Malaj: Zgjedhjet e parakohshme, valvula shkarkuese e tensioneve

 

Ish-ministri, ish-deputeti dhe funksionari i lartë i PS për gati dy dekada, analizon situatën e brendshme në parti dhe në qeverisje. Malaj thotë se fshehja e problemeve, është si mosballafaqim me sëmundjen që gërryen një trup. Ky model pushteti prodhon arrogancë, qeverisje me forcën e dhunës dhe jo me ndjesi njerëzore. I pyetur për Veliajn, Malaj shprehet se “Kandidatët Manchurianë” janë individë që nuk kanë një mision, por kanë vetëm një ambicie personale që synojnë ta arrijnë me çdo kusht, individë të robotizuar, deri në kriminalizim për arritjen e postit që synojnë

Intervistoi: Blerina Gjoka

Arben Malaj, ish-deputet, ish-ministër financash dhe funksionar i lartë i PS për afër dy dekada, tashmë ndihet komod në kostumin e profesorit të ekonomisë. U largua nga politika aktive dhe nga PS-ja, për shkak të përplasjes publike me kryetarin e ri të socialistëve, lidhur me domosdoshmërinë e demokratizimit dhe modernizimit të partisë. Bashkëthemelues i Lëvizjes për Mendim Ndryshe (LMN), Malaj i tregoi dhe një herë “muskujt” Ramës me një rezultat sfidues në zgjedhjet e 2013-s, duke kandiduar i pavarur në Vlorë, ku kishte qenë deputet për 16 vite rresht. Pas vitit 2013, u tërhoq dhe u përqendrua në jetën akademike.

Sot në këtë intervistë për MAPO, Malaj vjen me një analizë për qeverisjen, krizën politike dhe mungesën e demokracisë në PS. Ai beson se fshehja e problemeve në PS dhe e elementeve të keqqeverisjes, është si fshehja e një sëmundjeje që vazhdon, dhe që do ta gërryejë nga brenda mazhorancën. Sipas Malajt, modeli politik i Veliajt është shqetësues. “Kandidati Manchurian”, thotë ai, rrit risqet që politika shqiptare të dominohet nga politikanë që nuk veprojnë me ndjesi njerëzore, por sipas një software të instaluar në trurin e tyre nga individë që i keqpërdorin për përfitime abuzive të shumëllojshme. Kur vjen fjala për qeverisjen, Malaj flet për kostot e larta të “kapjes së shtetit”, çka do të sjellë sipas tij pasoja fatale në ekonomi, në ambientin social dhe politik.

Zoti Malaj, pas një karriere të gjatë në politikë, në forumet e larta drejtuese të PS-së dhe në qeverisjen e saj deri në vitin 2005, u shkëputet. A i ndiqni zhvillimet politike dhe sa e ndjen mungesën e politikës aktive?

Ideja se një ditë nuk do të isha në frontin e parë të politikës është e herët në respekt të këshillës që, kur je në politikë, duhet të kesh një exit strategy, sepse papritur mund të gjendesh jashtë saj. Ky ishte motivimi për vazhdimin e karrierës akademike që prej vitit 1993 në mësimdhënie part timedhe vazhdimin e studimeve pas vitit 2005 në Universitetin e Harvardit. Ftohja nisi me ngritjen e shqetësimeve për demokracinë e brendshme në PS në vitin 2011 dhe me debatin publik se cili do të ishte skenari më i mirë për një PS për t’i shërbyer vendit të saj. Theksova domosdoshmërinë që Partia Socialiste të modernizohej përpara se të vinte në pushtet, sepse kur institucionet janë të dobëta, ardhja në pushet mund ta përballë çdo forcë politike me presionet që vijnë nga korrupsioni, nepotizmi, kontrabanda, keqpërdorimi i fondeve publike. Duhet një parti me standarde të larta në demokracinë e brendshme dhe funksionimin e saj. Duhet një lidership politik me integritet të lartë dhe një qeveri e parapërgatitur përballë këtyre risqeve dhe sfidave.

Në vitin 2013 kryetari i partisë vendosi që unë të mos e përfaqësoja PS-në në zgjedhjet e atij viti, vendim që unë nuk e mirëkuptova, kisha 16 vite kontribute aktive, s’kisha asnjë problem me votuesit dhe kolegët. Vendosa të kandidoj si i pavarur dhe arrita një rezultat shumë të mirë, aq sa votat e marra nga unë ishin më të mëdha se sa votat e partive të vogla bashkë. Krijova një model të një fushate pozitive, konkurrimi politik pa sharje dhe akuza, por me alternativa. Rezultati faktik sipas vetë disa ish-anëtarëve të numërimit të votave, ishte më i madh se ai zyrtar, ndoshta në një kohë të dytë mund të ketë të “penduar” që do të flasin, si dhe sa vota kanë vjedhur. Nuk i nxis, por vjedhja e votës është më varfëruese se vjedhja e lekëve, sepse vjedh shpresën.

