fbpx

Kryesore

Flet mjekja: Shenjat që sinjalizojnë gurë në tëmth, dy metodat e trajtimit





               Publikuar në : 09:28 - 22/02/19 |
mapo.al

Doktoreshë Ada Myrto, mjeke gastrohepatologe, rekomandon që për të parandaluar shfaqjen e gurëve në tëmth të ruhet një dietë e ekuilibruar me yndyra, proteina dhe karbohidrate. Të evitohet obeziteti, të ruhen vlerat e glicemisë sa më pranë normës te pacientët diabetikë dhe të evitohet rënia e shpejtë në peshë.


Gurët në fshikëzën e tëmthit përbëjnë sëmundje të shpeshtë, katër herë më shumë te femrat, se sa te meshkujt. Vlerësohet se 10% e popullatës vuan nga gurët në fshikëz, ndërkaq 65% e popullatës mbi 65 vjeç. Doktoreshë Ada Myrto, mjeke gastrohepatologe, në një intervistë për MAPO sqaron se gurët në tëmth mund të mos japin shenja klinike apo simptoma dhe ndërlikime të dukshme, duke e mbajtur për një kohë të gjatë të fshehur formimin e tyre. Por, një dhimbje e vazhdueshme në anë të djathtë, që përhapët në shpatull apo në drejtim të stomakut, të përziera, të vjella duhet të jetë shenjë alarmi për gur në tëmth. Dhe veçanërisht nëse kjo dhimbje zgjat më shumë se 30 minuta. Por edhe në rast se ju nuk keni dhimbje por dyshoni se mund të keni gurë në tëmth, doktoresha gastrohepatologe Myrto thotë se mënyra më e thjeshtë dhe e sigurt e vendosjes së diagnozës është ekografia abdominale. Pas kësaj, shpjegon doktoresha, do të vendoset për trajtimin e gurëve me ilaçe apo duhet konsideruar operacioni, deri në heqjen totale të tëmthit.



Tëmthi


Tëmthi është një organ në formë dardhe që vendoset nën mëlçi dhe shërben si rezervuar i lëngut biliar. Lëngu biliar prodhohet nga qelizat e mëlçisë. Ky lëng derdhet në zorrën e hollë përmes kontraktimeve të përsëritura të tëmthit. Ky lëng shërben për tretjen e ushqimeve. Bila përbëhet nga 82% ujë, 12% kripëra biliare, fosfolipide 4%, kolesterol 0.7% dhe 1% bilirubinë (pigmente proteina… etj.) Gurët në tëmth krijohen nga disbalancime në përqindjet e përbërësve të vet lëngut biliar. Gurët e tëmthit janë disa llojesh: Ka gurë me përqindje të lartë kolesteroli (75-85%), gurë me përqindje të lartë bilirubine dhe gurët e përzier.

Faktor risku për gurë në tëmth janë:

-Obeziteti- i cili rrit nivelin e kolesterolit dhe e bën më të vështirë zbrazjen e tëmthit;

– Seksi femër- për shkak të përdorimit të kontraceptivëve oralë, menopauza, shtatzënia;

-Diabeti-diabetikët kanë tendencë të kenë triglyceride të rritura gjë që çon në risk të rritur në krijimin e gurëve në tëmth;

– Medikamentet për të ulur kolesterolin;

– Rënie e shpejtë në peshë;

-Qëndrimi esëll për kohë të gatë- situatë në të cilën tëmthi nuk kontraktohet.

Klinika

  • Kolika biliare është shenja specifike e gurëve në tëmth e cila shprehet me dhimbje në anë të djathtë, që përhapët në shpatull apo në drejtim të stomakut, të përziera, të vjella. Dhimbja zgjat më shumë se 30 minuta.
  • Pas një kolike biliare, situatë mund të ndërlikohet më tej dhe mund të çojë në infeksionin e fshikëzës së tëmthit që njihet me termin Kolecistit akut ku pacienti ndjen dhimbje të forta në nivel të harkut brinjor të djathtë, ka temperaturë të lartë me ethe. Përsëritjet e shpeshta të infeksioneve të fshikëzës së tëmthit çojnë në kronicitet dhe në të ashtuquajturin kolecistit kronik ku të dhënat mbi këtë situatë i marrim përmes ekografisë abdominale ku kolecista vërehet me mure të trasha. Prania e gurëve në rrugët e tëmthit mund të çoj dhe në inflamacion të pankreasit, situatë e cila kjo ka nevojë për trajtim në kushte spitalore.
  • Çrregullimet në tretje mund të jenë dhe e vetmja shenjë e pranisë së gurëve sikurse llokoçitje zorrësh, mostretje e mirë, fryrje barku gazra, djegie stomaku.
  • Pacientët me gurë në tëmth mund të mos kenë asnjë të dhënë për praninë e tyre, por prania e tyre mund të zbulohet në mënyrë rastësore gjatë një ekzaminimi ekografik për të tjera arsye.

Diagnoza

Mënyra më e thjeshtë dhe e sigurt e vendosjes së diagnozës është ekografia abdominale

Trajtimi

1-Në rastin e kolikës biliare- Rekomandohet ndërhyrja kirurgjikale e cila në varësi të shenjave klinike të pacientit mund të bëhet në kushte urgjence ose të lihet për një moment të dytë. Një opsion i tretë do të ishte dhe të përdoren medikamente që shkrijnë gurët, por duhet të kihet parasysh që: fshikëza e tëmthit të jetë funksionale, gurët duhet të jenë radiotransparent me diametër maksimal 15 mm dhe nuk duhet të kenë kalcifikime. Duhet theksuar që gjithsesi heqja e tëmthit në këtë rrethanë është rruga e më sigurt.

2-Në rastin e pranisë së gurëve në tëmth por që nuk kanë shfaqur asnjëherë shqetësime: i mbajnë nën observim dhe presim. Duhet të theksojmë se vetëm 20% e pacientëve me gurë në tëmth japin ndërlikime si kolike biliare dhe infeksione të fshikëzës së tëmthit. Te ky grup pacientësh që nuk kanë shenja klinike duhet të marrin në konsideratë ndërhyrjen kirurgjikale : pacientët diabetikë në moshë të re dhe gratë që kërkojnë shtatzëni.

Rekomandohet që për të parandaluar shfaqjen e gurëve në tëmth të ruhet një dietë e ekuilibruar me yndyra, proteina dhe karbohidrate. Të evitohet obeziteti, të ruhen vlerat e glicemisë sa më pranë normës te pacientët diabetikë dhe të evitohet rënia e shpejtë në peshë.

 

Tëmthi, ushqimet që këshillohen

Është shumë e drejtë të dihet qëndrimi në lidhje me disa lloje ushqimesh, pasi nga përdorimi i tyre mund të provokohet një krizë. Kështu duhen mënjanuar vezët, mishi i derrit dhe ai i qengjit, pastërmanë, mishi i shpendëve, kafeja, agrumet, alkooli dhe frutat e thata si kikirikët, bajamet, arrat. Rekomandohen ushqimet organike, si: zarzavate të freskëta, sidomos lëngu i tyre dhe veçanërisht, kastraveci dhe rrepa e kuqe. Shumë me rëndësi do të ishte edhe konsumimi i sasive të mëdha të lëngjeve, qoftë dhe thjesht ujë, por që duhet të jenë 2-3 litra në ditë. Ushqime të tjera të nevojshme janë: hudhra dhe vaji i hudhrës, arra e kokosit, lëngu i rrushit, mollët, kajsitë, manat, manaferrat, boronica, kumbulla, dardha, pjepri.


Etiketa: , , , ,

CLOSE
CLOSE
Pas