Kolona filozofike e Luzajt: Vetmia është një akt i dashurisë me gjithë universin…

Isuf Luzaj poet, filozof, mendimtar para se të ishte një besimtar i devotshëm, i meditacionit në Zotin, ishte njeri i lirë. I panjohur totalisht për lexuesin shqiptar, Luzaj do të projektonte në të gjithë librat e tij, njeriun, gjysmën tjetër, atë që është Logos, mendje dhe shpirt. Kështu pak ditë më parë është botuar libri me ese filzofike e interpretative, të organizuar në dy vëllime, me mbi 400 faqe secili nën titullin “Kujdesjet e Bletës”

Isuf Luzaj tregon: Miqësia dhe njohja me Sartrin, si u bë përkthyes dhe “armik” i tij

…E ndjej që vetmija është një akt i dashurisë me gjithë universin. Kur isha shumë fetar, në një kohë të shkuar vuajtjesh e deziluzionesh, mërmëroja dendur lutjet e Budës, Krishtit dhe Muhametit bashkërisht, njëkohësisht, duke kërkuar koneksionet në pikat e përpjekshme të metafizikës së tyre, mirëpo, në atë kohë pata rezultate gabimesh, sepse humba intuitën, imagjinatën, dhe fuqinë shpirtërore aktive për të ndërtuar struktura të shkrimevet të mi. Intuita më sugjeron ta përdor atë, kur është çasti i saj për zbulime horizontesh, dhe të përdor meditacionin kur e ndjej që kam nevojë për paraqitje tek Zoti; të përdor arsyetimin kur ky vjen natyrisht në ndihmë për të zgjidhur ndonjë ekuacion të zgjidhshëm. Më ka shqetësuar shumë herë ndryshimi në mes të fantazisë për të ardhmen dhe eksperiencës së tashmë… Isuf Luzaj poet, filozof, mendimtar para se të ishte një besimtar i devotshëm, i meditacionit në Zotin, ishte njeri i lirë. I panjohur totalisht për lexuesin shqiptar, Luzaj do të projektonte në të gjithë librat e tij, njeriun, gjysmën tjetër, atë që është Logos dhe shpirt. Ndër elitën shqiptare ky njeri ishte i rrallë, në kufinjtë e shkencëtarit ai do të përballej me vetë qënien e tij, si poet dhe ekzistencialist, si njeri i natyrës e filozof, në ushtrimin e mendjes.

Mbi këto reflektime ai ka lënë një trashëgimi të pasur për bibliotekën letrare dhe filozofike shqiptare. Kështu pak ditë më parë, doli vëllimi i parë filozofik, me tre libra së bashku të Luzajt, kur janë gati dhe një vëllim tjetër, që shkojnë në gjashtë libra me ese filozofike e interpretative që botohen për herë të parë të organizuar në dy vëllime, me mbi 400 faqe secili nën titullin “Kujdesjet e Bletës”. “Këto janë fillimi i një publikimi në vazhdimësi i të gjithë trashëgimisë filozofike të Isuf Luzajt, të mbetur në dorëshkrime dhe që përbëjnë dhjetëra vëllime. Më në fund Isuf Luzaj hyn në Shqipëri nga “dera ballore” e jo nga “dera e fshehtë”.”, ka thënë Agron Tufa, shkrimtar, dhe drejtor i ISKPK, nën siglën e të cilit botohet filozofi.

I anatemuar gjatë diktaturës dhe i mërguar Luzaj qëndroi dhe shkruajti veprën e vet kryesisht në Argjentinë. Hartues i Dekalogut të Ballit Kombëtar, ai ishte ndër intelektualët antikomunistë, që dëshironte të realizonte idealin kombëtar të Rilindasve për një Shqipëri të Bashkuar e Demokratike.

