IN MEMORIAM/ Regjisori që na tregoi se ‘çdo marrëdhënie seksuale është e dënuar’

Pasi fitoi reputacion si një prej regjisorëve më të mëdhenj italianë të gjeneratës së tij, Bernardo Bertolucci, që vdiq në moshën 77-vjeçare, fitoi famë në mbarë botën me filmin e vitit 1972, “Tangoja e fundit në Paris”, kryesisht si rezultat i skenave të forta seksuale. Duke paraqitur një marrëdhënie të dhimbshme, pa dashuri dhe pa gëzim mes një amerikani në mesomoshë (Marlon Brando) dhe një francezeje të re (Maria Schneider), Bertolucci tregoi se ‘çdo marrëdhënie seksuale është e dënuar’.

15 vjet më vonë, Bertolucci fitoi triumfin më të madh ndërkombëtar me filmin “Perandori i fundit” (1987), që mori nëntë çmime Oscar. Sipas Bertoluccit, kinema është një ‘gjuhë e vërtetë poetike’, një pretendim që justifikohet nga shumë prej filmave të tij. Ai e nisi si poet me koleksionin “Në kërkim të misterit”, që fitoi çmimin “Viareggio” në vitin 1962, ashtu siç kishte bërë babai i tij më parë.

Ai ishte djali i Attilio Bertoluccit, një poet i njohur italian, dhe Ninetta, një mësuese shkolle. Kur ishte i vogël, shoqëronte shpesh babanë në kinema në Parma, një qytet ku lindi dhe u rrit dhe nisi të bënte filma 16 mm kur ishte 16 vjeç. Përmes babait u njoh me Pier Paolo Pasolini, dhe kur Pasolini bëri filmin e tij të parë, ‘Accattone’ në vitin 1961, e punësoi si asistent.

Një vit më vonë drejtoi filmin e tij të parë, “La Commare Secca”, bazuar në një histori prej pesë faqesh të Pasolinit. Aty tregohej historia e hetimit për vrasjen e një prostitute në Romë, parë nga perspektivat e njerëzve të ndryshëm. Reputacioni i tij u përmirësua ndjeshëm kur bashkoi forcat me kinematografin Vittorio Storaro. Pasi publikoi filmin “Tangoja e fundit në Paris”, Bertolucci u padit nga një gjykatë në Bolonja për realizimin e një filmi pornografik. Edhe pse iu pushua padia, ai humbi të drejtat civile, përfshi të drejtën e votës për pesë vjet, dhe gjykatat italiane urdhëruan që të gjitha kopjet e filmit të shkatërrohen. Vitet e fundit, filmi është rrethuar sërish nga debatet pasi Schneider deklaroi se nuk kishte dhënë konsensus për disa skena.

Vlerësimi botëror që mori filmi dhe fitimet në arkën e biletave bënë që Bertolucci të kishte burimet e nevojshme financiare për të nisur një udhëtim të gjatë profesional me disa filma të ndryshëm. Ai shkoi në Kinë për të xhiruar filmin “Perandori i fundit” në anglisht. Ishte i pari film perëndimor që do bëhej i gjithi në Kinë me pjesëmarrjen aktive zyrtare kineze. Biopiku i Pu Yi, perandorit të fundit të Kinës ose ‘Birit të parajsës’, që riedukohet nga regjimi maoist, është një histori mahnitëse që mbulonte rreth 60 vite të historisë kataklizmike të Kinës.

Pas dy vitesh qëndrimi në Kinë, Bertolucci përfundoi atë që e quajti trilogjia lindore, një eksplorim i kulturave jo-perëndimore, që e hapi punën e tij ën drejtim të temave ekzistenciale dhe filozofike me ‘Qielli i strehimit’ në vitin 1990, xhiruar në Algjeri, Marok dhe Niger dhe me ‘Buda i vogël’, i realizuar në Butan dhe Nepal.

Pas këtyre sipërmarrjeve të shtrenjta dhe ekzotike, Bertolucci u kthye në terren në shtëpi, duke punuar me projekte më të vogla dhe më intime, fillimisht me “Bukuria e vjedhur”, një film për zgjimin seksual të një vajze adoleshente amerikane në një vilë në Toskana, të banuar nga artistë dhe bohemë, dhe më pas me “Rrethimi”, një film i xhiruar në Romë, që flet për marrëdhëniet mes një pianisti anglez dhe pastrueses së tij afrikane. Ky film, i bërë kryesisht për audiencën italiane, i tha regjisorit një shans për të rizbuluar një lloj spontaniteti në film, të cilin ai ndjeu se e kishte humbur që nga vitet ’60.

Bertolucci më pas tentoi që të trajtonte frymën e kryengritjes së studentëve në Paris në vitin 1968, me filmin “Ëndërrimtarët” në vitin 2003, por ofroi më shumë një sfond për një treshe, në një film ku preokupimi kryesor është seksi.

Për shkak të problemeve me shpinën ai nuk bëri filma për një dekadë. Filmi i tij i parë italian që prej vitit 1981 ishte “Unë dhe ti”, një aferë relativisht modeste me një kast të vogël dhe kryesisht një vend- një bodrum ku është fshehur një djalë adoleshent dhe motra e tij.

Bertolucci la pas gruan e tij të dytë, regjisoren Clare Peploe. Me gruan e parë, aktoren Adriana Asti, ishte divorcuar./Përshtatur nga ‘The Guardian’

Shkruar Nga
More from admin

Moti për ditën e sotme

Shirat e shumtë që kanë rënë gjatë ditës së sotme pritet të...
Read More