INTERVISTA/ Zef Preçi: Varfëria, mungesë e vizionit të qeverisë

Politika dhe ekonomia duhet të jenë në ekuilibër, kur ky ekuilibër prishet dhe predominon politika, në ekonomi krijohet një situatë pasigurie. Kështu mendon eksperti i ekonomisë Zef Preçi në një intervistë për gazetën MAPO mbi situatën ekonomike në vend, raportet për varfërinë e punësimin.

Zoti Preçi, sa dhe si ndikon gjendja politike në ecurinë e ekonomisë?

Si kudo në botë, ekonomia dhe politika ndërveprojnë midis tyre. Kur ato janë në ekuilibër predominon ekonomia dhe politika e mbështet rritjen dhe zhvillimin e saj. Ndërsa kur prishet ky ekuilibër, d.m.th. kur politika predominon ekonominë, krijohet një situatë pasigurie dhe rritet frika tek investitorët sidomos në radhët e të huajve, shtohet mosbesimi ndaj institucioneve të shtetit, frenohet konsumi etj. Kjo situatë e ndikimit të politikës mbi ekonominë është më e dukshme në vendet me institucione të dobëta, thellësisht të politizuara dhe korruptuara si tonat. Kjo ndodh, si rregull, në periudhat parazgjedhore kur aktorët kryesorë politikë, në mungesë të alternativave konkurruese politike përdorin tensionimin e situatës në vend si mjet për mobilizimin e militantëve partiakë, si dhe për të rritur pjesëmarrjen e qytetarëve në votime. Ndërkaq nuk duhet përjashtuar rreziku i shkrehjes së punës nga ana e administratës publike, përkeqësimi i mbledhshmërisë së tatim-taksave, rritja e ineficiencës dhe korrupsionit në procesin e prokurimit publik etj. Ndërkaq, lëvizja e pazakontë e opozitës duke bojkotuar Kuvendin e Shqipërisë “en block” mendoj se ka krijuar një situatë të re, momentalisht pa ndonjë ndikim të dukshëm në ekonominë e vendit, por me plot të panjohura për periudhën në vijim.

Si e shpjegoni paradoksin e një ekonomie në rritje ndërkohë që kreditimi është në rënie?

Kjo nuk është një situatë e re as në vendin tonë dhe as në vende me kushte social-ekonomike dhe strukturë të ekonomisë të ngjashme me tonën. Siç tregojnë studimet në periudha afatgjata, rritja ekonomiken në nivelet më pak se 6 për qind në vit nuk shoqërohet me çeljen e vendeve të reja të punës, dhe se në rastin tonë ecuria pozitive e tre-katër viteve të fundit, përveçse rifillimin e rritjes mbas krizës ekonomike globale, ka qenë e bazuar kryesisht në një apo dy projekte investimesh të huaja të kontraktuara një dekadë më parë dhe madje edhe viti që sapo ka filluar do të ketë përfitimet e rastit nga këto investime. D.m.th. ajo çfarë ka ndodhur në rastin e ekonomisë sonë gjatë gati një dekade provon ekzistencën e një lidhjeje të fortë vartësie midis shtimit të pranisë së investimeve të huaja dhe rritjes ekonomike. Ndërkaq, vlen të theksohet se kjo situatë provon edhe faktin tjetër se gjatë të njëjtës periudhë, është thelluar pabarazia sociale, duke sjellë një profilim më të qartë të klasës së pasur të vendit, pjesë thelbësore e së cilës është ajo që rëndom quhet “oligarkia”, është tkurrur më tej klasa e mesme si dhe është shtuar numri i të varfërve apo familjeve në kufijtë e varfërisë. Por kreditimi i ekonomisë reale duket se është ndikuar dukshëm edhe nga pakësimi absolut i numrit të konsumatorëve – janë larguar gjatë një dekade më shumë se 500 mijë vetë, kryesisht në moshën aktive të punës – si dhe politika e mosrritjes së pagave e ndjekur për një kohë të gjatë si nga qeveria ashtu edhe nga sektori privat që dukshëm ndikon vendimmarrjen e kësaj të fundit për politikat sociale që ndjek. Nga ana tjetër, disa politika kontradiktore të qeverisë nën ndikimin e rregullatorit të sistemit bankar, siç janë ndryshimet në ekzekutimin e kolateralit duke fuqizuar pozitën e bankave dhe institucioneve jashtë sistemit juridik të vendit, si dhe heqja dorë nga pranimi i deklarimeve konfidenciale të bizneseve si pjesë e aplikimit për hua bankare, kanë vështirësuar marrjen e riskut, d.m.th. të huave, nga komuniteti i biznesit dhe familjaret.

