Ja kufijtë e Shqipërisë etnike: Studimi që nuk duhet humbur

Punimi i profesor Ahmet Gashit për Shqipërinë etnike dhe harta e Shqipërisë së vërtetë

Përgatiti: Veli Haklaj

Në Arkivin Qendror të Shtetit, Tiranë, në Fondin 144 – Koleksioni i hartave, administrohet dosja nr. 3, me afat ruajtje të përhershëm, me 42 fletë, e cila përmban hartën Shqipnija e Vërtetë, punuar nga Prof. Ahmet Gashi, si dhe një studim të tij me titull Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, përgatitur më 1941. Në kohën e përgatitjes së këtij studimi, prof. Ahmet Gashi, së bashku me Hamit Kokalarin, Hamdi Karazin dhe Memduh Rivenin, ishte pjesë e stafit teknik të Komisionit për Rivendikime Shqiptare, që kryesohej nga Fejzi Alizoti. Kontribut teknik pranë këtij komisioni dhanë dhe personalitete të tjera shqiptare, si Mehdi Frashëri, Dhimitër Berati, Ferhat bej Draga, Tahir Shtylla, Rauf Fico etj. Rrethanat dhe arsyet e përgatitjes së këtij studimi do të jenë objekt i një publikimi tjetër.

Prof. Ahmet Gashi (1888-1977) – Veprimtar i lëvizjes dhe i arsimit, gjeograf dhe historian, Mësues i Popullit, lindi në Prishtinë në një familje me tradita patriotike. Pasi mbaroi Normalen e Shkupit, u diplomua Profesor i Historisë e Gjeografisë në Universitetin e Stambollit (1910). Nga viti 1910 – 1964 ka punuar si mësues në Normalen e Prishtinës, Normalen e Elbasanit, Institutin Femëror “Nâna Mbretneshë”, Gjimnazin “Sami Frashëri” Prishtinë, në shkolla të niveleve të ndryshme në Tiranë.

Ahmet Gashi ka dhënë ndihmesë si autor i një sërë veprash shkencore në fushën e studimeve dhe të teksteve të gjeografisë. Ahmet Gashi ishte i pari gjeograf shqiptar i pranuar si anëtar i Shoqatës Nacionale Gjeografike (The National Geographic Society, Washington D.C.) më 1936; është dekoruar me “Urdhërin e Lirisë” të kl. I, me Urdhrin “Për veprimtari patriotike” të kl.I. Përpiloi dhe botoi disa harta gjeografike dhe historike, ndër to hartën “Shqipëria në vitet 1878-1881”, “Kryengritjet shqiptare për pavarësi në vitet 1909-1912”, “Lëvizja kombëtare shqiptare e vitit 1908”.

Harta Shqipnija e Vërtetë paraqet shtrirjen etnike të shqiptarëve në shkallën 1 me 200 000 dhe shoqërohet me studimin e Prof. A. Gashit: Shqipnija ethnike edhe vuajtjet e shqiptarëve në Shqipnin e robnueme, nga i cili po paraqesim pjesët kryesore për lexuesin e gazetës “Mapo”, duke ruajtur gjuhën origjinale të dokumentit. Kujtojmë se pas kapitullimit të Jugosllavisë, në prill 1941, Mbretëria Shqiptare u zgjerua në një pjesë të trojeve shqiptare të shtrira në Kosovë, Maqedoni, Malin e Zi, ku shtriu dhe veprimin e pushtetit politik, ushtarak dhe administrativ.

Vlera e këtij studimi është e shumëfishtë dhe aktuale, në një kohë kur diskutimet, kundërshtitë, argumentet dhe kundërargumentet për korrigjimin e kufirit Kosovë-Serbi, apo shkëmbime territori janë intensifikuar në Kosovë, Serbi, Shqipëri, Evropë, SHBA etj.

Në vijim ndiqni pjesë nga studimi.

