Ja shenjat që hetojnë autizmin; djemtë, 4 herë më të rrezikuar

Doktorët apelojnë prindërit të bëjnë vizita periodike dhe vlerësime të zhvillimit motorik të fëmijës.

Sot 1 në 59 fëmijë në Shqipëri zyrtarisht diagnostikohet me çrregullim të spektrit Autik, madje të dhënat e fundit flasin për një matje të fundit mund të jemi edhe në shifrat 1 me 40 fëmijë. Ekspertët vlerësojnë se çështja e autizmit po shndërrohet në krizë të shëndetit publik për sa i përket rritjes së numrit të fëmijëve me çrregullime dhe mungesës së shërbimeve për ta. Edhe këtë vit specialistë dhe doktorë të shëndetit mendor apelojnë prindërit për vizita periodike dhe vlerësim të zhvillimit motorik të fëmijëve që në moshën 2 vjeç. Në vitin 2018 Qendra për Kontroll dhe Parandalim të Sëmundjeve, përcaktoi se kishte afërsisht 1 në 59 fëmijë të diagnostikuar me çrregullim të spektrit të autizmit në botë. Në rang botëror rezulton se 1 në 37 djem dhe 1 në 151 vajza janë të prekur nga autizmi. Sipas të dhënave djemtë kanë katër herë më shumë mundësi të diagnostikohen me autizëm krahasuar me vajzat. Përgjithësisht fëmijët diagnostikohen me autizëm, pas moshës 4-vjeçare, megjithëse autizmi mund të diagnostikohet rreth moshës dy vjeç. Specialistja për shëndetin mendor, Jonida Haxhiu deklaron se shpeshherë janë prindërit që e vendosin vetë diagnozën, me shprehje: “është kështu se i ka ngjarë këtij apo atij”, “kështu kam qenë edhe unë”, duke refuzuar të çojnë fëmijën të bëjnë kontrolle shëndetësore për ta vlerësuar specialisti përkatës. “Ndaj ne apelojmë prindërit të bëjnë vizita periodike dhe vlerësime periodike të fëmijëve”- shprehet Haxhiu. Vetëm një ditë më parë specialistët më të mirë në fushën e shërbimeve terapeutike nga e gjithë Shqipëria mbi çrregullimin autik deklaruan shifrat e prekjes, problematikat në shërbime dhe modelet e integrimit tek individët me këtë diagnozë. Doktor Ariel Çomo, drejtues shkencor i Qendrave Rajonale për Autizmin në Tiranë, tha: “Dikur flisnim për 1 në 150 fëmijë, ndërsa tani flasim për 1 në 59 fëmijë. Këtë vit kanë bërë edhe matje nëpërmjet pyetjes së drejtpërdrejtë të prindërve nëpër familjet shqiptare, e iu del se mund të jemi edhe në shifrat 1 me 40”. Për specialistët e shëndetit shprehen se dekada që vjen i ka sfidat madhore të lidhura me Autizmin e adoleshencës dhe moshave më të mëdha, pasi sipas tyre mungojnë modelet fitimtare, mungojnë burimet njerëzore dhe dija specifike. Por, për mjekët, vetëdija ndër prindër është shumë më e madhe. Këtu është edhe shpresa më e madhe. Ndërkohë që sipas mjekëve ende mbetet sfidë integrimi në arsim. “Fëmijët me autizëm e kanë vendin te sistemi i edukimit, në kopshte apo në shkolla. Dekada që vjen, me sa duket do të ketë një vëmendje të shtuar, me shumë gjasa do të avancojë te moshat adoleshente. Njerëzimi di pak sesi të merret në mënyrë shumë specifike me këta adoleshentë, apo rritjen e hershme, apo të rriturit”, tha më tej Ariel Çomo. Në mesazhin e saj Doktoreshë Liri Berisha pasi bëri një përshkrim të përmbledhur të nismave dhe përpjekjeve të fonacionit në rrugëtimit gati 12-vjeçar në fushën e Autizmit u shpreh se nevojat për këtë komunitet janë ende të mëdha.

