Flet mjeku: Kanceri i zorrës së trashë, shenjat dhe trajtimi

 

Prof. Asc. Arvin Dibra, kirurg në shërbimin e Kirurgjisë së Përgjithshme në QSUT, shpjegon se kanceri kolorektal është tumori malinj i dytë më i shpeshtë te meshkujt dhe i treti më i shpeshtë te femrat, me një përfshirje prej rreth 1 milion njerëzish të prekur çdo vit në të gjithë botën.

Risku i zhvillimit të sëmundjes rritet me rritjen e moshës. Ai shfaqet më shpesh në moshat 45 vjeç e sipër dhe dyfishon incidencën për çdo dekadë pasuese, duke arritur maksimumin në moshën 70-vjeçare. Në literaturën shkencore bashkëkohore janë përshkruar faktorët e riskut me mekanizmat e veprimit të tyre probabël në zhvillimin e sëmundshmërisë neoplazike kolorektale, si dhe studime të bëra së fundmi në botë në lidhje me këta faktorë. Përgjithësisht, ata ndahen në faktorë alimentarë, konstitucionalë e të stilit të jetës, gjenetikë dhe në mbivendosje të kancerit në sëmundje të mëparshme të zorrës së trashë.

Shumica e kancereve kolorektale (98%), i përkasin klasës histologjike të karcinomave, e kryesisht adenokarcinomave. Rrugët e përhapjes së kancerit kolorektal janë lokale, duke u shtrirë në shtresat e zorrës deri në infiltrimin progresiv të organeve që ndodhen pranë saj, në distancë, nëpërmjet rrugës limfatike apo asaj hematogjene. Organi ku gjenden pjesa më e madhe e metastazave të kancerit kolorektal është mëlçia. Kanceri i kolonit dhe rektumit, gjatë zhvillimit mund të paraqesë situata patologjike të konsideruara komplikacione të tij. Më të shpeshtat ndër to janë stenozimi deri në obstruksion (bllokim i plotë) të zorrës, perforimi (plasja) i saj apo më rrallë, hemorragjia. Prezantimi klinik i pacientëve ndryshon, si për sa i përket kohës së shfaqjes së simptomave, ashtu edhe për nga natyra e tyre. Në përgjithësi, shenjat klinike varen nga stadi i kancerit, lokalizimi i tij përgjatë trajektit të zorrës së trashë, prania ose jo e metastazave si dhe ndërlikimet e mundshme të tij.

Simptomat

Në vija të përgjithshme ankesat e pacientëve konsistojnë në ndryshime të tranzitit dhe defekimit, duke shkuar kryesisht nga meteorismi (fryrja e barkut) drejt një kapsllëku progresiv apo një defekim të alternuar (alternim i diarresë me periudha kapsllëku). Dhimbja është në shumë raste prezente ndonëse shpesh nuk rezulton të jetë e mirëlokalizuar dhe të orientojë direkt diagnozën. Në anamnezën e pacientëve gjenden thuajse në të gjitha rastet fenomene të shprehura të astenisë, lodhjes, rënies në peshë dhe të anemisë. Kur mbivendosen komplikacionet e përshkruara më lart simptomatologjia merr natyrë akute, çka shprehet me dhimbje, të vjella, ndërprerje të plotë të tranzitit për feçe dhe gazra, hemorragjisë apo të instaurimit të gjendjes së shokut në rastet e peritoniteve fekaloide nga perforacioni. Në shumicën e rasteve shfaqja e shenjave klinike përkon me një avancim të sëmundjes, çka vështirëson trajtimin dhe përkeqëson ndjeshëm prognozën e pacientit.