Pas vitit 2013 për të vazhduar kontributin tim publik bashkë me disa kolegë themeluan një qendër për Politika Publike dhe Mirëqeverisje me të cilën bashkë me të rinj të talentuar që bëjnë internship këtu, mundohemi të kontribuojmë në sfidat që ka mirëqeverisja e vendit. Nuk e ndiej mungesën e angazhimit politik direkt pasi mundohem të kontribuoj nëpërmjet rrjeteve sociale, medias të shkruar dhe vizive, për probleme dhe sfida konkrete ekonomike e sociale të vendit tim.

Vendi duhet të përgatisë një klasë politikanësh që nuk lidhen në mënyrë të pazgjidhshme me karriget e mandateve politike. Duhet të kemi një “ekosistem” që lehtëson qarkullimin e elitave jo vetëm politike, në tre ose më shumë alternativa, në politikë, akademi, qendra kërkimore shkencore dhe biznes.

Një nga problemet specifik në vendin tonë është se elita politike ka pak, ose shumë pak opsione alternative që lehtësojnë qarkullimin e tyre të natyrshëm. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2008 ua lehtësuan punën kryetarëve të partive që të largonin lehtësisht individë që mund të ishin oponentë dhe kritikë ndaj tyre, por që në thelb ishin pozitiv për vetë partitë dhe sidomos për vendin e tyre. Kjo, për shkak të kulturës së varfër politike, sepse liderët tanë politikë shqetësohen pak ose aspak për trashëgiminë/legacy që do të lënë pas përfundimit të mandateve të tyre.

Le të themi se PS e kishte krijuar një lloj trashëgimie deri në vitin 2005 me demokracinë e brendshme, ku debatet nuk mungonin dhe ishin publike. Çfarë ndodhi me këtë trashëgimi? Sot forumet e kësaj partie janë pa debat dhe pothuaj inekzistente në vendimmarrje të rëndësishme si fjala vjen krijimi i qeverisë…

Gjatë gjithë kohës, Partia Socialiste ka patur debatet, mocionet, përplasjet, krijimin e grupeve, por asnjëherë nuk kishte arritur në një pikë që të mbysë debatin e brendshëm dhe të penalizonte çdo person edhe kur debatohej për çështje kritike në raport me demokracinë apo kontributet e detyrueshme të forcave politike në heqjen e vonesave që për shkak polarizmit ndërpartiak, apo agresivitetit social e politik, pengojnë reformat, pengojnë përmirësimin e jetës së përditshme, pengojnë ambiciet dhe integrimet euroatlantike. Duhet të kuptojmë që partitë politike nuk janë qëllim në vetvete por kontribuojnë në demokracinë e vendit dhe askush nuk mund të pretendoj “kjo është partia ime”. Deri në 2005-ën PS-ja kontribuoi për daljen nga kriza dhe krijimin e një ambienti ekonomik e social të përmirësuar. Në atë vit, PS kishte vlerësimin e qytetarëve që ishte partia më moderne, më e hapur. Në ambientin politik ashtu si në ambientin ekonomik ka nevojë për modele suksesi dhe PS shërbente për të nxitur demokratizimin e partive të tjera, mision që duhet ta plotësojë sa më mirë.

Ka patur këto kohë pak zëra, që pretendojnë për mungesë demokracie, mungesë debati, mungesa gare në këtë force politike, nën drejtimin e Ramës. Si e mendoni ju?

Ka individë me integritet, individë që mundohen direkt apo indirekt të kontribuojnë. Varet nga lidershipi sa e merr parasysh. Fakti që nuk ka debat, për mua nuk është pozitive, sepse debati nuk e dobëson PS-në përballë PD-së, ose përballë opinionit publik. Ajo që e dëmton PS-në është nëse qytetarët e këtij vendi vlerësojnë se të gjithë janë njësoj. PS nuk duhet ta humbiste statusin e modelit për demokracinë brenda partive politike. Nëse ka një problem duhet të diskutohet, fshehja e problemit është si fshehja e një sëmundjeje, që çdo ditë e më shumë të vret, dhe çdo ditë e me shumë bëhet më e vështirë për ta luftuar/kuruar. 

