Lajmi i madh i protestës: Rama vuan nga prokrastinimi, studentët jo

Të gjithë ndërtojmë një raport të caktuar me kohën. Por shpesh ky raport na kthehet në një problem të madh

Nga Enton Palushi

“E di se disa prej jush janë lënduar nga fjalët e mia”. Kështu tha mes të tjerash presidenti francez, Emmanuel Macron, njeriu që u vu në shënjestër të protestave të dhunshme në Francë për më shumë se 4 javë. Politikani që vetëm para pak kohësh u kishte thënë qytetarëve të vendit të tij se nuk duhet të ankohen për vendet e punës, se të tilla ka sa të kalosh rrugën, foli vetëm 13 minuta. Ai pranoi shumë gjëra dhe premtoi shumë gjëra. Sipas BBC, ish-bankieri është kritikuar se ka humbur sensin e realitetit dhe nuk i kupton vuajtjet e qytetarëve të zakonshëm.

Pas fjalimit të tij, faqja e “Jelekëve të verdhë’ postoi një video nga filmi më i suksesshëm francez, i titulluar ‘Vizitorët’ me aktorët Christian Clavie dhe Jean Reno, i dashur edhe për shumë shqiptarë në versionin francez dhe atë amerikan. Qëllimi ishte që të tregohej se vërtet Macron e ka humbur lidhjen me realitetin.

Kur bie fjala për drejtuesit e lartë të një vendi, shpesh thuhet se ata jetojnë jashtë realitetit. Kështu shkruante edhe gazetarja austriake, Adelheid Woelfl, teksa përshkruante vitet e drejtimit të Nikola Gruevskit në Maqedoni. Por a është e vërtetë që edhe politikanët në Shqipëri e kanë një problem të tillë? A është ky rasti i kryeministrit Edi Rama, sidomos tashmë pas protestave studentore? Më shumë se kjo, duket se problemi i madh i tij është raporti me kohën, një problem i madh sot për thuajse të gjitha shoqëritë, por që në vendet e zhvilluara shihet si një nga dramat më të mëdha.

***

Në Shqipëri nuk kemi fjalë të vetme për të, por ‘prokrastinimi’ është një term që e has kaq shumë në botën perëndimore. Për studiuesit, prokrastinimi është ndoshta problemi më i madh që ka sot sidomos rinia. Por çfarë është prokrastinimi dhe çfarë janë prokrastinatorët? Termi latin përdoret gjerësisht në botën anglosaksone për të përshkruar shmangien e kryerjes së një detyre në kohë.

Në shqip kemi shprehjen e bukur: Punën e sotme mos e lër për nesër. Sa herë e kemi dëgjuar nga njerëz të afërm, nga prindërit apo nga gjyshërit që të na thonë të bëjmë kujdes me mënyrën se si e menaxhojmë kohën pasi ajo është gjëja më e çmuar që ka një njeri në botë. Koha është flori!

***

Të gjithë kemi prokrastinuar. Të gjithë jemi pak ose shumë prokrastinatorë. Për të ilustruar shembullin më të mirë, shihni një student që e di se duhet të japë provim pas një jave, por pasi e kalon kohën duke u argëtuar e duke fjetur gjumë, pikërisht pak orë para provimit vihet në alarm për të mësuar. Akademikët thonë se problemi më i madh që kanë sot nxënësit e studentët është prokrastinimi.

Tim Urban është prokrastinator për vete. Megjithatë ai është ndër ata persona që e ka studiuar më shumë këtë fenomen, që për disa shkencëtarë mund të jetë edhe një çrregullim nervor. Numri i prokrastinatorëve po shtohet ndjeshëm dhe ky mund të quhet një fenomen i kohëve moderne. Por Urban ka vënë re diçka akoma më të frikshme: drama e prokrastinatorëve bëhet më e madhe kur nuk ka një afat për të kryer diçka. Fjala bie, për të lidhur martesë, për të lindur fëmijë, për të nisur punën, për të kursyer për pensionin etj. Armiku më i madh është biologjia. Askush nuk ka kohë sa të dojë në dispozicion.