Kufijt e Shqipnis Ethnike 

  1. Kufini perëndimuer.

Në këtë anë Shqipnija Ethnike laget me detin e Jonisë dhe me atë të Adriatikut, qysh prej Prevezës (38057 gjerësi veriake) e deri te sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) mbi gjiun e Spizzes (4208 gjerësi veriake). Gjatësia e brigjeve në këtë anë është 651 km. 

  1. Kufini veri-perëndimuer

Ky kufi fillon të sqepi i Luftës së Zezë (Crnirat) në bregun e Adriatikut dhe mbaron te maja e Jankovit (43020 gjerësi veriake dhe 37056gjatësi lindore prej Ferro-s)

Vija e këtij kufini fillon, si u tha, te sqepi i Luftës së Zezë edhe tue kaluem nëpër majat e qafat e shënueme me numurat 157, 927, 646, 1183, 844, 1160 e 993, mbërrin te sqepi i Radushit në bregun e Liqenit të Shkodrës, me një drejtim deri këtu J.P.-V.L. (këto shënime ndiqen mbas hartës me shkallë 1/200 000 të K.U.K Militargeographisches Institut, Wien 1909). Kjo vijë, nëpër Liqenin e Shkodrës, drejtohet nga veri-perëndimi prej sqepit të Radushit e deri te goja e lumit të Moraçës, edhe e len Vraninën mbrenda në Shqipni. Prej gojës së atij lumi e mbasandej i ngjitet kreshtës së maleve të Bobinjës (Bobonja Gore), shkon me këtë, zbret nëpër qafat e atyne maleve dhe e këput rrugën Podgoricë-Cetinjë në kuotën 222. Prej këndej shkon nëpër kuotat 439 e 375 (afër Buronjës) edhe, si bân një brryl të mprehtë në majën 620 (mali i Busonikut) kthen nga veriperëndimi deri në katundin e Komonit, të cilin e merr mbrenda në Shqipni. Prej këtu vija ngjitet nga veriu i len përjashta katundet e Bandiçit, të Melencit e të Donjit, kthen nga verilindja tue marrë përmbrenda katundet e Jestrebit e të Donje-Selos, mbërrin te maja 212 në perëndim të katundit të Gliziça-s edhe shkon deri te kuota 905 në veri të katundit të Gostiljes. Prej këndej varet drejt juglindjes tue ndjekun kreshtat e malit të Piprit (Piperska), sos te maja 479 në veri të katundit të Shtijena-s, kthen mandej nga lindja edhe, pranë katundeve të Petroviçit e të Blizna-s, të cilët i fut mbrenda kufinit, pjek me lumin e Moraçës, të cilin e ndjek nga veriu deri në majën e Buljes (190) në jug të katundit të Dumaçina-s. Prej këndej te vija e kufinit ndjek përronin e Sjevernica-s, kalon malet e Gradishtës deri në Ostrovicë (1167) edhe e këput më tutje lumin e Tara-s pranë kuotës 1025 për me u zgjatun nga verilindja ndërmjet maleve të Bukovës e të Reçinës; mbasandej shkon tue u ngjitun kreshtave të malit të Planinica-s deri në Piolljan (1900), 10 km në lindje të Kolashinit, ngjitet nga veriu tue kaluem nëpër kuotat 1145, 1106 e Bjolavicë (2117) edhe mbërrin në Kryezi (Crna Glava). Prej këndej e deri te maja e Marinkova-s (1950), vija e kufinit ndjek një pjesë të kufinit të vjetër turko-malazez para 1912-ës. Në Marinkovë dredhon pak nga verilindja, kalon nga lindja e katundve të Rakitnica-s e të Noviçit hypen në kuotën 581, bân një bërryl të mprehtë, shkon drejt veriut tue marrë katundet e Tripishica-s te Nikolacit përmbrenda e tue lânë përjashta qytetin e Bjolopoljes (Akova), ndjek gjithnjë lumin e Limit deri te katundi i Metanacit të cilin e len jashtë edhe mbasandej merr nga verilindja nëpër kreshtat e maleve të Gimçeva-s, të Duboçiça-s, të Visoçka-s e Treshnjevica-s e mbërrin në kuotën 950, mu te karakolli i Trebinjës në veriperëndim të pllajës së Peshterit. Prej këndej vija merr nga lindja gjithnjë përmbi kreshtën e maleve të Trebinjës, deri te përroni i Jablanicës, kalon përmbi katundin e Rezhdeginjes (Rezh dagiç), të cilin e fut përmbrenda, drejtohet nga verilindja tue ndjekë përronin e Kijevca-s edhe atë të Klisara-s që bashkohet me të parin, kalon përmbi Kokoshiçin, mbërrin në katundin e Bernjices edhe pjek (takon), në kullën e Osman Pashës, me kufinin e vjetër turko-serb para 1912-ës, të cilin e ndjek te maja e Jankovit (1931). Këtu mbaron kufini veriperëndimuer i Shqipnisë Ethnike.

