fbpx

Aktualitet

Grabitja në Rinas, Lleshaj: Asgjë alarmante, policia reagoi





               Publikuar në : 11:57 - 11/04/19 |
mapo.al

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, u shpreh nga foltorja e Kuvendit gjatë seancës plenare se grabitja në aeroportin ndërkombëtar të Rinasit nuk ka rrëzuar sigurinë kombëtare. Ai e quajti atë një incident që ka cenuar sigurinë e vendit, por nga ana tjetër vlerësoi Policinë e Shtetit, e cila sipas tij iu përgjigj në kohë rekord një prej bandave më të rrezikshme.


“Jua them miqësisht nuk ka asgjë për t’u alarmuar. Jemi krenarë që instrumentet e tjera funksionuan. Policia reagoi në kohë rekord dhe në mënyrë të paparë. U vu para një sulmi të armatosur masiv, por arriti të sigurojë prova të rëndësishme dhe jam i bindur se procesi i hetimit do të na sjellë rezultate shumë të qarta që nuk i keni pasur kurrë më parë.  Ata rrezikuan jetën dhe u vendosën në skenarë krejtësisht të pallogaritur, ku mund të përdorej dhe granata luftarake. Ky grup kriminal është arratisur nga një burg i BE dhe nuk është shpallur turp kombëtar, ka vrarë një polic atje dhe nuk është shpallur turp kombëtar.



Ajo ngjarje na prek të gjithëve. Ishte seria e pestë e një seriali të nisur prej kohësh. Ajo që ndodhi pardje, ishte se Forcat e Sigurisë kanë reaguar fort. Kushdo mund të ketë të drejtë ti japë udhë imagjinatës, por unë them se futja në imagjinatë nuk na çon gjëkundi se gjëra të tilla mund të ndodhin kudo. Nuk është kjo arsye për të dramatizuar atë që ndodhi. Morëm masa për t’i dhënë fund një historie turpi të nisur 20 vite më parë. Nëse i hyni historisë, do gjeni edhe emra të njohur që kanë kontribuar në këtë situatë. Kemi cënim dhe jo rrëzim të sigurisë, nuk mund të flasim për rrëzim të sigurisë kombëtare për atë incident që ndodhi në Rinas”, shtoi Lleshaj.


Sa i takon debatit për vendosjen e FA në perimetrin e sigurisë së aeoportit, Lleshaj tha se Ushtria e ka detyrë Kushtetuese të kontributojë për sigurinë. Ministri i Brendshëm tha gjithashtu se gjendja e sigurisë në aeroportin e Rinasit tashmë është masimale. “FA e kanë detyrë kushtetuese të kontribuojnë në ndihmë të Policisë së Shtetit. Kjo histori do të menaxhohet dhe do zgidhet në mënyrë të vendosur. Situata në aeroport sot është e padiskutueshme e sigurtë. Gjendja e sigurisë në aeroport është vendosur në parametra maksimalë të sigurisë. Veprimtaria do të vazhdojë në mënyrë të pandërprerë”, u shpreh Lleshaj.


Etiketa: , , ,

Pas