Hulumtim i MAPO: Rama ‘qeveris’ nga dritarja e propagandës virtuale

Edi Rama është shefi i vendit më të varfër në Europë dhe që thyen çdo rekord për transmetime live në TV dhe rrjetet sociale. Kryeministri i 3 milionë shqiptarëve, shpenzon gjithë ditën live dhe është i vetmi në kontinent që ka ndërtuar një televizion të vetin. Gazeta MAPO sjell një hulumtim të bazuar në krahasimin me homologët e Edi Ramës në rajon.

Nga Blerina Gjoka

Kryeministri i 3 milionë banorëve, nga më të varfrit në rajon dhe në Europë, Edi Rama, që shpenzon gjithë ditën live, është siç del nga një hulumtim i shpejtë, i vetmi në kontinent që ka ndërtuar një televizion të vetin. MAPO bëri një krahasim me homologët e rajonit për të parë se sa kohë kalon Rama në TV e në Facebook, dhe na rezultoi që ai jo vetëm i tejkalon të tërë, por haptazi, “qeveris” nga dritarja e tij e propagandës virtuale.

***

“Kujdes kur hapni frigoriferin se mos dal unë prapë, në TV më keni gjithë ditën”. Kështu iu drejtua Edi Rama banorëve të Rrëshenit, gati dy vjet më parë duke bërë autoironi. Nga ajo kohë, jo vetëm që nuk është vetëkorrigjuar në këtë aspekt, por e ka tejkaluar veten disa herë, duke hapur dhe një televizion personal, online, ERTV-në, ku ka punësuar një staf gazetarësh që merren me propagandën e përditshme dhe madje bëjnë intervista me ministrat dhe emisione të posaçme për njerëzit e zakonshëm, reportazhe e dokumentare. Deri këtu, duket sikur nuk ka ndonjë gjë të keqe, por vetëm sa kemi një kryeministër të apasionuar pas rrjeteve sociale, por në fakt nuk mbaron me kaq ky trill. Pas emërimit të Taulant Mukës si zv.ministër arsimi, më saktë pas ikjes së tij dy javë pasi nisi punë, mësuam se edhe në mbledhjet e qeverisë nuk shpenzoheshin shumë energji për varfërinë, apo mungesën e investimeve, ose moshapjen e vendeve të reja të punës, por me ngulm, udhëheqësit diskutonin vizibilitetin në Facebook, ku qortoheshin rëndë ata që nuk kishin sa duhet like dhe share. Sipas dëshmisë së Mukës, në mbledhjet e qeverisë Rama u kërkonte llogari ministrave, jo për rënien e rezultateve, për dështimet e moszgjidhjen e kërkesave të qytetarëve, po për kurbën e ecurisë së tyre në Facebook.