Gjatësia e kufinit veriperëndimuer është 170 km, me vija ajrore dhe afër 220 km tue shkue mbas vijave të shtrembta të kufinit. Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare të humbuna më 1878 të Ulqinit, të Tivarit, të Podgoricës (Zetes-s), Hotit, Grudës, Kuçit, Triepshit, Piprit, Plavës, Gucines, Beranes, Bistricës, Pejës, Rugovës, Rozhajës, Peshterit e Pomerenikut. 

  1. Kufini veri-linduer

Kjo pjesë e kufinit të Shqipnisë Ethnike shtrihet prej majës së Jankovit deri në Gradnja (42042gjânësi veriake edhe 39032 gjatësi lindore prej Ferro-s).

Në rast se nuk do të kërkohen tokat shqiptare të krahinave të Kurshumlis, të Prokupjes e të Leskovces, të ish-vilajetit të Nishit, që na kanë marrë serbët më 1878, vija e kufinit ndjek, njâ 230 km, deri në Trstene (952), vijën e kufinit të vjetër turko-serb para luftës Ballkanike të 1912-ës; kjo gjatësi e kufinit turko-serb nuk po shpjegohet këtu, mbasi edhe dihet prej të gjithëvet. Kjo vijë përmbledh kufinin me Serbinë të prefekturave të Jenipazarit (Novipazarit) e të Prishtinës, ose Dukagjinit (shih fjalorin e Bardhit shkruar më 1650) simbas të ndameve të Perandorisë Osmane. Trstene, vend ku ndahet vija e kufinit të Shqipnis ethnike prej kufinit të vjetër turko-serb, ndodhet 46 km, në lindje të Prishtinës me vijë ajrore ose 36 km në veri-lindje të Gjilanit. Tash vija e kufinit qysh prej Trstena-s e deri në Gradnja (afër 10 km e gjatë) ndjek së pari drejtimin e lindjes deri në katundet e Vlases e të Gradnja-s ku dhe mbaron.

Kjo vijë e kufinit verilinduer përmbledh të tânë krahinën e ish-prefekturave të Jenipazarit e të Prishtinës të humbuna më 1912 edhe një pjesë të kazasë së Vranjës të humbuna më 1878, me qytetet e Jenipazarit, të Mitrovicës, Vuçiternit, Prishtinës, Podujevës, Ferizajt, Gjilanit etj.

