Getoja e kuqe

Rrjetat e telave që thuren përmbi kryet e çdokujt që kalon përmes “Komunës së Parisit” duket sikur kanë njëfarë magjie. Është e pamundur t’i ndjekësh. Do ishte një lojë e humbur që në fillim, nga ana tjetër ata janë intriga e vetme e pazbërthyeshme e njërës prej zonave më të dendura me popullsi në Tiranë. Gjithçka tjetër përpos tyre është monotone. Një gjysgetoje me imitime të ish-Bllokut (të paktën në modele lokalesh), ku fijet ajrore e tokësore duken si lidhje shpirtërore e godinave me njëra-tjetrën.

Nga Vladimir Karaj

Herët ajo ishte një lagje e lakmuar. Zgjatimi i Tiranës së Re dhe ish-Bllokut. Por, sigurisht, ka humbur mjaft prej tërheqjes duke u kthyer ngadalë, nga një periferi e gjelbër, ku përtej baltës fitoje një banesë të qetë që nuk e merrje dot në pjesë të tjera të Tiranës, në një gati “geto” që sa më shumë rritet aq më shumë i afrohet përcaktimit të fundit. Ajo çfarë ka ndodhur është një proces jo fort i gjatë. Në fakt janë dashur më pak se një dekadë për ta transformuar periferinë plot baltë, por joshëse dhe me hapësirë, në një lagje të çuditshme. Nga një anë më të shtrenjtë, për shkak të afrisë me qendrën dhe asaj joshjes fillestare prej periferie, e nga ana tjetër e mbipopulluar me ballkone që thuajse puqen me njëri-tjetrin dhe ku pak diell bie në sheshet mes pallateve të ndërtuara DSCF4574ngjiturazi.

“Simotra”

Përtej gjithë kësaj historie ndërtimi, e ngjashme thuajse me çdo qytet apo qytezë të Shqipërisë, “Komuna e Parisit” ka një simbolikë edhe më të gjerë. Ajo është e kundërta dhe simotra e Bathores në Tiranë. Kjo nuk ka të bëjë vetëm me faktin që ndërtimet këtu, edhe pse të çmendura janë me leje, por me mënyrën sesi është ngritur një qytet i ri brenda qytetit të vjetër, me ndarjen e qëndrimeve politike mes dy zonave dhe nga ana tjetër me të ardhmen e përbashkët që nuk duket fort e ndritshme në asnjërën prej tyre.

Është e vjetër tashmë që, përndryshe prej mjaft vendeve rreth e rrotull, Shqipëria nuk ka ndarje të forta etnike apo fetare, por ka mjaftueshëm ndasi politike dhe krahinore. Kjo është edhe guri i themelit mbi të cilin janë ndërtuar periferitë e kryeqytetit. Me gjasa, e gjithë kjo ka ndodhur në mënyrë të vetvetishme, por ndërsa në Kamëz e Bathore vota është “blu” thuajse unanime, në “Komunën e Parisit” ajo është e “kuqe”. Bashkë, të dyja zonat kanë ruajtur të pandryshuar balancën politike të qarkut më të rëndësishëm në vend, duke prodhuar nga ana tjetër gara jo fort të ndershme lokale. Ndërkohë, ndryshe nga Bathorja, emri i të cilës nuk do të thotë ndonjë gjë politikisht, “Komuna e Parisit” duket sikur është krijuar pikërisht për t’iu përshtatur emrit të saj edhe pse ende prej andej nuk ka filluar ndonjë revolucion, ajo është “fortesa” më e rëndësishme e të majtës në kryeqytet. Po ashtu ajo është fortesë e krahinizmit, njësoj si Bathorja. Të ardhurit këtu janë kryesisht nga Jugu. Nuk është e vështirë ta dallosh qoftë edhe thjesht prej copëzave të bisedës që mbledh rrugës dhe që janë plot me toskërishte të Beratit, Fierit apo Tepelenës. Dallimi tjetër i madh është se ndërtimet në “Komunë” kanë qenë të përqendruara në pallate e për rrjedhojë shumica e banorëve të saj i kanë blerë shtëpitë dhe nuk është se duhet të mendojnë për t’i legalizuar ato.

