Gjermania të ndalojë përpjekjen e rrezikshme për ndarjen e Kosovës

 

Ndërsa SHBA dhe shefja e politikës së jashtme të BE-së po i bëjnë presion Kosovës që të ndryshojë kufijtë e saj me Serbinë, Gjermania duhet të ngrihet për të mbrojtur parimin se rishikimi i kufijve mbi baza etnike është i gabuar

Nga Kurt Bassuener dhe Toby Vogel

<

Për dy dekada, vendet europiane kanë punuar ngushtësisht me SHBA për të implementuar dhe mbikëqyrur paqen e brishtë në Ballkan. Të dy palët kanë investuar miliarda euro për të rindërtuar dhe stabilizuar Bosnjën dhe Kosovën, të shkatërruara nga agresioni serb, dhe të dyja palët kanë dërguar mijëra trupa në rajon si forcë paqeruajtëse.

SHBA dhe BE, me Gjermaninë dhe- deri më tani- me Britaninë e Madhe si bërthamë, kanë punuar për të ofruar progres potencial dhe qëndrueshmëri solide në Ballkanin Perëndimor, i pakrahasueshëm me çdo rajon të planetit.

Megjithatë, një gabim i madh strategjik po shpaloset tani në të dy anët e Atlantikut, ku administrata e Donald Trump ka vendosur të ndryshojë status-kuonë dhe të zhdukë këtë trashëgimi me një përshtatshmëri afatshkurtër.

Uashingtoni është bërë me Serbinë për të ndjekur një strategji ende të errët të shkëmbimit të tokave me Kosovën, që do i sillte zonat e banuara nga serbët në Kosovë nën kontrollin serb në këmbim të vendimit të Beogradit për të njohur si të pavarur Kosovën- ish-provincën e saj.

SHBA po ushtron presion të fuqishëm mbi Kosovën për të pranuar një marrëveshje të tillë- megjithëse mbështetësi i saj kryesor në Kosovë, presidenti Hashim Thaçi, është pothuajse plotësisht i izoluar brenda vendit në lidhje me këtë çështje.

Trump ka ndjekur padyshim politikën më anti-evropiane të Amerikës që prej epokës së pasluftës. Por ai po ndjek një gjurmë të ndezur nga shefja e politikës së jashtme të BE, Federica Mogherini, duke aplikuar muskujt e SHBA pas saj.

Mogherini po bashkëpunon me Këshillin Kombëtar të Sigurisë së Trump për të avancuar një agjendë që Serbia e ka kërkuar prej kohësh, atë të rishikimit të kufijve ndërkombëtarë mbi baza etnike, një agjendë e nxitur nga presidenti serb dhe aleati i mundshëm i BE, Aleksandër Vuçiç. Mogherini dhe amerikanët i kanë mbajtur vendet anëtare të BE dhe aleatët e NATO-s në errësirë në lidhje me këtë përpjekje.

Kjo është një zhvendosje dramatike, jo vetëm nga një çerek shekulli bashkëpunimi translantik në Ballkan, por edhe nga një parim thelbësor i rendit ndërkombëtar aktual- që rishikimi i kufijve mbi baza etnike është i rrezikshëm dhe çon në destabilizim dhe gjakderdhje.

Ka arsye të forta se përse aneksimi i Krimesë nga Rusia është dënuar ashpër dhe ka sjellë imponimin e sanksioneve dëmtuese: ky ka qenë një standard i pas-Luftës së Ftohtë.

I gjithë presioni tashmë po ushtrohet ndaj kosovarëve- SHBA dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Europian po marrin hapur krahun e Beogradit, i cili- ashtu si Rusia, Kina dhe pesë anëtarë të BE- sërish e shohin Kosovën si një provincë të shkëputur.

Administrata e Trump e ka përshkallëzuar rrezikshëm qëndrimin e saj për këtë çështje: zyrtarët amerikanë kanë kërcënuar se do tërheqin forcat e SHBA nga trupa paqeruajtëse KFOR- rreth 25 përqind e tyre- ajo që i siguron më së shumti kosovarët.

Ndërsa dëmi afatgjatë do jetë i rëndë, arsyetimi është personal dhe afatshkurtër. Shtysa nga Trump dhe Mogherini duket se ka për qëllim arritjen, ose së paku deklarimin, e faktit të kryer, që do shpallet si një fitore diplomatike, me një marrëveshje që do të nënshkruhet në Bruksel dhe në Kopshtin e Trëndafilave në Shtëpinë e Bardhë, përpara se të mbarojë mandati i Mogherinit.

Mogherini dhe paraardhësja e saj, Catherine Ashton, kanë ndërmjetësuar bisedime mes Serbisë dhe Kosovës për shumë vite; Ashton madje arriti një marrëveshje të pjesshme, pak muaj përpara se të mbyllte mandatin.

Por ajo u provua e pamundur që të implementohej nën ato kushte politike. E njëjta gjë do ndodhë edhe me marrëveshjen e shkëmbimit të territoreve- me përjashtim të faktit se steka është shumë më e lartë.

Përjashtimi i Kosovës nga OKB dhe të tjera forume, si dhe mungesa e njohjes nga Serbia, është një problem real që kërkon një zgjidhje. Por nxitimi për të artikuluar një marrëveshje duket më shumë i nxitur nga axhenda kohore të jashtme dhe nga dy liderë sesa nga rrethanat objektive.

BE, kolektivisht, nuk ka qenë në gjendje të artikulojë politikën e pandryshuar të shumicës së shteteve anëtare të saj- se Serbia nuk do bashkohet me BE-në pa e njohur Kosovën në kufijtë e tanishëm.

