Kujdes! Vendi në epidemi gripi, 23 mijë raste në javë, këshilla

Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit Shqipërinë ndër shtetet me intensitet mesatar të viruseve në qarkullim. Deri tani nuk ka raste të rënda. Këshilla për qytetarët për kujdes të shtuar, pasi gripi ka shfaqur si karakteristikë të tij edhe zgjatjen në kohë

Vendi ynë është përfshirë nga epidemia e gripit. 23 mijë raste shënohen brenda një jave dhe sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, kjo shifër kalon pragun epidemik. Por përveç gripit, gjatë këtij sezoni po qarkullojnë edhe dy viruse; viruset e Influenza tip A, (H1N1) pdm09 dhe tip B. Në një intervistë për MAPO, Eugena Erindi Tomini, doktore shkencash, specialiste e sëmundjeve infektive në Institutin e Shëndetit Publik, thotë se në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar vërehet një trend në rritje i numrit të infeksioneve respiratore të sipërme dhe të poshtme dhe ky numër është 30% më i lartë. “Megjithatë”, sqaron specialistja, “është akoma herët për të theksuar rënie të numrit të rasteve sepse jemi në javën e parë të shfaqjes së epidemisë së gripit në vend dhe për rrjedhojë situata do monitorohet në mënyrë sistematike në javët në vazhdim”. Për këtë specialistja e ISHP-së apelon për shmangie të vendeve të mbipopulluara dhe ndjekje të rekomandimeve të mjekut, duke mos neglizhuar asnjë lloj komplikacioni, pasi mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin e tyre. Apeli iu shkon veçanërisht personave me imunitet të ulët, të cilët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virusi i gripit sikurse janë gratë shtatzëna, personat me sëmundje shoqëruese qofshin me sëmundje të tjera respiratore apo me sëmundje kardiake, diabetikët apo personat mbi 65 vjeç dhe nën 5 vjeç etj.

Si paraqitet numri i rasteve të personave të prekur me grip, aktualisht vendi ynë është në epidemi gripale? 

Vetë stina e dimrit përkon me sezonin e gripit sepse pikërisht gjatë kësaj periudhe kemi dhe një trend në rritje të infeksioneve të sipërme dhe të poshtme respiratore. Aktualisht në nivel kombëtar paraqiten rreth 23000 pacientë në javë të cilët kërkojnë vlerësim shëndetësor në qendrat shëndetësore apo në urgjencat spitalore. Pra, numri i infeksioneve respiratore është rritur krahasuar me javën paraardhëse dhe ka kaluar pragun epidemik, por deri tani madhësia e epidemisë është më e vogël se një vit më parë. Gjatë sezonit 2017-2018 po qarkullojnë viruset e Influenza tip A, (H1N1) pdm09 dhe tip B, por pa përjashtuar ka edhe viroza të tjera respiratore, të cilat për shkak të simptomave të ngjashme, shpesh ngatërrohen nga njerëzit me gripin.

Në krahasim me vitin e kaluar si paraqiten rastet, kur pritet të ketë rënie të kurbës së rasteve, deri kur do të jemi nën “kthetrat” e gripit sezonal?

Në javën 04/2018 intensiteti i aktivitetit të gripit në Kontinentin Europian është në rritje. 16 nga 39 vende kanë raportuar intensitet të ulët, 15 vende kanë raportuar intensitet mesatar dhe 10 vende intensitet të lartë. Sigurisht dhe në vendin tonë në javën e 4-t të këtij viti vërehet një trend në rritje i numrit të infeksioneve Respiratore të Sipërme dhe të Poshtme dhe ky numër është 30% më i lartë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, megjithatë është akoma herët për të theksuar rënie të numrit të rasteve sepse jemi në javën e parë të shfaqjes së epidemisë së gripit në vend dhe për rrjedhojë situata do monitorohet në mënyrë sistematike në javët në vazhdim.

Cilat janë kategoritë më të rrezikuara, si mund të marrin ndihmë mjekësore?

Personat me imunitet të kompromentuar apo me imunitet të ulët janë më të predispozuar për t’u prekur nga virusi i gripit. Grupe të tjera risku dhe që paraqesin tablo klinike më të rënduar do të veçonim gratë shtatzëna, personat me sëmundje shoqëruese qofshin me sëmundje të tjera respiratore apo me sëmundje kardiake, diabetikët apo personat mbi 65 vjeç dhe nën 5 vjeç etj.

