Kilianët

Nga Zoran Panoviç*

I dashur Mustafa,

Demonstrata po zhvillohen edhe në Beograd. Është caktuar një ritëm optimal, një herë në javë, ndërsa historia e demonstratave në historinë moderne të Serbisë, ka treguar se ato demonstrata që fillojnë në vjeshtë apo në dimër, japin më shumë rezultat sesa ato që fillojnë në fund të pranverës apo në fillim të verës, sepse përkundër diktaturave të intensiteteve të ndryshme, shumë pjesëmarrës shkojnë në pushimet verore, e kësisoj lufta për demokraci mbetet të vazhdojë atëherë kur të freskohet koha. Me kalimin e kohës, në Serbi shkuarja për pushime në bregdet (verimi) u bë një çështje relativisht e arritshme, ndërsa tani shkuarja për ski në dimër është çështje statusi dhe diferencimi klasor.

Pjesëmarrësit e demonstratave kundër Vuçiçit këtu te ne, theksojnë se janë demonstrata qytetare, mbipartiake. Megjithëse në radhët e protestuesve ka edhe studentë, nuk ka një protestë të organizuar studentore si dikur, ndërsa simbolika e vazhdimësisë duket te fakti që vendi i grumbullimit, çdo të shtunë, është në sheshin para Fakultetit Filozofik në Beograd. (Fakulteti Filozofik i Beogradit ishte bërthama e demonstratave studentore të vitit 1968. shën. i përkthyesit). Vuçiçi përpiqet t’i relativizojë protestat duke pohuar se në to marrin pjesë kryesisht pjestarë të klasës së mesme që janë të zhgënjyer (ata që kanë 40-50 vite e më shumë), nga e cila mund të shihet se Presidenti do të donte të konkludonte se të rinjtë nuk janë kundër tij. Duke patur parasysh letargjinë që mbizotëronte deri tani vonë, demonstratat mund të konsiderohen vërtetë masive.

Liderët e opozitës këtu janë në plan të dytë të demonstratave, megjithëse shkaku i këtyre të fundit është rrahja brutale e njërit prej liderëve të opozitës, Borko Stefanoviçit. Këto demonstrata e kanë nervozuar regjimin, ndërsa opozitën e kanë bërë të padukshme. Vuçiçi i ofron opozitës zgjedhje të parakohshme si rrugëdalje nga situata e krijuar. Njëkohësisht përpiqet të ndajë popullin që demonstron (dhe për të cilin kinse ka mirëkuptim) nga liderët opozitarë të cilët i kriminalizon. Edhe opozita dalëngadalë po e mëson leksionin: Në kontekstin e lustracionit gjithnjë e më shumë po e drejton gishtin drejt njerëzve që kanë votuar për regjimin, por nuk janë përgjegjës për të pabërat e tij. Puna është se zgjedhjet nuk i shkojnë për shtat asnjërës palë: Opozita edhe në rastin e zgjedhjeve “të ndershme” vështirë se mund të fitojë, ndërsa Vuçiçi, nëse nuk fiton mbi 50%, zëre se nuk ka fituar fare.

Po ngjasin pak a shumë gjëra absurde në këto ditë të festës së Vitit të Ri: Revista opozitare NIN publikoi një karikaturë të karikaturistit me ndikim Dushan Petriçiç, në të cilën Vuçiçi krahasohet me Pinoçetin (sepse Vuçiçi dëshiron të ndërtojë stadiume, përfshirë edhe atë kombëtar), gjë të cilën pushteti e karakterizoi si manipulim të turpshëm, por gjithashtu theksoi se këto karikatura janë tregues i lirisë së mediave në Serbi, ku asnjë media antivuçiçiste nuk do t’i kërkonte atij falje siç bëri para pak kohësh Le Mond-i me Makronin. Natyrisht, pushtetarët e sotëm kanë harruar se në kohën që ata ishin në opozitë pohonin se mediat në Serbi në kohën e Boris Tadiçit ishin si mediat në Kili në kohën e Pinoçetit. Nga ana tjetër, Vuçiçi indirekt i ka dërguar mesazh opozitës se deri synon të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2028, kohë në të cilën Serbia, së bashku me Rumaninë, Bullgarinë dhe Greqinë, dëshiron të organizojë kampionatin europian të futbollit, ose deri në vitin 2030, kur me po këta fqinjë do të kandidojë për kampionatin botëror. Për këtë edhe i duhen stadiumet.

Por, meqë ra fjala për Kilin, më duhet të të tërheq vëmendjen, i dashur Mustafa, te gjenerata e futbollistëve jugosllavë të cilët në këtë vend amerikano-jugor në vitin 1987, fituan kampionatin botëror të futbollit për të rinjtë. Jam i sigurt se ajo ishte një prej gjeneratave më të talentuara në historinë e futbollit, madje katër lojtarë të saj më vonë veshën fanellat e Real Madridit.