“E ndjej të domosdoshme të rrëfehem për lexonjësin shqiptar që, edukata fetare që ma dha im atë, influencoi gjatë gjithë jetës t’ime, për këtë ndjenjë misterioze që nuk e shpjegoj dot, u jam dhënë studimevet metafizike që në moshë të re. Gjatë afër gjysmë shekulli punë akademike kam pritur nga ana fetare në studimet filozofike. E them këtë rrëfim, që lexuesi shqiptar të mos gabohet duke menduar që e gjithë filozofia ime universalisht me tendencë fetare. Kjo faqe e prizmit filozofik, është vetëm ideja ime, pikëpamja ime, pasioni im, dhe kjo qe arsyeja që është për të fituar bukën e përditshme, kudo që mësova rininë, mora për degë kursesh metafizikën dhe metalogjikën”. I vendosur midis shkencës dhe letrave, Luzajt do preferonte të parën por pa u larguar nga kriteret e  epistemologjisë. Por në “parathënien” rrëfyese autokritike, tek Luzaj ngre zërin kriteri multi-dimensional në studimin e filozofisë mbi ekzistencializmin, dhe pozicionin e pavarur të autorit të dëshmuar nëpër kongreset e Filozofisë, mbi tema që paraqiten në librin “Kujdesjet e Bletës” duke pasur në qendër se kjo ndërmarrje e tij duhet të studiohet brenda realitetit. Teza e tij filozofike i qëndron kriterit të tij ekzistencialist, ku e hedh në një fazë tjetër filozofin, duke fituar besim në pikëpamjet e tij mbi idenë dhe realitetin. Janë kapitujt “Mulliri i murgut” ose “Festimi i Yjevet” ku del ekzistenca, dhe esenca e arsyes, diturisë, mendjes dhe shpirtit. Këtu tregohet se autori hyn në filozofinë universale mbi diskutimin e temave sa abstrakte sa dhe të papunuara rrënjësisht nga mendimtarët. Rrihen ide të ndryshme mbi natyrën e jashtme të njeriut por homogjene në natyrën e njeriut në brendi, mbi aktivitetin e tij psikologjik, filozofik, dhe metafizik: “Dituria është e përjetshme, ajo është një pjesë e prodhimit të mendjes duke zbritur në kohë duke u shpërndarë në hapësirë e bën gjithnjë më perfekte arsyen dhe shkencën. Arsyeja, shkenca dhe arti janë të pavdekshëm, mendja e perfeksionuar prodhon përjetësisht, shpirti që i drejton në të gjitha është i pavdekshëm”, shkruan Luzaj.

Në një tjetër kapitull filozofon mbi poezinë, për të afruar e bërë më të dashur kriterin e studimit; në kapitullin  e quajtur  “Apoftegma hipotetike”, Luzaj jep disa mendime mbi vlerat shpirtërore që gjenden sipas tij pothuaj në të gjitha besimet e botës.

“Përvujtëria është e kundërta e krenarisë. Është qesharake të jetë njeriu krenar për fatin, rastin a koincidencën që pati të lindte i pasur a i bukur. E vetmja fisnikëri është kjo: me formuar personalitetin e me e vu këtë, në shërbim të të tjerëvet…”; në një tjetër rast: “Vaniteti (boshësia) e ka rrënjën në krenari, në frikën se mos gjykohet keq. Qortimi i vetvetes na ndreq më shumë e koston më pak se sa qortimi i të tjerëve që më të shumtat e herëvet na dëmton sistemin nervor. Në përgjithësi, politikani i tërheq turmat kur mbron një çështje që ata dashurojnë pavarësisht nëse ajo çështje është e vërteta dhe do të sjellë ndonjë shërbim serioz….”; “Durimi është fakulteti mendor më fisnik. Vuajmë sepse nuk kemi durim. Vuajtja shpirtërore shkakton vuajtjen fizike. Sa më shumë të frikësoheni nga sëmundjet, aq më shumë vuajmë prej tyre….”

Në kapitullin e VI, titulluar “Misteri” studimi shkon mbi relacionet e trupit dhe të shpirtit. Dokumentohen mendimet e filozofëve më të njohur nga Dekarti, deri në shekullin tonë, duke u diskutuar në dy pamje: shkencor psikologjik, llogjikë metafizikë, dhe metalogjikë si dhe ana e tjetër  e ekzistencializmit ateist.