A jemi në kohë për të kryer vaksinën? Pse nuk duhet neglizhuar gjendja gripale, çfarë komplikacionesh jep, mund të ketë pasoja?

Vaksinimi mund të kryhet në çdo kohë, por e rëndësishme të kryhet gjatë sezonit të vjeshtës. Sigurisht që duhet menduar paraprakisht para fillimit të sezonit të gripit, për kryerjen e vaksinës anti grip për të cilën dhe Ministria e Shëndetësisë dhe ISHP kanë shpërndarë në mbarë vendin, në do qendër shëndetësore dhe çdo spital, vaksinë falas për të gjithë personelin shëndetësor dhe për grupet e riskut të cilat i përmendëm më sipër. Vaksinimi çdo vit është i rëndësishëm pasi viruset e gripit janë të paparashikueshëm. Gripi nuk duhet të neglizhohet dhe të nënvlerësohet sepse si çdo sëmundje infektive shfaq komplikacione. Duhet të përmendim pneumoninë, bronkopneumoni, miokardit, encefalit me mbivendosjen e infeksioneve sekondare duke përkeqësuar klinikën deri në vdekje. Pacientët nuk duhet të neglizhojnë vizitën te mjeku i familjes apo mjeku specialist sepse shpesh për të mos thënë gjithmonë, situata klinike rëndohet në mënyrë të menjëhershme që mund të sjellë pasoja të rënda për shëndetin e tyre.

 

Kryesore:

Gripi stinor kërkon kujdes, përgjithësisht kalon në kushte shtëpie duke marrë lëngje dhe antipiretikë nëse temperatura kalon mbi 38.5 gradë Celsius.

Sëmundja kalon në harkun e 3-5 ditëve. Nëse temperatura zgjat më shumë dhe simptomat rëndohen, qytetari duhet të drejtohet te mjeku i familjes.

 

Simptomat

Shenjat e zakonshme të gripit stinor janë:

Temperaturë e lartë;

Kollë;

Dhimbje fyti.

 

Shenja te fëmijët

Lodhje

Dhimbje koke

Të përziera

Diarre

Të vjella

Dhimbje barku

Rrjedhje të hundëve

Dhimbje muskujsh

Shenjat paralajmëruese për emergjencë

Sëmundja zakonisht zgjat rreth një javë, por drejtohuni menjëherë te mjeku nëse,

Të rriturit shfaqin:

Vështirësi në frymëmarrje apo gulçim;

Dhimbje apo presion në gjoks apo bark;

Marramendje papritur;

Konfuzion mendor;

Të vjella të menjëhershme ose të vazhdueshme.

Kujdes! Veprimet e përditshme që ndihmojnë në parandalimin e përhapjes së virusit të gripit stinor

Mbuloni hundën dhe gojën kur kolliteni ose teshtini me shami

Lani duart shpesh me sapun dhe ujë ose përdorni solucione duarsh me alkool

Shmangni prekjen e syve, hundës dhe gojës

Përpiquni të shmangni kontaktet e ngushta me njerëzit e sëmurë

Ushqehuni shëndetshëm

Bëni aktivitet fizik

Bëni gjumë të mjaftueshëm

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset ku banoni

Konsultohuni me mjekun për mjekimin me ilaçe kundër gripit

Ilaçet kundër gripit nuk kanë efekt parandalues, por mjekues. Ato përdoren vetëm nëse jeni të sëmurë me grip dhe duhet të merren brenda 48 orëve nga fillimi i sëmundjes

Kujdes, antiviralët jepen vetëm me rekomandimin e mjekut!

 

Nëse jeni të sëmurë me grip apo keni të sëmurë në shtëpi duhet të mbani parasysh:

Qëndroni në shtëpi;

Qëndroni veç nga të tjerët;

Pushoni dhe përdorni lëngje me shumicë;

Mbuloni gojën dhe hundën me shami kur kolliteni apo teshtini;

Lani duart mirë me ujë e sapun mbas çdo kollitjeje apo teshtime;

Informoni familjarët dhe miqtë tuaj për sëmundjen tuaj;

Evitoni kontaktet me njerëzit;

Pastroni dhe dezinfektoni mjediset e banesës.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Presidenti Meta ka qenë dhe mbetet një alternativë politike

Nga Ervis Iljazaj Përplasja e ditëve të fundit midis Kryeministrit dhe Presidentit...
Read More