Zbulimi

Në informacionin zyrtar të Institutit të Shëndetit publik evidentohet se si një nga simptomat e para të autizmit është kontakti me sy, kur fëmija i largohet çdo lloj kontakti me sy me fëmijë të tjerë, po ashtu edhe me prindërit. Rol me rëndësi është diagnostikimi i hershëm i autizmit që në moshën 2-vjeçare, sepse terapitë do të kenë me shumë sukses sesa kur ato fillojnë më vonë. Fëmijët autistë zakonisht nuk diagnostikohen para moshës dy vjeç, por disa fëmijë fillojnë të tregojnë shenjat e autizmit edhe para kësaj moshe.

Çfarë e shkakton autizmin?

Shumë studime janë përpjekur t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje. Në pak raste autizmi është shenjë e një problemi gjenetik, i tillë si X i Brishtë, megjithatë në shumë raste nuk njihen shkaqet. Aktualisht, autizmi mendohet se shkaktohet nga një kombinim i gjeneve dhe faktorëve mjedisorë. Ende nuk ka të dhëna që autizmi shkaktohet nga diçka që prindërit kanë apo nuk kanë bërë para apo gjatë shtatzënisë, apo ndërsa kujdesen për fëmijën e tyre.

Si diagnostikohet autizmi?

Diagnoza e autizmit bazohet në sjelljet e fëmijës. Aktualisht, nuk ka ndonjë test mjekësor (për shembull analizë gjaku, rreze x etj.), që do të ndihmonte në diagnostikimin e autizmit. Mjekët mund të këshillojnë teste gjenetike për të gjetur një shkak gjenetik, si dhe mund të rekomandojnë teste apo studime të tjera që ndihmojnë në përcaktimin e kushteve të tjera shëndetësore të cilat mund të jenë të pranishme. Kur profesionistët konstatojnë se fëmija ka autizëm apo diagnoza të lidhura me të, problemet vlerësohen në tri hapësira: ndërveprimi social, komunikimi dhe sjelljet/interesat jo të zakonshëm.

Kujdes!

Ky fëmijë veçanërisht nuk ka kërkesa, pothuajse asgjë nuk kërkon apo nuk merr ato që i ofrohen, ai shërbehet vetëm me gjërat që do. Nuk frikësohet nga personat e panjohur, ende pa i mbushur 1 vjet. Nuk vë në vëmendje largimin e së ëmës apo personit të afërt nga vendqëndrimi, ende pa i mbushur 2 vjet. Nuk luan lojëra të konvertimit dhe nuk i përdorë lodrat si zëvendësim për gjëra. Shfaq shenja zemërimi pa arsye të veçanta, të qarta. Lidhet shumë për rutinën ditore dhe nuk i pranon ndryshimet. Natyrisht, si rregull ndonjë nga këto shenja në vetvete, nuk do të thotë ndonjë gjë (ose mund të jetë shenjë e ndonjë çrregullim tjetër), por, në qoftë se ka më shumë shenja, kontaktoni me mjekun tuaj. Sa më parë, aq më mirë. Kjo është e provuar shkencërisht, që ndërhyrja e hershme mund të përmirësojë ndjeshëm rezultatin e jetës së personave me autizëm.

Çrregullimi

Autizmi është një çrregullim i trurit që diagnostikohet normalisht në fëmijërinë e hershme, është çrregullim i zhvillimit, i cili shfaqet afërsisht tek 0,005% e fëmijëve, prej të cilëve 80%, fëmijë të gjinisë mashkullore. Shenjat e para të autizmit shfaqen në tri vitet e para të jetës e më shpesh në muajt e parë. Simptomatik është kur fëmija nuk reagon ndaj ngacmimeve të jashtme. Prindërve mund t’iu duket sikur fëmija nuk dëgjon apo shikon. Po ashtu, në rastet kur fëmija nuk tregon interes për rrethin familjar, apo kur shikon, ndërsa shikimin e ka të zbrazët, dëgjon, dhe është indiferent ndaj zërave. Nuk u buzëqesh anëtarëve të familjes, dhe qesh me vetveten. Te fëmija autik çrregullohet ushqimi, por edhe fjetja. Kur këto çrregullime shfaqen të ndara, nuk janë tregues të autizmit, mirëpo, kur manifestohen (shfaqen) në të njëjtën kohë, atëherë ka arsye për shqetësim.

