun, Ardian Vehbiun, Ben Blushin, Agron Tufën, Mimoza Ahmetin, Aurel Plasarin, Helena Kadare, Diana Çulin, Rudina Xhunga, Alfred Pezën, Ornela Vorpsi, etj. Po kështu çdo autori të ri i kushtoj vëmendje për ta njohur përmes shkrimit.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni? Dhe çfarë nuk lexoni?

Tregimi vijon të mbetet si një nga gjinitë që më tërheq me modernitetin e hershëm që mbart. Por proza në tërësinë e saj vijon të mbetet një joshje e përhershme. U kthehem shpesh klasikëve. Më duket sikur çdo rilexim i Gëtes është një njohje e re me të dhe me letërsinë.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk besoj se ka libra që mund t’ju befasonin nëse shihni në bibliotekën time, apo në tryezën e punës. Ndoshta libra që dhe vetë kritika i ka harruar të shkrimtarëve që kanë bërë historinë e letërsisë. Ajo çfarë më pëlqen më shumë nga leximi i librave biografikë apo studimorë mbi letërsinë është zbulimi i librave të rinj, që mund të gjenden nëpër rreshta. E nëse has një libër që mund të ketë qenë i parapëlqyer apo i vlerësuar nga një kritikë qoftë edhe një shekull më parë, ai libër bëhet kërkimi im deri sa ta gjej. Leximi i tyre e bën më të plotë qasjen ndaj një shkrimtari apo një kohe.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Historia e letërsisë është e mbushur me heroina, sidomos femra. Është e vështirë të gjesh një femër të lumtur në historinë e letërsisë deri në shekullin XX. Por në rrugëtimin e tyre për të dashuruar apo për të dashur jetën, ato kanë qenë kaq frymëzuese në atë çfarë gratë apo shoqëria ka fituar më pas. Fundi i tyre i hidhur është historia e vërtetë e përpjekjeve historike të gruas për të fituar atë çfarë ka sot. Penelopa është një personazh që vazhdon të më grishë ende sot, për aftësinë e durimit, që personazhet e kohës ku jetojmë duket se e kanë humbur.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?

Hyj tek ata lexues që kanë nisur të lexojnë herët libra të vështirë, e ndoshta kjo ka ndikuar në kërkimin tim ndaj letërsisë. Të vetmit libra që ishin në bibliotekën e familjes sime ishin komeditë e Shekspirit dhe romanet e Jakov Xoxës dhe Fatmir Gjatës. Ende e ruaj komedinë “Ëndrra e një nate vere”, ku me stilolaps të kuq janë nënvizuar shprehje që më bënin përshtypje. Sigurisht që leximi i vërtetë i Shekspirit ka qenë më vonë, por përpjekja për ta kuptuar ka qenë një kohë e bukur që lidhet me kujtimet e fëmijërisë.

Më vonë magjepsja do të vinte nga “Tregimet e moçme shqiptare”.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Nuk më kujtohet të jem futur në telashe për të lexuar një libër. I përkas një brezi ku librat gjendeshin më lehtë.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Çdo kohë ka pasur leximet që kanë ndikuar në një mënyrë a në një tjetër në perceptimin ndaj kulturës dhe jetës. Por Shekspiri mbetet mësuesi më i rreptë dhe më i mirë.

Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

“Ju lutem shkurt”, rrëfimin autobiografik të presidenti Vaclav Havel me gazetarin Karel Hvizdala, përkthyer nga Ilir Alushi, botimet “55”.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Scott e Zelda Fitzgerald në prani të Hemingway-t.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?

Ka shumë libra që më kanë lënë ndjesi të tillë, shpesh për shkak të përkthimit, apo ndoshta dhe pritshmërisë që kam pasur ndaj recensave që kam lexuar mbi to. Ndoshta një nga sfidat e kritikës sot është kthimi i besueshmërisë te lexuesi.

A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Ndodh që mund të kem mbyllur libra pa i mbaruar, por kjo jo gjithnjë ka të bëjë me cilësinë, sesa me një zakon timin që të lexoj disa libra në të njëjtën kohë, e t’u kthehem sërish për t’i përfunduar në një kohë tjetër.

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Historia e jetës sime do të jetë gjithnjë e lidhur me kërkimin ndaj letërsisë, e nëse ky kërkim do të shërbente për të ndihmuar në qasjen ndaj kësaj disipline, do të doja ta shkruanin studiuesit e rinj të letërsisë, që me siguri do të jenë më të mirë një shekull më vonë. Përndryshe asgjë tjetër nuk është më interesante se ky kërkim, për të mbetur në një libër.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Milan Kundera, Ismail Kadare, Singer, Albert Kamy, Kafka …

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Biblioteka me klasikët është e pafundme, po ashtu dhe dëshira për t’i zbuluar …

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Çdo libër të mirë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ekspozita e Jakup Ferrit: Slangu prishtinas ‘Op, op’ në ironinë e izolimit

Në skenën e Tulla Center në Tiranë, me slangun e Prishtinës “Op,...
Read More