Forumet UET, Iris Luarasi: Kultura e dhunës dhe si i vrasim dy herë viktimat

E ftuar për një bashkëbisedim me studentë të Universitetit Europian të Tiranës ishte pedagogia dhe aktivistja e shoqërisë civile, Iris Luarasi, e cila foli rreth lëvizjes feministe dhe pozitat e gruas në shoqërinë shqiptare, përfaqësimi në politikë si edhe dhuna ndaj grave e vajzave dhe opinioni i ashpër publik, që i viktimizon përsëdyti ato. Ajo gjithashtu preku edhe mënyrën e pasqyrimit të këtyre lajmeve të kronikës nga gazetarët, mënyrë që ndikon në ngritjen e një kulture dhune

Çdo pesë minuta, një vajzë apo një grua në botë është viktimë e dhunës seksuale. Në vendin tonë statistikat zyrtare janë të pamundura, kjo për shkak se kjo dhunë denoncohet dhe raportohet fare pak. Arsyet janë të shumta dhe nga më të ndryshmet, por më kryesorja është se pas traumës, viktimës i duhet të përballet edhe me një tjetër dhunë; atë të presionit të mediave dhe të shoqërisë…E ftuar në bashkëbisedimet e së martës në Forumet e organizuara me studentë e pedagogë të Universitetit Europian të Tiranës, aktivistja e shoqërisë civile në çështjet e të drejtave të grave dhe pedagogia Iris Luarasi , duke sjellë një shembull nga lajmet e kronikës, vrasjen e një vajze 17- vjeçare Aishes nga dhunuesi i saj 82 –vjeçar, Shaban Norja , tha se është duke shkruar një guidë për reporterët në shkrimin dhe pasqyrimin e lajmeve që kanë të bëjnë me dhunën në familje dhe dhunën ndaj gruas.

“Po t’i kthehesh artikujve të asaj kohe dhe mënyra si është mbuluar ngjarja, kupton se ka të bëjë me mentalitetin tonë … Kur i pyet gazetarët të thonë se këtë do të dijë publiku. Por nuk mund t’i vësh mikrofonin në dorë një dhunuesi e krimineli që ta vrasë sërish viktimën e tij. Në të gjitha manualet e gazetarisë thuhet kategorikisht të mos intervistohet një kriminel apo një dhunues , sepse përpiqet ta viktimizojë sërish viktimën. Pas artikujve nis elementi tjetër, hedhja e helmit në komente. Kur ne nuk kursejmë të vdekur, imagjino të dalë dikush e të pranojë “Po, kam qenë viktimë e dhunës seksuale”, që të vijojë të përgojohet dhe të fajësohet. Kjo e bën të vështirë denoncimin, sepse kemi tendencën për t’i rivrarë viktimat”, –tha Luarasi, duke shtuar se ky në fakt është një fenomen global.

Luarasi foli pak edhe rreth përvojës praktike në konstatimin e dhunës ndaj gruas dhe asaj në familje si drejtuese e një qendre për këshillimin e grave dhe vajzave, e cila e vijon punën dhe veprimtarinë e saj në luftën kundër dhunës prej 21 vitesh në Shqipëri.

“Gabimi ishte se nuk kishim përfshirë burrat në aksion. Në vitin 2010 menduam ndryshe dhe krijuam një linjë këshillimi për burrat dhe djemtë dhunues” – zbuloi ajo , duke thënë se në 99 përqind e rasteve të denoncuara , viktima të dhunës janë gra dhe fëmijë. “Nëse në Shqipëri kemi 200 mijë gra që kanë kërkuar asistencë dhe ndihmë kundër dhunës në familje, kemi vetëm 18 burra që kanë kërkuar ndihmë si viktima të dhunës. Dikur mendoja se dhunuesit janë njerëz të ligj, kanë fytyrë të frikshme, të shëmtuar, por jo; janë njerëz si ne, janë madje shpesh të sjellshëm e së jashtmi nuk dallohen”.

Luarasi solli shembullin e një kolegeje aktiviste të shoqërisë civile, e cila gjeti vdekjen si viktimë e dhunës, e vrarë nga bashkëshorti. “Asnjë nuk ka imunitet. Kushdo mund të bëhet viktimë e dhunës”, shtoi ajo.

