fbpx

Kronika

Kohë denoncimesh…





               Publikuar në : 09:26 - 30/01/19 |
mapo.al

Anëtari i KLP-së Bujar Sheshi mohon të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe denoncon në Prokurori drejtoreshën e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve Gentiana Sula. Reagon Sula: Zbatuam ligjin, verifikimi për figurën e Bujar Sheshit është i saktë, kemi verifikuar 1500 persona dhe zbuluam 30 ish-bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit. Opozita padit kryeprokuroren Arta Marku: Nuk priti vendimin e AIDSSH-së për rastin Sheshi.


I dyshuar si ish-bashkëpunëtor  i Sigurimit të Shtetit që në adoleshencë, me pseudonimin “Venusi”, anëtari i KLP-së Bujar Sheshi kallëzon penalisht në prokurori drejtoreshën e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH) dhe çdo anëtar tjetër të këtij institucioni që ka bashkëpunuar me të. Denoncimi është bërë dje në prokurori për akuzën e falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. I menjëhershëm ishte qëndrimi i drejtoreshës së (AIDSSH-së) Gentiana Sula, që këmbëngul se në rastin Sheshi, është zbatuar vetëm ligji dhe nga verifikimet e thelluara rezulton se prokurori ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit që në adoleshencë dhe më pas hetues në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit. Po në vazhdën e padive, dy partitë më të mëdha opozitare PD dhe LSI kallëzuan penalisht kryeprokuroren e përkohshme Arta Marku për çështjen e anëtarit të KLP-së Bujar Sheshi, pasi sipas opozitës ka shkelur ligjin duke dërguar kandidaturën e tij si “të pastër”, pa pritur më parë përgjigjen e AIDSSH-së. Institucioni i Këshillit të Lartë të Prokurorisë përbëhet nga 11 anëtarë dhe Bujar Sheshi vinte nga radhët e Prokurorisë së Apelit Tiranë. Si kandidaturë e vetme ai zuri vend në KLP pa zgjedhje, por vetëm një muaj më pas, Autoriteti për Hapjen e Dosjeve konstatoi se prokurori rezulton të ketë qenë bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit. Mjafton vetëm kjo pikë që Sheshi të rrezikojë seriozisht largimin nga detyra, pasi ligji e parashikon specifikisht ku thuhet: Kandidati të mos kenë qenë anëtar, bashkëpunëtor ose të favorizuar të ish-Sigurimit të Shtetit para 2 korrikut 1991, në kuptimin e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”. Vetë Sheshi e ka mohuar kategorikisht të ketë qenë pjesë e institucionit famëkeq të kohës së komunizmit dhe sipas tij, ai po sulmohej politikisht dhe jo mbi fakte.



