Korrupsion në pallatin e drejtësisë

Arrestohen 4 ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Drejtësisë mes tyre Juliana Hoxha dhe Aurel Lamçe,të dyshuar për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. 8 të tjerë hetohen në masën detyrim paraqitje. Pesë tenderat problematikë janë zhvilluar në vitet 2016-2017. Burime konfidenciale të prokurorisë shprehen se në verifikim janë edhe dy ish-ministrat e LSI-së të asaj kohe Ylli Manjani dhe Petrit Vasili.

Katër ish-drejtues të lartë të Ministrisë së Drejtësisë u arrestuan dje për abuzim me tenderat dhe shpërdorim detyre, ndërsa tetë të tjerë janë marrë të pandehur dhe për ta është caktuar masa e sigurisë “detyrim paraqitje”, duke e çuar në 12 numrin e të proceduarve. Bëhet fjalë për pesë tendera të zhvilluar gjatë viteve 2016-2017, ndërsa në verifikim janë edhe dy ish-ministra të LSI-së gjatë kësaj periudhe Ylli Manjani dhe Petrit Vasili. Burime konfidenciale nga prokuroria shprehen se ende nuk ka prova dhe të kenë indicie për të marrë nën hetim dy ish-ministrat, por procedurat e verifikimit kanë nisur. Katër të arrestuarit janë: ish-Sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë Juliana Hoxha dhe drejtori ekonomik Aurel Lamçe. Ata akuzohen se në dy vite, 2016-2017, kanë abuzuar me tendera të ndryshëm që janë zhvilluar nga Ministria e Drejtësisë. Hetimet janë shtrirë për 5 tendera: Mirëmbajtja dhe mbikëqyrja e sistemit ICMIS në 7 Gjykatat Administrative; Përmirësimi i sistemit të mbikëqyrjes elektronike në fushën penale; Përmirësimi, Zhvillimi dhe Mirëmbajtja e Regjistrit Noterial Shqiptar;

Sistemi i Monitorimit me kamera për burgun e Lezhës dhe Fushë-Krujës dhe Përmirësimi dhe mirëmbajtja e sistemit elektronik të çështjeve të përmbarimit. Të dy drejtorët janë njëkohësisht edhe eksponentë të rëndësishëm të PS dhe LSI, të cilët përgjatë viteve 2013-1017 kanë mbajtur poste të rëndësishme në Ministrinë e Drejtësisë dhe ministri të tjera. Ish-ministri Ylli Manjani ka komentuar këtë çështje në një reagim në profilin e tij në Facebook, duke mohuar kategorikisht të jetë hetuar apo të ketë dijeni për ngjarjen. “Unë nuk di asgjë për këtë fakt, por nëse duan të verifikojnë apo hetojnë shumë mirë do bëjnë. Nëse ky pushtet ka mbaruar punë me trafikun e drogës, kanabizimin e vendit, koncesionet e PPP, tenderat e infrastrukturës dhe abuzimet e miliona e eurove, le t’i verifikojnë edhe shërbimet mbështetëse të Ministrisë së Drejtësisë. Biles edhe të kohës së sotme, se i njëjti personel është…Unë nuk jam person me imunitet dhe as mbrohem nga parti apo njeri tjetër. Mendoj dhe shprehem lirisht për atë që mendoj, pavarësisht ç’mendojnë të tjerët”, thuhet në reagimin e Manjanit, i cili shtoi se: “Për të gjithë të interesuarit, miq e gazetarë nuk kam asnjë koment më shumë për këtë çështje. Nuk kam ndërmend të bëj e as t’iu nënshtrohem gjyqeve popullore dhe elektronike”.