Në rast se kanë me u kërkue tokat shqiptare, të humbuna më 1878, të krahinave të Kurshumlis, të Prokupjes e të Leskovces (sikundër po kërkohen krahinat e Tivarit, të Ulqinit, të Podgoricës, të Vranjës etj.), atëherë kufini veri-linduer ndërron trajtë. Kjo vijë kufini për të tri krahinat e përmenduna në tokë thjesht shqiptare deri më 1878, e shënueme në hartat e paraqituna me vija të këputuna, ndahet prej vijës së kufinit veri-linduer në majën e Tumba-s (1471), në veri të katundit të Beloçiça-s së Kopanikut, ndjek së pari përronin e Lukovska-s deri në Mercez, mbasandej kalon nëpër Magove e mbërrin deri në majën 1003. Prej këndej fillon ta ndajë lagjen e lumit të Toplica-s prej lumejvet të tjerë të Serbisë, kalon në kuotat 1225, 1124, 900, 712, 780, 888, nga karakolli i Turqisë (Karakol Turska) kuotat 1191 e 1205, ndjek kreshtën e maleve të Sestrebacit të Madh nëpër kuotat 1400, 1566, 1564, 1255, 1111, 872 edhe kreshtën e Jastrebacit të vogël në kuotat 727 e 1001, varet nga jugelindja nëpër kuoten 846, mbasandej ndjek përronin e Marosinskesve dhe në këtë drejtim shtyhet deri në Moravë edhe takon në këtë lumë pranë Batushnicës. Prej këtu, vija e kufinit ecën gjatë Moravës afër 70 km, deri në Manalje (42045’ gjânësi veriake). Prej këndej shkon nga lindja e katundeve të Kerzinces, të Zitoragjes, të Alakincit, të Surdulica-s Romanovcës së Poshtme, edhe në kuotën 1389 kalon malin e Verdenikut; mbasandej kthen nga jugperëndimi nëpër Vërlostranje (1357), Borovik (1235), (1280), Prisedo (950), Klisurica (1162), 998, 810, Dajkina (820) edhe mbaron në Tibuzhde. Gjatësia e kësaj vije të kufinit mban afër 216 km. Prej majës së Jankovit deri në Tumba është 96 km. Po t’i shtohet edhe kjo gjatësi atëherë kufini veriak i Shqipnisë Ethnike bëhet 312 km i gjatë.

Kjo vijë e kufinit përmbledh qytetet e Kurshumlisë, të Prokupjes (Yrqyp), të Leskovcës e të Vranjës, bashkë me katundet e kazave të tyne.

Shënim i A.Gashit: Lugina dhe e tânë lagjeja e lumit të Toplica-s deri më 1878 ka qenë me katunde e qytete thjesht shqiptare. Në këtë luginë ndodheshin atëherë tre qytete: Kurshumlija, Prokupja dhe Leskovca. Afër 100 000 banorë të këtyne anëve, të solvuem egër prej serbëvet ikën prej andej dhe u vendosën në viset e ndryshme të Kosovës, ku ndodheshin edhe sot ndër ta pleq që i kujtojnë vendet e veta me mallëngjim.

  1. Kufini linduer

Kufini linduer i Shqipnisë Ethnike fillon në Gradnja (42042 gjanësi veriake edhe 39032 gjatësi lindore prej Ferro-s) edhe mbaron në këndin ku bashkohet lumi i Venetiko-s me lumin e Vistrices (39011 gjatësi lindore prej Ferro-s edhe 4003 gjanësi veriake), me gjatësi afër 342 km. Kjo vijë e kufinit linduer fillon, si thamë, me Gradnje e shkon pranë katundeve të Ushecves e të Sikirijes, të cilët i merr përmbrenda, edhe nëpër majat 961, 1320 e 1226 mbasandej vjen nga katundet e Obliçka-Sena-s, të Mostanices e Asatices, që i merr në Shqipni, kalon udhën e hekurt Beligrad-Shkup, shkon nga lindja e banjave të Vranjes (Vranjska Banja) e të Dugatuka-s, kthen nga jugperëndimi edhe shkon nëpër kuotat 810 e 826 deri në Tribuzhdo, të cilën e len në Shqipni. Prej këtu kalon nga veriu i Trebashinjës e shkon në Drovac, varet nga jugu nëpër majat 595, 1515, 529, 903 (në Jablanicë) edhe ndjek lumin e Pçinja-s deri në vendin ku bashkohet me këtë prroni i Kratovës. Mbas kësaj pike, kufini shkon nga juglindja deri në majën 750 e prej këndej dredhon nga jugperëndimi deri në Badere (Bahader), ku piqet prapë në lumin e Pçinjes, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet ky me Vardarin, e mbasandej ndjek lumin e Vardarit për njâ 12 km deri afër katundit të Poshaqoit. Prej këndej kufini kthen e largohet e largohet nga Vardari (nga e djathta), shkon nëpër kodrinat e Hazotit ose Hasit tue e lânë Velesin (Qypryly) përjashta, ecën njâ 4 km me përronin e Topolkës e mbasandej zbret prap në Vardar, të cilin e ndjek deri në vendin ku bashkohet me këtë përroni i Babunes. Qysh këtu vija e kufinit tonë drejtohet nga Jugu deri te maja e Klepa-s (1180); prej këndej kthen nga lindja në jug të Pustogradit edhe pjek me Ujin e Zi (Crne Voda-Karasu), të cilin e ndjek gjithnji (afër 86 km) deri ku bashkohet me këtë përroni i vogël i Stroshnicës.