Shenjat

Si një nga simptomat e para të autizmit, është kontakti me sy, kur fëmija i largohet çdo lloj kontakti me sy me fëmijë të tjerë, po ashtu edhe me prindërit. Rol me rëndësi është diagnostikimi i hershëm i autizmit që në moshën 3-vjeçare, sepse terapitë do të kenë më shumë sukses sesa kur ato fillojnë me vonë. Duhet përmendur se mjekësia deri në ditët e sotme nuk ka mundur të identifikojë shkaktarin e autizmit, përkundër përpjekjeve të mëdha që po bëhen. Një pjesë e fëmijëve autikë shfaqin shkallë të lartë të dhuntive në sfera të ndryshme, si në muzikë, art dhe ndonjëherë edhe në matematikë.

Të folurit

Edhe nëse janë shumë të vegjël për të folur, fëmijët tipikë bëjnë çmos dhe çfarëdo në mënyrë që të tërheqin vëmendjen e edukatorëve të tyre. Ata buzëqeshin, lëvizin këmbët dhe duart etj. Një fëmijë që nuk bën ndonjë përpjekje për t’u lidhur me të tjerët, mund të jetë autist.

Sy të përhumbur

Foshnjat në moshën dymuajshe, do të duhej të fillonin kontaktin me sy. Gjer në moshën një apo dy vjeç, nëse fëmija juaj duket i painteresuar që t’i shikojë gjërat (duke përfshirë edhe gojën), më shumë se sa në sy, kjo është shenjë që tregon që fëmija mund të jetë autist.

Kujtesa

Fëmija në moshën gjashtëmuajshe, do të duhej të kthejë kokën kur dikush e thërret në emër. A i injoron fëmija juaj, thirrjet tuaja apo ju shikon shumë rrallë? Kjo është një shenjë paralajmëruese.

Buzëqeshja

Buzëqeshini fëmijës dhe ai do të duhej t`ua kthej po ashtu me buzëqeshje – së paku në shumicën e kohës. Foshnjat e bëjnë këtë që në moshën dymuajshe. Nëse fëmija nuk ua kthen fare buzëqeshjen apo të qeshurat, kjo gjë do të duhej t’ju alarmonte.

Lojërat

Fëmijët autistë shpesh do të bëjnë gjëra të çuditshme me lodrat e tyre. Ndoshta do i rrotullojnë, shkundin apo çmontojnë – dhe këtë do ta bëjnë pa ndonjë kuptim apo dobi.

Ecja në gishtërinj

Shumica e fëmijëve ecin në gishtërinj kur ende nuk kanë filluar të ecin vet, apo kur janë përreth tavolinave apo divaneve. Disa fëmijë këtë e bëjnë edhe më vonë, por për argëtim. Por, nëse fëmija juaj ecën në gishtërinj shumicën e kohës, dhe nëse e shihni që nuk po mundet ta përballojë këtë se thembra po i bie, do të duhej të brengoseni.

Imitimi

Foshnjat dhe fëmijët e vegjël kanë dëshirë t’i imitojnë sjelljet e të tjerëve. Në atë mënyrë mësojnë të buzëqeshin, të hanë, të luajnë. Fëmija me shenja autizmi, i imiton të tjerët shumë rrallë. Në vend të kësaj, ata vetëm vëzhgojnë dhe nuk imitojnë. Fëmijët autistë kur fillojnë t’i imitojnë të tjerët, këtë nuk e bëjnë për arsye të lojës shoqërore.

Prindër-mësues

Të jenë këmbëngulës. Fëmijët me autizëm e kanë të vështirë që informacionin e marrë në një mjedis ta riprodhojë në një mjedis tjetër. Të jenë mbështetës. Krijimi i një mjedisi të qëndrueshëm, është mënyra më e mirë për të përforcuar të mësuarit. Të dinë të shpërblejnë fëmijën për sjelljet e mira. Çdo fëmijë tenton të shfaqë më shpesh sjelljet që prindërit ia përforcojnë duke i shpërblyer, lavdëruar, vlerësuar. Të krijojnë një hapësirë të sigurt në shtëpi. Ndërtoni një hapësirë private në shtëpinë tuaj, ku fëmija juaj mund të pushojë, dhe të ndihet i sigurt. Kjo do të përfshijë organizimin dhe vendosjen e kufijve. Të gjejnë kohë për argëtim. Gjeni gjithnjë kohë për të qëndruar me fëmijët dhe për t’i argëtuar ata.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Denoncimi i PD: Fatmir Xhafaj ndryshoi ligjin për të mbrojtur vëllanë

Denoncimi: Pa transparencë dhe në konflikt të pastër interesi, Fatmir Xhafaj propozoi...
Read More