LSI e pakënaqur me PS, Vasili letër Xhafës: Na informoni mbi negociatat

Petrit VasiliKryetari i grupit parlamentar të LSI i kërkon Xhafës që ta informojë në lidhje me variantet e negociuara për reformën në drejtësi. Vasili i bën të ditur se informimi do i shërbejë grupit për të përcaktuar qëndrimin

Ndërsa pritet që mes dy partive kryesore politike në vend të arrihet një konsensus i ndërmjetësuar edhe me praninë e ndihmës-sekretares së SHBA-ve, Victoria Nuland, në skenë ka dalë edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila duket se ndihet e mënjanuar në këtë proces të gjatë negociatash. Pakënaqësi kjo që mund të diktojë votën e 20 deputetëve të saj ashtu edhe të ndikojë në ecurinë e bashkëqeverisjes me socialistët. Pikërisht ndërsa drejtuesit e dy kampeve politike zhvillonin takime të ndara me ndihmës-sekretaren, Victoria Nuland, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili me anë të një letre zyrtare i kërkonte kryetarit të Komisionit të posaçëm të Reformës në Drejtësi që ta informonte mbi variantet e negociuara mes palëve gjatë gjithë këtyre ditëve ashtu edhe gjatë ditës së djeshme. “Siç është bërë e njohur edhe në punimet e komisioni, që ju drejtoni në cilësinë e kryetarit të këtij Komisioni, krahas dakordësisë së gjerë për shumë çështje, qoftë të karakterit të ndryshimeve kushtetuese ashtu edhe të ligjeve që rrjedhin si pasojë e këtyre ndryshimeve kushtetuese, ka dhe disa momente për të cilat nuk është gjetur mirëkuptimi mes mazhorancës dhe opozitës në këtë komision. Për këto çështje siç dihet opozita nuk është më e pranishme në punimet e komisionit të posaçëm, i cili ndërkohë po vijon punën e tij. Gjatë punës në komision si edhe në takime me përfaqësues ndërkombëtarë të përfshirë në çështjen e reformës në sistemin e drejtësisë është folur për negocime të disa varianteve konkrete për gjetjen e mirëkuptimit mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me çështje të mbetura pezull e sidomos çështjes së procesit të rivlerësimit (vetingut). Si anëtar i komisionit të posaçëm të reformës në sistemin e drejtësisë kërkoj nga ju të informohem konkretisht lidhur me këto variante zgjidhjeje, të cilat po negociohen”, – shprehet kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili në letrën e tij. Më tej ai thekson se kjo është e domosdoshme për të informuar deputetët e grupit të tij parlamentar por edhe për të vendosur qëndrimin dhe votën që do mbahet në parlament. Me këtë Vasili lë të kuptohet qartë se LSI nuk e ka vendosur ende nëse do ta votojë apo jo një reformë e cila vjen në parlament pa pëlqimin e saj paraprak. “Kjo është një domosdoshmëri politike dhe parlamentare si dhe detyrim i imi edhe në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të LSI për të informuar grupin parlamentar si dhe për formësuar një qëndrim politik e profesional të argumentuar lidhur me to”, – shprehet Vasili në këtë letër.

Në fund ai nuk nguron të bëj edhe ironi me kryetarin e Komisionit të posaçëm, duke i thënë se edhe nëse këto negociata apo propozime janë konfidenciale tja bëj të ditur edhe këtë fakt. “Ne se ky negocim është tërësisht konfidencial dhe është e pamundur për të më informuar konkretisht për të dhe variantet konkrete që diskutohen, ju lutem më informoni edhe për këtë. Duke vlerësuar mirëkuptimin reciprok edhe personal me ju, mendoj se komunikimi institucional është një domosdoshmëri për të ecur në dimensionin e transparencës, që i hap rrugën zgjidhjeve të problemit si dhe ndihmon në çuarjen përpara të procesit të reformës në sistemin e drejtësisë, si dhe të ndërgjegjësimit të përgjegjshëm për hapat dhe zgjidhjet e ndërmarra, – thuhet në letrën e Vasilit.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Nard Ndoka spektakolar

Nuk është politikani i spektaklit apo show-t, pavarësisht se ai është ndoshta...
Read More