***

Të gjithë shqiptarët që kanë një llogari në Facebook e dinë se çdo i punësuar në administratën socialiste të sotme bën të paktën 3 share në ditë aktivitetet e Ramës apo ministrave të tij. Duket si një punë me kohë të plotë. Mund të rrijë kot tërë ditën një specialist, mund të mos bëjë asgjë një drejtor, por detyrimi për të shpërndarë në rrjet propagandën e shefit të madh nuk i shpëton e për këtë monitorohet rreptësisht. Kjo qeveri mund të jetë një “ekzemplare” në këtë drejtim duke i kushtuar propagandës më shumë energji se sa ka ndodhur më parë me ndonjë qeveri, përjashto regjimin komunist, ku propaganda ishte një nga shtyllat kryesore ku mbahej diktatura. MAPO bëri një kërkim të shpejtë në faqet e Facebook-ut të kryeministrave të rajonit për të parë se çfarë bëjnë homologët e Ramës dhe konstatoi se të gjithë ata kishin një faqe zyrtare në rrjetet sociale ku shpërndanin foto apo video nga takimet apo aktivitetet e tyre, por çdo gjë me masë, pa ulërimë e bujë. Teksa në faqen e Ramës duket si një garë me vetveten se sa klikime dhe like do të marrë çdo video duke angazhuar madje një makineri të tërë njerëzish nga partia dhe administrata, në faqet e homologëve të tyre ka një vizibilitet shumë më të ulët krahasuar dhe për numrin e popullsisë së këtyre vendeve. Faqja e Ramës ndiqet nga afro 1 milion veta dhe çdo video i kalon 100 mijë shikime, qindra komente dhe shpërndarje. Për ta bërë sa më aktive vetë kryeministri shpenzon një kohë të mirë të ditës së tij duke iu kthyer përgjigje komenteve, duke debatuar me njerëzit, apo duke bërë video selfie si përgjigje e pyetjeve të tyre. Faqet zyrtare të kryeministrave të tjerë të Rajonit ngjajnë me njëra-tjetrën për nga menaxhimi, por asnjëra prej tyre nuk përngjason me atë të kryeministrit shqiptar, për nga shpeshtësia dhe cilësia e postimeve. Në këto faqe nuk gjen as transmetime live për orë të tëra, gjë që Rama e bën çdo ditë, sigurisht duke përdorur një strukturë të posaçme, stafi teknik të ERTV, që paguhet nga taksat tona. Në Kosovë, Ramush Haradinaj ka një faqe që ndiqet nga afro 200 mijë vetë dhe përveç fotove të aktiviteteve zyrtare poston dhe foto me familjen, por nuk është aktiv personalisht që t’u përgjigjet komenteve të ndryshme, apo të ketë kujdes të veçantë për cilësinë e imazhit dhe të disa orë në ditë transmetime live. Në faqen e kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev ka pothuajse çdo ditë postime të fotove dhe video çdo ditë, përjashto fundjavat. Ai ka rreth 200 mijë ndjekës në një vend me 2 milionë banorë. Kryeministri kroat Andrej Plenković, një vend shumë afër nesh, me shumë më tepër banorë, por anëtar i BE-së prej vitesh, duket se nuk shqetësohet fare për propagandën e qeverisjes së tij. Ai me sa duket shqetësohet më shumë për qeverisjen dhe për rezultatet, për eficiencën e vendimeve që merr. Ai ka një faqe me 65 mijë ndjekës dhe postime fotosh nga takimet zyrtare në një format krejt të thjeshtë. As homologu serb Aleksandar Vuçiç, i cili po përballet me protesta në vendin e tij njësoj si Rama, nuk ngjan se i kushton vëmendje propagandës në rrjetet sociale. Në një vend me 7 milionë banorë ai ka vetëm 160 mijë ndjekës.  Por, MAPO tentoi të gjente ndonjë model nga vendet e zhvilluara ku Rama mund të jetë frymëzuar për këtë mani pas dukjes, dhe në një kërkim të thjeshtë, nuk gjen. As Angela Merkel dhe Emmanuel Macron, dy liderë që Rama i ka fort për zemër nuk i kushtojnë vëmendje të madhe reklamimit të punës së tyre të përditshme. Po sigurisht, i kushtojnë gjithë ditën vëmendje punës, kjo s’ka asnjë dyshim, dhe krejt pak dukjes. Merkel ka deklaruar mbylljen e faqes zyrtare në Facebook para pak javësh, ndërsa Macron ka një marrëdhënie pak më spontane me Facebook-un, por nuk e arrin dot shikueshmërinë e ERTV-së, edhe pse udhëheq një vend me afër 60 milionë banorë.

***

Nga ky vëzhgim i thjeshtë që mund ta realizojë secili nga ekrani i kompjuterit ose nga telefoni, del në përfundimin se vetëm ne kemi një kryeministër, që na del çdo ditë në TV me orë të tëra, në çdo emision televiziv, që nga ato politike deri tek emisionet e spektaklit, si ai i Ermal Mamaqit. Një kryeministër që gjen një mijë mënyra për të takuar popullin në fjalime që zgjaten me orë, duke shpërndarë disa certifikata legalizimesh apo duke bërë batuta, apo ture që u vë emra të ndryshëm sipas sezonit, deri te prania në një festë të rëndë grash në Fier. Pra, kemi një kryeministër që rrezikojmë ta gjejmë dhe në frigorifer ndonjë ditë, siç ka profetizuar vetë ai! Atëherë kur punon Edi Rama. Edhe nëse nisemi nga premisa si ato të Spiropalit, se shefi i rilindjes nuk është njeri i zakonshëm, po bash i ngjashëm me Skënderbeun, sërish edhe për të, koha rrjedh si për të tjerët dhe një ditë ka vetëm 24 orë. A, të mos harrojmë, se kohët e fundit, sa herë del jashtë shtetit, nuk del më për punë e takime zyrtare. Po sërish për të dalë në televizion, siç bëri në Itali, apo për të hapur ekspozita pikturash siç bën në Gjermani. Ose ne jemi Luksemburg, dhe thjesht nuk e dimë, ndaj ia lejojmë vetes të kemi një kryeministër shumë thellësisht part time, ose shefit të rilindjes nuk ia ndjen fare, dhe qeverisjen, e ka një argëtim, një prej atyre talljeve që i lypset për të mbushur ekzistencën ndoshta jo dhe aq të lumtur sa duket.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Mendimi kritik i Gilman Bakallit

Nga Dr. Gino Luka Megjithëse ka kaluar më shumë se një çerek...
Read More