Fitues dhe humbës

Në dhjetor 2015, vetëm 6 për qind e banorëve në Shtetet e Bashkuara, 4 për qind në Gjermani, 4 për qind në Britani dhe 3 për qind në Francë u shprehën se “bota po përmirësohej”. Te shumica pesimiste e këtyre vendeve ekziston dyshimi se ata që zotërojnë pushtet, para dhe instrumentet e manipulimit të ideve, shqetësohen më shumë për botën e tyre kozmopolitane sesa për mirëqenien e bashkëqytetarëve të tyre

Nga Ian Bremmer*

“Jam padroni i fatit tim, jam kapiteni i shpirtit tim”. —William Ernest Henley

“Ka ardhur koha për revolucion lokal”, iu drejtua kandidatja një turme të zhurmshme. “Vendet nuk janë më shtete, por tregje. Kufijtë janë fshirë nga harta . . . Gjithkush mund të vijë në vendin tonë dhe, për pasojë, pagat janë ulur dhe sistemi i përkrahjes sociale ka dështuar. Identiteti ynë kulturor është në rrezik”. Fjalët e Marinë lë Penit rrokin elementet më të rëndësishme të ankthit që ka pushtuar gjithë botën perëndimore. Kufijtë janë të hapur, dhe të huajt po vërshojnë. Do t’ju zënë vendet e punës. Do të reduktojnë pensionet dhe do të përkeqësojnë kujdesin shëndetësor, sepse sistemi juaj i mirëqenies sociale do të falimentojë. Do t’ju ndotin kulturën. Disa prej tyre janë vrasës. Lë Peni nuk arriti të zgjidhej presidente e Francës në vitin 2017, por mesazhi i saj mbetet bindës për politikën e shekullit XXI: “ne kundër atyre”.

Por kjo nuk është një histori në lidhje me Marinë lë Penin, Donald Trumpin apo çfarëdo qendre tjetër populiste që është shfaqur vitet e fundit në Europë dhe Shtetet e Bashkuara. Ktheni telekamerën drejt turmës së tërbuar: kjo është historia që duhet treguar. Nuk është zëdhënësi që ndez lëvizjen. Është frika – nëse jo gjithmonë, shpesh e justifikuar – që ndiejnë njerëzit e zakonshëm: frika për humbjen e vendit të punës, frika për rritjen e numrit të të huajve, frika për zhdukjen e identitetit kombëtar dhe frika për shpërthimet e pakuptueshme nga ana e grupeve terroriste. Është dyshimi, gjithmonë më i ankthshëm mes qytetarëve, se shteti nuk është në gjendje t’i mbrojë, t’u ofrojë mundësi për një jetë më të mirë, dhe t’i ndihmojë për të qenë padronë të fatit të tyre.

Në dhjetor 2015, vetëm 6 për qind e banorëve në Shtetet e Bashkuara, 4 për qind në Gjermani, 4 për qind në Britani dhe 3 për qind në Francë u shprehën se “bota po përmirësohej”. Te shumica pesimiste e këtyre vendeve ekziston dyshimi se ata që zotërojnë pushtet, para dhe instrumentet e manipulimit të ideve, shqetësohen më shumë për botën e tyre kozmopolitane sesa për mirëqenien e bashkëqytetarëve të tyre. Shumë qytetarë të këtyre vendeve besojnë tashmë se globalizmi funksionon vetëm për “kastën e të favorizuarve”, dhe jo për ata.

Dhe kanë të drejtë.

Globalizimi – rrjedha ndërkufitare e ideve, informacioneve, njerëzve, parave, mallrave dhe shërbimeve – ka ndodhur në një botë të ndërlidhur, në të cilën liderët kombëtarë kanë kufizuar gjithnjë më shumë aftësinë për të mbrojtur jetën dhe nivelin e mirëqenies së qytetarëve. Në epokën digjitale, kufijtë nuk kanë më domethënien që iu atribuojnë qytetarët. Në shumë mënyra, kufijtë pothuajse nuk ekzistojnë më.

Globalizmi – teoria sipas së cilës ndërvarësia që krijoi globalizimin, ishte e dobishme për të gjithë shoqërinë – është në të vërtetë ideologjia e elitës. Liderët politikë të Perëndimit të pasur kanë qenë mbrojtësit më të patundur të globalizmit, teksa kanë inkurajuar krijimin e një sistemi që ka vënë në lëvizje ide, informacione, njerëz, para, mallra dhe shërbime përmes kufijve, me një shpejtësi dhe shkallë të paprecedentë në historinë njerëzore.