Sa rrezikohet ekonomia nga pastrimi i parave të krimit. Cilët sektorë janë të ekspozuar?

Kjo çështje është trajtuar gjerësisht në raportet e agjencive të specializuara ndërkombëtare, por deri diku edhe në ato të vendit dhe ndoshta nuk ia vlen të ndalemi gjatë. Tashmë është plotësisht e konfirmuar se sektorë të tillë të ekonomisë si ndërtimi, lojërat e fatit dhe sistemi bankar janë ndër sektorët më të ekspozuar të ekonomisë sonë kombëtare. “Boom”-i i lejeve të ndërtimit dhe sidomos qiellgërvishtësit në një treg të mbingopur, rritja e çmimeve të sipërfaqeve rezidenciale dhe atyre të biznesit përtej kërkesës modeste të tregut për këto sipërfaqe, kryerja e transaksioneve në tregun imobiliar kryesisht në cash dhe përmes zyrave noteriale, por pa mundur të justifikojnë burimet e financimit për qindra miliona dollarë, e ekspozojnë sektorin e ndërtimit si sektorin lavatriçe të parave të pista në Shqipëri. Janë të gjitha gjasat që nën një presion të lartë nga këto para është edhe infrastruktura publike, d.m.th. të ashtuquajturit “Partneritete Publike-Private”, d.m.th. mundësimi i investimeve private në sektorin publik, kryesisht në projekte klienteliste të qeverise, projekte të pakërkuara, përtej kapaciteteve ripaguese dhe prioriteteve të buxhetit të shtetit, projekteve të parakohshme e ndoshta disa prej tyre edhe plotësisht të panevojshme. Për lojërat e fatit nuk ia vlen të ndalesh, përveç faktit se mbyllja e disa kategorive të këtyre lojërave ngjan më shumë si “mbyllje loje” në një treg gjerësisht të pranuar si gjenerator korrupsioni dhe evazioni fiskal, njëlloj “reshufling” i këtij tregu, për të cilin askush nuk mund të thotë me siguri se çfarë volumi qarkullimi kishte dhe ka, por që dihet se elita politike dhe e biznesit ka interesa të mëdhenj të derisotme dhe në periudhat që vijnë. Siç dihet, gjatë katër-pesë viteve të fundit struktura e pronësisë e sistemit bankar në vendin tonë ka pësuar ndryshime thelbësore dhe aktualisht Shqipëria është një nga vendet e rralla në botë, në të cilin operojnë banka me origjinë nga parajsat fiskale, e tash së fundi edhe një numër sipërmarrjesh vendase, kryesisht nga radhët e oligarkëve janë bërë e po bëhen aksionerë dhe pronarë bankash. Kjo situatë shton risqet e këtij sektori për t’u përfshirë në veprimtari të paligjshme për periudhat që vijnë.

Viti 2018 u mbyll me mosrealizim të të ardhurave tatimore, sa rrezikojmë në 2019?

Kjo është një situatë që përsëritet thuajse nga një vit në tjetrin dhe qeveria detyrohet të rishikojë buxhetin përmes akteve normative në pjesën e dytë të vitit duke bërë njëlloj përputhjeje apo përafrimi planit dhe të ardhurat e pritshme dhe “viktima” në këtë rast janë shpenzimet dhe investimet publike. D.m.th. ky rishikim nuk bëhet për të rishpërndarë të ardhurat e pritshme mbi planin fillestar (siç mund të mendojnë shumë veta), apo ndonjë të ardhur suplementare nga privatizimet (siç bëhej në të shkuarën e afërt), por kryesisht për të vendosur shpenzimet dhe investimet publike në “shtratin e Prokrustit”, pak a shumë, siç bëhej me planet pesëvjeçare në kohën e regjimit të shkuar…

Qeveria ka hartuar së fundmi një ligj për rishikimin e kontratave të Partneritetit Publik-Privat. A është hapi i duhur anulimi i këtyre projekteve?