“Pesha e ankthit”, janë faqe ku pasqyrohet mendimi dhe ndjenja e njeriut në konfliktin e përjetshëm të pamundësisë për të arritur në perfeksion. Dialogu me ndërgjegjen është vuajtja e shpirtit në pamundësinë për të gjetur të vërtetën: Vetëm kur pranoj gabimet e mia, mundem të dalloj virtytet, përndryshe, do të qëndroja rob i veseve, kur e pranoj t’imen, atëhere nuk e shoh të gabuar”; më tej: “Në qoftë se një femër e bukur më pëlqen, unë s’kam faj, është pesha specifike e ndjeshmërisë t’ime, porse si do sillem kundrejt asaj bukurie do të jetë faji im. Ndaj kufizohem ta kundroj bukurinë si një poemë ose një simfoni, pa e ditur ajo kurrë që është e ngjitur në fletët e shkrimeve të mi, të zemrës t’ime”. Në kapitullin e VIII, “Vetmija”, reflekton vështirësitë për të gjetur ekuilibrin në mes të esencës dhe të ekzistencës, dhe kjo vështirësi mbaron me vuajtjen, në vetmi: “Ka qenë natyra ime të jetoj i vetmuar edhe kur kam qenë në mes të shoqërisë. Dëshiroj të jetoj i vetmuar. Fjala Zot, merr kuptim kur jam i vetmuar. Nuk besoj që feja të jetë një temë për intelektin, as për shoqërinë në biseda e vanitete. Besoj vetëm kur nuk besoj mbi Fenë.

Kam nevojë për vetmi, aqsa kam nevojë për ushqim. Vetmija është koha që më jep më shumë shpërblime shpirti, porse këtë vetmi nuk e zgjedh dot unë, ajo më zgjedh mua. Për mua, me qenë i vetmuar, do të thotë me qenë i bashkuar me të gjithë botën. Në çaste vetmije i vë pjesat e mija bashkë si çikërra të një pasqyre të thyer dhe të rikompozuar dhe atëhere shoh qartë që gjërat e vogla duken të mëdha, kurse ato që dukeshin të mëdha janë të vogla…”. Një kapitull më vete, “Bukuritë e mija” është një përgatitje fillestare për të hyrë në studimin e Poetit, që është thelbi i të gjithë esesë të këtij libri. Imagjinata dhe idealizmi i jetës shpirtërore janë fuqitë lëvizëse të gjalla të personalitetit të poetit. Këtu autori merr në studim të gjitha faktorët psikologjikë, emocionale dhe logjikë arsytuese të poetit për të përkufizuar poezinë, duke e quajtur nëna e të gjitha arteve.

Një tjetër kapitull është “Frika përballë boshësisë”, ku studiohet ndjenja dhe mendimi i njeriut përpara vdekjes. Të gjitha shkollat e ndryshme të filozofisë kanë ardhur në përfundimin metafizik që, një Zot ekziston. Disa prej tyre, si evolucionarët dhe teologët rezervohen, të pohojnë që ai Zot të jetë mendonjës, dhe aq më pak komunikues me universin dhe me ne: “Nuk mundemi të caktojmë një kufi ekzakt midis problemit dhe misterit sepse duke menduar misterin ne e degradojmë atë sa që e ulëm në nivelin e problemit. Kjo duket qartë në rastin e problemit të rrëzimit tonë për arsye të disa cilësive e morale të liga në vetvete që prodhojnë gabime të tmerrshme. Këto kondita janë çrregullim të cilave u kërkojmë dhe disave u gjejme shpjegime. Me një fjalë banale popullore e quajmë Djall. Këtë djallëzim shkatërronjës në shpirtin e njeriut e përkufizojmë me fjalën urrejtje, mëri, inat, mallkim. E kundërta e saj është Dashuri dhe këtu mund të shihet kufiri në mes të dy gjendjeve shpirtërore, urrejtje dhe dashuri…”. Ndër kapitujt që tërheq vëmendjen është “Ekzistenca dhe liria”, ku merret me gjendjen shpirtërore të njeriut të lirë, të pavarur as nga dogmat e besimeve e as nga autoriteti i filozofëve, ku i referohet Sartri, pasi ky është autori më i lexuar në këtë degë të filozofisë. “Lira e vërtetë ekziston kur nuk varen nga opinionet dhe atavizmat. Për të qenë i lirë, nuk duhet të ketë frikë njeriu, nga askushi, inkluduar Zoti”. Të libri i dytë, “Kujdesjet e Bletës”, Luzaj hyn në “të shtatë dritaret e mendimit”, duke përcaktuar filozofinë e historisë, shkencës, ligjit artit, jetës, metafizika dhe raportin e teologjisë me metafizikën. Ndërsa në librin e tretë “Kujdesjet e jetës”, filozofi sjell një ese, hartim letrar në prozë,  ku jep mendimet dhe ndjenjat e tij, mbi çdo temë, më pak objektiv, dhe më shumë personal.

