Ilir Kalemaj: Një darkë me Shekspirin dhe Borghesin

 

Ilir Kalemaj dallohet për stilin dhe tablotë ndryshe në prozën që shkruan. I angazhuar në mësimdhënie dhe publicistikë, letërsia mbetet kërkimi i tij i hershëm. Më poshtë ai vjen me një rrëfim për librat e zemrës.

Aktualisht, cilët libra keni më për zemër?

Librat e Yuval Noah Hararit. Pas leximit të Homo Sapiens dhe Homo Deus, aktualisht jam duke mbaruar “21 Leksione të Shekullit 21” nga i njëjti autor.

Cili është për ju romani më i mirë i të gjitha kohërave?

Letërsia është thellësisht personale në gjurmën që lë të pashlyer në kujtesë, në momentin që e ke lexuar një vepër. Nëse do të zgjidhja më të dashurin  për mua, do shkoja për “Dashuri në Kohërat e Kolerës” së Gabriel Garcia Markez-it, ndërsa më të mirët nga çfarë kam lexuar do veçoja “I huaji” nga Albert Kamy, “Procesi” i Kafkës dhe “Vëllezërit Karamazov” nga Dostojevski.

Cilat janë për ju tregimet më të parapëlqyera të të gjitha kohërave?

Do veçoja prozën e shkurtër të Borgesit në tërësinë e saj.

Cilët ndër ata që merren me letërsi artistike, eseistë, kritikë, gazetarë apo poetë, quani si shkrimtarët më të mirë sot për sot?

Carlos Ruiz Zafon, Umberto Eco ndonëse ka pak kohë që nuk është më ndër ne, Ismail Kadare, Isabelle Allende, Haruki Murakami, Roberto Saviano.

Çfarë gjinie letrare ju pëlqen të lexoni?

Romanet në përgjithësi por edhe tregimet dhe poezitë. Në këto të fundit jam më selektiv.

Dhe çfarë nuk lexoni?

Në përgjithësi nuk kam lexuar ndonjëherë gjininë e dramës. Më pëlqen ta përjetoj në Teatër dramat e preferuara si Xhaxha Vanja etj.

Çfarë librash mund të na befasojnë po t’i gjejmë në raftet tuaja?

Nuk besoj ka vend për ndonjë befasi të veçantë, pasi pjesën më të mirë të librave sot, i lexon të shkarkuar në Kindle apo Ipad, ndonëse letërsinë preferoj të vazhdoj ta lexoj në versionin klasik. Nëse do veçoja një do zgjidhja një libër me poezi të Alda Merinit.

Kush është heroi ose heroina juaj imagjinare e parapëlqyer?

Avokati Atticus Finch nga libri Të Vrasësh Zogun Përqeshës, të shkrimtares Harper Lee. Odiseja në kërkim të Itakës. Nga fëmijëria Tom Hanks dhe Hakëlberry Fin.

Çfarë lloj lexuesi ishit në fëmijërinë tuaj?

I etur për të shtënë në dorë ndonjë nga klasikët apo librat e shumë diskutuar si ato të Balzakut apo Viktor Hygosë, ndërkohë që të gjeje një libër të rrallë ishte si të kërkoje gjilpërën në kashtë.

A jeni futur ndonjëherë në telashe për të lexuar një libër?

Shpeshherë, gjatë adoleshencës.

Po t’ju duhej të përmendnit një libër që ju ka bërë kjo që jeni sot, cili do të ishte ai?

Mendoj se jam shumatorja e librave dhe eksperiencave që kam kaluar.

Nëse do t’i kërkonit presidentit të lexonte një libër, cili do të ishte ai?

Festa e Cjapit, të Mario Vargas Llosa.

Keni planifikuar një darkë me njerëz të letrave. Cilët janë tre shkrimtarët e ftuar?

Homer, Shekspir dhe Borghes.

Zhgënjyes, i mbivlerësuar, thjesht jo i mirë: për cilin libër mendoni se duhet t’ju kishte pëlqyer, por nuk e bëtë?

Salla e Ujqërve, nga Hillary Mantel që po e lexoj aktualisht.

A ju kujtohet libri i fundit që e keni mbyllur pa mbaruar?

Uliksi, nga James Joyce. Thjesht shije personale. 

Kë do të donit të shkruante historinë e jetës suaj?

Ta shkruaja vetë ose dikush që do të më njihte mirë.

Te cilët libra ktheheni vazhdimisht?

Te librat e shkrimtarëve Amerikano-Jugorë: Borghes, Markez, Allende, Vargas Llosa, Fuentes, Asturias etj.

Për çfarë librash ndiheni keq që nuk i keni lexuar ende?

Biografinë e Leonardo Da Vinci nga Walter Issacson.

Çfarë keni ndërmend të lexoni tjetër?

Jeta fatkeqësisht është shumë e shkurtër për të lexuar gjithë çka dëshirojmë. Por një ëndërr e paplotësuar do të ishte leximi i Komedisë Hyjnore të Dantes.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Vëllezërit korçarë: Nuk kemi kënduar kurrë “playback”

Vëllezërit korçarë, të ftuar në emisionin “Pushime on Top”, kanë treguar për...
Read More