Prej këndej vija bân një brryl tue ndjekë kreshten e malit të Sterkos, varet nga Jugu, shkon nga lindja e Stera Popadija-s kalon kuotën 1 000, mbërrin në Poteli dhe ndjek deri në Sotir udhën e hekurt që lidhë Selanikun me Manastirin, tue lânë në Shqipni këto pjesë të udhës së hekurt si edhe Panteliun dhe Sotirin. Mbas këtij vendi shkon me përroin e Rudnikut, mbërrin me kalue përmes liqenit me këtë emën (Rudnik), hypën mbasandej nëpër majat 768, 1371, 1838, 1250, shkon nga lindja e Leshnicës edhe pjek me lumin e Bistricës në veri të Melzonices. Me Bistricen ecen njâ 40 km deri në vendin ku bashkohet kjo me degën e vet të Venetikos.

Kjo vijë e kufinit linduer të Shqipnis ethnike përmbledh krahinat lindore shqiptare të humbuna mbas luftës së Ballkanit më 1912. Këto krahina kanë këto qytete bashkë me kazatë e tyne: Jakovën, Prizrenin, Kaçanikun, Vranjen (humbur më 1878), Gostivarin, Tetovën, Shkupin, Kumanovën, Preshevën, Dibrën, Kërçovën, Strugen, Ohrin, Krushevën, Perlepin, Resnën, Manastirin, Follorinën, Kosturin, Naseliçen dhe Grebenenë.

  1. Kufini jug-linduer

Vija e kufinit jug-linduer nis qysh prej vendit ku bashkohet lumi i Bistricës me kâmbën e vet të Venetiko-sve dhe mbaron te goja e lumit të Artës (38042gjatësi lindore 3901 gjânësi veriake) me një gjatësi pothuajse 180 km. Kjo vijë e kufinit prej vendit që u përmend shkon me lumin e Venetiko-s deri në majën 549, mbasandej, tue shkue drejt jugës mbas rrjedhës së një përroni që âshtë degë e Venetiko-s, kalon nga lindja e Kipurjos e shkon gjithnjë nga juga mbas atij prroni deri në Fonike (1288), ku pjek me kufirin e vjetër turko-grek të para 1912-ës, të cilin e ndjek deri te goja e Artës.

Kjo vijë përmbledh krahinat shqiptare jug-lindore të humbuna më 1912. Këto krahina kanë për qendra qytetet e Konicës, të Janinës e të Meçovës.

  1. Kufini juguer

Kjo pjesë e kufinit të Shqipërisë ethnike përbâhet prej brigjeve të gjiut të Artës. Këto brigje të përthyeme tepër kanë një gjatësi pothuajse 93 km, qysh prej gojës së lumit të Artës e deri te qyteti i Prevezës.

Kjo vijë përfshin krahinën e Pogonit me qytetin e Voshtinës edhe krahinat e Sulit e të Çamëris me qytetet e Filatit, të Ajdonatit, të Margëllëçit, Pargës, Lurosit, Filipiadhës e të Prevezës.

(VIJON NË NUMRIN E ARDHSHËM)

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

MADAME MAPO/ Julinda Emiri: Plane nuk kam, por kam ambicie

Arti është ushqim për mendjen dhe kënaqësi për shpirtin, e veçanërisht arti...
Read More