Liga e Namuzit, ose të gjithë kundërshtarët e ‘shërbimeve erotike’

Alfred LelaNga Alfred Lela

Një ide e kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jakës, ka rënë në pritën e debatit publik. Një pjesë e debatuesve kanë dashur ta mbajnë aty nën shenjën dhe goditjet e konservatorëve, moralistëve, puritanëve, apo qoftë edhe të bjerrakohësve, të cilët janë gjithë ata që futen në një përplasje thjesht për kumbimin këndellës që u jep zhurma.

Pjesa tjetër, gjithaq një mishmash qëllimesh, përbëhet nga aktivistët e të drejtave të njeriut, përfaqësues organizatash joqeveritare, libertinë të të gjitha ngjyrave, liberalë të bindur dhe, më të paktët, por jo më të parëndësishmit, tregtarët. Këta të fundit sepse, nëse prej diçkaje do të mund të nxirrnin para, do ta bënin për gjithçka, edhe nëse do të bëhej fjalë për frymë të vdekura.

Para se të ofrohet një qëndrim individual, i vlen argumentit të vihen në pah përvojat tona apo të të tjerëve. Duke kontrastuar këto përvoja mund të arrijmë në përfundime që lehtësojnë marrjen e vendimeve. Ose të paktën na ndihmojnë të ndajmë mendjen.

Kur flasim për dalje nga mëdyshja, pra për ndarjen e mendjes, nuk na shkon mendja, mos-o-Zot!, që përvojat udhëheqëse t’i kërkojmë në vende teokratike apo autokratike, si ato të Lindjes së Mesme e më tej. Meqë jemi pjesë e Europës, përvojat e kontinentit ku bëjmë pjesë do të ishin edhe më të përfillshmet; po ashtu dhe më përmbushëset logjikisht.

Në këtë rrafsh mund të dallojmë lehtësisht dy qasje europiane në raport me prostitucionin. E para i përket vendeve katolike si Italia, Franca, Spanja etj, legjislacioni i të cilave e ndëshkon ushtrimin e ‘profesionit më të vjetër në botë’. Qasja, apo tradita e dytë, shihet në vendet që mund të konsiderohen si protestante, si për shembull Holanda, Belgjika, Gjermania, Zvicra etj. Në këto vende prostitucioni është legal dhe i nënshtrohet një ‘rregullimi’ shtetëror. Të dy palët e përmendura në krye të këtij shkrimi mund të anojnë drejt njërës apo tjetrës traditë, duke u nisur nga sentimentet apo prirjet e tyre, por një ushtrim i thjeshtë krahasimtar na e bën më të lehtë përzgjedhjen. Nëse nisemi, ta zëmë, nga mëshira fetare për tjetrin, a janë më të pamëshirshme pamjet e vajzave të reja në vitrinat e ‘zonave me drita të kuqe’ në Amsterdam e Bruksel, apo vajzat që baresin lart e poshtë, këmbëenjtura e të trysnuara nga tutorët, nëpër rrugët dytësore të segmentit Bari-Romë duke pritur kamionistët?

Nëse konsiderojmë higjenën apo sigurinë ndaj SST, a janë këto shërbime më mirë të vëzhguara, apo thjesht të mundura, në Amsterdam apo rrugët e qyteteve italiane?

Po nëse kalojmë te siguria finale, ajo e jetës, cilat vajza apo gra janë më të rrezikuara? Po brerjet morale, a janë më të tulatura kur seksi shihet si shërbim (Amsterdam) apo si ilegalitet, përdhunë e rrezik (rasti italian)? Sigurisht, shumë do të preferonin një zgjidhje arbitrare të llojit ‘zhdukje të prostitucionit si fenomen’, por ky ka rezultuar një eksperiment i dështuar. Racionalja nuk ia ka dalë të mundë natyroren në të gjitha rastet. Po të citosh Camille Paglia-n, te ‘Personae Seksuale’ asnjëherë në fakt: natyrës i mjafton një shkundje supesh për të kuptuar se asnjë luftë me të nuk është fituar.

Nëse duhet një zgjedhje shqiptare, ajo duhet të kalojë nga përvojat e të tjerëve, duke i marrë parasysh edhe qëllimet morale, edhe ato tregtare, por duke anuar fort nga qëllimet apo zgjidhjet logjike. Në këtë rast një përshtatje me atë që nuk mund të zhduket. Eskortat e seksit, të lartë apo të ulët, ekzistojnë sot në Shqipëri dhe dekriminalizimi i shërbimeve erotike (një term që do preferoja në vend të prostitución) do t’i çlironte dhe jo përdhoste gratë. E para, do të ishin më të sigurta, e dyta do të mund të merrnin një vendim në kushte lirie, dhe e treta do zhvendoseshin nga përndjekja morale dhe policore në një aktivitet apo shërbim.

Sigurisht, mund të shkohet me variantin puritan, por do të jetë një zgjidhje hipokrike. Një tjetër ‘bëjmë sikur’ në detin e shumë ‘bëjmë sikureve’ shqiptare. Argumenti se vendi ynë është specifik, konservator, namuzqar, nuk qëndron. Për arsyen e thjeshtë se prostitucioni ishte legal në qeverisjen e mbretit Zog dhe gratë që jepnin shërbime erotike ishin të regjistruara e të kontrolluara nga mjeku, si dhe páguese të taksave. Ato quheshin ‘gra të përgjithëshme’. Kur, një udhëheqës konservator, pavarësisht tehut reformator, si Zogu, e bënte këtë në vitet ‘30 të shekullit të kaluar, cilin puritanizëm mbron sot Liga e Namuzit?

Shkruar Nga
More from revista mapo

Parku Arkeologjik: 620 mijë euro për fasadën e Apolonisë

Shuma prej 620 mijë euro është një fond i BE-së, që jepen...
Read More