Përtej këtyre të kundërtave, “Komuna e Parisit” dhe Bathorja nuk dallojnë fort prej njëra-tjetrës. Ato, dashje pa dashje, ngjan sikur shihen në pasqyrë, edhe pse kjo mund të ketë qëlluar e thyer dhe simetria nuk është e plotë. Baza e tyre është prej të ardhurish rishtazi prej zonave rurale. Kryesisht njerëz që blejnë apo ndërtojnë shtëpi me para emigracioni dhe që prej fshatrave përfundojnë në mes të zallamahisë urbane të kryeqytetit. Një palë në Bathore, më konservatorë e ndoshta më kokëshkretë i qëndruan shtëpive private dhe u futën në to edhe pse në tokë të huaj. Pjesa tjetër e gjetën zgjidhjen në katet e larta të “Komunës së Parisit”. Ajo që është krijuar prej këtyre dy lëvizjeve janë qytete brenda qytetit. Ato praktikisht lidhen me Tiranën me rrugë, por krejt ndryshe nga lagjet e vjetra janë si ishuj të këputur prej saj dhe funksionojnë të tillë.

 

Në pritje të revolucionit

Por në fillim “Komuna e Parisit” nuk ka qenë e tillë. Vite më parë ajo ishte kryesisht një kantier ndërtimi, por edhe lagja e re më e lakmuar në kryeqytet. Në fakt ajo mund të kishte mbetur e tillë nëse lejet e ndërtimit dhe masa e shfrytëzimit të tyre do të kishte qenë diçka më e kursyer. Ndryshe nga Bathorja, ku secili ka bërë si ka dashur, në këtë zonë ndërtimet janë të miratuara e për rrjedhojë dikush duhej thjesht të kishte pasur dëshirë të mirë për të mos e katandisur në një geto me rrugë të ngushta dhe mungesë trotuaresh. Ditë më parë, ndërsa shëtisnim nëpër lagje mund të vinim re me lehtësi se si ajo humbet shkëlqimin. Është bërë monotone me pallate të larta dhe oborre të kthyera në parkingje ku mungon gjelbërimi. Bojërat dikur të shkëlqyeshme të lagjes së re, janë duke u vjellë prej mureve dhe lagështisë, saqë herë-herë duket sikur mbi godina janë hedhur kova me ujë prej atij që përdoret për të larë dyshemetë.

“Ka shumë pluhur, ky është problemi kryesor këtu”, na thotë një burrë i moshuar që zgjedh të pushojë në një stol mes pallateve. Por në ditë dimri aty është shumë ftohtë të rrish jashtë, sepse dielli nuk “lind” dot brenda barqeve të pallateve që rrethojnë njëri- tjetrin dhe burri i moshuar ngrihet dhe bën ecejake në trotuaret e pakta të shpëtuara prej themeleve të ndërtimeve. Për ne nuk është fort e vështirë të ecësh poshtë e lart nëpër lagje. Këmbësorët e vetmuar nuk do të kishin problem, në të rrallë do u duhej të zbrisnin në rrugë, por nëse je një nënë me karrocë fëmijësh, atëherë vështirë se mund të kalosh pa iu trembur makinave që xhirojnë gomat dhe ato prej hallit e ngecjes së mërzitshme në trafik. Duhej të kishte qenë ndryshe. Si një lagje e re ku po ndërtohej shumë, “Komunës së Parisit” mund t’i kishin rezervuar rrugë dhe trotuare të gjëra, por kurrë kush nuk e ka vrarë mendjen për këtë.

Arsyet?! Me gjasë më shumë prej lakmisë e grykësisë për të përfituar para nga çdo metër katror, që mund të zaptohej prej betonit. E njëjta gjë duket se ka vlejtur edhe për sheshpushimet mes pallateve. Thuajse të gjitha janë kthyer në parkingje dhe mes tyre tek tuk ka ndonjë fidan peme që duket se nuk është rritur asnjëherë. Shumë prej atyre që varin në ballkone rrobat e sapolara mund të jenë bërë pishman për zgjedhjen. Një pjesë e madhe zgjohen në shtëpi ku nuk bie rreze dielli, të paktën deri pasditeve vonë. Ata që kanë probleme me zhurmat sigurisht nuk janë në vendin e duhur, dhe nuk flitet vetëm për zhurmat prej rrugës, borive apo alarmet e makinave që mund të ndizen në oborr edhe kur kalon ndonjë qen endacak. Jo. Janë pafund historitë e atyre që zgjohen mëngjeseve prej zhurmës dhe gërvishtjeve të krevatit të komshiut. Ndonjëherë kjo është si një orë zgjimi, ngase ai ngjitur është korrekt, herë të tjera mund të ndodhë edhe në orë më të sikletshme.

