MAPO LETRARE/ 10 librat më të mirë të vitit 2018

Instituti Europian Pashko shpalli dje 10 librat më të mirë të vitit 2018. 100 personalitete të kulturës dhe medias u bënë pjesë e një ankete përgjatë  një muaji në MapoLetrare

Vepra e fundit e shkrimtarit Ismail Kadare, “Kur sunduesit grinden”, e cila erdhi për lexuesin në Panairin e Librit, është renditur ndër librat më të mirë të vitit 2018. Instituti Europian Pashko ka bërë publike listën e 10 librave më të mirë të vitit sipas një anketë ku morën pjesë rreth 100 personalitete nga fusha e kulturës dhe e medias.

Alda Bardhyli, drejtore e botimeve UET-PRESS, e quajti këtë anketë të rëndësishme, përmes së cilës shohim një tablo të zhvillimeve letrare gjatë një viti, por dhe rikthen vëmendjen ndaj autorëve dhe letërsisë shqipe.

“Qëllimi i kësaj ankete është të mbështesë botimet e reja shqipe në të gjitha gjinitë, pasi anketa nuk u fokusua vetëm tek letërsia, por dhe publicistika apo historia. Janë 130 botime të nominuara si librat më të mirë të vitit, të cilat tregojnë që  ka një lëvizje në rritje të mendimit dhe krijimtarisë  së  autorëve shqiptarë. Librat e përzgjedhur treguan dhe një vëmendje në rritje të kritikës apo botës së medias ndaj leximit ndaj botimeve të reja”, tha Bardhyli.

Në vendin e dytë renditet shkrimtarja Diana Çuli me romanin e saj të ri “Vrasje në kryeministri”. Çuli rikthehet pas botimit të romanit “Hoteli i drunjtë” në vitin 2011 në zhanrin e letërsisë ‘thriller’, shumë pak e njohur në vend.

Në vendin e tretë renditet shkrimtari Enkel Demi, i njohur me pseudonimin Tom Kuka, me romanin “Gurët e vetmisë”.

Në vendin e katër renditet Kim Mehmeti me romanin “Pusi”, ndërsa në vendin e pestë libri më i ri i Mitrush Kutelit “Hekuri dhe çeliku”.

“Vila me tri porta” e Vera Bekteshit renditet në  vendin e gjashtë. Shkrimtari Gazmend Kapllani renditet i shtati më  “I keqi i vetes”.

Në vendin e tetë është Mimoza Ahmeti me romanin “Tutori”. Flutura Açka vjen në vendin e nëntë me përmbledhjen poetike “Roja i dritës”.

Ndërsa në vendin e dhjetë është fituesi i çmimit Kadare, Virgjil Muçi me romanin “Piramida e shpirtrave”.

Për Bardhylin, kjo anketë synon të kthehet në një traditë çdo fund viti, për t’i dhënë më shumë zë letërsisë në vend.

“Ajo çfarë është e rëndësishme është fakti që kjo anketë, por dhe shumë debate letrare të iniciuara gjatë këtij viti, e kanë  bërë letërsinë të jetë një faktor në vend”, tha ajo.

LIBRAT FITUES

  1. Kur sunduesit grinden, Ismail Kadare
  2. Vrasje në kryeministri, Diana Çuli
  3. Gurët e vetmisë, Tom Kuka
  4. Pusi, Kim Mehmeti
  5. Hekuri dhe çeliku, Mitrush Kuteli
  6. Vila me tri porta, Vera Bekteshi
  7. I keqi i vetes, Gazmend Kapllani
  8. Tutori, Mimoza Ahmeti
  9. Roja i dritës (poezi), Flutura Açka
  10. Piramida e shpirtrave, Virgjil Muçi

