fbpx

Kronika

Largimi i Omnix: Manjani largon drejtuesit e Avokaturës





               Publikuar në : 09:16 - 27/09/16 |
mapo.al

Hetimi administrativ për çështjen “Omnix” dhe largimin e biznesmenit Fadi Mitri sipas ministrit të Drejtësisë nxjerr përgjegjës gjyqtaren e Gjykatës së Durrësit, Joana Qeleshi dhe drejtuesit e avokaturës së shtetit, të cilët u shkarkuan “live” nga ministri i Drejtësisë. Prokuroria sekuestro tokës dhe hetim zyrtarëve që dyshohet se janë përfshirë në skandal.


Një hetim administrativ i nisur nga ministri i Drejtësisë Ylli Manjani menjëherë pas largimit të kompanisë “Omnix” nga Shqipëria ngarkon me përgjegjësi gjyqtaren e Gjykatës së Durrësit Joana Qeleshi dhe drejtuesit e Avokaturës së Shtetit në këtë qytet.



Duke raportuar konkluzionet e hetimit, ministri Manjani shkarkoi “live” drejtuesit e Avokaturës së Shtetit në Durrës ndërsa tha se do të kërkojë shkarkimin e gjyqtares Joana Qeleshi, e cila ka dhënë një vendim kundër kompanisë “Omnix”.


“Kam vendosur Procedim disiplinor me kërkesë të pakthyeshme për shkarkimin e gjyqtares së Durrësit Joana Qeleshi në KLD. Inspektimi ende vijon. Nuk tërhiqem nga kjo kërkesë pasi një rast i tillë nuk duhet të ndodhë më”, tha Manjani në një konferencë për mediat.

Kërkesa e tij i referohet një vendimi gjyqësor të kësaj gjyqtareje lidhur me një sipërfaqe toke prej 4.5 ha, e cila ishte marrë me qira nga kompania e biznesmenit libanezo-amerikan Fadi Mitri.

“Nëse biznesi trembet për shkak të këtyre vendimeve absurde ne nuk mund ta lejojmë.  Gjyqtarja është vlerësuar në vite por ky është një vendim i rëndë në dëm të interesit të publikut. Ka shkelur ligjin dhe ka cenuar punën e gjyqtarit”, tha Manjani.

Lidhur me përgjegjësit e tjerë për këtë çështje ministri i Drejtësisë komunikoi shkarkimin nga detyra të Avokates së Avokaturës së Shtetit dhe juristin e këtij institucioni, të cilët nuk kanë marrë pjesë në seancën e fundit gjyqësore për këtë çështje dhe për më tepër nuk kanë bërë ankim kundër vendimit të gjykatës.

Ministri tha se Avokaturës së Përgjithshme të Shtetit i kërkoj të thellojë analizën e punës së institucionit. Por gjithashtu ai ka kërkuar nga kryetari i Bashkisë që të marrë masa edhe për përfaqësuesin e këtij institucioni në procesin gjyqësor, pasi as bashkia nuk ka bërë ankim kundër vendimit të gjykatës.

“Kryetari i bashkisë Durrës po ashtu duhet të mbajë përgjegjësi. Prokurorit të shtetit i bëj thirrje që të hetojë vlefshmërinë e këtij vendimi, do ketë inspektime, po pres përfundimin e hetimeve. Kjo çështje meriton vëmendje të jashtëzakonshme. Të vendosë drejtësia nëse ka faje apo jo. Ky vendim ka marrë formë të prerë dhe ministria do inspektojë këtë vendim”, tha Manjani.

Gjatë konferencës për mediat ministri Manjani sqaroi edhe procesin e ndjekur nga kompania “Omnix” për marrjen e lejes së ndërtimit në tokën për të cilën kishte kontratë qiraje në Gjirin e Lalzit.

“Kompania kërkoi hetim për pronësinë në Gjirin e Lalzit. Kompania në 2008 nisi kërkesën për punimet. Leja i është dhënë kompanisë në vitin 2016. Familja Selçuni bëri padi për tokën në vitin 2015. Kemi përgjegjësi ligjore duke nisur nga gjykata e Durrësit që ka gabuar rëndë, proceduralisht, në substancë se si është zbatuar ligji”, tha ministri i Drejtësisë.

Sipas tij çështja është gjykuar nga një gjyqtare e vetme për 45 mijë metra katror tokë, ku duheshin 3 gjykatës për vendimin.

“Gjykata nuk ka qenë e bindur në ligj e fakte që personi që kërkon pronën e ka mbajtur për 20 vite. Toka ka pasur kontratë qiraje. Gjykata ka bërë gabim që ka injoruar zyrën e kthimit dhe kompensimit të pronave. Përgjegjësi ka edhe bashkia Durrës dhe avokatia e shtetit, të cilët duhet ta kishin ankimuar këtë vendim”, tha Manjani.

Duke u ndalur te dhunimi i biznesmenit Fadi Mitri, Manjani tha se presidenti i “Omnix Albania”, u godit në mënyrë kriminale dhe se ishte ky veprim kriminal që detyroi Mitrin të largohet nga Shqipëria.

Administratori i kompanisë ‘Omnix’, Fadi Mitri u dhunua 2 javë më parë në aksin Tiranë-Rinas nga persona të paidentifikuar, të cilët sipas tij i kërkuan të tërhiqej nga investimi në Lalëz pasi në të kundërt i rrezikohej jeta.

Për këtë çështje ka nisur një hetim edhe prokuroria e Durrësit, e cila si masë paraprake vendosi sekuestro mbi tokën që u kthye në objekt konflikti.

Kompania “Omnix Albania” kishte parashikuar të kryente një investim prej 450 milionë euro në Gjirin e Lalzit, ku do të ndërtonte një resort turistik.



Pas