Krisja e mazhorancës

Ilir Meta dhe Vangjel DuleKryetari i grupit parlamentar të LSI-së, ka deklaruar se i rëndësishëm është opinioni i Venecias, ndërsa i ka sugjeruar Bashës që t’i drejtohet Brukselit për t’u shprehur për vendet e rezervuara.

Nuk ka asnjë zhvillim të ri në drejtim të zgjidhjes së krizës politike që ka shkaktuar debati për Reformën Zgjedhore, përveç një pozicioni më të qartë të Lëvizjes Socialiste për Integrim kundër qëndrimit të mbajtur nga kryeministri Edi Rama, për vijat e kuqe.

Në një dalje të posaçme për mediat, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili, është përpjekur edhe një herë të bëjë të qartë se forca që ai përfaqëson nuk e mbështet votimin e njëanshëm të Reformës në Drejtësi, ndërsa ka theksuar se vijat e kuqe që kreu i qeverisë ka vendosur për institucionet e vetingut, nuk janë ato të vendosura nga Komisioni i Venecias.

“Por, meqenëse siç është thënë dhe vazhdon të thuhet nga BE në mënyrë të veçantë në Tiranë, se Brukseli ka vendosur vija të kuqe mbi vijat e kuqe të Venecias, vlerësoj se i duhet dhënë fund përsëritjes së vazhdueshme të të njëjtave konferenca shtypi, të cilat në distancë ruajnë të njëjtat distanca dhe të njëjtat dallime dhe diferenca të mëdha e të pakapërcyeshme”, -tha Vasili.

Ndaj, për të sqaruar çështjen e vijës së kuqe, për të cilën Rama i referohet se e ka vendosur BE, LSI i sugjeron opozitës që ajo t’i drejtohet Brukselit për t’u shprehur në mënyrë të qartë nëse ai e mbështet vijën e kuqe, për të cilën flet Rama, apo jo.

“Përfundimisht, opozita mendoj se duhet t’i kërkojë në mënyrë të qartë Bashkimit Europian në nivele më të larta në Bruksel të shprehen lidhur me pretendimet e opozitës dhe të kërkojë e të gjejë një zgjidhje të pranueshme me mazhorancën për të vetmen çështje që e pengon konsensusin”, -u shpreh kryetari i grupit të LSI-së.

Dhe në rast se opozita dhe BE nuk bien dakord për kuptimin e paragrafit 88 të opinionit të Venecias, LSI thekson të nevojshme garancinë që duhet të japë BE nëse do duhet që reforma të miratohet në mënyrë të njëanshme pa opozitën.

“Përpara se të bëjnë një veprim të tillë është e nevojshme, e domosdoshme, është një detyrim madhor që Bashkimi Evropian në nivelet më të larta institucionale në Bruksel do të duhet të na garantojë, që megjithëse ne do ta ndërmarrim këtë hap të njëanshëm, pra do t’i hapim negociatat për anëtarësimin e Shqipërisë në BE edhe nëse dialogu politik do të ndërpritet. Pasi ky veprim i njëanshëm e çon në ndërprerjen e dialogut politik”, -tha Vasili.

Ai gjithashtu ka folur edhe për mungesën e koherencës të qëndrimeve të faktorëve politikë vendës dhe të huaj, duke theksuar se edhe për LSI-në më shumë sesa mendimi i diplomatëve, është i rëndësishëm opinioni i Venecias.

“Duhet të kujtoj këtu edhe një gjë të ditur publikisht. Komisioni i Venecias, sikurse e kemi pranuar të gjithë, është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të pranuara të reformës, apo ndryshe siç thuhet me termat e rinj të ditëve të fundit, të përcaktojë pra vijat e kuqe të reformës”, -deklaroi Vasili.

Më tej, Vasili ashtu si edhe Meta disa ditë më parë, i ka dhënë të drejtë opozitës në pretendimin e saj për të pasur garanci për mos kapjen e sistemit të drejtësisë.