Është e vërtetë se, gjatë dekadave të fundit, më shumë se një miliardë persona kanë shpëtuar nga varfëria dhe, më së fundmi, ekonomitë dhe tregjet janë rikuperuar nga kriza financiare. Por, së bashku me mundësitë e reja, janë shfaqur dobësi serioze, dhe refuzimi për të pranuar anët negative të ndërvarësisë së re nga ana e elitës globale konfirmon dyshimet e atyre që kanë humbur ndjesinë e sigurisë dhe standardin e jetesës: elitat në Nju Jork dhe Paris kanë më shumë ngjashmëri me elitat në Romë dhe San Francisko sesa me bashkatdhetarët e tyre më pak fatlumë në Tulsa, Torino, Taskaluza dhe Tulon. “Globalistët kanë masakruar klasën punëtore amerikane dhe kanë krijuar një klasë të mesme në Azi”, ka deklaruar në revistën “Hollywood Reporter” Stiv Benoni, ish-hartues strategjish në Shtëpinë e Bardhë, disa ditë pas fitores së zgjedhjeve nga Donald Trumpi më 2016. “Tashmë, çështja ka të bëjë me amerikanët që nuk duan të mashtrohen”.

Në SHBA, vendet e punës, falë të cilave gjenerata amerikanësh u bënë pjesë e shtresës së mesme dhe shpresuan se do të mbeteshin përjetë në këtë nivel, po shuhen. Varësia nga krimi dhe droga është përhapur. Në një sondazh të vitit 2017, 87 për qind e kinezëve dhe 74 për qind e indianëve deklaruan se besonin se vendi i tyre po shkonte “në drejtimin e duhur”, kurse vetëm 43 për qind e amerikanëve kishin këtë qëndrim.

Në Europë, Komisioni Europian dhe burokratët e pazgjedhur që zbatojnë rregullat e tij, kanë përpiluar ligje për njëzet e tetë vendet anëtare, pa marrë në konsideratë nevojat e tyre të ndryshme. Vitet e fundit, ata kanë dështuar në parandalimin e një krize borxhi, e cila detyroi shumë europianë të pranonin rroga më të ulëta, çmime më të larta, shtyrjen e moshës për të dalë në pension, pagesa të reduktuara për pensionet: shkurt, një të ardhme të pasigurt. Ndërkohë, po këtyre qytetarëve europianë iu kërkua që të shpëtonin vende të tjera që kishin shpenzuar shumë dhe ishin zhytur në borxhe. Gjatë krizës së emigrantëve, liderët globalistë europianë insistuan që të gjithë anëtarët e Bashkimit Europian duhej të pranonin refugjatë myslimanë, sipas kuotave të përcaktuara nga Brukseli, dhe rezultatet e këtij vendimi ishin ngritja e barrikadave dhe përhapja e nacionalizmit. (E përcaktoj “nacionalizmin” si një formë e nocionit “ne kundër atyre”, e cila tenton të bashkojë pjesëtarët e një kombi kundër pjesëtarëve të kombeve të tjera.)

Vala e nacionalizmit populist që është përhapur në SHBA dhe Europë, është thjesht një nga simptomat e kësaj situate, e cila do të mjaftonte për të shpallur dështimin e globalizmit. Por po afrohet një krizë akoma më e rëndë. Shumë nga stuhitë që po shkaktojnë destabilizim në SHBA dhe Europë – sidomos ndryshimet teknologjike në vendet e punës dhe vetëdija për pabarazinë e të ardhurave – po kapërcejnë kufijtë dhe janë drejtuar drejt botës në zhvillim, ku qeveritë dhe institucionet janë tërësisht të papërgatitura. Vendet në zhvillim janë veçanërisht të pambrojtura, sepse institucionet që gjenerojnë stabilitet, janë të brishta, dhe sistemet e sigurimeve shoqërore nuk janë aq të qëndrueshme sa në SHBA dhe Bashkimin Europian. Këto vende karakterizohen nga një hendek më i madh ndërmjet të pasurve dhe të varfërve dhe, ndërsa risitë teknologjike do të rrënojnë një numër të madh të vendeve të punës, duke i privuar njerëzit nga pritshmëritë për një jetë më të mirë, ky realitet do të jetë edhe më i vështirë për t’u menaxhuar. Shkurtimisht, ashtu si kriza financiare pati një efekt të paparashikueshëm dhe të pashmangshëm, duke u përhapur në tregjet financiare dhe ekonomitë reale të botës, po ashtu edhe këto ndjesi frustrimi që po kaplojnë Europën dhe Amerikën do të shkaktojnë dallgë tronditëse në dhjetëra vende të tjera. Disa prej tyre do t’i përballojnë këto tronditje. Vende të tjera do ta kenë të pamundur. Ndërsa njerëzit e varfër në vendet në zhvillim po bëhen më të ndërgjegjshëm për gjërat që iu mungojnë ose po i humbasin – strehimi, arsimi, punësimi, kujdesi shëndetësor dhe mbrojtja nga kriminaliteti – shumë prej tyre do të fillojnë të gjuajnë me gurë.