Kur sunduesit grinden, Ismail Kadare

Ky është një ndër librat që ka ndenjur më gjatë në tryezën e punës së Kadaresë.  I botuar një muaj më parë nga Onufri gjatë Panairit të Librit në nëntor, ai do të tërhiqte menjëherë vëmendjen e lexuesit. Në qendër të librit janë raportet mes tiranëve dhe shkrimtarëve duke marrë shembullin e Pastërnakut dhe Stalinit, Kadare bën një analogji me raportin e tij me diktaturën. Në këtë libër bëhet fjalë për një bashkëbisedim telefonik, i cili, ndonëse ka ndodhur gati një shekull më parë, vazhdon të zbërthehet e të interpretohet ende sot në mënyrat më kundërthënëse. Në një vështrim të parë, krijohet përshtypja se kureshtjen për librin e mbajnë gjallë dy bashkëbiseduesit: Stalini dhe Pasternaku.
Nga një shqyrtim më i thellë, një personazh i tretë, më pak i njohur se ata, poeti Osip Mandelshtam, ndonëse nuk merr pjesë në bisedim, zë vendin kryesor në të. Është fati i tij i hidhur, në të vërtetë fati i qindra shkrimtarëve të njohur e më pak të njohur, që vuajtën nën komunizmin bolshevik. E vërteta e tyre tragjike, në vend të harresës, pret ringjalljen e saj. Tani që ky rend ka rënë, hapja e arkivave dhe dosjeve të tij është çështje e ditës.

Vrasje në kryeministri, Diana Çuli

Ky libër rikthen sërish në skenën letrare një prej romancierëve më të dashura pas viteve 80-të, Diana Çulin. Gati 11 vjet nga romani i saj i fundit, “Hoteli i drunjtë”, ajo debuton në një gjini shumë pak të lëvruar nga letrat shqipe siç është thrilleri. Historia është si më poshtë: Në zyrat e kryeministrisë gjendet i vdekur një punonjës i rëndësishëm. Është një vdekje e natyrshme apo një vrasje me shumë pikëpyetje nga pas. Kush është fajtori? Këtë enigmë duhet ta zgjidhë Beti Duka këshilltarja e re për kulturën e ngarkuar me misionin e dyfishtë për të hetuar mbi këto dyshime. Një udhëtim marramendës nëpër Ballkan ku kufijtë e padukshëm të të fshehtave zgjerohen drejt një misteri edhe më të madh e të ndërlikuar.

Personazhet, veçanërisht Beti Duka, heroina kryesore, ndeshen me shumë rreziqe, të panjohura, që zgjerohen gjithnjë e më shumë. Fundi është tejet i papritur dhe i pazbuluar, gjë që e bën romanin një thriller vërtet interesant. Aq më tepër që këto ngjarje ndodhin në disa shtete rreth nesh. Duket se autorja i njeh mirë vendet ku i çon personazhet.

Gurët e vetmisë, Tom Kuka

Pas dy vitesh i fshehur nën identitetin e Tom Kukës, gazetari Enkel Demi këtë vit tregoi publikisht që pas këtij pseudonimi ishte ai. “Gurët e vetmisë” është romani i tij i dytë në një hark kohor prej dy vitesh dhe ka pasur reagime pozitive nga kritika. Demi vlerësohet për punën me gjuhën dhe kërkimin e thellë që bën në histori. Libri i ngjason një përralle nga e kaluara, me djem gjaknxhehtë e vajza lozonjare, me valle ndjellëse e shtjella kumtesh, që nxijnë lulet e lotojnë gjak. Këtu nuk ka prijës të shquar e fjalëmëdhenj, por ka vetëm njerëz shpirtmirë: qeflinj, sedërlinj e besëplotë, që ngulmojnë për paqe.

Historia e tyre plekset me mite e legjenda, të cilat janë jo vetëm pjesë e një përditshmërie të shtruar e të thjeshtë, por pjesë e thelbit të këtij populli të vogël e të harruar.

Këta njerëz me rrënjë të thella, të ndërthurura në gëzime e hidhërime të moçme, jetojnë të zhytur në një fatalizëm që është njëherazi shpëtimtari dhe përndjekësi i tyre më i ashpër. Romani nuk ka stërhollime, gjykime e as leksione, por vetëm kujtime dhe mall.

Kjo është një rrëfenjë epike për atë që ka ndodhur vërtet një shekull më parë në tokat shqiptare. E megjithatë kjo mund të ishte historia e shumë të tjerëve, e çdo kombi të nëpërkëmbur, të tradhtuar e të braktisur. Ngjarjet që rrëfehet këtu kanë ndodhur dje, por mund të ndodhin edhe sot.