E pyetur rreth ndikimit që kanë lëvizjet demografike në raport me dhunën në familje, Luarasi pohoi se bëhet faktor i shtimit të dhunës. “Njerëzit e mësuar me një lloj stanjacioni, qoftë edhe mendor në vendin ku jetojnë, kur vijnë pranë zonave urbane përballen me elementë të jashtëzakonshëm”. Si ilustrim ajo solli një tjetër viktimë të dhunës, Fiqireten 16-vjeçare, vrarë nga i ati në një fshat pak kilometra jashtë kryeqytetit, ndërsa krimi u fsheh nga e ëma për t’u dukur si një sëmundje ndërsa një gjykatëse grua dha vendimin e dënimit me vetëm 16 muaj për të atin. “Gjykatësja e arsyetoi vendimin e saj duke thënë se i ati ishte ndikuar nga kanuni i Lekë Dukagjinit ndërsa kishte kryer krimin, ndërsa mediat vërshuan në fshat për të marrë opinione nga publiku, të cilët e justifikuan vrasjen si një akt në mbrojtje të nderit të familjes. Jemi me fat që nuk jemi viktima të dhunës, por duhet t’iu japim dorën viktimave të dhunës. Feminizmi është luftë e grave dhe burrave”, –tha ajo, ndërsa shtoi se feminizmi ka pësuar një transformim dhe nuk i ngjan më lëvizjes që nisi në vitet ‘60-’70.

E pyetur rreth fushatave për emancipimin e gruas gjatë regjimit komunist, Luarasi tha se spekulohet shpesh me të drejtat e grave gjatë komunizmit, ndërsa quajti burrat dhe gratë të diskriminuar gjatë asaj periudhe. “Gruaja edhe më shumë, sepse përtej punëve të rënda njësoj si burrat, bënte edhe rolin e gruas në shtëpi. Pavarësisht se propaganda në kinema shfaqte çifte që ndanin njëlloj punët, gratë e intervistuara gjatë komunizmit nuk ishin të barabarta me burrat”.

Ndërsa për tablonë aktuale, Luarasi tha se barazia mes gjinive në vendin tonë ekziston vetëm në letra. “Legjislacionin sa i përket të drejtave të grave e kemi në rregull. Kemi një pabarazi shumë të vogël në pagë sa i përket gjinisë, edhe në krahasim me vende të zhvilluara. Çështja mbetet tek implementimi dhe fajin për këtë nuk e kanë gratë. E dimë se në shumë procese vendimmarrëse janë burrat që vendosin”.

Ajo u ndal edhe në përfaqësimin e gruas në parlament. E pyetur nga moderatorja, pedagogia Irena Myzeqari, nëse gratë në politikë arrijnë ta përfaqësojnë siç duhet gruan shqiptare apo instrumentalizohen prej burrave në politikë, Luarasi  u përgjigj se ka plot gra që kanë bërë politikë të mirë në Shqipëri. “Ashtu siç ka edhe gra që kthehen në burra dhe ky është problem i madh. Politika pret që të performojnë me të njëjtën vrazhdësi, por në nocionin tim për gruan në politikë nuk ka pse të jesh e vrazhdë. Mund të jesh e butë e ta thuash zërin tënd e të kesh të njëjtat arritje. A janë një pjesë e grave të panjohura në parlament? Jam dakord, por mbetem partizane e grave në parlament. Ka gra të panjohura, por ka më shumë burra të panjohur në parlament. Për aq kohë sa ka pafund burra që nuk njihen dhe kanë legjislatura, pse të mos ketë edhe gra që nuk flasin?!”.

Ajo shtoi se një tjetër element që i dëmton gratë në politikë janë listat e partive politike që përpilohen nga vetë burrat. “Mbase do shohim një ndryshim me znj. Kryemadhi si lidere e një partie politike më në fund, si do bëjë ajo zgjedhjet dhe a do të ndikohet apo jo nga bashkëshorti. Burrat janë ata që i zgjedhin gratë në politikë dhe nuk ka ndryshuar asgjë. Partitë politike kanë paguar gjoba se nuk kanë çuar kuotat e 30 përqindëshit, ose listat janë shumë fiktive”.

Ajo u ndal edhe te lëvizja “#Metoo” që ka mbërthyer Hollivudin pas denoncimeve për dhunë seksuale të producentit Harvey Weinstein, që pasoi me raste të tjera të denoncuara.

“Dhuna seksuale është fenomen shumë më i vështirë se dhuna në familje dhe fushata “#metoo” tregoi se u desh shumë kohë që të ndodhte në Amerikë. Kur njerëz me pushtet, me dyer të hapura gjithandej kanë qenë viktima të dhunës seksuale, mendon se në fakt Shqipëria nuk qenka edhe aq keq sa e kemi menduar. Që sigurisht është në gjendje katastrofike, sepse shumica e dhunës këtu nuk denoncohet”.

Ajo solli shembuj të viktimave që raportojnë në linjat telefonike të këshillimit, që presim telefonata në njëzetekatër orë, duke përfunduar bashkëbisedimin se kjo tablo të bën të kuptosh llojin e dhunës në të cilën jeton Shqipëria dhe se është shumë larg të folurit për barazi gjinore. Ajo tha se rastet e dhunës seksuale apo në familje duhen raportuar nga media dhe duhet folur sa më shumë për denoncimin e saj dhe edukimin e shoqërisë.

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

Ecja, vrapi, biçikleta dhe puna në kopsht mbrojnë shëndetin

OBSH-ja, në bazë të evidencave të marra nga sektori i shëndetit, referon...
Read More