Është disi absurde, që një pjesë e opozitës me në krye liderin e Partisë Popullore Vuk Jeremiçin (ministri i punëve të jashtme në kohën e Tadiçit) dëshiron të zëvendësojë Vuçiçin autoritar që dëshiron kompromis në Kosovë (“në dëm të Serbisë”, pohon opozita), duke lënë të kuptojë se nesër pushteti demokratik në një atmosferë demokratike nuk do të jetë në gjendje të realizojë asnjë kompromis në lidhje me çështjen e integritetit territorial të Serbisë.

Edhe shumica, pjesa qytetare e protestave, është pajtuar me faktin se në Serbi nuk mund të ketë ndryshime pa bashkëpunim të të ashtuquajturve “nacionalistë demokratikë”. Kjo, në mënyrë kolegjiale, këtu te ne quhet “e keqja më e vogël”, sepse ne në Serbi përherë zgjedhim mes “së keqes më të madhe dhe asaj më të vogël”. Parulla e ish ministrit të ekonomisë së Vuçiçit dhe udhëheqësit të dështuar opozitar – “Këta të largohen, por edhe ata të tjerët të mos na kthehen”- është bërë moratorium i utopisë në radhët e të ashtuquajturve njerëz të rinj.

Tani për tani pjesa më e madhe e protestuesve nuk ka ende një artikulim të qartë partiak, ndërsa është krijuar përshtypja se liderët e vërtetë të protestave janë aktorët e përmendur, karikaturistët dhe komikët. Po, a nuk shkaktoi pështjellim të vërtetë në Itali pikërisht një komik? Tashmë është bërë rregull që Vuçiçi, çdo të shtunë pas demonstratave, dukshëm i nervozuar, jep një intervistë maratonike në një prej kanaleve mike televizive.

Që nga koha e Jugosllavisë (që nga demonstratat e vitit 1981 në Kosovë) policisë këtu i bëhen thirrje masive “shkoni në Kosovë” (më së shumti nëpër stadiume). Me kalimin e kohës kjo u bë parullë e pop kulturës e kështu thirrej edhe për tallje edhe në vendet ku Kosova ishte fare pa rëndësi, për shembull, pas Marrëveshjes së Dejtonit, në Bosnjë e Hercegovinë, në ndeshjen mes “Zhelezniçarit” boshnjak dhe “Shiroki Brijegut” kroat. Ideali i opozitës është që ta zgjerojë Vuçiçin si fizarmonikë nëpër tërë Serbinë. Në kryeqytet është e dukshme mungesa e policisë, dhe mua, pa aspak cinizëm, nëse shfaqen kordonët e policisë, më intereson shumë fakti nëse do të ketë parulla “Shkoni në Kosovë”.

Për sa u përket studentëve, këtu te ne vitin e kaluar përkujtuam me bujë gjysmë shekullin e demonstratave të vitit 1968. Dhe shihej sesa e ndërlikuar ka qenë, që nga prototipi i gjashtëdhjetë e tetëshit vendor, Sashës, arkitektit të papunë, të preokupuar me të ashtuquajturat “lëvizëset” e tij, që janë skulptura të çuditshme të lëvizshme, të cilat, përveç atij vetë, askush tjetër nuk i merr vesh. Sasha është personazhi kryesor në filmin kult “Tajvanska Kanasta” (Kanasta-lojë virtuale letrash -tajvaneze. Në rolin kryesor Boris Komneniç, aktor i dëgjuar serb, luan rolin e njeriut që ka humbur lidhjet me realitetin dhe bën skulptura lëvizëse. Shën, i përkth.), të regjisorit tonë të famshëm Goran Markoviç (nxënës i “shkollës së Pragës” për regjisurë, i cili ka ndjekur direkt ngjarjet e vitit 1968 në Çekosllovakinë e atëhershme).

Rregulli thotë se shoqëria nuk është mirë, nëse studentët humbasin nervin e të protestuarit, punëtorët solidaritetin, e inteligjenca integritetin. Por nuk është e thënë se studentët kanë përherë të drejtë. Në vitin 1988 kur u nisën nga qyteti i studentëve dhe shkuan para parlamentit federativ (jugosllav) të kohës duke thirrur “Arrestoni Azem Vllasin” (i përkëdheluri i Titos), ata ishin pjesë e halabakëve nacionalistë. Nga nëntë marsi (demonstrata të ashpra kundër Millosheviçit në vitin 1991) deri me 5 tetor 2000, shumica e studentëve të politizuar ishin për opozitën demokratike. Millosheviçi madje njëherë ia lejoi vetvetes luksin dhe shkoi në rektoratin e Universitetit të Beogradit, për t’iu përgjigjur pyetjeve të studentëve, të cilët mbronin trashëgiminë e Nëntë marsit. E shkalafitën mirë. U zu ngushtë, u skuq në fytyrë nga sikleti dhe zemërimi.  A mund ta mendojmë Vuçiçin në një situatë të tillë? A thua do të pranonte të shkonte ai te ndonjë “rektorat” për ndonjë të paparë? Dyshoj për këtë!