Po ashtu Kryeministri po vlerësohet për tendenca autoritarizmi, edhe nga të huajt. Nga mediat europiane e sidomos ato gjermane, dhe së fundmi edhe nga një zë si, Elez Biberaj. A vëreni ju ngushtim të hapësirave të pushteteve të tjera dhe kapje të shumë pushteteve nga një dorë në këtë rast?

Shqetësimi kryesor që unë iniciova në PS, ishte reduktimi i disa pushteteve në pak duar dhe reduktimi i pushteteve për një kohë të gjatë në pak duar. PS ka probleme në këtë drejtim dhe nuk duhet të ngurojë të ballafaqohet me këto risqe, sepse pushteti absolut në nivel qeverie apo bashkie, korrupton në mënyrë absolute. Ky model pushteti prodhon arrogancë, qeverisje me forcën e dhunës dhe jo me ndjesi njerëzore. Duhet qeverisur jo me gjoba por me zemër. Sot nuk shtrohet problemi a kemi korrupsion, por problemi më i madh i partive politike të pamodernizuara që vijnë në pushtet, është kapja e shtetit.

Me kapjen e shtetit nënkuptohet krijimi i një shteti paralel, ku i dyti nënshtron të parin, i cili i vihet në shërbim të dytit. I pari, shteti i zgjedhur që bën biznes me statuset politike, ndërsa i dyti, shteti i të fortëve bën politikë me bizneset e tyre, duke influencuar të përcaktojnë lojtarët/drejtuesit politikë në bashki dhe qeveri. Fenomene të tilla janë shumë të largëta në historinë e vendeve demokratike, por shfaqen dhe rishfaqen në realitetin tonë politik.

Ky është risku që ne duhet ta përballojmë me shumë përgjegjësi. Ndoshta reforma në gjyqësor dhe reformat e luftës kundër krimit të organizuar, mund të krijojnë një hapësirë që shqiptarët të meritojnë një shpresë të re.

Po e jetojmë aktualisht këtë risk? Do të bëhet më i madh nëse nuk veprohet. Gjithashtu, ndodhemi në një krizë të re politike, ku opozita ka lënë Kuvendin dhe ka dalë në protesta. Si mendoni se mund të zgjidhet kjo krizë? Cila mendoni ju se është rruga. Kush duhet të lëshojë i pari dhe kush duhet të lëshojë më shumë?

Lidhur me debatin publik do të vlerësoja shumë që gjëja e parë që duhet të bëjnë liderët politikë është një armëpushim, duke filluar me eliminimin e banalitetit në komunikimin dhe debatin publik dhe politik. Komunikimi publik aktual është shumë banal, përçmues, arrogant dhe këtë nuk e meriton asnjë shqiptar. Ndoshta liderët nuk e kuptojnë sa shumë ndikon kjo te vrasja e shpresës dhe që materializohet më tej nga braktisjet e mëdha të të rinjve shqiptarë, por dhe të biznesit shqiptar, drejt vendeve të tjera. Është një gjuhë që ushqen pesimizëm dhe i çon shumë shqiptare në pikëpyetjen shekspiriane: Të qëndrosh, apo të mos qëndrosh në vendin tënd?!.

E dyta, janë mazhorancat ato që kanë më shumë instrumenta, më shumë mundësi që të ofrojnë një zgjidhje, qoftë dhe duke sakrifikuar mbi vetveten, jo duke “shitur” pushtetin që i kanë dhënë qytetarët, por duke u dhënë qytetarëve një mundësi të re. Zgjedhjet e parakohshme vlerësohen si valvula shkarkuese të tensionimeve sociale.

E treta është përgjegjësi e opozitës që të mos e bazojë strategjinë e saj të fitores te populizmi, i cili mund të sjellë fitore, por rrit risqet për një dështim, jo shumë vonë të mazhorancës së re. Kostot e rrotacioneve të bazuara te populizmi, rëndojnë mbi taksapaguesit dhe të ardhmen tonë.

Pothuajse gjithë opinioni publik e ka interpretuar ceremoninë e rikandidimit të Erion Veliajt si kalim stafete të drejtimit të partisë, nga Rama tek ai. A e ndani edhe ju këtë pikëpamje? Ku dallon ky kalim me atë që ndodhi me largimin e Fatos Nanos dhe marrjen e partisë nga Rama?