Hetimet dhe zbulimi i skandalit

Ka qenë një kontroll rutinë nga auditi i Ministrisë së Drejtësisë dhe të Financave një vit më parë të cilët pasi verifikuan dokumentacionet për pesë tendera konstatuan disa shkelje. Çështja iu përcoll Prokurorisë së Tiranës që pas disa muajsh hetime arriti në përfundimin se shkeljet kanë qenë të shumta në të pesë tenderat. Prokuroria ka dyshime se ish-zyrtarët mes tyre edhe ish-sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Drejtësisë, Juljana Hoxha dhe drejtori ekonomik Aurel Lamçe kanë shpërdoruar fondin buxhetor dhe nuk kanë kryer detyrat funksionale për likuidimin e faturave tatimore të kontratave të prokurimit publik me vlerë 445 milionë lekë. Institucioni i akuzës në kryeqytet veç të tjerash konstaton se Hoxha ka nënshkruar kontratën për mirëmbajtjen e kamerave të sigurisë me kompani private, por ndërkohë shërbimi është ofruar 1553 ditë me vonesë.

Një prej tenderave që konstatuan shkelje të rënda është ai i pajisjeve që vendosen për të dënuar me “arrest shtëpie” dhe me mbikëqyrje elektronike nëpërmjet byzylykëve. Fillimisht skandali u bë publik nga ministri teknik, përfaqësues i PD-së para zgjedhjeve të përgjithshme Gazmend Bardhi, duke ngritur shqetësimin se mungonin 300 pajisje të mbikëqyrjes elektronike. Abuzimet me tenderat në Ministrinë e Drejtësisë, një prej tyre për skandalin 2 mln euro të byzylykëve elektronikë kanë çuar në pranga 4 ish-zyrtarë e zyrtarë të kësaj ministrie nga 12 që janë hetuar. Ish-ministri i Drejtësisë Gazmend Bardhi, sot sekretar i Përgjithshëm i PD-së, deklaroi : “Në çdo detyrë që më është ngarkuar si ministër i Drejtësisë kam punuar me përgjegjësi institucionale dhe ligjore për interesin publik. Për këtë rast dhe çdo parregullsi e shkelje që kam konstatuar u jam drejtuar organeve kompetente deri tek Auditi i Ministrisë së Financave dhe Prokuroria”. Çështja mund të marrë përmasa edhe më të mëdha, pasi problemi i tenderave të organizuar nga Ministria e Drejtësisë dhe Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve për një kohë të gjatë është dyshuar nga abuzimi, si në paracaktimin e kompanive fituese ashtu edhe të dhënat fiktive që deklaroheshin pa ofruar shërbimin që parashikohej në kontrata.

Pesë tendera, 12 të pandehur

Që të gjithë tenderat janë zhvilluar nga institucioni i Ministrisë së Drejtësisë dhe lidhet kryesisht me pajisjet e teknologjisë, siç është survejimi nga mbikëqyrja elektronike për të dënuar, sistem vëzhgimi kamera pranë institucioneve të vuajtjes së dënimit dhe pajisje të tjera digjitale për institucionet. Prokuroria ka arritur në përfundimin se katër ish-zyrtarët Juliana Hoxhadhe Aurel Lamçe mbajnë përgjegjësinë kryesore, pasi jo vetëm janë marrë me procedurat e tenderit, por kanë patur për detyrë edhe monitorimin e të gjithë procesit dhe zbatimit të kontratave. Tetë të pandehurit e tjerë me masë sigurie “detyrim paraqitje” janë: Marsuela Aliaj, Doralda Muka, Arlin Arapi, Orgesa Goga, Eris Sheshi, Ethem Vigani, Ornela Bleda dhe Ilir Çuni. Roli i tyre ka qenë si për hartimin e dokumentacionit ashtu edhe për mbikëqyrjen e mëtejshme, por nga hetimi i thelluar institucioni i akuzës ka gjykuar se të tetë të proceduarit nuk kanë patur rol vendimmarrës. Akuza që rëndon ndaj 12 të proceduarve është për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë së pjesëmarrësve në tendera. Ky hetim është ende në vijim dhe nuk përjashtohet mundësia që për të njëjtën çështje edhe zyrtarë të tjerë të procedohen penalisht.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Maqedonia, i vetmi vend në Ballkan që ka bërë renditjen e universiteteve

Për sa i përket rajonit tonë, vetëm Maqedonia është i vetmi vend...
Read More