Përgatiti: V.Murati

 

Isuf Luzaj tregon: Miqësia dhe njohja me Sartrin, si u bë përkthyes dhe “armik” i tij 

Në kapitullin “Ekzistenca dhe liria”, si një nga temat filozofike që ka tërhequr më tepër filozofët e shekullit tonë, Isuf Luzaj tregon se ka zgjedhur Sartrin si prototip të ekzistencializmit ateist, duke renditur disa arsye, ku ndër tre arsyet që lidhen me njohjen e tij në botë, nëpër universitet, ai na bën të ditur edhe adimirimin që ai kishte për të, duke përfunduar në një miqësi, por jo në idetë ku tregon: “E treta arsye, më me pak rëndësi është sepse për fat të mirë a për fat të keq timin, një koincidencë më afroi me të dhe një admirim që mbaroi me miqësi: më magjepsi”.

Luzaj ka treguar se ishte zgjedhur nga Sartri për të qenë përkthyes i tij, që më pas rezultoi “fatale”, ku kujton: “Në dy udhëtimet që bëri Sartri në Amerikë, më ra mua llotaria të ishja përkthenjësi i konferencavet të tija, si në Universitetin tim në Indiana dhe në Neë York, ku e vendosi ai këtë zgjidhje. Kam një korrespodencë dhe kam vizituar dy herë në Paris, në prezencë të Simone de Beouorit. Besoj ta kem njohur pak më afër se komentaristët e botës. Thashë për fat të mirë, ose të keq, sepse nuk jam i sigurt, cili mbiemër më ndihmoi ose më dëmtoi. Për arsye admirimi për mendimin e tij, humba kontratën me NOTRE DAME të Indianës: Institut i lartë studimesh porse rrënjësisht Katolik pa leje të dilte në DOGMA. 94% e profesorëve ishin priftërinj Katolikë dhe refuzuan kriterin tim të lirisë që e trazuan me fenë time myslimane. Ndoshta, për fatin e mirë t’imin sepse në universitetete të tjerë pati 100% të zgjidhja unë BIBLIOGRAFINË E kursevet, dhe jetova kështu në ikuosferën e lirisë frënge 1789, që është dhe temperamenti im”.

Duke tërhequr vëmendjen me disa reflektime mbi teoritë ekzistencialiste të Sartrit, filozofi shqiptar tregon se mendimet e tij i ka shprehur edhe në sallën e konferencave të universitetit të Indianës. Vërejtja ishte: “Guxoj të vërej që Sartre ekzalton njerinë dhe lirinë e tija përkundra absurditetit çnjerëzor që theoria sociologjike e filozofëvet sa gjermane e sa italianë e shpjeguar nga filozofi Gentile, ngjalli fashizmin dhe nazizmin dhe të tjera diktatura të ngjashme duke u bazuar në ekzaltacionin e njeriut dhe të popujve duke dhënë një mburrje adulacion vulgar të lirisë së plotë të njeriut si vetkëfaktonjës”.

 

Poeti

E tërë tërheqja magnetike qëndron në simbolin. Kush e dashuron natyrën? Kush e urren natyrën? Kush jeton me natyrën? Njeriu i kulturuar dhe poeti janë fetarët besnikë të natyrës. Bukuria është karakteristikë e natyrës. Një bukuri që nuk shpjegohet dot është më e dashur sesa ajo bukuria që shohim, që prekim, që shijojmë. Është natyra simbol, natyra që vërteton mbinatyrën, trupi i ngopur me ndjenjën e bukurisë që zbulon ligjet e misterit është poeti që i ndjen e i shpjegon.