E gjitha kjo duket e dhimbshme. Të mendosh që para pak kohësh këtu kishte vetëm baltë dhe ferra dhe ishte njësoj si në ditën e krijimit, pra forma mund të kishte qenë krejt tjetër. Shumë vonë, sidoqoftë. Brenditë e lagjeve janë tashmë geto dhe djemtë që luajnë me top në hyrje të pallateve rrezikojnë të penalizohen rëndë prej ndonjë xhami të thyer makine jo pak të shtrenjtë. Makinat kanë zaptuar gjithçka, madje edhe ndonjë territor të vogël që ka qenë menduar për sport, nuk u ka shpëtuar. As muret që e rrethonin nuk kanë mjaftuar ta veçojnë.

Në fakt, pa gjithë këtë “Komuna e Parisit” zor se do e meritonte emrin që ka. Nëse do të kishte qenë një lagje e bukur dhe e re qyteti, ku do jetonin pasanikët e ri dhe jo getoja që është sot, zor se do të kishim shans të shihnim prej andej ndonjë shenjë të vërtetë komune. Kështu siç është sot shenjat janë mjaft të mira. Mund të mos ndodhë nesër, ndoshta edhe për disa vite të tjera, por shenjat janë aty.

Njerëzit vërdallë janë gjithë kohës të revoltuar. Një e moshuar që shet qepë të njoma në buzë të trotuarit ka një listë aq të gjatë ankesash saqë duket sikur po proteston që tani. “Jemi të gjithë në shtëpi pa punë”, thotë ajo dhe tregon më tej se ha vetëm një vakt në ditë dhe sot tregtari ngjitur i kishte dhënë një mandarinë për të shuar etjen. Por ajo nuk është banorë e këtushme dhe në lagje vjen vetëm për të shitur.

Në protestë është edhe një taksist që e takuam ca më herët. Burri në fakt e ka protestën me taksitë e paligjshme dhe pastaj me gjithë shtetin. “Presidenti, ministri i Brendshëm, ministrja e Mbrojtjes jetojnë këtu dhe kur dalin nga pallati i shohin këto taksi, por nuk bëjnë asgjë”, thotë ai dhe ironizon se krerët e shtetit ndodh edhe t’i njohin taksistët pa licencë dhe t’i përshëndesin, por nuk ndodh që t’i kallëzojnë. Për të, kjo është shenjë e mjaftueshme e mungesës së shtetit. Nuk është diçka që ndodh vetëm këtu. Por lagjia që më herët ka qenë vend i preferuar i shtetarëve dhe drejtuesve të vendit nuk duhej të kishte të njëjtën situatë si gjithë pjesa tjetër, qoftë edhe për faktin se ata do të jetonin aty edhe vetë. Këta të fundit tani normalisht do të spostohen edhe më tutje në periferi të “Komunës së Parisit”, pasi kjo nuk është më periferia aq e dëshiruar dhe e qetë. Dikush na thotë se njerëzit kanë filluar të shtojnë hekura në dritare dhe mbyllin ballkonet ngase numri i atyre që i kapërcejnë këto për të vjedhur është shtuar shumë.