Ndaj, pavarësisht se në komisionin e posaçëm e miratoi draftin e ndryshimeve kushtetuese, Vasili thekson se vota e LSI-së do jetë në varësi të zgjidhjes së këtij ngërçi dhe se çdo gjë i mbetet seancës.

“Tashmë, LSI ka miratuar në parim, nen për nen dhe në tërësi draftin e reformës së paraqitur, në të cilën është lënë hapësira edhe në Komisionin e Reformës për të diskutuar dhe për të gjetur hapësira për zgjidhjen edhe të problemeve që lidhen me Rekomandimin 88. Dhe sigurisht në përfundim të këtij negocimi sepse ai është një proces i papërmbyllur, do të jetë salla e parlamentit pastaj që do të zgjidhë”, –shtoi Vasili.

Reforma, Dule: Kërkesa e PD-së, legjitime. Të gjendet konsensus

Në llogaritë e mazhorancës për të siguruar vota nga opozita, nëse nuk ka konsensus, duhet të përfshihet edhe vota e kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule.

Përmes një konferencë për shtyp, kreu i PBDNJ-së ka kërkuar që të gjendet konsensus për paragrafin 88 të Opinionit të Komisionit të Venecias, për të cilin, Dule vlerëson se është plotësisht i realizueshëm.

“Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut vlerëson ecurinë e dialogut për Reformën në Drejtësi dhe kompromisin e deritanishëm. Kjo përbën natyrisht një arritje që dëshmon pjekurinë e klasës politike dhe aftësinë e saj për të kapërcyer barriera tradicionale, paragjykime por edhe interesa politikë të ditës. Me të njëjtin vullnet pozitiv dhe garancitë e paanshme të partnerëve tanë, mbështetës të sinqertë të çdo procesi jetik për demokracinë dhe shtetin e së drejtës në vendin tonë, është plotësisht i arritshëm kompromisi edhe për pikën e vetme dhe të fundit të mbetur pa dakordësi…”, -tha dje Dule.

PBDNJ-ja inkurajon vazhdimin e dialogut për të plotësuar edhe kërkesën e fundit që ndan palët.

“Inkurajojmë vazhdimin pa humbur kohë të dialogut të sinqertë dhe negocimit shterues me sigurinë se do të çojnë shumë shpejt në plotësimin e kërkesës së fundit legjitime të opozitës, konform rekomandimit nr. 88 të Komisionit të Venecias dhe arritjen e konsensusit të shumëpritur nga qytetarët dhe shoqëria. Krahas rëndësisë madhore për vetë fatet e drejtësisë, një zhvillim i tillë do të përbënte precedentin më të çmuar në rrugën e gjatë dhe të vështirë të reformave europianizuese të jetës së vendit”, – tha Dule.

Prej ditësh, kryetari i PD-së, Lulzim Basha, i mëshon variantit të Komisionit të Venecias, që, sipas tij, siguron moskapjen politike.

“Venecia ka folur qartë. Në opinionin e saj të ndërmjetëm dhe në opinionin e saj final ka dhënë formulën se si garantohet moskapja politike e sistemit të drejtësisë. Dhe Partia Demokratike, prej shkurtit, e ka pranuar këtë zgjidhje…”, -është shprehur ai pak kohë më parë.

Konkretisht, në paragrafin 88 të Opinionit të Komisionit të Venecias, thuhet: “Me qëllim përgatitjen e tekstit përfundimtar, Komisioni i Venecias iu rekomandon autoriteteve shqiptare që t’iu kushtojnë vëmendje çështjeve të mëposhtme: Nëse palët në procesin politik nuk pranojnë shumicën e cilësuar të kërkuar për anëtarët jo gjyqtarë të KLGJ, KLP, KPK dhe DHSK, ata mund të zgjedhin një sistem proporcional që garanton përfaqësimin e opozitës mes organeve kolektive ose çdo model tjetër të përshtatshëm që do të siguronte ndikimin e opozitës në procesin e zgjedhjes”.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Foto e rrallë: Flamuri që propozoi Rugova dy muaj para vdekjes

Dy muaj para vdekjes, presidenti Ibrahim Rugova ka publikuar propozimin e tij...
Read More