Pusi, Kim Mehmeti

Kim Mehmeti është një nga zërat më të mirë të letërsisë shqipe të tre dekadave të fundit. Romani Pusi është një kërkim drejt identitetit, përmes historive të thjeshta të një familjeje shqiptare në Maqedoni. Ashtu si në gjithë letërsinë e tij edhe këtu personazhet femra, në këtë rast nëna mban gjithë peshën e librit. Ky është një kthim përmes letërsisë i meritave që gratë shqiptare në Maqedoni kanë pasur për ruajtjen e kujtesës e historisë.

Hekuri dhe çeliku, Mitrush Kuteli

Hekuri dhe Çeliku janë dy miq, që tregojnë bashkërisht; njëri produkte prej hekuri dhe tjetri prej lëkure. Çeliku ishte djalosh i ri, plot energji, dhe i shkathët në të bërit biznes. Hekuri ishte në moshë dhe kishte një vajzë të cilën donte ta martonte me Çelikun. Por, ky i fundit refuzoi pasi familja i kishte gjetur një nuse në Përmet. Refuzimi, por edhe suksesi në tregti i Çelikut e bluajnë nga brenda Hekurin, i cili thur intrigën që përgatit vrasjen e tij. Ata shkojnë bashkë në malësitë e Mokrës për të shitur dhe më pas, gjatë kthimit, Hekuri e vret Çelikun. Por vrasësi bie viktimë e dy grabitësve, të cilët pasi i marrin pasurinë, e ndjekin derisa ky i fundit thyen qafën. Ky tregim është bërë në vitet e fundit të jetës së Kutelit dhe përcjell një alegori të fuqishme të instikteve dhe cmirës njerëzore në kohën kur vetë shkrimtari i madh ishte i përjashtuar nga rrethet letrare dhe kulturore të vendit.

Vila me tri porta, Vera Bekteshi

Kujtimet e Vera Bekteshit ardhur në këtë libër mund të quhen dhe kujtimet e vitit për guximin dhe ndjeshmërinë që mbartin. Libri është një kontribut i çmuar për kujtesën. “Romani autobiografik “Vila me tri porta” e shfaq Vera Bekteshin si një shkrimtare me dorë të sigurt dhe veprën e saj si një nga botimet më të rëndësishme të viteve të fundit mbi periudhën e diktaturës. Shkrimtarja ka aftësinë të përshkruajë me lehtësi dhe humor edhe situatat më të ndërlikuara, të rikrijojë me shumë finesë kontraste e personazhe të mjedisit të ngushtë ose edhe të protagonistëve të diktaturës.”, shkruan për këtë libër Ardian Klosi.

I keqi i vetes, Gazmend Kapllani

Karli dhe Frederiku janë dy vëllezër nga qyteti Ters në Shqipëri, një qytet imagjinar, i ngjashëm me një kolazh të qyteteve të ndryshme të Ballkanit. I ati i tyre, një ish – komunist fanatik (që i pagëzoi ashtu djemtë e tij për nder të Karl Marksit dhe Frederik Engelsit), po përcillet për në banesën e fundit.

Karli kthehet nga mërgimi në vendlindje, për të marrë pjesë në zinë familjare. Ndërsa varrosin të atin, dy vëllezërit nisin të zhvarrosin kujtime, keqkuptime dhe mëri të vjetra mes tyre.

Dy vëllezërit përbëjnë mishërimin e idealeve të kundërta, njëri të rebelit dhe të ikanakut larg atdheut; tjetri, filozofinë e bindjes dhe të mosbraktisjes së atdheut. I pari kërkon të hidhet dritë në epokën e errët të komunizmit, ndërsa i dyti kërkon ta lërë në harresë.