Nuk bëhet fjalë për rritjen e fuqisë së Kinës, as me një Luftë tjetër të Ftohtë, as me të ardhmen e Europës, dhe as me rrezikun e një konflikti global kibernetik që do të përcaktojë të ardhmen e shoqërive tona. Bëhet fjalë për përpjekjet e humbësve nga globalizimi, të cilët nuk duan të mashtrohen përsëri, si dhe për përpjekjet e fituesve nga globalizimi, të cilët duan të vazhdojnë dominimin e pushtetit. Por konfrontimi brenda çdo shoqërie, ndërmjet fituesve dhe humbësve, nuk do të ndodhë vetëm në SHBA dhe Europë, por edhe në vendet në zhvillim.

Nuk ka dyshim që do të ketë përplasje mes fituesve dhe humbësve. Është tepër vonë për të frenuar zemërimin e njerëzve, nevojat thelbësore të të cilëve janë lënë pas dore prej vitesh; është tepër vonë për të ndaluar përparimin teknologjik, i cili do të thellojë pabarazinë dhe nativizmin e krijuar nga globalizmi. Mbetet për të parë se kush do të fitojë – dhe kush do të bëhet kurban. Në disa vende, “ne kundër atyre” do të përkthehet në versionin “qytetarët kundër qeverisë”. Në vende të tjera, do të manifestohet si ndasi ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Në disa raste, për problemet e tyre, qytetarët e pakënaqur do të fajësojnë emigrantët dhe do t’i ndëshkojnë “ata”. Dhe, në raste të tjera, një shumicë etnike do t’i kundërvihet një pakice të brendshme etnike, duke ia veshur kësaj të fundit problemet shoqërore.

“Ne kundër atyre” është një mesazh që do të adoptohet si nga e majta ashtu edhe nga e djathta. Antiglobalistët e spektrit të majtë e përdorin termin “ata” për t’iu referuar elitës qeveritare, korporatave të mëdha dhe bankave, të cilat iu krijojnë mundësi elitave financiare të shfrytëzojnë punëtorët ose investitorët. Këto janë mesazhe që dëgjojmë nga senatori Bërni Sanders dhe kryeministri grek Aleksis Cipras. Nga ana tjetër, antiglobalistët e spektrit të djathtë e përdorin termin “ata” për të përshkruar qeveritë që ofrojnë trajtime preferenciale për minoritetet, emigrantët ose çdo grupim tjetër që përfiton mbrojtje në bazë të ligjit, në kurriz të qytetarëve të zakonshëm.

Si do të reagojnë qeveritë? Çfarë vendimesh do të marrin? Më të dobëtat do të rrënohen, duke rritur numrin e shteteve të dështuara, siç janë, për shembull, Siria dhe Somalia. Qeveritë që ende shpresojnë për të ndërtuar shoqëri të hapura, do të përshtaten, me qëllim që të mbijetojnë, ndërsa do të përpiqen të riformulojnë kontratat sociale, duke krijuar mënyra të reja për të përmbushur nevojat e qytetarëve në një botë në ndryshim. Shumë qeveri të lidhura fort me pushtetin, do të ndërtojnë mure – edhe fizike, edhe virtuale – që i ndajnë njerëzit nga njëri-tjetri, dhe shtetin nga qytetarët.

Nuk mund t’i shmangim më këto zgjedhje, ashtu siç bota nuk mund të shmangë ndryshimin klimatik, kështu që ka ardhur koha të fillojmë të përgatitemi për një botë me batica vazhdimisht më të furishme. Kjo është kriza e ardhshme. Ky është konflikti që do të gërryejë nga brenda shumë shoqëri.

Si arritëm deri në këtë pikë?