Sheshi padit AIDSSH-në, Sula: Zbatuam ligjin


Anëtari i KLP-së i është drejtuar dje prokurorisë me një kërkesë-padi ndaj drejtoreshës së AIDSSH-së Gentiana Sula dhe anëtarëve të tjerë të komisionit që vlerësuan se ai figuron bashkëpunëtor i ish-sigurimit të shtetit. Në padi thuhet se “marrja e këtij vendimi kaq haptazi të padrejtë, cenon rëndë integritetin tim moral dhe profesional dhe, gjithashtu, dëmton rëndë interesat e Shoqërisë shqiptare, sepse vjen si një presion apo shantazh i hapur mbi punën e anëtarëve të një nga Institucioneve më të Rëndësishme të Reformës në Drejtësi, Këshillit të Lartë të Prokurorisë, në këtë moment historik”-shprehet Sheshi. Drejtuesja e Autoritetit për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Mara Sula, tha dje se verifikimet dhe vendimi ndaj anëtarit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi, janë të sakta dhe të bazuara në dokumente, që provojnë lidhjet e tij me Sigurimin e Shtetit. “Bëhet fjalë për një person, i cili nuk mund të jetë pjesë e institucioneve të drejtësisë së demokracisë për shkak të bashkëpunimit të tij me Sigurimin e Shtetit gjatë diktaturës. Por është e drejta e tij të ankohet në prokurori”, -tha Sula. Në reagimin e saj Sula tha se institucioni që drejton nuk niset nga prapamendime politike në veprimtarinë e tij, ku deri tani janë verifikuar mbi 1500 persona. “Në 1500 personalitete rreth 30 janë gjetur me probleme në sektorë shumë të rëndësishëm. Autoriteti në dy vite ekzistencë ka verifikuar të paktën 1500 figura, të cilët janë të gjithë zyrtarë shumë të lartë. Për organet e larta të drejtësisë kemi verifikuar rreth 550 figura dhe 4 prej tyre janë gjetur me probleme. Në asnjë rast nuk ka agjendë politike te ne, nuk ka asnjë agjendë, koordinim, absolutisht asgjë. Te ne është vetëm ligji, procesi” -tha Sula. Vetë personazhi i lakuar se ka qenë bashkëpunëtor i ish-Sigurimit të Shtetit dhe pas viteve ‘90 arriti të kapë majat ne institucionet e drejtësisë “së vjetër” dhe tashmë edhe “të re”, mohoi të jetë e vërtetë bashkëpunimi i tij me Sigurimin e Shtetit. “Skenari nuk synon thjesht vetëm goditjen e personit tim si hakmarrje për çështjet që kam hetuar apo përfaqësuar si prokuror, apo për mendimet që kam shfaqur si anëtar i KLP-së për kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët për Prokuror i Përgjithshëm, por mendoj se synohet goditja dhe vendosja nën trysni e të gjithë institucionit të KLP-së, pasi kemi ardhur në një moment përfundimtar të krijimit të SPAK-ut dhe përzgjedhjes së Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh ai, ndërsa kishte edhe një mendim se kush mund të “shihet” pas këtij sulmi, teksa deklaroi: “pas këtij veprimi fshihen segmente të caktuara që janë pjesë e rëndësishme të politikës, jo vetëm të njërit krah, por dhe persona me pushtet të lartë”. Krejt të kundërtën pretendon AIDSSH, që në dokumentin zyrtar konstaton se nga verifikimi i thelluar u arrit në përfundimin se Bujar Sheshi është rekrutuar nga Sigurimi i Shtetit teksa ishte në Shkollën e Mesme Petro Nini Luarasi. “Nga verifikimi i kryer rezulton se figuron dokumentacion i krijuar nga struktura e ish-sigurimit të shtetit për shtetasin Bujar Sheshi (Shesha). Kartela model 2, me nr. 8023 me këto të dhëna: “Bujar Rasim Shesha, i datëlindjes 1957, vendlindja Tiranë, arsimi me dy të mesme, nxënës në shkollën Petro Nini Luarasi me pseudonimin Venusi, sektori V, drejtimi inteligjencë rini. Data e tërheqjes në bashkëpunim dt. 13.02.1974”-thuhet në konkluzionet e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve.

PD e LSI: Marku shkeli ligjin, pezullojeni nga detyra

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim kanë paditur në Prokurorinë e Tiranës, Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme Arta Marku për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës” për çështjen e prokurorit Bujar Sheshi. Në kërkesën e tyre drejtuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, PD dhe LSI kërkojnë regjistrimin dhe fillimin e procedimit penal ndaj Arta Markut për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorim i detyrës”, të parashikuara nga neni 248 i Kodit Penal, si dhe kryerjen e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme për sqarimin më të saktë e më të plotë të rrethanave të parashtruara. Padia që mban firmën e dy kryetarëve të grupeve parlamentare të PD dhe LSI kërkon: “pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik” apo “ndalimi i përkohshëm i ushtrimit të veprimtarive të caktuara profesionale”, për personat e kallëzuar në këtë Kallëzim Penal, të cilët nëse vijojnë punën mund të prishin provat apo pengojnë hetimin. “Prokurori i Përgjithshëm Arta Marku, nuk e priti përgjigjen e Autoritetit edhe pse ishte e detyruar ta priste, me qëllim verifikimin e përmbushjes së një kriteri ligjor të detyrueshëm për kualifikim. Nëse do të dilte me problem ky subjekt, ai nuk do kualifikohej dot për të kandiduar për KLP. Prokurorja e Përgjithshme thirri Mbledhjen e Përgjithshme të Prokurorëve në datën 11 dhjetor 2018. Ajo ka paraqitur listën e kandidatëve, duke përfshirë edhe prokurorin Bujar Sheshi. Në këtë mënyrë, Arta Marku nuk ka përmbushur përgjegjësinë ligjore për verifikimin paraprak të kushteve ligjore të kësaj kandidature (qenia ose jo bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit)”, konstatohet nga opozita, në padinë e parashtruar. Në argumentet e saj arrihet në përfundimin se Marku ka shkelur rëndë ligjin, “duke mos përmbushur detyrimin ligjor të parashikuar në nenin 279 pika 3 e ligjit nr. 115/2016 Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”, konstaton opozita në denoncim. Tashmë në duart e prokurorisë është jo vetëm hetimi i thelluar për çështjen e anëtarit të KLP-së Bujar Sheshi, por edhe denoncimi ndaj kryeprokurores Marku.


Etiketa: , , , , ,

Pas