Ngjarjet do ta dërgojnë lexuesin dhe në katër qytete të tjera të Europës dhe të Amerikës për t’u kthyer sërish në Ters. Sepse nuk mund të dish se ku po shkon, pa kuptuar më parë se nga ke ardhur. “I keqi i vetes” është një roman i pazakonshëm për të zakonshmen tonë tipike shqiptare, por edhe ballkanike e më gjerë. Teksti i tij ngërthen kohë, vende dhe fate njerëzore, ku me plot fantazi e frymë përftohet një realitet më i ngjeshur, i rëndë, në të cilin përzihen tragjikja me absurdin komik dhe dhembjen, befasitë dhe dashuria me pengesat e reja, drita ndjellëse e ikjes nëpër gjithkund, për t’i shpëtuar vetes, me kthimet e ashpra në një truall metaforik, yni, i përbashkët, prapë shqiptar e ballkanik, po aq edhe botëror. Gazmend Kapllani arrin me guximin e shkrimtarit të lirë atë lartësi që priste letërsia shqipe postdiktatoriale e shekullit XXI, prandaj dhe vepra e tij është po aq e përbotshme.”, shkruan për këtë libër Visar Zhiti.

Tutori, Mimoza Ahmeti

Kritiku dhe studiuesi Aurel Plasari e shoqëron këtë libër me parathënie ku paralajmëron lexuesin se  “Tutori nuk do të jetë roman që lexohet si të lehtët”.
“Ashtu si te romani i parë i autores, Arkitrau (në italisht: Persone belle), ose tek i dyti, Gruaja halucinante (në gjermanisht: Milchkuss), dhe te Tutori ndeshesh me iluzionin e asaj që quhet prozë autoreferenciale. Pra mund të gënjehesh. Sepse në të tri romanet e autores operohet me një skenar të menduar mirë fantastik dhe/ose parodik. Parodizimi i rrëfimit romantik është i pari. Si e zbritur nga lartësitë e antiromanit, autorja rezulton e vetëdijshme që rrëfimi i saj nuk qenkësh veçse “antirrëfim”. Dhe në një antirrëfim të tillë tekstet funksionojnë si lojë ikjeje: nga realja në fiksion dhe, vetëkuptohet, nga fiksioni te realja. Si për ta përforcuar edhe më sugjestionin e njëkohësisë, edhe zhvendosja nga fiksioni në fiksion ndodh rëndom në tekstet e autores”, shkruan Plasari. Në qëndër të librit është historia e një gruaje në luftë me trazimin e saj të brëndshëm. Në raportin e saj me dy burrave të dashurit imagjinar dhe atij real ajo zbulon një nga një një botë të pafundme shqetësimesh e kërkimesh që e bëjnë atë një personazh të rrallë në historinë e letrave shqipe që nuk e ka elaboruar shumë psikikën femërore.

Roja i dritës, Flutura Açka

Libri është një përmbledhje poetike më e re e Flutura Ackës. E njohur për stilin dhe kulturës që përcjell në vargje, këto poezi përshkrohen nga një ndjeshmëri e thellë. Açka është një personazh me kontribute në letërsinë shqipe e tre dekadave të fundit në poezi dhe në prozë.

Piramida e shpirtrave, Virgjil Muçi

Fitues i çmimit Kadare, Piramida e shpirtave është një libër që ka tërhequr vëmendjen e lexuesit e kritikës. Në qendër të librit është njeriu i tranzicionit të sotëm. Juria e çmimit Kadare e vlerësoi Mucin me motivacionin “Për mënyrën se si ndërton përmes gjuhës rrugëtimin jetësor. Një grotesk ndaj banalitetit, i cili kërkon të zbehë njerëzoren, të shenjtën, duke e zëvendësuar me përshtatjen e pafundme”. Romani “Piramida e shpirtrave” është një satirë e asaj që në mënyrë eufemistike si nga politika vendase ashtu edhe të huajt (këtu nuk mbeten pas as mediat) quhet periudhë tranzicioni në Shqipëri. Autori është përpjekur për të dhënë një tablo realiste të së përditshmes shqiptare, edhe pse është i vetëdijshëm se në këtë garë të pabarabartë shpesh realiteti ia kalon fantazisë më pjellore, duke e bërë shkrimtarin të ndihet i pafuqishëm.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Emancipimi kulturor dhe filozofiko-shkencor i botës shqiptare

Nga Ndriçim Kulla “Historia që ka një farë rëndësie në jetën e...
Read More