Diagnoza

Hapat e nevojshëm për të arritur në diagnozën e saktë të një neoplazie kolorektale ndryshojnë nga stadi në të cilin gjendet sëmundja në momentin e eksplorimit të pacientit dhe mund të arrijnë në ekstremin e zbulimit të sëmundjes në tavolinën e operacionit, veçanërisht në rastet e komplikacioneve ekstreme që shpesh nuk lejojnë kohën e mjaftueshme për procedura të plota diagnostike. Gjithsesi, në rastet e dyshimit për patologji neoplazile të zorrës së trashë ekzaminimi mbështetet nga laboratori ku mund të gjejmë pozitivitet për gjak në feçe, anemi zakonisht të moderuara, markues tumoralë specifikë të rritur. Në përqindjen thuajse absolute të rasteve diagnoza përcaktohet nëpërmjet kolonoskopisë e shoqëruar me biopsi që japin konfirmimin e patologjisë duke e tipizuar atë. Në rastet e rralla kur kolonoskopia nuk arrin të eksplorojë zorrën e trashë mund të vijë në ndihmë ekzaminimi radiologjik me kontrastim të dyfishtë të kolonit që mbart handikapin e pamundësisë për konfirmime bioptike bashkë me një sensibilitet e specificitet të ulët krahasuar me ekzaminimin endoskopik. Diagnoza gjithsesi duhet plotësuar me ekzaminim skanerik apo RMN (më rrallë e përdorur) çka do të përcaktojë stadin në të cilin paraqitet e zhvilluar makroskopikisht sëmundja, duke filluar të ofrojë dhe elementet e para të terapisë së zgjedhur, ashtu dhe të prognozës për gjykimin mjekësor.

Terapia

Zakonisht terapia e zgjedhur qëndron në kombinimin e kirurgjisë me kimioterapi onkologjike dhe në disa raste me radioterapi. Principi i pranuar i trajtimit të këtyre patologjive konsiston në tentativën për të hequr në mënyrë sa më të plotë tumorin me të gjitha indet që ai ka infiltruar, nyjet limfatike që mendohet së janë prekur bashkë me ato që pavarësisht se nuk kemi të dhëna, i përkasin drenimit limfatik të zonës ku është zhvilluar tumori, pra mund të jenë mikroskopikisht të prekura, gjithashtu, duhen hequr brenda mundësive edhe metastazat e dukshme në distancë që tumori mund të ketë prodhuar në mëlçi apo mushkëri. Në këtë mënyrë krijohet mundësia që nëpërmjet kimioterapisë të luftohen qelizat tumorale në qarkullim në organizmin e pacientit dhe nëpërmjet radioterapisë, të arrihet një “sterilizim” i zonës ku ishte i zhvilluar tumori. Në raste të veçanta, sidomos kur tumori prek zonat fundore të rektumit mund të gjykohet i nevojshëm trajtimi paraprak me radioterapi dhe kimioterapi i pacientit, për të reduktuar dimensionet e tumorit dhe për të mundësuar një ndërhyrje kirurgjike më pak traumatike për pacientin. Ndërhyrjet kirurgjikale zakonisht veç sa më sipër, synojnë rindërtimin e vazhdimësisë së aparatit tretës ndonëse, në disa raste të lidhura me pozicionin e tumorit, komplikacionet që ai ka shkaktuar apo gjendjen e përgjithshme të pacientit, mund të shoqërohen me nevojën që, në mënyrë të përkohshme apo të përhershme, pacienti të defekojë jo në rrugën natyrale por nëpërmjet një stomie në paretin e tij abdominal. Në disa raste, për arsye të avancimit të sëmundjes, kirurgjia ndërhyn për qëllime paliative, që synojnë thjesht zgjidhjen apo parandalimin e komplikacioneve, pa arritur të kryejë veprime kuruese. Në ditët e sotme trajtimi multispecialistik i këtyre pacientëve pëson një zhvillim të vazhdueshëm, ku duhen nënvizuar hapat e rëndësishëm të bërë në drejtimin e trajtimit onkologjik të personalizuar që përpiqet, dhe shpesh arrin, të zbulojë përshtatshmëri specifike mes ilaçeve të ndryshme dhe tipologjisë gjenetike të tumorit me rezultate entuziazmuese në praktikën e deritanishme. Mënyra më e mirë për të synuar rezultate në trajtimin e kësaj patologjie mbetet zbulimi i saj i hershëm nëpërmjet shtrirjes masive të ekzaminimeve endoskopike dhe informimit sa më të plotë të popullatës mbi faktorët e riskut dhe kontrollet e këshillueshme për fasha të caktuara më në rrezik për prekjen nga kjo sëmundje.

Shkruar Nga
More from Redaksia

Menoragjia: Problemet me ciklin tek femrat, shkaqet dhe trajtimi

    Mjekja obstetër-gjinekologe Jonida Reveli shpjegon funksionimin e ciklit menstrual, kur...
Read More