Bota merr kuptim kur shprehet me fjalë me muzikë pa tingull, me atë magnetizëm shpirtëror që rrënqesh gjeninë, bota bëhet kuptimi për të gjithë ata që e kuptojnë gjeninë. Poeti u jep fuqi me anë të një percepsioni intelektual, ripërtërin zemrën në pikën nevralgjike të ndjenjës. Ai i përdor trajtat në akord me jetën, po jo në akord me trajtën, këtu fillon shkenca.

Për virtyt të kësaj shkence, poeti është kumteri që i vë emrin foshnjës; foshnja është gjuhë e virgjër që ka nevojë që të punohet për të mundur të pjellë shkrimtarët, këngëtarët etjer, kështu pasurohet intelekti i çdo njeriu.

Poeti krijon e pasqyron në gjuhën e re, botën pasanike të shpirtit të gjeniut dhe kështu gjuha bëhet arkivi i historisë ose mali i lartë ku bëjnë pikëpjekje muzat. Vjen pastaj etimologjisti që kërkon rrënjët e fjalëvet tani kur gjuha është bërë një muzë poezish.

Poeti i sheh gjërat përpara se të ndodhin pra duke krijuar konstruksione letrare e bën sintaksën e krijuar një palestër gjimnastike mendore. Gjeniu është vetë aktiviteti që ndërton të metat e gjuhës duke rregulluar materialin e shprehjes për ata që ndjejnë fatmirësitë dhe fatkeqësitë e popujvet si një termometër matës ndjen temperaturën. Kur shpirti i poetit arrin në pjekurinë e bukurisë artistike, morale, etike, atëhere frymëzimi krijon poemat ose këngët një zbërthim brendavlerash me pemë e lule, fantazma me fluturues, janë bukuria e poetit. Nga prindi vdekësor lind njeriu i pavdekshëm në shekuj të shekujvet.

Poeti jep dorëheqjen nga jeta për t’iu dorëzuar jetës fantastike ku e shpie humori dhe ashtu si në diell objektet pikturojnë figurat e tyre në retinën e syrit, ashtu traugardi i poetit është të ndryshojë gjërat duke u dhënë kuptimin e fshehur në gji të natyrës po ashtu si metamorfoza gjërat këmben elementët në krijesa më të larta organike, ashtu ai nxjerr nga gjiri i natyrës melodinë e fshehtë, misterioze të university. Simetria dhe e vërteta e natyrës modelohet në shpirtin e  pasur të poetit aq sa na magjeps e na bën të zbulojmë mrekullitë e natyrës. Ky fakultet mendor quhet imagjinacion, është sfera më e lartë e mendimit që nuk krijohet as zhvillohet me anë të studimit: udha e tij është heshtja, drita e tij është zbulimi, fuqia e tij është zjarri i dashurisë për të gjitha bukuritë e natyrës. Kur vuan poeti, vuan natyra dhe të gjithë ata që e kuptojnë ose e ndjejnë, si një muzikë e huaj që edhe pse nuk i dimë historinë as fjalët, na mallëngjen deri në lot.

Imagjinata pasanike e deh poetin për të fluturuar nga bota metamorfozë me emocione kënaqësie e lumturie. Përdorimi i simbolevet ka një lloj fuqie emancipimi në çdo njeri, porse ndryshimi qëndron në faktin që poeti e ushqen atë me elementë të rinj për ta bërë më të bukur. Të gjithë na frymorët jemi si primitivë që kur dolli jashtë kazermës (shpellës) nj’agoni prendvere dhe pa lule të reja me ngjyra në pyll, filloi të këndojë me dehje bukurije…

(fragment)

 

