Hetimet e prokurorisë: Biznesmenët e drogës investuan 16 milionë euro në ndërtim

jurgen mollaDalin detaje të reja në lidhje me hetimet e gjata që zbuluan 14 anëtarët e grupit që merrej me trafikimin ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Investimet në pallate në Yzberisht dhe Dajt. Si funksiononte rrjeti dhe a ndërhynë “bosët” e trafikut deri në lëvizje të prokurorëve?

Mënyrë më të mirë për të pastruar paratë nuk kishte. Shumat e mëdha që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës, tre persona të implikuar i kthyen në biznes, po aq fitimprurës sa edhe vetë narkotikët, pikërisht në fushën e ndërtimit. Tre nga shtatë të arrestuarit e dy ditëve të fundit në operacionin “Ballkan”, janë ndërtues apartamentesh, hotelesh dhe lokalesh të ndryshme. Nga hetimet e kryera nga Prokuroria e Krimeve të Rënda rezulton se Jurgen Molla, Shyqyri Kotorri dhe Anest Koromani kanë investuar shuma të mëdha në sektorin e ndërtimeve. Përveç Jurgen Mollës, Shyqyri Kotorrit dhe Anesti Koromanit në pranga përfunduan edhe Nuredin Nazëraj, Lulzim Qorri, Denis Sinameta dhe Blerim Ukimeraj. Po si anëtarë të këtij grupi, disa muaj më parë, në qelitë e paraburgimit përfunduan edhe Arben Prendi, Romeo Beqaj, Viktor Behaj, Gjolek Xhaferri, Robert Petoshati, Myqerem Çela dhe Fatos Muçi, që të gjithë të akuzuar si pjesë e një rrejti kriminal që merrej me trafikun ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Paratë e siguruara nuk i lanë të “mykeshin”, ndaj menduan se mënyra më e mirë për të ricikluar shumat e mëdha, të dyshuara se janë përfituara nga narkotikët, vendosën t’i investonin në fushën e ndërtimeve. Vetëm kompania “Molla sh.pk”, ka investuar rreth 10 milionë euro në ndërtim apartamentesh, kryesisht në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Në këtë biznes është futur më pas edhe Kotorri dhe Koromani, duke investuar në kohë të ndryshme shuma të mëdha. Që të gjithë mbuloheshin nga kompanitë e tyre të ngritura dhe ligjërisht nga tre personat tashmë të akuzuar për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Vëllezërit Molla fillimisht në vitin 2009, kishin ngritur apartamente, magazine dhe qyqane në Lezhë, qytetin e tyre të lindjes, por pas vitit 2010 kanë qenë mjaft aktiv në ndërtimin e apartamenteve në Tiranë. Pjesës së grupit të tyre i bashkohen edhe Shyqyri Kotorri dhe Anesti Koromani me firmën e ndërtimi “Kotorri-SL sh.p.k.” dhe “Hapësira X”.

