Mapo… jo démodé

zefina hasaniNga Zefina Hasani*

E larguar (si me qëllim) prej medias së shkruar, kur Henri (Çili, botuesi) më tha shkurt e shpejt: – “Hajde sjellim prapë në treg revistën “Mapo”, – u ndolla nga kënaqësia për t’iu rikthyer vënçe të shkruarit, por po aq shpejt edhe u mpaka.

<

Sepse e di në ç’rënie kishte nisur të rrokullisej interesi për leximin që para tre vjetëve, kur u shkëputa, për t’u marrë me atë që shihet më shumë (se s’ka nevojë të lexohet), televizionin.

Sepse e di se rënia vazhdon e vazhdon… në një gjendje, frikshëm, të lirë.

Sepse s’bëhej fjalë për revistë, siç e kërkon moda e fundit, pra vetëm on line, por për atë revistën, që duket sikur prej kohësh i ka ikur vakti, e shtypur në letër.

Sepse kur ngjarjet, argumentet, personazhet… konsumohen , tirren e xhirojnë me shpejtësi skëterrë, bashkë me thashethemet e fotografitë rozë apo dhe ato të ndezurat kuq flakë, nëpër gazetat e portalet e shumta on line, ç’mbetet të shkruhet mbi letrën e bardhë të një reviste të përmuajshme?!

Sepse, edhe nëse diçka mbetet (se në mos mbetet, do gjendet), sa mund të kenë mbetur nga ata njerëzit, të cilët shfletimi i kësaj reviste, me shkrime të gjata për personazhe të mendimit, politikës, shkrimit, kulturës, pse jo edhe të showbizit – ama që kanë aftësinë të gjykojnë e analizojnë – do t’i kënaqë më shumë, ose (ta ulim pak pretendimin) të paktën po aq sa klikimi në faqe që të ofrojnë lajmet shkurt, me fjalën e gjuhën e cunguar e të shpërfytyruar  prej ritmit frenetik që s’lë kohë ?!

Shumë pak s’janë, por janë pak!

Duhet pranuar fakti, siç është pranuar në të gjithë botën, se interneti nuk konsiderohet më ajo kafsha e vogël ekzotike, të cilën shtypi i shkruar e mbante në qoshe, duke i hedhur herë pas herë ndonjë kockë, sa për ta parë si hidhej e përdridhej… siç e përshkruan Gillian Flynn në bestsellerin “Vajza e zhdukur”, përmes personazhit (gazetarit) Nik Djuni, apo (kush s’ka lexuar librin, por ka parë filmin) aktorit Ben Affleck, në filmin “Gone girl”.

Tani kafsha është bërë gjigante, gllabëruese dhe në përpëlitje është media e shkruar e sidomos revistat, që janë mbyllur me dhjetëra, si të prekura nga ndonjë infeksion (jo dhe aq) i beftë.

Edhe vetë “Mapo” u infektua. U mbyll për ca kohë.

Po rikthehet në treg, duke pranuar jo vetëm faktin por edhe riskun. Po rikthehet për ata pak njerëz, që duan ende të lexojnë kështu siç do të shkruhet në këtë revistë, gjatë dhe në letër.

Tashmë e di, po aq qartë sa rënien e interesit, se kjo lloj reviste duhet të rikthehet në treg.

E ndjeva kur u ula për intervistën e parë, që do të shenjonte fillimin e punës për këtë numër, me Ema Andrean, në ngenë e kohës e të thellimit, që revista ta jep aq sa e do e aq sa e meriton një shkrim prej vërteti.

E kuptova kur iu riktheva kontakteve me kolegët, analistët, gazetarët stoikë të medias së letrës. Kur diskutuam për rubrikat, personazhet (Besnik Mustafajn, Armando Dukën, Petrit Malajn…), caktuam këndvështrimet e kur mandej u shkrua për to.

E lexova nevojën tek shkrimi i Belina Budinit, që flet për “detoksikimin dixhital”, në një kohë të tillë kur duhet ta përmbash fort veten që të mos përdorësh pajisje elektronike dhe dixhitale; për literaturat e specializuara që kanë nisur të flasin për konceptet e “dietës dixhitale”, që shfaqet si një akt i nevojshëm për intelektin, një lloj fitnesi dhe rezistence ndaj tejngopjes me informacion, pa kontekst. Ndoshta, duke shfletuar qetësisht një revistë si një herë e një kohë, rehatuar në kolltukun e shtëpisë a shtrirë në shezlong buzë detit, në vend që të humbësh rrugën prej nga je nisur, në rrjetën virtuale, duke shëtitur nga njëri link në tjetrin…

Ne po e sjellim “Mapo”-n në letër, pikërisht si një lloj rezistence, disi të mpakur prej dilemës “Sa do ta marrin ndër duar, sa do ta shfletojnë e lexojnë?!” por edhe të ndjellë prej kënaqësisë se po shkruajmë që diçka të mbetet pikë së pari në letër.

Pastaj edhe në internet sigurisht. Do t’iu imponohemi edhe atyre që preferojnë më shumë klikimin, me portalin www.revistamapo.al, sigursht nëse për ta kjo lloj reviste nuk do të duket démodé, ndonëse që në fillesën e saj (me Alfred Lelën) erdhi me emrin MAPO, koncept ky që brezi i internetit as nuk e  njeh.

*Kryeredaktore e revistës Mapo

Shkruar Nga
More from revista mapo

Për Dritanin dhe Aliçen, Haxhinasto jep dorëheqjen!

-Albanian Stories Nga Rudina Xhunga Në 7 maj, një nënë e re...
Read More