Bukuritë e mija

Mendjet e larta të njerëzimti, nuk pushuan kurrë në ndërmarrjet e tyre të ekspolorojnë faktet historike që krijuan epoka, kështu p.sh Orfeu –Empedokles, Hernklitos, Platoni, Plutarku, Dante, Leonardo dhe të gjithë mjeshtërit e skulpturës, pikturës dhe poezisë. E vërteta e mbëshehtë që krojet e botës mbushën qytetërimet, janë bukuria, madhështia, misteri që natyra I paraqit në shpirtin e një vigani që quhet Poet. Ky realizon, sintetizon, nxjerr në relief të gjithë bukurinë, madhështinë, misterin e e pokës së tij. Problemi është i madh porse ai rrëmben e sintetizon e pavdekëson sepse këjo është natyra e shpirtit të tijë. Çdo njeri jeton në të drejtën dhe qëndron duke dëshiruar shprehjen es aj. Në dashuri, në art, në politikë, në punë, në lodra, ne mundohemi të nxjerrim jashtë sekretin e tyre të dhembshëm dhe t’a themi. Njeriu është gjysëm ai, njeriu vetë dhe gjysma tjetër, është shprehja e tij: ajo që disa filozofë e kanë quajtur Logos.

Ne njerëzit, përgjithësisht përpara natyrës jemi memecë, s’dimë të kuptojmë e të shprehemi. Poeti është njeriu të cilit i janë dhënë në një balancë relative, fuqitë që të ndjejë, e shohë të ndëgjojë të parandjejë të thithë të gjitha fuqitë e natyrës, me eksperiencën e tija.

Një theolog, frëng tha që universi ka tre çilimiqër që quhen: shkaku, veprimi, efekti ose më poetikisht Jove, Pluto dhe Neptuni ose theologjikisht Ati, Biri dhe Shpirti i shenjtë. Ne do t’ia quajmë këtu në indiosinkrozinë t’onë moderne: I dituri, vepronjësi dhe tregonjësi që janë dashuria për të vërtetën, dashuria për mirësinë dhe dashuri për bukurinë; të trija janë të barabarta. Poeti është perandori i të gjithë të drejtavet. Kriticizimi është infektuar me ëndjet e materializmit. Poeti i konkretizon fjalët e Homerit, janë aqë të vlerëshme sa janë për Agamemnonin fitoret e tija. Poeti nuk pret as për heronë, as për dijetarin, sepse ashtu si veprojnë ata, po ashtu njëkohësisht poeti pavdekëson. Shenja dallonjëse e poetit ëështë që vetëm ai lajmëron misterin që askush para tij nuk e tha.

Eksperienca e çdo epoke të re kërkon një rrëfim (confession) dhe fjala po pret të lindë poeti që ta thotë.

Gjithçka që ne quajmë Histori e kulturavet, principi i parë i tyre në kronologji është lindja e një poeti. Poezia na pajton me jetën, na ripërtëritë natyrën në mënyrë që të kuptojmë ç’po bëjmë dhe ku po vemi. Duke i lënë mënjanë disa viktima të vanitetit, le të studiojmë duke vërejtur se si mëma natyrë, nëpërmjet të disa impulsevet disa tërheqjevet, disa simboleve, frymëzojnës e nxitin poetin për krijime fisnike dhe e afron në botën e  bukurivet që janë lajmëronjëse të misterit që ekziston po nuk provohet me gjykim. Nuk ekziston shpirt poeti pa shkëndinë e gjeniut.

Shkenca përparon paralel me njeriun i cili për shpjegime të enigmavet u ngërthehet dhe pyet: filozofinë, metafizikën ose theologjinë. Meqenëse çdo krijesë e natyrës, në qoftë se një fenomen qëndron si errësirë i pa shpjeguar kjo ndoth sepse fakultetet korrespondente me njerinë nuk kanë arrijtur pjekurinë e nevojshme.

Këtë të vërtetë e shohim në përparimet e shkencavet që nga kohët e errëta deri në ditët tona, saqë çuditemi se si stërgjyshërit tanë besonin në xhindet, lugatin, djallin, mallkimin e tjera.

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Gilman Bakalli: Me miqtë që ndajnë shqetësimin për “Intelektualin e munguar”

Në mjediset e Tulla Center, iu dedikua mbrëmja e një dite më...
Read More