Në angazhimet e mia politike kurrë nuk jam fokusuar me emra konkretë, por te fenomeni që disa kryetarë bashkie që ditën e parë që vënë këmbën në bashki, vetëfigurohen si kryetar partie apo edhe kryeministra, duke krijuar premisa negative për karrierën e tyre. Kjo edhe sepse biznesi gjithmonë i rrethon, duke i parë si kandidatë potencialë për kryeministër, ndërton strategji dhe angazhohet i përkushtuar për t’i korruptuar.

Mendoj se do të ishte në të mirën e politikës shqiptare që promovimi i liderëve politikë të mos vijë si një preferencë e çastit dhe sidomos që individë që promovohen, të mos ndihen si të dërguar të zotit. “Kandidatet Manchurian” sipas titullit të filmit që trajton këtë fenomen, të individëve që nuk kanë një mision, por kanë vetëm një ambicie personale që synojnë ta arrijnë me çdo kusht, bëhen viktimë të software që u instalohet në tru. Ai/Ajo nuk janë më individë me ambicie, por individë të robotizuar, deri në kriminalizimin e tij për arritjen e postit që synojnë.

Sa më pak “kandidatë manchurianë” të kemi në partitë politike, aq më të shëndetshme mund të jenë partitë politike dhe aq më misionarë mund të bëhen politikanët për qytetarët e vendit të tyre.

Kryetarët e bashkive duhen zgjedhur për bashkitë dhe duhet t’iu shërbejnë qytetarëve me zemër, me përulësi reale, pa gjoba, pa arrogancë. Ata duhet të jenë realisht kryetarë të qytetarëve jo të emëruar të kryetarëve të partive.

Populli thotë: “Bëje të mirën dhe hidhe në lumë”, ndërsa ne shohim politikanë që me arrogancën e tyre hedhin në lumë dinjitetin e qytetarëve që i votojnë, hedhin në lumë vuajtjet e qytetarëve në palcën e dimrit, se duhet nisur sot dhe pikërisht sot prishja e shtëpive, hedhin në lumë produktet e qindra fermerëve të varfër që shesin plot sakrifica disa produkte bujqësore për të përballuar kostot e rënda familjare.

Nga këndvështrimi i njohësit të ekonomisë, përtej shifrave e statistikave që trumbeton qeveria për ekonominë, me çfarë risqesh po përballet ekonomia e vendit? Pse ka ende shumë varfëri?

Besoj se qeveria aktuale për shkak edhe të krizës politike do të jetë përpara një sfide të vështirë. Kambanat që po bien nga FMN dhe Banka Botërore, se do të ketë një rënie të ritmeve të rritjes ekonomike, duhen mbajtur parasysh. Përkeqësimi i situatës ekonomike sidomos në eurozonë, retë e një krize globale në ardhje, trendi përkeqësues i rritjes ekonomike dhe stabilitetit të financave publike, janë simptoma të mjaftueshme për të kuptuar domosdoshmërinë e ndaljes së përkeqësimit.

Cilat janë shkaqet që po çojnë drejt kësaj krize të re ekonomike?

Në tranzicionin politik, mandati i dytë ka qenë gjithmonë më i vështirë sepse qeveritë synojnë të kompensojnë risqet e dështimeve me rritjen e arrogancës. Edhe administrata publike, viktima më e shtrenjtë e rotacioneve politike, ul performancën. Çdo qeveri duhet t’i ketë parasysh këto, jo si luftë ndaj tyre, por si luftë e saj për të fituar këtë betejë.

Nëse çdo kritikë, çdo sfidë nuk trajtohet pozitivisht dhe seriozisht, atëherë një qeveri shkon drejt një dështimi të saj, por nuk është vetëm i saj, pasi kostoja mbetet te taksapaguesit.

Nëse ka një faktor kryesor që rrezikon rritjen ekonomike janë vonesat apo dështimet në reformat strukturore në mosfunksionimin e shtetit ligjor, reformat strukturore në arsim, shëndetësi, energji, ujësjellës dhe ambienti i biznesit.

Nëse qeveria, për të thënë se unë i realizova të ardhurat para zgjedhjeve, merr para paradhënie tatim-fitimi nga biznesi, ajo i ka reduktuar likuiditetet që individët dhe biznesi duhet të hedhin në ekonomi. Ky mund të jetë një risk potencial që do të shfaqet pas zgjedhjeve.

Shkruar Nga
More from admin

Horoskopi ditor, e martë 25 korrik 2017

Dashi Marsi e bën gjithçka të qartë dhe të kulluar! Por ju...
Read More