Lideri i sotëm i opozitës Dragan Gjillasi në vitin 1992 ishte lider studentor në protestat kur studentët mbështesnin lëvizjen monarkiste opozitare në Serbi (parulla kryesore: “Bez Kralja ne valja”- “Nuk ka vlerë pa Mbretin”).

Në vitet 1996-1997 studentët në Beograd mbronin vullnetin zgjedhor të qytetarëve. Nëse krahasohen demonstrata e sotme me ato të asaj kohe, nuk jam i sigurt nëse Patriarku i sotëm i Kishës Ortodokse Serbe Irinej, do të bënte ndonjë meshë në formë lutjeje, siç pati bërë atëbotë  Patriarku Pavle që të hiqej kordoni policor, i cili pengonte studentët në rrugën Kollarçeva në qendër të Beogradit. Komponentja kishtare nuk është e pranishme në demonstratat e sotme si dikur, megjithëse partia Dveri, e cila ka burim klerikal, për hir të së vërtetës ka lëvizur në mënyrë relative drejt qendrës.

Tani për tani është gjë e mirë që regjimi nuk lajmëron ndonjë farë antimitingu. Kur në vitin 1996, Millosheviçi e organizoi një të tillë në muajin dhjetor 1996, për pak sa nuk shpërtheu lufta civile. Është kuptimplotë fakti, dhe ky jo vetëm për paranojakët e regjimit, se mediat ruse tani e “nderojnë” opozitën me numrin e pjesëmarrësve në protesta. Teksa po shkruaj këto rreshta këtu te ne pritet ardhja e Putinit më 17 janar.

Një nga shkrimtarët e mi më të dashur, Sajmon Sibag Montefjore, i cili e njeh shumë mirë Rusinë, thotë se Putini i kujton Carin rus Nikollaj i Parë, i cili kishte si parullë të vetën: autokraci-ortodoksi-nacionalizëm. Dhe këtë me sukses të madh, deri në momentin e konfrontimit të tij me Perëndimin, pasojë e të cilit ishte Lufta e Krimesë me epilogun e saj. Sot është përsëri në modë forca e lakuriqtë, nuk ka më mbulesa ideologjike: të gjithë janë kapitalistë. Si në Lindje ashtu edhe në Perëndim. Mbetet të shohim se cilët do të jenë epilogët: Kur në muajin janar të vitit 2007, pak para se të vdiste, pata bërë një intervistë me “praksis-istin” (Praxis-Shkollë jugosllave e njohur e marksizmit humanist), Millan Kangrga, pyetjes sime, se në cilin stad është kapitalizmi i sotëm, ai iu përgjigj duke parodizuar Leninin: pikërisht në atë të fundit fare. Kjo sot tingëllon pak a shumë zindjellëse.

Një pjesë e mirë e serbëve, i dashur Mustafa, i ka varur shpresat kryesisht te Trampi, por kulti i Putinit nuk pushon që nuk pushon. Përkundrazi, ka marrë cilësi pseudoreligjoze. Tabloidët e Vuçiçit (këtu është paradoks që Vuçiçin, i cili është formalisht proeuropian, e mbështesin tabloidët antiperëndimorë) pohojnë se Putini nuk ka për ta braktisur Serbinë në problemin e Kosovës, ndërsa në opozitë ka të tillë që pohojnë se Putini e urren Vuçiçin, ndoshta duke sugjeruar që ata do të mund të ishin më konseguentë në këtë bashkëpunim.

Ministri i jashtëm Ivica Daçiç i cili është njëkohësisht edhe atraksion prej  këngëtari, tashmë ka bërë me dije se po përgatit repertorin me rastin e ardhjes së Putinit. Fotografinë e Titos, të cilën ai e tregon gjithandej kur bën vizita në Afrikë, ma merr mendja se vështirë që do t’ia tregojë Putinit.

*Ky tekst është pjesë e programit të shkëmbimit të artikujve mes gazetave Danas nga Beogradi dhe Mapo nga Tirana, me qëllim përparimin e komunikimit dhe mirëkuptimit më të madh të bashkësive në Shqipëri dhe në Serbi. Projektin e mbështesin Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Serbi dhe Misioni i OSBE-së në Serbi. Qëndrimet, mendimet, konkluzionet, supozimet dhe informacionet e tjera të autorëve (letërkëmbimin e bëjnë Mustafa Nano dhe Zoran Panoviç) të shprehura në këtë artikull, nuk përfaqësojnë detyrimisht edhe mendimin apo qëndrimin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë apo OSBE-së. 

 

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

“Vetëpërmirësim” është koncept i regjimit të shkuar

Nga Ervis Iljazaj Kryesia e Partisë Socialiste zhvilloi dje mbledhjen më të...
Read More