Krimi për pasion: Biznesmeni 65-vjeçar mbyt të dashurën në Golem dhe vetëvritet në Lushnjë

vrasja golem letraSokrat Shani një biznesmen nga Lushnja ka vrarë të dashurën e tij 29-vjeçare ne Golem pas dyshimeve për tradhti. Më pas 65-vjeçari ka lënë tri letra ku pranonte krimin dhe i ka dhënë fund jetës duke qëlluar veten me plumb në gojë. Nëna e 29-vjeçares thotë se vajza e saj kishte tri vjet e lidhur me Sokratin, por ajo nuk e kishte aprovuar asnjëherë këtë lidhje.

Një ngjarje e rëndë tronditi mesditën e djeshme Lushnjën dhe Golemin.

Pas një rasti të raportuar si vetëvrasje, policia zbuloi se bëhej fjalë për një krim të dyfishtë.

I vetëvrari Sokrat Shani, 65 vjeç më herë kishte vrarë të dashurën e tij 29 vjeçe të cilën e kishte mbytur në një banesë në Golem.

Biznesmeni kishte lënë edhe tri letra përpara se të vetëvritej duke pranuar krimin e rëndë.

Sipas hetimeve të policisë dyshohet se vrasja ka si motiv xhelozinë e 65-vjeçarit, i cili kishte një lidhje dashurie me 29-vjeçaren.

Ai dyshonte se vajza e tradhtonte dhe për këtë arsye e ka vrarë duke e mbytur.

Sipas policisë njoftimi i parë është marrë në orën 07:00 të mëngjesit të djeshëm se në fshatin Krutje të Lushnjës është gjendur i vrarë me armë zjarri shtetasi Sokrat Shani.

Menjëherë ka shkuar në vendngjarje grupi hetimor, ku rezultoi se në një nga dhomat e banesës 3- katëshe në pronësi të shtetasit Shani, është gjendur i vrarë me armë zjarri pistoletë, shtetasi Sokrat Shani.

Është bërë këqyrja e vendit të ngjarjes dhe këqyrja e kufomës, ku rezultoi se kufoma është qëlluar me armë zjarri pistoletë në gojë, ku është gjendur një gëzhojë, ndërsa plumbi ka bërë rikoshetë dhe është copëtuar.

Nga këqyrja e banesës, ku ndodhej kufoma, janë administruar e sekuestruar në cilësinë e provës, tri letra të shkruara nga viktima Sokrat Shani, ku shkruan së është vrarë vetë.

Gjithashtu, në një letër tjetër, të shkruar më datë 14.08.2016, ka shpjeguar se shtetësja J. Ç, ka ndërruar jetë dhe  ndodhet  te shtëpia në Golem, duke shënuar edhe adresën, si edhe ka lënë çelësat e shtëpisë mbi letër.

Ndërsa te letra e tretë, viktima merr përsipër vrasjen e J.Ç, duke shpjeguar se gjithçka e ka kryer ai në gjendje të tronditjes psikike.

Nga hetimi rezultoi se viktima Sokrat Shani prej disa kohësh ka patur lidhje me shtetasen J.Ç. Grupi hetimor, i vënë në dijeni rreth faktit të përshkruar në këtë letër vdekjen e J. Ç., (në bashkëpunim me policinë në Kavajë) ka shkuar në banesën e përshkruar, në Golem-Kavajë.

Është konstatuar se në banesë mbi krevat dopjo, gjendet me shenja dhune në grykë, një shtetase, ku nga verifikimi i sistemit TIMS, rezulton se është shtetasja J. Ç.

Në banesë nuk janë gjendur dokumente identifikimi të viktimë.

Familjarët e viktimës Sokrat Shani kanë shpjeguar se kanë qenë në banesë, në katin e parë, kur kanë dëgjuar krismë arme rreth orës 06-06.30 dhe, kur kanë shkruar në dhomën ku banonte Sokrati, kanë konstatuar se ishte i shtrirë dhe gjakosur në fytyrë.

Ndërsa nëna e vajzës së vrarë ka deklaruar se ishte në dijeni të lidhjes që e bija kishte me 65-vjeçarin Shani, por ajo nuk e ka pranuar asnjëherë këtë lidhje.

“Ishim në dijeni të lidhjes së vajzës. Ishte e lidhur prej 3 vitesh e gjysmë me ketë person, pavarësisht se ne nuk donim, me dëshirën tonë”.

“Asnjëherë nuk e kemi aprovuar dhe jemi grindur shpesh për këtë”,– ka treguar nëna.

Ajo thotë se dyshon se shkak për vrasjen e së bijës mund të kenë qenë grindjet e vazhdueshme për vazhdimin e lidhjes mes tyre.

Sipas policisë, autori i vrasjes që më pas i dha fund jetës ishte baba i dy fëmijëve, një vajze dhe një djali, të martuar të dy.

Ai kishte një sipërmarrje të tijën në fushën e rritjes së fidanëve në bujqësi, ku kishte të punësuar mbi 30 persona.

Shani banonte në fshatin Lifaj në Krujtje, atje ku kishte edhe një banesë trikatëshe.

Ndërsa vajza J. Ç. është nga fshati Kryekuq i Lushnjës.

Vajza ishte studente, tre ditë më parë ajo u kishte thënë familjarëve se do të shkonte tek tezja.

Por, ajo kishte shkuar në Golem për të takuar 65-vjeçarin, i cili e ka vrarë duke e mbytur pas dyshimeve për tradhti.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shqipëria e sotme është më e mirë se e djeshmja

Nga Mustafa Nano Në portalin e tij, Blendi Fevziu kish publikuar një...
Read More