Në vlerësimin tim, “ata që bënë luftën” (d.m.th. që e sollën gjendjen deri në këtë situatë kritike për buxhetin dhe përballë një kërcënimi afatgjatë të stabilitetit makroekonomik të vendit), e kanë të vështirë, në mos të pamundur, që “të bëjë paqen” (d.m.th. të reflektojnë rreth kësaj situate me partneritetet publike-private). Këto do të rendojnë nivelin e jetesës së familjeve shqiptare edhe për disa dekada… Ndërkaq, krijimi i organeve të reja të drejtësisë, me gjithë mosbesimin e madh publik dhe problemet që lidhen me rrezikun e kapjes politike të tyre nga mazhoranca aktuale, nuk mund të mos ketë si objekt të shqyrtimit nga ana e tyre edhe të procedurave të nënshkrimit nga qeveria të këtyre kontratave, të dyshuar politikisht e publikisht si akte korruptive dhe favorizuese që kanë cenuar rëndë buxhetin e shtetit dhe interesat publikë.

Raportet e ndryshme tregojnë se gjysma e shqiptarëve jetojnë me minimumin jetik 5 dollarë ose më pak në ditë. Si shpjegohet gjithë kjo varfëri, ndërkohë që kemi një ekonomi në rritje? Si është jeta e një njeriu në këto kushte?

Mendoj se shkaqet e varfërisë lidhen ngushtë me mungesën e vizionit të qeverisë sidomos sa u takon drejtimeve të përmirësimit të klimës së biznesit dhe thithjes së investimeve të huaja direkte në vend; problemet pezull në fushën e të drejtave të pronësisë; me mungesën e respektimit të detyrimeve kontraktuale; paqartësitë në politikat sektoriale, me dobësimin e kontributeve të emigracionit që për më shumë se dy dekada ka kompensuar mungesën e politikave sociale sidomos në drejtim të nxitjes e të punësimit, vetëpunësimit dhe biznesit familjar.

Çdo fushatë elektorale flitet vetëm për hapje vendesh të reja pune. Në fakt çfarë po ndodh me shifrat e punësimit në vend? A kemi më pak të papunë se janë hapur vende të reja pune apo ka më shumë emigracion të krahut të punës?

Personalisht nuk dëshiroj të komentoj gjate në këtë aspekt, mbasi besoj se fushatat elektorale te ne janë të bazuara në gënjeshtra, në rrënimin e imazhit të grupimit tjetër politik, ndërsa sjellja e qeverise mbas marrjes se mandatit është diçka krejt tjetër dhe e kundërt me premtimet e Fushatës elektorale. Kjo ndodh edhe në zgjedhjet administrative, njëlloj si në ato politike, është në ndërgjegjen e secilit qytetar që të sillet si zgjedhës dhe jo thjesht si votues-dele i kohës së socializmit, që të marrë përgjegjësi dhe jo vetëm të votojë, por edhe të kërkojë llogari për zbatimin deri në një të programit politiko-qeverisës nga ata që marrin përsipër të qeverisin fatet e vendit. Përndryshe, hemorragjia e braktisjes së Shqipërisë rrezikon të vazhdoje pa ndalim…

Shqipëria vijon të jetë një tokë e pashkelur për investimet e huaja, të cilat janë sporadike më shume se sa një tendencë. Pse nuk ka investime të huaja të mëdha dhe serioze në vend, çfarë i pengon?

Mungesa e pranisë së investimeve të huaja perëndimore (brand names) mendoj se lidhet kryesisht me keqqeverisjen, me korrupsionin galopant të institucioneve shtetërore, me sistemin juridik jofunksional të vendit, me ndikimin paralizues të oligarkisë në vendimmarrjen e qeverisë dhe ligjbërjen e Kuvendit. Po kështu, kjo mungesë lidhet me zvogëlimin e numrit të konsumatorëve, me rreziqet e paqëndrueshmërisë politike të rajonit të Ballkanit Perëndimor etj.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Oligarkia e vërtetë është ajo politike

Nga Ervis Iljazaj Ka disa kohë, që në fjalorin publik, nga ata...
Read More