Si në Europë, ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, beteja mes nacionalizmit dhe globalizmit ka rrënjë të thella historike, por ngjarjet e kohëve të fundit e kanë shtuar intensitetin. Fillimisht, ndodhi tërmeti: kriza financiare e viteve 2008 dhe 2009 shkaktoi pakënaqësi ndaj Uoll Stritit dhe katalizatorëve politikë në SHBA, ndërsa masat shpëtuese dhe parandaluese – të ndërmarra nga Bashkimi Europian – provokuan një reagim të furishëm. Në SHBA, e djathta e quajti lëvizjen “Pushtoni Uoll Stritin!” manifestim të shpërlarë dhe të pakuptimtë të grupimeve të ekstremit të majtë.

Nga krahu tjetër, e majta e quajti lëvizjen “Tea Party” një shumëllojshmëri racistësh të moshuar e të zemëruar që kërkonin “rikthimin e Amerikës së bardhë”, kurse aktivistët prominentë të Partisë Konservatore konsideroheshin patriotë të kamufluar. Grupime të tjera i shpërfillën të dyja këto fenomene, sikur asgjë nuk po ndodhte në skenën politike amerikane. Më pas, në Europë, kriza e emigrantëve dhe një sërë sulmesh terroriste ndikuan në krijimin e një konsensusi mes eksponentëve politikë dhe partive ksenofobe. Shumë vende anëtare të Bashkimit Europian rivendosën përkohësisht kontrollet kufitare, dhe disa prej tyre kundërshtuan haptazi rregullat e BE-së. Në vitin 2016, britanikët votuan për rimarrjen e kontrollit të ligjeve dhe kufijve të tyre, ndërsa, në SHBA, u zgjodh president Donald Trump, që u turr si një dem i harbuar kundër elitave globaliste dhe mediave.

Paskëtaj, u duk sikur zemërimi u shua, dhe përjetuam një iluzion të moderimit. Barrikadat në Ballkan dhe një marrëveshje mes BE-së dhe Turqisë për të ngadalësuar dukshëm fluksin e emigrantëve për në Europë lehtësuan krizën e refugjatëve dhe ulën presionin në të gjithë kontinentin për një raund tjetër kontrollesh kufitare. Agjitatori antimysliman, Gert Uilders, doli në vend të dytë në zgjedhjet holandeze të marsit të vitit 2017. Pas dy muajsh, Emmanuel Macron, një pro-europian i përfshirë kohët e fundit në politikë, fitoi sfidën ndaj Lë Penit dhe u zgjodh president i Francës, edhe pse zgjedhjet në tërësi dëshmuan dështimin e partive tradicionale të qendrës së majtë dhe qendrës së djathtë që kishin dominuar politikën franceze për dekada me radhë; ky dështim shkoi në favor të një kandidati, i cili, ashtu si Trumpi, nuk kishte garuar asnjëherë më parë për një post publik.

Në Britaninë e Madhe, qendra e majtë ka shfaqur shenja përtëritjeje, edhe pse dalja në pah e kësaj force varet nga një numër i madh i elektoratit që i përkasin klasës punëtore, por që votuan për daljen e Britanisë nga Bashkimi Europian. Në Gjermani, kancelarja Angela Merkel, mbrojtësja e unitetit europian, fitoi mandatin e katërt. Në SHBA, reagimi ndaj Trumpit u intensifikua. Përqindja e mbështetjes ndaj presidentit të ri është ndërmjet 30 dhe 40 për qind, dhe agjenda e tij legjislative ka ngecur. Gjykatat bllokuan disa prej pikave të programit të tij, dhe disa hetime për skandale të ndryshme e kanë shpërqendruar. Megjithatë, demokratët nuk kanë gjetur një mesazh të qartë dhe të besueshëm për votuesit e tyre amerikanë.

Kapitulli i ardhshëm po formatohet dhe, me sa duket, nuk do të jetë më i mirë. Do të ndodhë kështu, sepse globalizmi përmban farat e vetëshkatërrimit: edhe pse e përmirëson botën, nxit pasiguri ekonomike dhe kulturore dhe, kur njerëzit veprojnë të shtyrë nga frika, nuk parashikohen gjëra të mira.

*Pjesë nga libri ”Ne vs atyre- dështimi i globalizmit”, botim i Shtëpisë Botuese Minerva

Shkruar Nga
More from Enton Palushi

E megjithatë, Reforma në Drejtësi ka e vetme meritën për negociatat me BE-në

Nga Ervis Iljazaj Për Reformën në Drejtësi, e cila është një nga...
Read More