DSCF4573

Telat

“Komuna e Parisit” është lagja më e famshme në Shqipëri. Kohë më parë vetëm asaj iu kushtua një serial televiziv. “Jo rastësisht kjo telenovelë është titulluar ‘Komuna e Parisit’. Kjo zonë e Tiranës njihet për ndërtimet e shumta, ku ka një përqendrim shumë të madh njerëzish në një sipërfaqe shumë të vogël. Ajo është një lagje krejtësisht e re në Tiranë, ku përveç vendasve, janë përmbledhur njerëz që vijnë nga të gjitha rrethet”, thoshte në një intervistë gjatë regjistrimeve regjisori i serialit, Altin Basha. Por lagjia është larg edhe idilikes e komikes së serialit. Ajo është e trishtë dhe të paktat gjëra me të cilat mund të qeshësh, janë njëkohësisht edhe për të qarë, ose të paktën të mërzitshme. Për shembull, një park lodrash për fëmijë mu në buzë të Unazës së Re të Tiranës. Një fushë basketbolli e kthyer në vend parkimi. Dhe koshat e tejmbushur dhe shpesh të derdhur të plehrave, në të cilat jo rrallë, ashtu si në çdo qytet, sheh të dalin bashkë me macet edhe njerëz që jetojnë prej mbledhjes së materialeve të riciklueshme prej tyre.

Shefqet Gaxha është mësuar me këtë. Burri është shitës në një nga ato tezgat që shesin gazeta dhe që rri mu bri një koshi të tillë i pa bezdisur. Ai është tifoz i Partizanit, mban veshur një xhup të kuq për ta treguar këtë, madje edhe kapuçi në këto ditë të ftohta dimri e ka të kuq. “Këtu shiten vetëm gazetat e majta”, thotë. Për ta provuar tezga e tij e gazetave mjafton. Pavarësisht se si janë në radhë në tezgë, gazetat që i përkasin apo flasin djathtas janë të gjitha thuajse të paprekura. Aty as ata kureshtarët e shtypit që i hapin të gjitha nuk duket se ndalojnë. Të tjerat që çojnë ujë në mullinj të majtë kanë mbaruar, dy syresh që herët në mëngjes. Të mesit (po të ketë të tilla) sigurisht shiten po të kenë pasur ndonjë dossier me sadopak komunizëm brenda. Shefqeti po ashtu është i majtë. “Nuk e ndërroj ngjyrën unë”, thotë ndërsa pas nja pesë minutash, si i kemi nxjerrë ca fjalë me gremç fillon e rrëfehet. Po, ai është tifoz i hershëm i Partizanit. Është tifoz nga ata të rrallët, për të cilët mund të bësh ndonjë film. Një herë ka udhëtuar nga Laçi, ku kishte shkuar me tren, deri në Shkodër, i varur poshtë autobusit. Humbi qesen me të cilën kishte marrë bukën dhe thotë se më shumë se një herë rrezikoi të binte në mes të rrotave të makinës. Kur shkoi në qytet mori vesh se ndeshja ishte të nesërmen. Fati e desh të takonte ca hajdutë bujarë. Ata e futën fshehurazi në hotel dhe të nesërmen i dhanë të pinte e të hante nga paratë që i kishin marrë një malësori gjatë natës. “Ishin plot 5 mijë lekë”, thotë Shefqeti. Por prej asaj kohe kur punonte në Kombinatin e mishit e deri sot kanë rrjedhur shumë ujëra. Tani ai kishte nja 8 a më shumë vite që shiste gazeta (të majta sigurisht) në “Komunën e Parisit”. Ai nuk ka ndonjë përshtypje për lagjen. “Është e qetë”, thotë, edhe pse kjo nuk mund të jetë e vërtetë asnjëherë për një lagje.

Vetëm telat që ndërthuren me njëri-tjetrin për t’u bërë lëmsh i pazbërthyeshëm dhe që përfundojnë nëpër dritare tregojnë se aty ka shumë zhurmë. Zhurmë nga ajo që nuk dallohet lehtë, si e zorrëve të paushqyera të një barku. Komuna e Parisit është e tillë dhe fijet e pazbërthyeshme të kabllove që zgjaten e këputen çdo ditë duket sikur përshkruajnë edhe fatin e lagjes. Në ata filmat fantastikë, ajo do të ishte simboli i përsosur i një qielli që nuk ekziston, sepse është zënë prej telash e kabllosh.

 (Revista Mapo Dhjetor 2013)

 

Shkruar Nga
More from revista mapo

Raportimet e diplomatëve/ Krimet e UDB-së në Kosovë nën emrin e Enver Hoxhës

Politikani Esat Myftari, në një libër mbi diplomatët e diktaturës në vende...
Read More