Përmes parlamenteve të tyre, shtetet anëtare tani duhet ta bëjnë të qartë këtë. Fakti se Shtetet e Bashkuara dhe BE janë lidhur në mënyrë të qartë me palën më të fortë, tregon se kush do të përfitojë nga një marrëveshje që do jetë e vështirë- për të mos thënë e pamundur- që të implementohet.

Pranimi nga shtetet e BE të faktit të kryer ‘Trump-Mogherini’ do të nënkuptonte braktisjen e asaj që ka qenë tabu transatlantike për një çerek shekulli- ndjekja e kufijve etnikë- dhe rrjedhimisht edhe zhvendosja e popullsisë.

Një marrëveshje e tillë, nëse pranohet, do të nxiste agjenda nacionaliste të paplotësuara nga vitet ’90 në të gjithë rajonin, që po shfaqen hapur në mënyrë të paturpshme. Ka një arsye se përse Vuçiç dhe nënshtetasit e tij përpiqen që ta paraqesin këtë si një marrëveshje mes serbëve dhe shqiptarëve sesa mes Serbisë dhe Kosovës.

Një marrëveshje e tillë do të ishte copa e parë në rikrijimin e hartave- politike dhe demografike, në Ballkan. Ky ndryshim do të ishte në mënyrë të paevitueshme i dhunshëm dhe do të shkaktonte lëvizje të popullsisë, përfshi edhe në BE.

Bosnja dhe Hercegovina janë çmimi më i madh për Beogradin: Serbia ka një nxitës entuziast në presidencën shtetërore të vendit, liderin de facto të Republikës Srpska, Milorad Dodik. Maqedonia e Veriut është e vetmja histori e mirë e vërtetë në rajon kohët e fundit, por mbetet e paplotë dhe e brishtë.

Për vite me radhë, establishmenti politik i BE ka pretenduar se shefja e politikës së jashtme mund të veprojë vetëm kur 28 shtetet anëtare të bllokut e mbështesin. Është e çuditshme se përse Mogherini nuk i përmbahet këtij kufizimi, jo për të ndjekur vlerat e BE, por të avancur një marrëveshje, që godet këto vlera dhe një politikë të vendosur tashmë.

Mbështetësit e tezës së shkëmbimit të territoreve dhe popullatave e konsiderojnë këtë si një fakt të kryer, pa marrë parasysh se shumica e klasës politike dhe e publikut në Kosovë janë kundër saj. E vetmja forcë që duket e aftë për ta ndalur atë, është Gjermania.

Ndryshe nga administrata e Trump, kancelarja Angela Merkel ka një rol të drejtpërdrejtë në të ardhmen e Kosovës dhe në respektimin e parimeve të vendosura të rendit ndërkombëtar. Ajo e lehtësoi fillimin e dialogut Beograd-Prishtinë në radhë të parë.

Roli i Gjermanisë ka qenë esencial gjatë gjithë procesit, duke punuar më ngushtë me SHBA-në dhe Britaninë.

Merkel sërish e udhëhoqi BE-në duke deklaruar në vjeshtë se ideja e ndarjes e Thaçit dhe Vuçic do të jetë në thelb destabilizuese. Shumë vende anëtare të BE-së, duke përfshirë edhe ata që nuk e njohin Kosovën si Serbia dhe Sllovakia, gjithashtu shprehën dyshime të thella rreth ndarjes së Kosovës.

Por, me përjashtim të Britanisë dhe Luksemburgut, askush nuk ishte i zëshëm në publik. Kjo i dha hapësirë Mogherinit që të ndjekë marëveshjen e ndarjes.

Ligjvënësit në Kosovës janë anashkaluar nga Thaçi, në Serbi parlamenti është i nënshtruar ndaj vullnetit të Vuçic. Tradita dhe procedurat e Gjermanisë së pas-luftës i japin fuqi ligjvënësit për të parandaluar të tilla marrëveshje me mënyra demokratike.

Bundestagu mund dhe duhet të fundosë një përpjekje të tillë duke votuar një rezolutë ndërpartiake që thotë se Serbia mund të hyjë në BE vetëm me kufijtë e saj të pranuar.

Berlini duhet të bashkojë vendet anëtare që të bëjnë rezistencë ndaj çdo shkëmbimi territorial mes Kosovës dhe Serbisë- dhe në Ballkanin Perëndimor më gjerësisht, pasi kjo do çonte pashmangshmërisht në zhvendosje të popullsive.

Kjo do të thotë asgjë më shumë se udhëheqja e vendeve anëtare të vendosë frenat e emergjencës ndaj një burokrate të dalë jashtë kontrollit- duke rivendosur epërsinë e shteteve anëtare mbi institucionet e BE.

Nëse nuk bëhet një gjë e tillë, ky do ishte një abdikim nga përgjegjësia dhe një minim i përpjekjeve për të mbështetur ndërtimin e shteteve liberale, demokratike dhe multi-etnike nën sundimin e ligjit në të gjithë Ballkanin Perëndimor.

Është e dukshme se cilat forca do të përfitonin nga ky abdikim, brenda dhe jashtë BE-së.

Gjermania duhet të marrë udhëheqjen tani, për të ruajtur trashëgiminë europiane të pas-Luftës së Ftohtë dhe vlerat themelore të BE dhe të Aleancës së Atlantikut- si dhe për të mbrojtur njerëzit që do vuanin më shumë drejtpërdrejt nga shkëmbimi i territoreve.

*Autorët janë bashkëthemelues dhe analistë të lartë të Këshillit të Politikave Demokratizuese me qendër në Berlin. Shkrimi u publikua nga Balkan Insight

Shkruar Nga
More from Redaksia

Rita Ora pozon me ‘Tezenis’

  Rita Ora ishte shumë provokuese për fansat e saj me fotot...
Read More