Pallate, lokale dhe hotele

Kërkohej një formë për të mbuluar të ardhurat që vinin nga trafiku i narkotikëve dhe zgjedhja më e mirë ishte në fushën e ndërtimit. Fillimisht kompania “Molla sh.p.k” gjeti “parajsën fiskale” në zonën e Yzberishtit në Tiranë. Duke qenë pjesë administrative e Komunës Kashar, e patën më të lehtë që të siguronin lejet e ndërtimit, pa pasur nevojën e një plani urbanistik. Pikërisht komunat që “rrethonin” kryeqytetin, si ajo e Kasharit, Farkës dhe Dajtit, nisën të punonin me projekte afatgjatë, teksa hartuan plane zonale urbanistike dhe më pas dhënë qindra leje ndërtimi. Gjithashtu nga hetimet e kryera rezulton se një pjesë tjetër me blloqe pallatesh është ndërtuar nga këta persona edhe në zonën e Freskut, njësi administrative që mbulohet nga ish-komuna Dajt. Prej të paktën shtatë vitesh ka dyshime se ky grup me paratë e fituara nga narkotikët investoi edhe në lokale dhe hotele. Në bazë të të dhënave që disponon institucioni i akuzës, dyshohet se kanë investuar rreth 16 milionë euro në total. Që të gjithë këto pasuri, në bazë të ligjit pritet që të kalojnë në sekuestro konservative, deri në një vendim përfundimtar nga gjyqësori. Rasti i Nuredin Nazërajt, i cili ka në pronësi një hotel luksoz në Vlorë tregon se shtrirja e aktivitetit ishte e gjerë, përtej Tiranës, duke synuar të zënë edhe zona bregdetare. Nëpërmjet objekteve të ngritura përfitoheshin shuma të mëdha, sidomos nga shitja e tyre, ose administrimi për një kohë të gjatë në zonën e bregdetit. Tre të arrestuarit Molla, Kotorri dhe Koromani njiheshin zyrtarisht si biznesmenë. Mirëpo “statusi” i tyre do të ndryshonte, një vit e gjysmë më parë mbërrijnë të dhëna nga Italia se këta persona dyshoheshin se ishin përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Fillimisht në pranga ranë shtatë personat që e trafikonin, ose ata që kryenin transportin, por jo financuesit e lëndëve narkotike. Në hetime u përfshinë shtatë shtete dhe më pas u angazhua edhe DEA amerikane, e cila dha ndihmën e saj në zbulimin e këtij rrjeti. Edhe pse një pjesë e grupit ishte ndaluar kohë më parë, ka të dhëna se aktiviteti kriminal vijonte sërish, madje tre biznesmenët morën përsipër edhe të kujdeseshin për familjet e anëtarëve të grupit të cilët kishin përfunduar në qeli. Prej asaj kohe telefonat celularë të të arrestuarve ishin nën përgjim dhe njëkohësisht herë pas here, nga prokuroritë e vendeve fqinje mbërrinin materiale të tjera shtesë që tregonin implikimin e tyre. “Në lidhje me operacionin “Ballkan” janë kryer hetime të përbashkëta në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Serbi, Bullgari, Turqi dhe Itali. Hetimet janë kryer në bashkërendim të plotë të veprimeve dhe shkëmbim në kohë reale dhe në konspiracion të plotë të informacioneve me organet ligjzbatuese të vendeve të përfshira në këtë hetim” -thuhet në reagimin zyrtar të policisë. Duke përfshirë edhe të ndaluarit në vendet e tjera, numri i të arrestuarve shkoi në 30 persona, ndërsa 23 të tjerë janë shpallur në kërkim.

A u ble drejtësia?

Pak kohë pasi u arrestuan shtatë personat e parë, Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet të detajuara të këtij grupi për të siguruar provat e mjaftueshme. Nën përgjim kaluan disa numra telefonash, përfshi edhe të personave të arrestuar tre ditë më parë. Teksa agjentët që punojnë në zyrën e përgjimit mundoheshin të siguronin ndonjë të dhëna për lëvizje të narkotikëve, vjen një bisedë e papritur. Dyshohet se Jurgen Molla ka shfaqur interes për Arben Prendin, i arrestuar një vit më parë në Pikën e Kalimit Kufitar të Morinës në Kukës, pasi u kap me rreth 20 kilogramë heroinë, që e transportonte nga Kosova. Në një nga telefonatat me nënën e Prendit, Molla shprehet se i ka rregulluar të gjithë punët, madje kishte paguar 150 mijë euro edhe për largimin e prokurorit të Krimeve të Rënda, Anton Martini. Kjo ka bërë vërtet bujë, pasi vetëm pak kohë pas kësaj telefonate mes të pandehurit Molla dhe nënës së njërit prej të arrestuarve, Martini përfundon si prokuror i thjeshtë në Shkodër. Kjo lëvizje është kryer me firmën e kryeprokurorit Adriatik Llalla dhe bashkë me Martinin u “internuan” edhe pesë prokurorë të tjerë, përfshi edhe ish-kryeprokurorin e Apelit Shkëlqim Hajdari. Nuk ka të dhëna nëse vërtet kjo shumë prej 150 mijë eurosh është dhënë nga Molla për lëvizjen e prokurorit Martini, por në këtë rast çudit jo pak dijenia që ai kishte për lëvizjet në strukturat e institucionit të akuzës. Ky grup ishte hetuar nga prokurori i Krimeve të Rënda Anton Martini, (një prokuror me shumë përvojë dhe ka pasur në duar çështje të mëdha), por në mënyrë të beftë ai transferohet nga Tirana në Shkodër. Gjithsesi çështjen e trafikut të drogës më pas e merr në duar një tjetër prokuror, Eugen Beci, i cili pasi grumbulloi të dhëna të rëndësishme hetimore lëshoi urdhër-arresti për të shtatë personat e arrestuar tre ditë më parë. Para institucioneve ligjzbatuese të vendeve fqinje në këtë rast duket se kanë dalë të “nderuar”, pasi nga 16 të dyshuar, 14 u vunë në pranga, ndërsa dy të tjerë janë të shpallur në kërkim. Shpërbërja e këtij rrjeti ka treguar se një pjesë e mirë e personave të cilët merren me trafikun e narkotikëve kanë ngritur biznese të shumta, duke u përqendruar kryesisht në fushën e ndërtimeve.

Shkruar Nga
More from revista mapo

Shaba

Nga Edison Ypi Shaba ishte në shkollë të mesme, kur një mëngjes...
Read More