***

Kur mijëra studentë dolën në rrugë në Shqipëri, të prerë në kërkesat e tyre dhe të vendosur për të arritur atë që mendojnë se u mungon, shumëkush mund të jetë ndjerë pak i habitur. Kjo për shkak të paragjykimeve që ekzistojnë thuajse gjithmonë ndaj brezit më të ri. BBC thotë se që nga koha e Aristotelit e deri më sot, brezat e vjetër kanë menduar se brezat që vijnë pas janë më dembelë, më pak të zgjuar, më pak të sjellshëm, shkurt: më pak të mirë.

Megjithatë studentët shqiptarë treguan të kundërtën, mbi të gjitha, treguan se nuk janë prokrastinatorë, se nuk duan të humbasin kohë, se duan ndryshime dhe se i duan shpejt. Koha nuk pret.

Dhe kanë të drejtë. Filozofi gjerman, Peter Slotedijk, thotë se në kapitalizëm koha është jo vetëm shumë e çmuar. Askush nuk pret më, thotë ai. “Pesë vite janë shumë. Askush nuk ka kohë për një gjeneratë, sidomos kur paratë mund të bëjnë gjithçka”.

***

Për ironi, përballë studentëve që nxitojnë, u gjet një kryeministër prokrastinator, i befasuar nga ‘shuplaka’ që thotë se mori. Në mesin e mandatit të dytë si kryeministër, ai zbuloi se paska probleme të përbindshme në arsimin shqiptar.

A nuk është prokrastinator një kryeministër që drejton një vend me më pak se 2.5 milionë banorë, që befasohet nga fakti se një sektor jetik paska arritur në pikën e vlimit?

A nuk është prokrastinator një kryeministër që e ka mbushur ‘murin’ e tij në rrjetet sociale me video 3D projektesh që nuk i bëri për 6 vite, por mendohet se do i bëjë tani për dy vite?

A nuk është prokrastinator një kryeministër që shkon në zonën e tij elektorale në Vlorë, ku mezi është mbaruar një shëtitore dhe ku njerëzve po ua heq trurin një bajpas në Fier dhe premton tunele, aeroporte, autostrada? Meqë jemi në kohë memesh, pas këtyre premtimeve të mëdha, u publikua një foto e Ramës me ministrin e Financave Arben Ahmetaj, ku shkruhej se shumë shpejt do premtojë një stacion hapësinor në Vlorë.

A nuk është prokrastinator një kryeministër, të cilit i dalin banorët e qarkut më të varfër në vend dhe i djegin një pikë pagese rrugore dhe më pas shkon atje dhe u premton aeroporte, stadiume dhe fabrika, e nga ana tjetër u poston online një foto aeroporti 3D të vjedhur?

Bash si një student i keq, që i ka ardhur dita e provimit, nxiton të bëjë postime e premtime, me një lirshmëri të pazakontë. Kur paska qenë kaq e lehtë që të plotësoheshin këto kërkesa, përse nuk janë bërë? Po sikur tani të ngrihen mjekët, mësuesit, minatorët, avokatët, e të gjithë të kërkojnë t’ua plotësojë kërkesat kaq lirshëm sa po u thotë studentëve, madje më tepër se kaq?

Përballë studentëve është një kryeministër në mesin e mandatit të dytë, por edhe një politikan që ka drejtuar për një dekadë Tiranën, një ish-ministër e një ish-drejtues opozite, një njeri që është zbardhur para tyre. Ka një arsye pse i kanë bërë mandatet nga 4 vjet, ndryshe do i kishin bërë nga 20. Por kaq është një gjeneratë, 30 vite. Do ishte mirë të jetonim 200-300 vjet, por vetëm nja dy-tri dekada njerëzit janë vërtet produktivë.

***

Një student-prokrastinator e mbush me shpejtësi fletën ditën e provimit me çfarë t’i vijë në mendje. Ashtu siç kryeministri po i mbush llogaritë e tij në median sociale me ‘provimin’ e tij, pa e lexuar fare mësimin. Protesta mund edhe të përfundojë siç do ai, por ajo na dha një leksion shumë të madh: Ata që duhet t’i akuzojmë si prokrastinatorë, nuk qenkan aspak të tillë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Një plan i ri për Brexit krijon kanione të reja kaosi

Dhe më e keqja nuk ka ardhur ende The Economist Një qeveri...
Read More